DHJETË VJET „ENIGMË“ RRETH VDEKJES SË ASTRIT DEHARIT

DHJETË VJET „ENIGMË“ RRETH VDEKJES SË ASTRIT DEHARIT

Nga Nezir Myrtaj

Konsolidimi i kastës së pushtetit pas shpalljes së pavarësisë

Kasta e pushtetit, e cila i kishte shijuar përfitimet në kurriz të Kosovës, duke qenë në bashkëpushtet me strukturat e UNMIK-ut deri në shpalljen e pavarësisë, ashtu siç ishte shpallur në shkurt të vitit 2008, ishte konsoliduar dhe mobilizuar edhe më shumë pas kësaj date, për të shtënë fort në dorë shtetin e pakonsoliduar, të brishtë e të lënduar të Kosovës. Qëllimi ishte përfitimi ekstrem grupor, farefisnor e partiak, si dhe akumulimi i kapitalit marramendës, duke dëmtuar shtetin e Kosovës dhe popullin e saj.

Për ta realizuar këtë qëllim, kjo kastë duhej, patjetër, të ishte zë i dëgjueshëm dhe i disiplinuar i faktorëve ndërkombëtarë, por edhe argat i palodhshëm i kreut bashkëbisedues në Serbi, i cili asnjëherë nuk e kishte hequr vëmendjen nga planet për ta penguar dhe pamundësuar jetësimin e shtetit të Kosovës.

Prandaj, e preokupuar pas zaptimit të shtetit, kjo kastë zaptuese, në vitet në vijim, injoroi faktin e shpalljes së pavarësisë, por edhe mendimin pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e këtij akti, duke hapur një kapitull të ri bisedimesh me Serbinë për shumë çështje thelbësore të brendshme të Kosovës.

Si produkt i këtij kapitullimi të turpshëm, të bërë për interesa vetjake pasurore, pasuan marrëveshjet e njëpasnjëshme në dobi të Serbisë, të cilat e degraduan dhe e paralizuan zhvillimin e shtetit të Kosovës nëpërmjet fusnotës kontestuese në mbishkrimin e këtij shteti, Asociacionit të komunave me shumicë serbe, demarkacionit me Malin e Zi, Gjykatës Speciale kundër „krimeve“ të UÇK-së e të tjera.

Kundërshtimi popullor dhe kostoja e mbrojtjes së republikës

Të gjitha këto të këqija që po i bëheshin dhe që po i vinin Kosovës nuk mund të mos hasnin edhe në kundërshtimin popullor, zëri i vetëm i artikuluar i të cilit ishte bërë Lëvizja Vetëvendosje.

Mirëpo, ky kundërshtim nuk mund të mos kishte edhe koston e vet. Dhe, përderisa kostoja e pavarësisë së „Pakos së Ahtisaarit“ ishte paguar me jetën e dëshmorëve Mon Balaj dhe Arben Xheladini, tani koston e mbrojtjes së pavarësisë së rrezikuar duhej ta paguante dikush tjetër. Ai ishte veprimtari dhe studenti i mjekësisë, Astrit Dehari.

Vdekja e Astrit Deharit – një rast i pakrahasueshëm

Marrja e jetës së Astritit në burgun e paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor 2016, nuk ishte si rënia e dëshmorëve tanë të tjerë deri atëherë. Kjo vdekje nuk mund të krahasohet me rënien e mijëra dëshmorëve në fushëbetejë, përballë armës armike; nuk mund të krahasohet as me rënien në burgun e Prishtinës të Fazli Grajçevcit apo të Shaban Shalës; as me rënien e Xhemail Berishës në burgun e Prizrenit; as me rënien në plojën e burgut të Dubravës; madje as me rënien e Monit dhe Arbenit në sheshin e Prishtinës.

Përderisa të gjitha rëniet e tjera i kishte shkaktuar dora e huaj gjakatare, Astriti u flijua nga një fantazmë vrasëtare, duke qenë në duart dhe nën mbikëqyrjen e shtetit, i cili me të drejtë konsiderohej i zaptuar. Dhe ky ishte një krim shumëfish më i rëndë.

Ajo ishte një vrasje për motive politike, e kurdisur dhe e urdhëruar nga ata që zërin e tij kundërshtues po e konsideronin si rrezik për pozitën e tyre si „pronarë“ të shtetit, si dhe për proceset antishtetërore që ata po i zhvillonin.

