VLADIMIR MUCA: MOIKOM ZEQO – ZBULIMI I RRUGËTIMIT POETIK

Durrës, 30. 05. 2013 – (Vështrim mbi librin “Centauri i Ri “ i Moikom Zeqos, botim i Helga’s Sekrets 2013) – Herë pas here kur marr nga raftet librare ndonjë libër për të lexuar nga korpusi i veprave të dr. Moikom Zeqos, me qëllimin për të ridimensionuar gjykimet e estetikave e stilistikave të reja krijuese, më bie në sy larmëni formaturash nga më të ndryshmet si në prozë dhe në hapësira të tejskajshme poetike. Kepleri letrar moikomian zbulon universe të reja, e parashikon enciklika të panjohura poetike, sa të vjetra në stilistikë po aq dhe të reja në estetikë. Një sintezë e re në klorofilën globalizuese nën rrezet e diejve të rinj mendimtarë.
Në një pasballinë libri e gjej si një apotheozë mendimin brilant të akademik Alfred Uçit, i cili perifrazon: “E kam quajtur Moikom Zeqon përfaqësues të vërtetë të estetikës së postmodernizmit, sepse këtë dekadën e fundit ka botuar pa ekzagjerim një bibliotekë të tërë librash, që konfirmojnë jo vetëm vullnetin dhe angazhimin e tij të mëtejshëm si përfaqësues origjinal e i shquar i posmodernizmit shqiptar. Në këtë periudhë nuk kam konstatuar asnjë shkrimtar tjetër që të ketë krijuar një vepër polidimensionale e estetikisht polifonike si vepra e Moikom Zeqos.”
Ky mendim brilant i akademikut tonë të nderuar ma lehtëson paksa barrën në përftimin e konceptualiteteve të reja, në përthithjen e amalgamave krijuese të dr. Moikom Zeqos.”
Pa dyshim, në mendjen time dhe të lexuesve, por edhe të kritikës të institutonacionalizuar injektohen pyetjet:
– Çfarë po ndodh me poezinë shqiptare në këtë stad krijues e zbulues të parametrave të reja kepleriane në universet poetikë?
Çfarë raportesh gjenden tek pesha e fjalës në këto ekstrakte poetike rima, ritmet e tingëllimat e reja të krijuara dhe sa depërtojnë ato tek lexuesi?
– A bëhet pjesëmarrëse në këtë udhëtim të ri poetik trupi e jeta emocionale e lexuesit me atë të autorit?

– DR.MOIKOM ZEQO – 

***
Këto janë pyetjet që për mendimin tim e gjejnë përgjigjen kur lexon librin poetik më të ri “Centauri i Ri”, një produkt i alkimisë poetike që tashmë ka marrë udhën e vet në një ciklikë të re në universin poetik.” Para shumë viteve, në pubertitetin e kësaj lloj poezie, poeti i madh Lasgush Poradeci, entuziasmohej bindshëm: “Moikomi është një ndjenjë e brendshme, është shumë fantazist dhe me shumë shprehje të shkëlqyera artistike…”
Moikom Zeqo diti ta transkriptojë këtë materie. Ai e paisi atë me koncepte moderne të kohës duke u mbarsur me një erudicion të panjohur më parë”
Brezi i krijuesve të Moikomit i përket një brezi centauri, ku gjysma e jetës kaloi në një handikap krijues, ndrydhjeje në vetvete të ndjenjave e në një personalitet të dyfishtë; ndërsa gjysma tjetër në një kaleidoskop ndjenjësor në prizmat e të cilit nisin kalërimin centaurë e pegasë.
Ky produkt i ri poetik që përfshin poezi të pllenuar në dorëshkrime të pabotuara të viteve 1993-2013 vjen si një proçes ndonëse si paradoksal por si një domosdoshmëri kohore, e një volumi ngulmues në risitë e veçantitë, me një naivitet djaloshar të një moshe me ngarkesa hormonoide që plenojnë në purbetitetin e tyre jo pak dilema ndër lexuesit.
Kjo krijimtari vjen si një emigrim në një shkretëtirë ku mund të rrezikosh, të humbasësh si lumi në rërë, ose mund të krijosh një oaz të gjelbëruar, të freskët ku karvanet e beduinëve letrarë mund të relaksohen mbas një udhëtimi të mundimshëm. Ky rrugëtim poetik vjen si një sfidë ndaj vetëvetes, si një dilemë e një risie që ose të nxjerr në areolat e galatikave të reja poetike, ose të gropos në bodrumet luçiferiane të krijimeve arkaike.
Siç duket Zeqo e ka postulat në rrugën e tij porosinë e Gëtes që thotë: “Nëqoftëse ke humbur guximin më mirë të mos kesh lindur.” Ndaj dhe në aktivitetin e tij, në konceptin e kulturologjisë së letrave, në këto udhëtime ai karakterizohet nga një aktivitet i pashterur krijues, kurajoz. Çdo fjalë poetike i bëhet “një kuti Pandore, nga i dalin si një Bing-Bengu pafundësitë e fisme dhe të pazëvendësueshme të ligjërimit”. (Parafjala e librit “Centauri i Ri”)
Autori na befason, me veçantinë që sjell në një kategori poetike pothuaj të bërë tabu me metrikën e rimuar, duke mbarsur atë me pllenime krejt të pahulumtuara gjer tani, në rikonceptime sintetizuese, të një hibridizimi poetik sa tradicional aq dhe post modern. Autori e ushqen metrikën dhe rimën e alternuar me natyralizimin “në gjurmën inkandenshente të zotit” në gjirin e Currilave, por ai bindshëm ngulmon:
“Tek njerëzit nuk zbres nga ashensori i yllit,
Çdo turmë pelegrinësh e kam grishur tok!
Flokët – meridianë të trurit, – më ndrisin
Të magjepsura në ajrin me smog!
Apo në poezinë “Kozmogoni” ku:
Ç’qenie pluskuese mund të gjente Chagalli
Në ujrat e Bunës, në pllajat me lule?
Do ta marr me qera një shtërngatë Korabi
Për ta bërë atelie pikture!

Një logo poetike me interferime të thella hapesinore dhe kohore, hipotekim poetik i lirizmit patriotik brenda një ngjeshjeje, një lakonzmi, një stilistike të lartë ku shpërthejnë fushqetat e ndjesive të fuqishme nën purpuranten e metaforave funksionale, nga ku shpërthen magjia e një universialiteti të skajshëm.
Një “Centaur i Ri” metrik, rimor, disi i hazdisur shaloi panteonin e poezisë shqipe, një hibridizim i një produkti përqasës me filozofinë poetike të prozadizmit të para rimimit metrik.
Metrika e re vallëzon ndër pirueta ku ndjehet gëzimi i një koreografije të re, ku lexuesi tashmë kërkon të vallëzojë, e ndjehet pjesë e pandarë, pavarësisht se cilit etnitet i përket.
Tingulli, harmonia e muzikalitetit të përfshin në një aranzhim total. Metrika pedante ka flakur tutje zhgunin e një klasiçizmi, e si një zonjë po rri: e se autori me guximin e një vullkanologu mbi llavën e sapongrirë:
“Fantazma e Eskilit në ekrane më ngriu
Si acid damkues për maskat e ballos.
Një fidan trëndafili që ja mora Saadiut
Guxova ta shartoj tek lisi i Milosaos.”

Poezia fillesën e ka tek ndjesitë, dhe o burra të bëhemi të tërë poetë! Por harrojmë që ndjesitë kanë një marzh të gjërë në filozofinë e jetës.
Por ngase, poezia e ka burimoren tek ndjesia dhe janë këto ndjesi që ndezin gjeneracionin e kujtimeve e të ndjenjave; pikërisht për këtë poezia është në të vërtetë produkt i kufizuar e tepër nazike.
Qëllimësia e poezisë nuk vjen si atribut i së bukurës dhe i të vërtetës filozofike, por është dhe pjesë e përvojave dhe poeti është pazgjidhshmërisht i lidhur me këto përvoja ndërshekullore. Duke patur primare përvojat e fituara nga erudicioni ndër vite, e duke i mbarsur ato me ndjesitë e lexuesit, intelektin, emocionet dhe imagjinatat, poeti Zeqo arrin në përmasa të reja të veçanta, nëpërmjet çdo metafore, simboli, tingulli duke realizuar përtëritjen e formave të reja stilistike e të ritmit, rimimit, asonancave, konotacioneve dhe të shëmbëlltyrave të dëshirueshme nga subkoshienca.
Poezia e librit “Centauri i Ri” i tjetërllojtë, me atraksione gjithëpërfshirëse vjen në shkallën më të lartë, e gjallë në çdo fjalë, varg e strofë, vjen postmoderne në konceptin kohor si një metafizikë në ndryshim. Ajo bëhet pjesë substanciale e qenies njerëzore, duke marrë gjithçka shpirtërore dhe mendore prej saj e duke i dhënë kësaj qenie vazhdimësinë.
Vizioni onomanistik moikomian nëpërmjet “Centaurit të ri” klonon histori dhe ngjarje në një materie të re, duke mbarsur atë me një botë shpirtërore e botëkuptimi të ri, në alternim me realitete shoqërore.
“Erosi dhe Thanatosi” është një poezi shembull se si mitet, ndërfuten në metafizika të reja ndërkohore më jetësi në vazhdimësi ku:
“Këto fosile-të qeshurat e Zarathustrës
Janë gurëzuar në ranishten e bardhë, në Currila.”

Mosha e pjekurisë krijuese e Moikom Zeqos, tashmë nuk është një stinë kalimtare, por ai si një parashikues, poliedrik në ardhmëri, e ka vënë poezinë plotësisht nën trysninë e një filozofie shoqërore e mendimi të thellë, duke shpalosur gjithçka që shqetëson shpirtin e poetit, e jo si ajo flutura plot ngjyra e në marramendësi fluturon nga sytë e largohet përgjithnjë prej nesh.
Me librin “Centauri i Ri” autori na sjell në botën librare gjithçka të përjetuar, të menduar, të gjykuar dhe si centaur e hodhi gjithçka si një pararendje në një epokë të re poetike, inteligjente, ku filozofimi mbarështrohet mirë e bukur në një shtrat ndjenjësor. Ideja, qëllimi, ndjenja dhe filozofia që i ndërlidh në pazgjidhësi, vijnë si një alkimi e re poetike e cila i shkon për shtat botës së re të kibernitikës. Në këtë botë cibere, ky centaur futet mes lexuesve si një krijesë me shpirt, ku buçet ndjenja krijuese, jetëdhënëse, ndriçimtare. Ky centaur i ardhur nga lashtësia platonike, sjell ndikim gjithëpërfaqësues të artit mbi ndikimin moral të artit, siç thoshte Platoni.

Me detajet, adeguatet, mitet e natyralizuar, Moikom Zeqo fisnikëroi realitetin, duke e ushqyer në trashëgiminë e humbur e të harruar. Ky fisnikërim padyshim që do të fisnikërojë dhe kategoritë e lexuesve duke u bërë njëkohësisht ushqim shpirtëror për përfaqësuesit më të lartë të shoqërisë. Kjo poezi ka veçantitë e saj të cilat e bëjnë tepër të përveçme.
E veçanta moikomiane vjen si subjekt konkret e shtrirë në hapësira e kohëra të skajshme. Ajo vjen si një element i rëndësishëm, si piknisje e motivimit të nxitjes për të arritur një risi, gjithnjë në perspektivë për të kapërcyer të tashmen, për të zbuluar e për t’i dhënë jetë diçkaje të re, unike e të paprovuar, e gatshme që të vegjetojë në jetë, ndonëse edhe në një shtrat mitik.
Dimensionet e kësaj veçantie poetike për të cilën në kritikë flitet me rezerva, po merr trajtat e një kuptushmërie më të plotëruar në subkoshiencat e lexuesve. Por në fakt, tani për tani, sikundër dilemat kepleriane në zbulimin e planeteve, edhe në këtë aspekt kulturologjik, dilemat e kësaj veçansie, janë sa të mbarsur me elemente të ndërlikuar, saqë dallohen me vështirësi nga klasikja, tradicionalja.
Në fakt ne duhet t’a kërkojmë këtë të veçantë në reagimet tona, në botën tonë të brendshme, në informacionet tona shqisore-kulturore. Që t’a kuptosh të veçantën e “Centaurit të Ri”, perceptimet poetike që përcjellin metrikat vargëzuese tepër të kursyera, veçantinë e tyre, duhet që ta shohim në një projeksion tridimensional; dimensionin e mendimit, dimensionin e ndjenjës dhe dimensionin e perspektivës. Kjo ndarje nuk ka vetëm rol informues për atë çka poetika përcjell ndër breza krijuesish, por kjo edhe na ndihmon t’a analizojmë produktin, t’a njohim më mirë këtë të veçantë, t’a thjeshtëzojmë atë sipas shijeve tona, sepse gjithmonë mendimi është i lidhur me jetën sociale dhe kulturore, me eksperiencat, me privimet e përparësitë të akumuluara në botën shpirtërore të njerëzve.
Dimensionet e veçanta të ndjenjës, të cilat shprehen me pëlqimin e mospëlqimin, janë e vijnë në kohezion me kohën, sikundër sfilatat e modës që hera-herës marrin nga garderoba e shekujve shije modelesh ekselente, duke i dhënë një përqasje moderne kohës.
“Centauri i Ri“ moikomian vjen nga thellësitë e shekujve si një garderobë me ndjesira të reja interpretative, duke shprehur një preference të caktuar. Ndjenjat në konceptin psiko-filozofik, absolute, nuk janë të njehsuara, por vinë me përveçësimet e tyre, duke qenë dhe në kontradiktë me atë çka presin të tjerët që se pëlqejnë.
Në këto marrëdhënie poeti, me të tjerët shfaq ato elementa për të cilët jemi të vetdijshëm me pavetëdijen e të tjerëve, duke manipuluar sipas shijeve tona të reja. Një marrëdhënie e tillë e të kundërtave e veçansive ndjenjësore që gjithnjë lufton me të pavetëdiëshmen e ka hedhur si një traktat aksiomatik që në vitin 1783 në “Prologomena” filozofi gjerman Immanuel Kant. Nga kjo aksiomë ndjenjësore lind dhe një dimension i ri i veçanësisë të një vepre letrare: dimensionimi i perspektivës. Duke u pllenuar me ndjesitë e të shkuarës, së tashmes e duke futur risinë interpretative, ky dimension i veçanësisë hap shtigjet e reja të perspektivave të një moderneje të ardhme, më avangarde. Pa një dimension të tillë poezia e “Centaurit të ri” do të ish arkaike, një modernitet i vjetëruar, do të ish si një depo mallrash dalë mode.
Harmonizimi i tre dimensioneve të veçanësisë krijuese ka bërë që ne të kemi një produkt të tillë të trioruar vite e vite me radhë në laboratorin e trurit të postmodernistit Zeqo, duke lodhur e stërmunduar në luftë dhe me një Makabe të brendshëm.
Siç shprehet, i cituar në një intervistë të Hans Joachim Lanksch, Moikom Zeqo ndonëse jo si disident artistik (se disidenca i takon vetëm politikës) thotë: “Përpjekjet e mia qenë në rrafshin estetik, krejt të ndryshme nga poezia zyrtare e kohës, pra jo e realizmit socialist, por në harmoni me traditën poetike botërore si të Lorkës, Eluarit, Ricosit, Popit, Halubit, Kuazimodos, Pazolinit, Staneskut, Soreskut, të panjohur në vitet ’70. Unë ushqehesha me librat e tyre, isha 20-23 vjeçar kur i shkrova poezitë e mia me këtë frymë.” (Milosao-19 shkurt 2012, intervistë e Ben Andonit me Joachim Lanksch).
Eruditi Moikom Zeqo në përgjithësi është një nga krijuesit e rrallë që mundën të harmonizojnë lirinë poetike me lirinë më të lartë të shpirtit, me domosdoshmërinë e një moraliteti të ri , i cili mbisundon sot e që është koherent me trendin social, duke zëvëndësuar frenin e masës artistike me një fre të llogjikës artistike.
Poeti me famë botërore Lord Bajron njëheri pati thënë: “Përsa i përket poezisë, në përgjithësi, sa më thellë mendoj për të, aq më tepër bindem se të gjithë ne, papërjashtim, jemi në udhë të gabuar. Të gjithë ne ndjekim përbrenda rrugën e rreme revolucionare, brezi ynë, ose ai që do të vijë pas nesh, do të mbrrijë në këtë përfundim.” (Friedrich Nietzche – Nga shpirti i shkrimtarëve dhe artistëve – botim Apollonia 2001). Në shtrojerën e një parashikimi të tillë që i bëhej poezisë, me vendosjen e rregullave, klisheve standarte, jo me teorizime stilistike por me konkretizime krijuese të letrarizuara, duke u bazuar nga një stilistikë gardiane vjen poeti Zeqo me Centaurin e tij të Ri në realitetet e sotme kohore.
Ndarja e re krijuese flet për një rrugë të re e të gjatë, të pashkelur, të një revolucioni poetik, ku duhet kuptuar mirë nga të gjithë se gjetjet e reja, mjetet e figuracionit zbulohen tërthorazi falë shkëputjes së butë nga tradita, duke u formëzuar si një stil, si prirje ndaj një besimi të ri. Kjo ka një rëndësi tepër të madhe në krijimin e kësaj prozhme të re krijuese, ku ndjehet nevoja e thellë në fantazinë e vështrimit, duke lënë mënjanë përgjithësimet alegorike.
Po te libri “Shpirti i shkrimtarëve dhe artistëve” Friedrich Nietzsche na mëson se: “Njeriu i shkencës është një zhvillim i mëtejshëm i njeriut të artit” (Apollon f. 36, 2001, Tiranë)
Njerëzit artistike si qenie të krijuara nga subkoshiencat krijuese kanë me qenë gjithnjë pararendësit e zbulimeve të mëdha shkencore siç ish Zhyl Verni, ashtu sikundër ky “Centaur i ri” do të jetë një krijesë arti i ri në poetikën shqipe.
Në natyrën krijuese të post soc-realizmit kemi një qiell të kaltër por jo të ndritshëm, një ajër të pastër por të amullt, gati të palëvizshëm, ku fryn një fllad gati i akullt në krijimtarinë poetike. Poezia në këtë gjëndje po rianimohet, për të qenë e aftë të kapërcejë stadin e mohimit të brezave krijuese. Pikërisht në këtë përgjumje anestezike, si një këmbanë, përhap tinguj tjetërlloj poezia e “Centaurit të ri”. Metafizika e lloit të Shopenhauerit nuk gjen më shtrat.
Në këtë vorbull estetikash dhe stilistikash, jashtë parametrave metafizikë të konceptimit poetik po lind një stilistikë e re, si domosdoshmëri e një bote të re shpirtërore e mendore e cila po lind nga shtresëzimet e revolucionit të teknologjive kibernitike, si një risi me shumë përfaqësuese, si një rilindje e re. Thellë, thellë ky reformim poetik vjen si një protestë e mëndjeve të lodhura, nga kornizat klishe, si dhe, nga konceptet e botëkuptimet banale të soc- realizmit.
Tek lexon këto poezi të shkruara me një Bing-Beng kuantik, surprizohesh nga mrekullia që ato përcjellin që në leximin e parë, mbërthehesh në një fiksion i cili të ndjek nga vargu në varg; impresionohesh me guximin e imazhinizmit të pakufi e metaforat rreptësisht funksionale ndaj njëra-tjetrës. Lexuesi mrekullohet nga tingëllimet e fonemat me tone muzikale të tropeve e asonancat që i shkojnë aq shumë për shtat një rimimi të ri. Ngarkesat e thekura filozofike autori i ballancon me ngarkesa emocionale e cila përcillet tek lexuesi me një thellësi mendimi vizionar për inteligjencën e zhvillimeve të reja teknologjike. Gjithçka transkriptohet në një simbolikë krejt vetiake personalizuar në euriditetin e autorit. Sintaksa poetike vjen në stadet më të larta të shprehjes e pasurisë së fjalës. Fjalori i pasur enciklopedik, fuqia imazhiniste që induktohet nga shumë konvergime na sjell një elokuencë poetike në maksikantilena.
Në poezinë “Arti tjetërlloj” autori shpall katarsin letrar:
“Se rrebelimi është arti tjetërlloj,
Është epoka e re në çastin e zgjimit
Ja ylberi – kamzhik! Me të fshikulloj
Vetveten si Françesku i Asizit!”

Ku shpirti i mitizuar ndër shekuj përthithet nga shpirtërat e njerëzimit të sotëm, nëpërmjet metaforash brilante, duke flatruar mbi të shkuarën dhe të tashmen, si një “perpetum mobile” e ndjenjave njerzore, duke u bërë poezia objekt dhe subjekt i jetës.
Ndaj dhe ky produkt e kategerizon dr. Moikom Zeqon si të veçantë, i papërngjashëm, pa pararendës, struktural i plotëruar. Ai ka marrë veçori nga moderniteti i Migjenit, Borgesit, Transtromerit, Lorkës, Ricosit, Kuazimodos, Pazolinit; stilistikën orientaliste të Khajamit e Saadiut, estetikën grimore të Mjedës, duke i shkrirë në aliazhin e një metrike të re moderniste, duke i ushqyer me forcën e imazheve e ritmit prozadoik.
Kësisoj potenca e mjeteve poetike konvergohet me përmbajtjen e lëndës muzeologjike, mitike nën majanë e një llogjike të re. Gjithçka vjen si një vlerësim i trajtave shpirtërore të materieve të tjetërsuara duke shpërfillur mendimin diskursiv me klishe, mendimtaritë elipsive poetike, duke hapur shtigje të reja për perspektiva të largëta.
Aventura poetike e Zeqos ecën një hap para përparimeve marramendëse të shkencave të sotme, drejt infiniteve të shkencës moderne, ndaj ajo merr prej risive të saj, cilësive të një kibernitike superiore, por gjithnjë mbështetur në zanafillë, në suporte mitiko-historike.
Si në poezi dhe në prozë simbolika legjendare, metaforizimi mitik mbeten një gurrë frymëzimi për autorin. Duke qenë djepi i eposit tonë etnik, ata rrezatojnë në botën shpirtërore të sotme krijuese, duke sjellë të alternuar jehonat epiko-legjendare si një materie tjetërlloj në kohë të reja, gjithsesi ato e ushqejnë vazhdimisht cilëndo kohë që vjen.
Këtë fantastikë, mitikë, me ngjashmërinë e popujve të tjerë autori e shfrytëzon në risirat e sotme globaliste sipas koncepteve postmoderne të tekst-historisë siç aranzhonin Xhojsi, Migjeni, Kadare.
Sipas perceptimeve estetike të eseistit Fatmir Minguli: “Moikom Zeqo ka thyer rutinën e rimes, duke i dhënë një tjetër personalitet, ku ëmbëlsia e muzikaliteti i saj përzihet këndshëm me jetën e sotme, në të gjitha rekuizitat e saj, ku centaurët e së kaluarës ngërthehen me cyberat e sotëm, ku aroma e fshatrave të bregdetit të Jugut shqiptar, të sjell ndërmend skenat mitologjike të Akrokerauneve”… ku bashkë me autorin:
“Tufa e dhive mes portokajve zbardh,
Vetë hëna nga brinjët e cjepve u çorr,
Po zogjtë e vegjël të sigurtë sipër janë
Në fortifikatat e reve në qiellin hyjnor!”

Një ekzistencializëm perfekt me një peisazh poetik që do e kish zili dhe brusha e Salvador Dalisë. Metafora dhe simbolizmi përbëjnë kalimin permanent nga një irracionalizëm të dëshiruar (të ëndërruar) në një rracionalizëm përjetues. Poezia në protonizmin e saj, në thelbin e bërthamës shoqërore bëhet bashkëudhëtare e akcesit shoqëror; ndaj dhe mistikja vjen e bukur, reale, e klonuar me qenësinë njerëzore. Çdo gjë vjen si “Centauri i Ri” thellë nga mistikja shpirtërore, ku perspektiva, optimizëm-poezia si fushqeta përshkon përtej gjithçka. Gjithçka e bindshëm është realizuar tek “Sizifi i gurëzuar”, ku mitikja vjen sa e lashtë në formën e vet, aq dhe me një materie të re, në një kohë e ambjent të ri.
Kësisoj reflektohet poetikisht ajo që mund t’a quaj me të drejtën time, implementimi social i poezisë si një natyralizëm poetik, gjithçka vjen me valenca të larta si një alkimi e të shkuarës me të tashmen e sintetizuar bukur në poezinë “Përjetësia së prapthi”, ndaj autori gjithnjë e kurdoherë:
“E kërkoj një profet ashtu si monedhën
E fshehur në byrekun e nënës në festa”

Tashmë autori, si një gjuetar i sprovuar, e lëshoi prej harkut shigjetën e një poezie postmoderne përtej asaj që dikur quhej absolute, drejt një gjykimi e perceptimi skajor, ku irracionaliteti godet mbi racionalen e pritshme, një mbirealitet të përtejshkencës duke ngritur kapriatat e një materie të re poetike.
Këto mendoj unë, janë dhe perceptimet platonike të interpretimit filozofik në poezi, ku sipas Platonit “Kjo bijë e habisë me këmbë metafizike në tjetërlloj”. Sepse njeriu dhe poezia në progrese të reja, me mënyra stilistike e estetike të tjetërsuara, disi të veçanta, tenton të bëhet pjesë e një trendi të ri shoqëror më avangard se simotrat kohore, duke u shfaqur përtejkohore. Në veskun poetik brusha poetike len gjurmët e rrugëtimeve në këto skaje përtejkohore, ku më pas, jam i sigurtë se do të zhvillohet maratona ndërqytetëse e të gjithë poetëve pa dallim etnik.
Lum ai që shkel i pari në këtë rrugëtim! Pasioni është karburanti ekologjik drejt një humanizmi globalistik, mbarsur me universialitete dhe një integritet të personalizuar shoqëror. Një poezi e tillë nuk vjen si art mumjefikimi apo mitizimi, as me ekselencën e dekoracionit; ajo nuk kultivon as molusqet e “perlave” të kulturës hermetike, as ylberiada apo emblema, por sjell vetiu botën e brendëshme të brezave me natyralitetin e tyre; me kontekstet e zhvillimeve të reja, të njerëzimit në opsione gjer mbiplanetare e jo siç ndodh sot rëndom në regjione e provincializma jo vetëm krahinore.
Ngulmimi për të renë progresive, kontemporane është vatra ku ajo mëkohet. Ligji zhvëllimor i saj është shpirti kryengritës, në kërkim të largpamësisë ku planetarja dhe tokësorja janë fqinje që ndahen nga një varg apo një strofë. Dallimet e perceptimeve kohore e hapësirave, tashmë janë, poetikisht në limite zeronante, ndaj ky përfytërim poetik bëhet zëdhënësi i pasioneve të popujve përtej kufijve shoqërorë në gjeneracione të përbashkëta. Ky është dhe misioni i një poeti, ky duhet të jetë dhe produkti i tij poetik, evidentimi i elementëve të rinj në Mendelejevin poetik.
Për Moikom Zeqon elementi poetik i postmodernes në këtë tabelë vjen si rezultat i një Bing-Bengu ndërmjet elementëve të së shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes; biles ajo sendërton ardhmërinë, duke lënë hapësira, duke e bërë objeksionin e saj kryesor: perspektivën.
Simbolizmi bodlerian me figurat magjepsëse dhe iluzive, diku është lënë pas me ”Centaurin e ri”. Gjithçka frymon në botën e tashme dhe të ardhme, ndërsa koha si nocion shkërmoqet e humb vlerat mes vargjeve. Çdo gjë e shkuar është e tashme, e çdo e tashme është dhe e ardhme. Moderniteti moikomian merr trajtat e një pasioni universal për autorin kur poetizon:
“Njerëzit mbajnë emrat si etiketa marketi
E petalja vyshket prej mardhjes;
Nga këpucët shkund kokrrat e rërës-
-Shenja pikësimi për shkrimet e së ardhmes?

Duke fokur për modernitetin, nobelisti Oktavio Paz perifrazon: “Çdo aventurë poetike është e qartë dhe çdo poet ka mbjellë një bimë të ndryshme në pyllin e magjishëm të pemëve të cilat flasin.Cila është ajo që i bashkon këta poetë? Jo estetika por kërkimi.” Eshtë pra kërkimi, e gjithnjë kërkimi që e bashkon dr. Moikom Zeqon me postmodernët botërorë, është kërkimi i imputeve të reja poetike për pyllin e vet poetik.
Moderniteti në rast se nuk gjurmon në kërkim të një të reje, e humb nocionin e vetvetes, mbetet në vendnumëro, dhe më e keqja merr nocione vjetërsie, bëhet arkaik.
Modernja e vërtetë qëndron brenda subkoshiencës sonë, në kërkim e pasurim me gjasa të reja; ndaj dhe mitikja moikomiane vjen gjithnjë përmes gjasave të reja por me një strukturë sa të vjetër platoniane, mijëravjeçare, por aq dhe në një trajtë fëminore të sapolindur. Autori flet me gjuhën e mbretit Nembrot e të Jehovait, gjuhën e Buzukut, të Saadiut e të Khajamit, Fan Nolit, me ekzistencializmin e Migjenit, Sonetet e Juvenilies të Mjedës ku me:
Trena me ndalesa infarkti në yrt
Një shi metaforash bëhet flur,
Në haxhillëkun e shpirtit vit për vit
Guri i Qabesë më bëhet skulpturë!

Poeti kthehet në një puls aortiak në gjeneracionin ritmik të brezave, duke ç’përthurur nyjet gordiane që artificialisht bëjnë ndarjen nga mitra gjenezike(ajo homerike, kënga e këngëve, safoike, vegaike).
Si në të gjitha fushat e jetës dhe në artin e të shkruarit, vepron ligji i mohimit të mohimit. Ajo që është modern sot, mbas do vitesh bëhet jo modern, e reja lë pas të vjetrën dhe vazhdon si marathonomak në tejskajshmëri drejt një moderneje tjetër, ushqyer me eliksirin pararendës.
Risia permanente është poleni i një fekondimi pllenues të modernitetit si vazhdimësi e zhvillimit njerëzor. Navigacioni i ndijeve arkivore alkimon me prurjet e reja vazhdimësinë e të vjetrës. Kjo e vjetër është si themeli i shtëpisë nëntokë, e padukshme, ndonëse është suporti mbajtës dhe siguron qëndresën e gjithë godinës poetike.
* * *
Jam i bindur se me “Centaurin e Ri” është arritur një risi e shumëkërkuar, një artikulim perfekt i mendimit poetik, ku me anë të kulturologjisë euridite, me anë të një figuracioni pozant, funksional, lakmues, me një sintoni perfekte, me një kompleks unik strukturor të vargut e strofës.
Ky është përfaqësimi i postmodernizmit kohor i cili lë pas gjurmë dhe rend drejt shtigjeve të një moderniteti të ri moikomian.
Dyrrah Maj 2013

……………………………….

FLET DR.MOIKOM ZEQO, PËR LIBRIN “CENTAURI I RI”

…………………………………………..

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura