VËSHTRIM PËR LIBRIN „MILITANTI NUHI BERISHA“ – MONOGRAFI

Nga Prof. Nevzad Isufi
1. Vlera dokumentare dhe historike e monografisë
Libri „Militanti Nuhi Berisha – Monografi“ ka, para së gjithash, një vlerë të konsiderueshme dokumentare dhe historike, sepse mbështetet në një material burimor të pasur. Në të janë përfshirë shënime dhe dorëshkrime të vetë Nuhi Berishës, dëshmi të familjarëve dhe bashkëpunëtorëve, si dhe dokumente të institucioneve të atëhershme të Kosovës, por edhe të ish-Jugosllavisë. Kjo përbën një bazë të rëndësishme për ndërtimin e një portreti biografik të dokumentuar të heroit Nuhi Berisha.
Një tjetër vlerë e veprës është përpjekja për ta ndjekur jetën dhe veprimtarinë e tij në mënyrë kronologjike: nga fëmijëria dhe mjedisi familjar në Sfircë, shkollimi në Gjilan, studimet në Prishtinë, zhvillimet e vitit 1981, largimi dhe qëndrimi në Zvicër, veprimtaria ilegale e viteve 1982–1983, deri te rënia e tij në janar të vitit 1984 dhe trajtimi i figurës së tij pas rënies. Kjo kronologji e ndihmon lexuesin ta kuptojë gradualisht formimin e personalitetit dhe zhvillimin e figurës së protagonistit.
2. Burimet e dorës së parë dhe dokumentimi i ngjarjeve
Veçanërisht e rëndësishme është përfshirja e materialeve burimore të dorës së parë. Në këtë drejtim, veçohen ditari, kujtimet, dorëshkrimet, letra-poemë dhe shkrime të tjera të Nuhi Berishës, si dhe dokumentet zyrtare të kohës.
Një shembull i spikatur është procesverbali i këqyrjes së vendit të ngjarjes, përkatësisht i vendit ku ranë Nuhi Berisha dhe shoku i idealit e bashkëveprimtari i tij, Rexhep Mala. Dokumenti paraqitet në mënyrë të plotë dhe shfrytëzohet për të ndriçuar rrethanat konkrete të ngjarjes.
Po ashtu, dëshmitë e bashkëkohësve dhe bashkëveprimtarëve i japin veprës një dimension autentik dhe të besueshëm. Përmes tyre nuk paraqitet vetëm veprimtaria politike e protagonistit, por edhe marrëdhëniet e tij me familjen, shokët dhe bashkëveprimtarët, si dhe rrethanat në të cilat ai veproi. Në disa raste, dëshmitë shoqërohen me të dhëna konkrete për kohën dhe rrethanat, duke e bërë rrëfimin më të gjallë dhe më bindës. Në njëfarë mënyre, lexuesi krijon ndjesinë e një rikthimi real në kohë.
3. Ndërthurja e burimeve dhe besueshmëria e rrëfimit
Një nga anët më të rëndësishme pozitive të monografisë është ndërthurja e burimeve të ndryshme në ndërtimin e figurës dhe personalitetit të Nuhi Berishës. Autori nuk mbështetet vetëm në një lloj materiali, por e ndriçon jetën dhe veprimtarinë e protagonistit përmes disa shtresave burimore: shkrimeve dhe kujtimeve të vetë Nuhiut, dëshmive të familjarëve e bashkëveprimtarëve dhe dokumenteve të institucioneve të kohës. Kjo i jep veprës një bazë më të gjerë dokumentare dhe e shmang, në masë të konsiderueshme, ndërtimin e biografisë vetëm mbi kujtime të mëvonshme ose mbi rrëfimin e autorit.
Veçanërisht e vlefshme është mundësia për krahasimin dhe plotësimin reciprok të burimeve. Një ngjarje ose rrethanë mund të paraqitet nga një dëshmitar, të plotësohet nga kujtimet apo shënimet e protagonistit dhe, në raste të caktuara, të ballafaqohet edhe me dokumentacionin zyrtar të kohës. Kjo mënyrë pune e pasuron rrëfimin, sepse lexuesi nuk përballet vetëm me një version të ngjarjes, por mund të shohë se si ajo pasqyrohet në burime me natyrë dhe prejardhje të ndryshme.
Kjo vërehet sidomos në pjesët ku dokumentet zyrtare përdoren krahas dëshmive të personave që kanë qenë të pranishëm ose kanë pasur njohuri të drejtpërdrejta për ngjarjen. Në këtë mënyrë, dokumenti nuk shërben vetëm si material ilustrues, por edhe si bazë për ta kontrolluar, plotësuar ose saktësuar rrëfimin. Në këtë aspekt, procesverbali i këqyrjes së vendit të ngjarjes paraqitet si një nga pjesët më të forta dokumentare të veprës.
Po aq e rëndësishme është prania e zërit të vetë Nuhi Berishës. Ditari, kujtimet, dorëshkrimet dhe shkrimet e tij i japin monografisë mundësinë që protagonisti të mos paraqitet vetëm përmes kujtimeve të të tjerëve, por edhe përmes mendimeve, përjetimeve dhe shkrimeve të veta. Kjo i shton veprës një dimension të veçantë, sepse lexuesi mund ta njohë figurën e tij edhe përmes gjurmëve të shkruara që ai vetë ka lënë.
Në këtë kuptim, vlera e ndërthurjes së burimeve nuk qëndron thjesht në numrin e tyre, por në mundësinë e krahasimit dhe të plotësimit të ndërsjellë. Megjithatë, pikërisht për shkak të shumëllojshmërisë së materialeve, do të ishte e nevojshme që dallimi ndërmjet tyre të bëhej edhe më i qartë. Lexuesi duhet ta ketë gjithmonë të qartë se kur kemi të bëjmë me një fakt të dokumentuar, kur me dëshminë e një personi dhe kur me interpretimin e autorit. Një aparat referues më i plotë, me të dhëna më të sakta për kohën, vendin dhe mënyrën e marrjes së dëshmive, do ta forconte edhe më tej karakterin shkencor të veprës.
4. Dimensioni emocional dhe dëshmitë gojore
Duhet shtuar se, gjatë leximit të kësaj monografie, është e pamundur të mos zgjohen shqetësime, përjetime dhe emocione të fuqishme, veçanërisht te lexuesi që ka qenë, në një mënyrë a në një tjetër, pjesë e ngjarjeve apo i lidhur me ndonjërin prej personazheve që kanë pasur rol të drejtpërdrejtë në veprimtarinë e heroit.
Në këtë rast, leximi nuk mbetet thjesht një përballje me dokumente dhe dëshmi të së kaluarës, por shndërrohet në një udhëtim retrospektiv drejt ngjarjeve, njerëzve dhe rrethanave të asaj periudhe. Përjetimi bëhet edhe më i fuqishëm atëherë kur ajo që lexohet nuk është vetëm histori e shkruar, por edhe një pjesë e përjetuar e jetës.
Ndërkaq, dëshmitë gojore sjellin një dimension tjetër të rëndësishëm. Ato ndihmojnë në konkretizimin e marrëdhënieve njerëzore, të rrethanave të veprimtarisë dhe të episodeve që nuk mund të gjenden gjithmonë në dokumentet zyrtare. Në pjesët më të arrira, këto dëshmi nuk përdoren thjesht për të përsëritur atë që thuhet në burime të tjera, por për të plotësuar boshllëqet dhe për ta bërë më të kuptueshme atmosferën në të cilën ka vepruar protagonisti.
5. Kontributi i autorit dhe përgjegjësia institucionale për ruajtjen e kujtesës historike
Në përgjithësi, vlerësimi i materialit tregon se monografia ka një bazë me shumë vlerë dhe përmban material që mund të jetë i rëndësishëm për studiuesit e veprimtarisë ilegale shqiptare të viteve 1981–1984. Autori ka bërë përpjekje të mëdha për të grumbulluar materiale të vlefshme, jo vetëm për këtë monografi, por edhe për ngjarje të tjera të rëndësishme të kësaj periudhe, të cilat ende nuk janë ndriçuar sa duhet. Prandaj, problemi kryesor nuk është mungesa e materialit; përkundrazi, materiali është një nga pikat më të forta të veprës.
Agimi, si autor i kësaj monografie, ka kryer një punë shumë të madhe dhe të vlefshme, të cilën, dorën në zemër, do të duhej ta kryenin institucionet tona shtetërore dhe institutet që merren me studime. Nëse mund të gjendet ndonjë arsyetim për kohën para vitit 2000, për periudhën tjetër, çerekshekullore pas luftës, është më e vështirë të gjendet një justifikim i tillë. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për personazhin kryesor të kësaj monografie, por edhe për shumë figura të tjera të këtij profili, si dhe për periudhën e fundit të luftës dhe heronjtë e shumtë të vendit tonë.
Edhe si individë kemi përgjegjësi, nëse lejojmë që pluhuri i harresës të mbulojë e të mjegullojë segmente të jetës dhe të ngjarjeve që janë pjesë e vetë historisë sonë, e ekzistencës, e mbijetesës dhe e rrënjëve mbi të cilat vazhdojmë të ndërtojmë të ardhmen. Në këtë kuptim, Agimi, me punën, përkushtimin dhe zellin e treguar në këtë dhe në veprat e tjera, ka bërë një punë që meriton mirënjohje, respekt dhe përkrahje.
6. Vërejtje metodologjike dhe distanca emocionale e autorit
Duhet theksuar se Agim Sylejmani, siç e thotë edhe vetë në hyrje të monografisë, nuk është studiues i mirëfilltë. Prandaj, si njeri, si veprimtar atdhetar, si ish-i burgosur politik, si ushtar i UÇK-së dhe si bashkëveprimtar i shokëve të Nuhiut, gjatë hartimit të kësaj monografie e ka pasur të vështirë të marrë rolin e plotë të studiuesit, i cili duhet të ndajë me vija të qarta autorin dhe studiuesin nga njeriu me ndjeshmëri e emocione, sidomos kur trajton ngjarje dhe situata në të cilat ka qenë edhe vetë i përfshirë, herë drejtpërdrejt e herë tërthorazi.
Një monografi e karakterit studimor kërkon një distancë më të theksuar emocionale të autorit ndaj objektit që trajton.
Megjithatë, kjo nuk e zbeh kontributin e tij. Përkundrazi, përvoja personale dhe afërsia me njerëzit e ngjarjet e trajtuara i kanë dhënë veprës edhe një dimension të veçantë dëshmues, ndërsa puna e bërë për mbledhjen dhe sistemimin e materialeve përbën një bazë të vlefshme për studime të mëtejshme.
7. Vlera historiografike dhe rëndësia për brezat e ardhshëm
Me vendosmëri mund të them se kjo monografi përbën një kontribut të rëndësishëm dokumentar dhe historiografik për njohjen e jetës, veprimtarisë dhe përkushtimit të heroit Nuhi Berisha. Ajo mbështetet në material të pasur, në burime të rëndësishme të dorës së parë, në dëshmi të shumta dhe në një bosht përgjithësisht kronologjik, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për ndriçimin e një pjese të rëndësishme të historisë sonë të re.
Vlera e saj nuk qëndron vetëm në faktet dhe dokumentet që sjell para lexuesit, por edhe në përpjekjen për ta ruajtur kujtesën historike dhe për ta përcjellë atë te brezat që vijnë. Çdo dokument, dëshmi dhe kujtim i përfshirë në të i shtohet mozaikut të kujtesës sonë dhe ndihmon që jeta dhe veprimtaria e Nuhi Berishës të mos mbeten vetëm pjesë e një të kaluare të largët, por të vazhdojnë të jetojnë në vetëdijen historike e kulturore të brezave.
Përkundër vërejtjeve dhe hapësirave që mund të evidentohen në aspektin metodologjik, strukturor apo në mënyrën e trajtimit të burimeve, këto nuk e zbehin vlerën themelore të veprës. Përkundrazi, ato mund të shërbejnë si pikënisje për plotësime dhe thellime të mëtejshme në botimet e ardhshme, në mënyrë që kjo trashëgimi dokumentare të pasurohet dhe të përpunohet edhe më tej sipas kritereve të kërkimit shkencor.
Në këtë kuptim, monografia duhet parë si një dëshmi e përkushtimit për ta ruajtur kujtimin e një figure që i dha kuptim sakrificës, qëndresës dhe idealit të lirisë.
Nuhi Berisha nuk i përket vetëm kohës në të cilën jetoi dhe veproi; ai i përket kujtesës historike të Kosovës dhe brezave që do ta kërkojnë në faqet e historisë së saj. Prandaj, ruajtja dhe studimi i veprës së tij nuk është vetëm detyrë ndaj së kaluarës, por edhe përgjegjësi ndaj së ardhmes.
Kjo monografi mbetet një përpjekje shumë e çmuar për ta dokumentuar dhe mbajtur gjallë kujtimin për Nuhiun, tashmë në formë të shkruar – për jetën e tij të shkurtër në vite, por të gjatë në kuptim; për veprën e tij të ndërprerë fizikisht, por të pandërprerë në kujtesën historike.
Sepse koha mund t’i mbyllë faqet e një jete, por nuk mund ta mbyllë kujtimin e një ideali për të cilin është sakrifikuar.

8. Falënderim dhe mirënjohje për autorin
Në përmbyllje, dua të them se sot ndihem dyfish i nderuar.
Së pari, nga autori, z. Agim Sylejmani, i cili më besoi dhe më dha mundësinë të shpreh një vlerësim për këtë monografi, pa pretenduar se me këto pak fjalë kam thënë gjithçka apo se kam vënë pikën mbi një vepër kaq të pasur në përmbajtje, dokumente dhe dëshmi.
Së dyti, ndihem i nderuar që më jepet rasti të flas për një vepër që i kushtohet një figure të veçantë të historisë sonë të re – heroit Nuhi Berisha.
Të falënderoj, Agim, për besimin, por mbi të gjitha për punën tënde të palodhur dhe për përkushtimin që po tregon në ndriçimin, dokumentimin dhe ruajtjen e kujtesës për figurat e heronjve dhe veprimtarëve të çështjes kombëtare, si Rexhep Mala e Nuhi Berisha, por edhe për shumë të tjerë që, me veprën dhe sakrificën e tyre, u bënë pjesë e historisë sonë.
Sepse koha kalon dhe brezat ndërrohen, por kujtesa mbetet kur dikush kujdeset ta mbledhë, ta dokumentojë dhe t’ua përcjellë brezave. Pikërisht këtu qëndron edhe rëndësia e punës sate: që emrat, veprat dhe sakrifica e njerëzve që i shërbyen lirisë të mos mbeten vetëm në kujtesën e atyre që i njohën, por të bëhen pjesë e kujtesës së shkruar të kombit.
Dhe pikërisht për këtë, Agim, të falënderoj edhe një herë për këtë vepër. Uroj që pena jote të vazhdojë të shkruajë, të hulumtojë e të ndriçojë edhe shumë prej atyre faqeve të historisë sonë që ende presin të dalin në dritë.
Prof. Nevzad ISUFI
Gjilan, 03.10.2026
——————
NUHI BERISHA – NJË JETË NË SHËRBIM TË IDEALIT TË LIRISË
© Pashtriku.org