Institucionet shtetërore dhe përpjekjet për ta mbuluar të vërtetën

Se vdekja e Astrit Deharit ishte likuidim i tij me paramendim, për të gjithë ata që kanë parë dhe dëgjuar ato që janë thënë publikisht, tashmë nuk mund të ketë dyshim, përveçse për mbështetësit e urdhërdhënësve dhe urdhërzbatuesve.

Ky likuidim ishte dëshmia më e fortë e vënies së institucioneve të shtetit nën grushtin e „pronarëve“ të tij. Këtë fakt e dëshmuan varg e vijë, me deklaratat e tyre, që nga zyrtarët përgjegjës të burgut në Prizren, kryepolici i atëhershëm i Prizrenit, kryeprokurori i Prizrenit, Instituti i Mjekësisë Ligjore i Kosovës, ministrja e Drejtësisë, e deri te krerët kryesorë të shtetit. Deklaratat e tyre publike tashmë kanë mbetur të regjistruara jo vetëm në kujtesë.

Të gjithë këta përgjegjës shtetërorë, të cilët deklaronin me bindje se Astriti kishte bërë „vetëvrasje“, me këtë konstatim po e vrisnin atë për së dyti. Në raste të tjera të caktuara, për aktin të cilin po përpiqeshin ta kamuflonin, ata paradoksalisht fajësonin Lëvizjen Vetëvendosje.

Mirëpo, më pas, të gjithë dolën të pafuqishëm përballë gjetjeve të raportit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës, në Zvicër.

Diskursi politik kundër Lëvizjes Vetëvendosje

Natyrisht, në këtë raport nuk kishte si të figuronin kërkesat e parashtruara publikisht, jo vetëm një herë, në Kuvendin e Republikës dhe jashtë tij, nga eksponentë të partive politike që kishin qenë për një kohë të gjatë në pushtet. Njëra prej tyre ishte edhe kërkesa e ish-deputetes së LDK-së, B. Gaxherri (e përmendur këtu për hir të kujtesës së lexuesit), e cila kërkonte nxjerrjen jashtë ligjit të veprimtarisë së Lëvizjes Vetëvendosje, pjesë e së cilës ishte edhe Astrit Dehari.

Ky diskurs likuidues nuk ishte pa domethënie. Ai pasqyronte zërat nazifashistë brenda subjekteve me rezonancë të tillë, për të cilët në Kosovë nuk mund të ishte i pranueshëm as veprimi i lirë politik dhe as shprehja e mendimit të lirë.

Derisa këta zëra kërkonin ta likuidonin ligjërisht subjektin politik të cilit i përkiste Astriti, duhej pritur që „dirigjuesit“ e tyre të urdhëronin edhe likuidimin fizik të tij.

Dhjetë vjet pa të vërtetën për vdekjen e Astrit Deharit

Ka kaluar një dekadë që nga vdekja „misterioze“ e Astrit Deharit në qelinë e burgut të paraburgimit në Prizren. Që atëherë, enigma e kësaj vdekjeje mizore e ka mbajtur dhe, fatkeqësisht, vazhdon ta mbajë në errësirë të vërtetën rreth saj.

Që atëherë e deri më sot, institucionet përgjegjëse të shtetit nuk kanë treguar as aftësi për ta nxjerrë në shesh të vërtetën objektive, as gatishmëri ligjore, morale e njerëzore për t’ia bërë të njohur këtë të vërtetë, para së gjithash familjes së Astritit, por edhe qytetarit të Republikës.

Përkundrazi, ato kanë shfaqur, deri në skajshmëri, përpjekje për ta anashkaluar dhe mohuar këtë të vërtetë, madje duke asgjësuar edhe prova dhe gjurmë të domosdoshme për zbardhjen e saj.

Ky fakt e tmerron qytetarin e Kosovës, sepse përpjekja e shtetit për ta mjegulluar vdekjen e qytetarit të vet, i cili humbi jetën në duart e tij, me qëllim të mohimit të përgjegjësisë, duke pasur parasysh edhe motivin politik të aktit, i jep atij epitetin më të rëndë – vrasës.

Astrit Dehari – dëshmori i republikës

Por, pavarësisht të gjithave, sot dhe mot, diçka është e sigurt: rrethanat në të cilat iu ndërpre jeta rinore Astrit Deharit, si dhe proceset nëpër të cilat po kalonte Kosova, e bëjnë emrin e tij të pavdekshëm.

Dhe, ashtu siç ranë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për liri, Astrit Dehari ra në mbrojtje të fryteve të kësaj lufte.

Ai është dëshmori i Republikës.

Nezir Myrtaj Prishtinë, 4.11.2026

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura