BRAHIM AVDYLI: ILIRËT QENË TË PARËT NË EVROPË

Pashtriku.org, 12. 05. 2013 – Brahim Avdyli i takoj plejadës së krijuesve të fundviteve shatëdhjetë dhe fillimviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar (XX). Ka lindur me 05 shtator të vitit 1960 dhe i rritur në Morinë të Malësisë së Gjakovës, në një vend me tradita kulturore dhe kombëtare. Që në vitet e hershme të rinisë është dhënë pas dy prirjeve të veçanta: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e popullit shqiptar. Ndër të parët është vënë në krah të luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në mes viteve 1990-1995 ka botuar revistën periodike gjithëshqiptare në Zvicër „Qëndresa“ dhe ka qenë Kryeredaktor i saj. Shkollën fillore „Ganimete Terbeshi“ e ka kryer në Morinë dhe në Ponoshec, sikurse gjimnazin „Hajdar Dushi“ në Ponoshec dhe në Gjakovë me rezultat të shkëlqyeshëm. Fakultetin Filologjik e ka kryer në Universitetin e Prishtinës në Prishtinë, Drejtimi i Letërsisë dhe i Gjuhës Shqipe dhe jam Profesor i Letërsisë. Pas Universitetit ka kryer kursin pasuniversitar në Akademinë Diplomatike Shqiptare për Maradhëniet Ndërkombëtare dhe Diplomacinë dhe ka filluar studimet pasuniversitare në Universitetin e Strugës, Fakultetin e Shkencave Politike, Drejtimi i Maradhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë, me ç`rast i ka përfunduar dhe ka mbrojtur temën e magjistraturës në lëminë e mërgatës shqiptare të Zvicrës. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK); anëtar i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës (SHKSHZ), etj., dhe anëtar i Autorëve të Zvicrës (AdS).

*  *  *

DORË MBI ZEMËR
Kur vendos dorën mbi zemër
të gjithë popujt e kuptojnë,
i përkulen asaj që e rrah jetën
deri sa marrim frymë.

Krijuesi i madh e ka në dorë
ate që dashuron me ndenjë të hollë.

E madhe është bota për barkushet e vogla
që përbirohet nëpër aureolat e saj
si nëpër një çips të jetës
dhe pikëshënon universin,

mendja e di që jetojmë njerëzisht
atë copë të vogël të orës sonë
që rrah rregullisht me ritëm,

kur ngutet shumë e sëmuret del nga takti
jeta e humb kuptimin e vet
nga të rrahurat e saj.

Kur dua të rrespektoj shtëpitë e Zotit
apo të njerëzve të tjerë nga termi i veçantë
e vendos dorën mbi zemër
dhe kaloj pranë tyre-

janë njerëzit e mij që i dua më shumë,
kam gjuhë të përbashkët të marrëveshjes
aq sa kemi të shkruar në letrën e padushme…

Zemra do ta rrah jetën deri në fund
dhe kur bota të ndalet
e lëshojmë frymen e fundit,

kthehemi të shtrirë kah bota e tjetër
kah vdekja e trupit!…

Teatër i dhembjes së pafund
Është vend i shpalljes së dhembjes
marr frymë thellë në damarët e qenies sime
dhe e lëshoj rëndë në përkushtimin e vargut
me një pikë loti bebëzavë të heshtjes
që ngrihet i gjallë deri në pafundësi…

Gjakova është vendi i dashur i fëmijësisë
me të gjitha dhembjet e ndarjes së pakthim,
me lotë e shoh zhdërvjeljen e filmit të fëmijësisë
dhe nuk kam kohë të ndalem me therrjet
nëpër mushkëritë e djegura të mendimeve-

është botë e veçantë e përplasjeve të mëdha
mbrenda zemrës sime tërmetet prore rrënojnë
prap një vistër i përtërirjeve ngritet me diell,
mbrenda një çasti shprehen të gjitha stinët
e nuk ndalen bubullimat e mëdha të dheut tim
duke i ndjekur vetëtimat e përdalura të brejtjes.

Dita dhe nata nuk kanë fare kuptim të mirë
e keqja dhe e mira mbeten prore në dyluftim,
i mbledhë cuklat e fijeve të këputura papritur
e të gjëj fillet e dhembjes që piketon gjak-

gjak, gjakova dhe gjaku që nuk ndalet kurrë
për një ditë të bukur ulur këmbëkryq nën bli
me plisin e bardhë të një plaku të ndjenjave
që gjithëmonë e shoh të ulur në pikëtakimet tona
të asaj malësisë që i jep pore shpirt e madhëri,

gjak i kuq është gjaku i shenjtë i lirisë
që vetëm në Gjakovë është në çdo gemb të ri,
edhe fëmijët që vinë të shëndetshëm pas këngës
duke qarë thekshëm me lotë të përzier gjaku
e m`i ngrisin mua flokët peshë deri në vdekje
nëpër muranat e shumta të dëshmorëve…

A e dini ju sa herë jam rrëzuar nëpër metropole
duke qajtur me lot kalldrëmin e rinisë në Gjakovë,
ka mbetur e përhershme kinoja dhe teatri i gjallë
që lozin tragjikomeditë e dhembjes së pandalur-

prap do të rrëzohem në Paradeplaz në Zürich
apo në Rapperswil, në Stuttgard, München e gjetiu
trotuaret e pagjetura përmallshëm në ëndërrat e mia,

liria është ndjenjë që çel sythin e përmbajteve
me pranverën rritet e me dimrat e shumtë zhduket,
rreth e rreth zgjerohen në pafundësi këngët e saj
që si fëmijë të rritur dhimbshëm më rrënqethin

prore i kam kënduar, por çuditërisht më janë zhdukur
dikund në ndërdije ka mbetur ia zë i qartë kënge
se Gjakova është teatër i shpalljes së dramave
e i dhembjes së pa fund të përkryer të burrërisë!

SI S’TË NJOHA KOSTANCË
Qindra herë vi dhe shkoj prej teje Kostancë
të gjëjë fillet e tua nëpër shqiponjën e hershme

shpeshherë të shikoj e luaj me veten time
duke numruar çuditë që kalojnë pranë meje-
i mas vitet e mia që rodhën në heshtjen e pa gojë…

A mos ka ndonjë bukuri të rrallë e të veçantë
që zë vendin e parë pranë Bodensee,
kjo vashë gjysmë e zhveshur, me kokën lartë
sillet rrotull me demonët në duar të ngrehur lartë-
gjinjtë e fryrë sikur e shpërthejë karahorin!…

Unë nuk e njoh asnjë njeri në truallin tënd
sa herë m’u kanë lodhur këmbët nëpër ty
duke kërkuar varrezat ilire deri në Kreuzlingen-
prore ndalen te muri i „spätrömisches Kastel“

më duket se jam teqind vjet pas Krishtit
e shoh veten kudo së bashku me romakët

atëherë, nuk e mbaj mend se ka qenë aty
restoranti De Medici
e mbaj në mend vetëm kishën romake katolike
me kokat e shqiponjave që zënë gjarpinj në Münster-
jam një ilirian i hershëm në Kostancë që nuk flet

por dëgjoj të qajnë fëmijë në Münsterplatz
një sicilian të shkurtër e të përkulur që prap nuk flet
prandaj, nuk më njeh as ti e prore nuk ke fjalë,

vi të derdhë dhembjet e mia në liqenin tënd
e ato më bëhen aq shumë sa mezi i sjellë
e njoh kalldrëmin tënd, zallin, gurët e dheun-
kaluan pesëdhjetë vite pa këmbyer dy fjalë
me heshtjen tënde të dhimbshme memece!…

GJURMË NË KOHË
Askujt nuk i kam thënë, deri më sot, e dashura ime
shumë vite u bënë pa asnjë pulëbardhë të shtrenjtë,
unë nuk mund t`u gënjej kur nuk e ndien këtë shpirti
zemra ime nuk thotë fjalë që nuk dalin prej zgafellës,

dy korbat që i kam pasur një kohë më kanë gënjyer
me atë periudhë fjalësh të pështjellura rreth gjuhës,
kur nuk më kishte njëra fatzezë rob të ndjenjave të saj
provonte të më ngrehë tjetra me lëvozhgën e fjalëve…

Zemra ime është rrudhur e tharë nuk nxjerrë pipa të rij
të dashurisë që nuk del e nuk rritet nën kujdesin e viteve,
jeta ime ka mbetur tokë e braktisur deri në pafundësi
sa herë kaluan vitet pranë meje dhe bëjnë sikur s`më shohin.

Tani zotrat më kanë braktisur prej tryezës së përpëlitjeve
në një skaj të dhomës së mbushur me pluhur dhe libra,
qaj e përlotem pa pra për anëtarët e tjerë të bashkësisë-
si duket, të gjithë i kanë mashtruar ndër fjalë të kurdisura.

Tashmë, fare i dalloj njerëzit nga jeta, vetja dhe zotrat
jeta normale e njerëzve është qelbëzuar me gënjeshtra të liga,
janë joshur të gjithë nga shfryrjet pa ndjenja e lakuriqësia,
nga korrupsioni dhe e pavërteta, deri në thellësin e gjërave

dhe vetëm pyes, a është kjo bota e ime në të cilën pështillem
askush nuk më vëren se jam gjallë edhe pse njëlloj marr frymë,
a u dashka të jem shumë më pak njeri dhe kjo qenka e vërteta
e të zbres poshtë në tokë sikur tjerët dhe të luaj pa ndenja-
jeta ime është luftë me të keqen, jetë i vetëm e pa dashuri!…

SPROVË ME VETVETEN
çdo ditë vdes nga pak njeriu
dhe nuk mendon se po vdes
deri sa i afrohet fundi
çdo gjë vdes radhazi

vdes edhe ideali pak nga pak
dëshirat vdesin në shpirt
edhe pse i mbesin gjurmët

mendimi kthehet në etje
që të merr me ethe
dhe tretet dikur bashkë me ty
humnerave të botës…

Jeta është komplekse dhe nuk ka shpjegim
edhe pse njeriu përpiqet me fjalë
prej lules së shpirtit t`a nxjerrë fjalën,

jetë pa ngjyrë
jetë me ngjyrë- gjak kuq të zi
jetë e zezë i thënçin
njëmijë herë vdiça dhe mbetem gjallë
çasti çastit nuk i përngjet!…

Tërë jetën e kam vdekur nga pak
dhe trupi mund të pushojë një ditë
përgjithmonë,

mbetet testament vepra e gjallë
dhe a e di dikush të lexojë
atë tekst të pa fjalë midis rreshtave
lartë mbi jetën?!…

Ndonjëherë nuk kemi vështrim
dhe nuk shohim
çka është shkruar në biografinë e ditëve,

njeriu qenka fluskë saponi
të lojërave që fëmijët i lëshojnë
dhe zhduken në hapësirë

prandaj, nuk e di
si duket jeta në botën tjetër-

kjo jetë është sprovë
me vetveten…
është sprovë me të vërtetën!…

ZOG I NEMUR PREJ QIELLIT
Kudo nëpër Evropë
vajton përherë me pikëllim
e askush nuk të kupton
zog i nemur prej qiellit.

Dhembjen tënde e deshifroj
për të vetmin vëlla të vogël,
e të lanë mëtutje mbi tokë
të vajtosh dhembjen tënde
pranë nesh

gjithmonë shara të rri mbi qafë
ku peri rrinte i vjerrur
derisa thurje qorapë të leshta…

Kur të dëgjoj më vjen të qaj
më përloten sytë me lotë të tharrë
midis bebëzave-

jam shqiptar dhe ti e ke gjuhën time
mija njerëz na kaplojnë anash
dhe nuk na kuptojnë
se të dytë jemi të dënuar,

në livadhe, le të pëlcasë një gomar
sepse asnjë fjalë nuk e njeh
as nga gjenealogjia
as nga mitologjia-
qielli ynë është i pa skaj…

A e dinë, o Gugu-Isuf,
se ilirët qenë të parët në Evropë

prandaj ti-zog i nemur prej qiellit
përherë vajton në ilirisht!…

FRYMA E FUNDIT
Toka e shqipes e shkelur dhimbshëm
rreth e rrotul nga të gjithë fqinjët
sa brinjët duan të pëlcasin
deri ku nuk ka më fund,

shkelur me shkelmat e tankseve
të dhunës së përdalur…

A e mbledhë frymën e fundit të shpirtit
nëpër oqeanet e paskajshme të lotëve
me jetën e ndrydhur thekshëm
nëpër dhembjet e vdekjeve

nga fundi i asgjësë për ta nxjerrur
pikën e fundit të durimit
derisa vetëtinë e bubullinë jashtë saj
murmuron minutat e mbetjes gjallë

dhe mbledhë veten si mbiqenie
zemrën e shtrydhë për të fundit herë
të leshojë ulurimat e gjalla të shpirtit-
këngën e zjarrtë të lirisë!…

PËRFYTYRIMI I DETIT
Shpesh më fanitet deti
si sofër e madhe
shtruar nën hënë-

përreth të heshtur
përtypen shkëmbinjtë
kafshoren duke e njomur
në atë verdhësi të largët…

Asgjë nuk më duket
më e pikëlluar
se shkëmbijtë e kërrusur
në vetvete,

e gropëzave të tyre
po të isha gomë
e fatkeqësive të botës
hijën e mosbesimit
do ta zhbija

dhe trishtimet e shtruara
në atë sofër!…

VARGJE PËR NËNËN

Të kemi borgj
më tepër se ajrin
se prehjen e përjetshme-

na ke ushqyer
me dromca shpirti

na ke rritur
me drojën e përditshme

e veshur
me zhgunin e rrudhave të ballit!…

Sa keq
që s’mund të të gëzoj më shumë
pos me ndonjë këngë
nipa e mbesa,

dhëntë fati
e të buzëqeshësh Dielli
ndonjëherë!

fragment rrugësh
Kush e dëgjon këngën time
dhe vërtetë zemra si dridhet
ai do të jetë falumtur,

se unë
këtë grusht leckash
dhe këtë çifteli
do ta bart pa pushim
rrugë më rrugë
banesë në banesë

derisa telat së klithuri të këputen
e të fundosen
në fund lukthi
si e vetmja gjellë
e papërsëritshme…!

Kush e dëgjon këtë këngë
veshët, zemrën,
sytë le ti mbyllë-
derisa të çmendem,
derisa të vdes duke kënduar!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura