Pashtriku.org, 08. 05. 2013 – Poetesha Vera Istrefaj është lindur në Kukës (më 1 nëntor 1975). Që në vegjëli ka botuar vjersha dhe skica në shtypin e kohës. Në vitin 1991 është paraqitur në një Almanak të krijuesve me 76 poezi dhe me një skicë. Që prej asaj kohe ka botuar herë pas here brenda dhe jashtë Shqipërisë në shumë media të shkruara. Ka qenë pjesëmarrëse në shumë konkurse letrare ku edhe është nderuar me çmime. Ka botuar librat “Shiu i fundit”, “Nënqeshja e ëmbël”, “Në akuj digjem”, “U jepem udhëve” dhe ka në proces botimi vëllimin “Mbetur jam në pritje”. Poetesha kukësiane Vera Istrefaj është juriste në profesion dhe është aktiviste e shoqërisë civile, avokate e të drejtave të grave. Në vitin 2009 është nderuar me Mirënjohje për kontributin e dhënë në komunitet dhe është përzgjedhur një ndër 10 personat më aktivë në rang kombëtar. Është e martuar dhe është nënë e dy djemve. Punon e jeton në Kukës, në qytetin e lindjes dhe është përherë në kërkim të alternativave për ndryshime progresive. Në këtë intervistë Vera rrëfen rrugëtimin e saj krijues, si një e apasionuar pas letërsisë u bë juriste dhe aktiviste e të drejtave të shoqërisë cilvile.
MOISIU: Duke shfletuar vëllimet tuaja me poezi, e veçanta që më ra në sy ishte se figura të vlerësuara të letrave shqipe janë marrë me poezinë tuaj, kritiku letrar Besim Cenga, kritiku e studiuesi Prend Buzhala, Bajazit Cahani etj. Përpos urimeve për këtë krijimtari cilësore e produktive dëshirojmë të dimë se si jeni ndjerë për këto reçenca kaq dinjitoze e profesionale?
ISTREFAJ: Ajo çfarë unë vlerësoj tek referencat janë mendimet kritike, vlerësimet konstruktive. Sigurisht, fjala e mirë e recensorëve më ka bërë të ndihem mirë, por gjithmonë kam lexuar ndërmjet rrjeshtave të këtyre vlerësimeve.
Workshop në Kukës, 30 maj 2012: Vera Istrefaj – ligjeron për Platformën virtuale.
* * *
MOISIU: Cilat kanë qenë përfytyrimet më të herëshme se një ditë do të bëheshit poete? Kush ka qënë poezia e parë?
ISTREFAJ: Që në fëmijërinë e hershme më thoshin se shprehesha bukur, që kisha dell poeteje. Mbaj mend që në klasë të parë kam bërë një tekst këngë për fëmijë, por nuk e kam ruajtur. Shkruaja vjersha dhe mësuesja ime Servete Brasha thërriste shpesh drejtoreshën e shkollës, Kimete Morina, që të m’i dëgjonte tek i recitoja para nxënësve të tjerë. Poezia ime e parë e botuar ka qënë për kufitarin, kushëririn tim që ishte oficer kufiri dhe vinte të dielave në shtëpinë tonë. Më dukej shumë i lodhur, shumë i privuar nga ato çfarë në të tjerët i kishim në të përditshmërinë tonë, ndërkohë që kufitari jetonte në majë të malit.
MOISIU: Ҫfarë ju shtyu ta titulloni me këtë titull?
ISTREFAJ: Psherëtima e kushëririt kur bisedonte me babain tim: epo… kufitar… dhe tundja e kokës së babait tim. Ishte gati-gati një ritual.
MOISIU: Kush ka ndikuar në mënyrë të veçantë që ju ka frymëzuar apo inkurajuar për t’u bërë poete?
ISTREFAJ: Babai, mësuesit, …..sidomos mësuesi im Bajazit Cahani e shkrimtarë të tjerë si Ferhat Cakaj, Petrit Palushi etj. Në udhëtimin tim krijues kam takuar njerëz mbështetës, të cilët i falenderoj dhe u kërkoj ndjesë që nuk po ua përmend emrat
MOISIU: Cila është sfida për të shkruar një poezi?
ISTREFAJ: Pamundësia e shprehjes së ndjesisë, drithërimës së shpirtit nëpërmjet fjalëve.
MOISIU: Cilat janë shprehitë tuaja të të shkruarit, p.sh., shkruani çdo ditë, përdorni kompjuterin apo shkruani me dorë?
ISTREFAJ: Nuk ka një ritual të caktuar. E gjitha është ndjesi, rastësi, fluore.
MOISIU: Ҫfarë është një “muzë”. Është aftësi gjenetike sipas mendimit tuaj?
ISTREFAJ: Është diçka e lindur, por që rritet me formimin e personit. Rritet bashkë me shpirtin e njeriut që e bart.
MOISIU: Poezitë tuaja, janë të një niveli të admirueshëm cilësor e artistik. E ndjeni reagimin e lexuesve dhe çfarë sekreti ka Vera, nëse mundeni ta ndani me lexuesin e krijuesin e gjërë?
ISTREFAJ: Unë mendoj që poezia ime është e thjeshtë, e lehtë, njerëzore, femërore. Lexuesit kanë në dorë copëra të shpirtit tim. Më gëzon fakti që vargjet e mia i lexojnë dhe i mbajnë mend të rinj dhe të moshuar. Sado pak që t’i mbajnë mend, ky fakt ka vlerë për mua.
MOISIU: Ju keni filluar të botoni në një moshë relativisht të re, por krijimtaria tuaj sipas shkrimtarit e kritikut Besim Cenga: “Është e fshehta përvëluese e një poezie”. Përveç talentit që është meritë e juaja, kujt ia dedikoni arritjet?
ISTREFAJ: Mbështetjes së familjes time, bashkëshortit Besnikut, djemve të mij, 17 dhe 13 vjeçare, Veronikut dhe Klevit. Pa dyshim, edhe zotit që më ka dhënë këtë dhunti.
MOISIU: Ju i kini kushtuar vargje të larmishme jo vetëm botës fëminore, delikatesës femërore por edhe stinëve, natyrës, njerëzve, traditave dhe raporteve të tyre, mes të përditëshmes e të bukurës njerëzore, të përmbledhura në vëllimet poetike “Mbetur jam në pritje”, “Nënqeshja e ëmbël”, “U jepem udhëve”, ”Në akuj digjem”, “Shiu i fundit” etj. Cili është “çelësi sekret” që ju mbartni në muzën tuaj?
ISTREFAJ: Për shkak të natyrës time, të profesionit, jam gjithmonë në kontakt me njerëzit, pavarësisht statusit të tyre apo vendbanimit të tyre. Gjithmonë në përpjekje t’i kuptoj, të jem pranë tyre, mendja e zemra ime janë nën efektin e ndjesive për gjithë çfarë ndodh rreth tyre dhe rreth meje. Padyshim, lidhja me natyrën është krejt e veçantë. Kam një komunikim të pakushtëzuar me natyrën e bukur të veriut të Shqipërisë, të gërshetuar me mitiken.
MOISIU: A e keni provuar të shkruani në gjininë e prozës?
ISTREFAJ: Kam provuar kur isha 14 vjeç, vetëm një herë, dhe çuditërisht, ajo esse është botuar dhe vlerësuar shumë. Jo më pas, mendoj se do kohë dhe përkushtim, ndërsa vargjet rrjedhin, kudo e kurdo. Rrjedhin natyrshëm.
MOISIU: Kush apo çfarë ka qënë ndikimi i juaj më i madh si poete? Cilat janë sfidat më të mëdha për ju në lëvizjen feministe si autore?
ISTREFAJ: Dëftimi i shpirtit femëror, vlerave që bart femra, ndjesitë e saj. Asgjë nuk më tund nga besimi se femra, po aq sa mashkulli ka potenciale, vlera, aftësi, ndjesi etj.
MOISIU: Keni qënë e sukseshme këto dy vite si poete, jeni vlerësuar me çmime respektive e të admirueshëm, duke gëzuar kështu edhe admirimin nga lexuesit e shumtë? A jeni habitur kur ju kanë vlerësuar? Si ju bën të ndiheni kjo gjë si autore femër?
ISTREFAJ: E padiskutueshme që ndihem mirë, nuk ka arsye të jetë ndryshe. Mendoj se poezia bashkëkohore shqipe ka hyrë në një fazë të re, përballë një reflektimi ndaj zhvillimeve poetike të kombeve të tjera. Më gëzon fakti që jam pjesë e këtyre rrjedhave, pavarësisht, sa sa do të mundem të jem e dobishme në rezultate. Përgjegjshmëria ime në këtë udhëtim është e rritur, ndaj nuk po nxitoj në botime të reja.
MOISIU: Kush është poetja Vera Istrefaj. Kur ktheni kokën pas ndër vite si e shikoni krijimtrinë tuaj gjatë viteve? Cilat janë drejtimet dhe objektivta interesante për të ardhmen?
ISTREFAJ: Vera është vajza e dy prindërve të thjeshtë, por të ndershëm. Është gruaja e një burri që di vlerën e bashkëshortes, është nëna e dy djemve që janë në një fazë të vështirë: adoleshenca. Në të gjitha pozicionet, jam krenare për të gjithë dhe ndiej se u detyrohem shumë dashuri, përkushtim, mirenjohje. Në profesion juriste, aktiviste e shoqërise civile, avokate e të drejtave të grave: thjesht një person që dëshiron një shoqëri ndryshe, dinjitoze.
MOISIU: Ҫfarë dëshiron të ndash me kolegët dhe audiencën e lexuesve që janë duke e lexuar këtë intervistë? Mesazhi për botën e artit…
ISTREFAJ: Arti është shpirti i një kombi. Beni kujdes me këtë shpirt! Ushqejeni atë me çfarë ai ka nëvojë. Është arti e kultura ato që bëjnë diferencën në një familje të madhe shoqërish në të cilën ne synojmë të aderojmë.
MOISIU: Ju faleminderit!
Bisedoi: Raimonda MOISIU
===========================
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
UNIVERSI I POEZISË SË VERA ISTREFAJT
* * *
U JEPEM UDHËVE
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/istrefaj_u_jepem_udheve.pdf
* * *
NËNQESHJE E ËMBËL
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/nenqeshje.pdf
* * *
SHIU I FUNDIT
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/istrefaj-shiu.pdf
* * *
NË AKUJ DIGJEM
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/ne-akuj-digjem.pdf
* * *
MBERTUR JAM NË PRITJE
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/mbetur-jam-ne-pritje.pdf
===============================
(Ilustrimet dhe Shtojcën i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)