Tiranë, 02. 12. 2013 – (Një vëzhgim kritik për librin e fundit të Moikom Zeqos “Eunukët ëngjëllorë”, botim i “Bota shqiptare”, Tiranë 2013) – Dikush e pyeti Li Bo-në: pse po ikte tek malet Gri, ku tigrat dhe yjet përleshen dhe retë gurëzohen në humnera?Dhe ai u përgjigj: mendja ime s’u bindet pyetjeve, mendimet janë lule pjeshke që fluturojnë drejt qiejve akoma më të largët, të paparë, në në troje që s’i përkasin kësaj bote!
Nga libri “Eunukët ëngjëllorë”
Në serinë e vazhdueshme të botimeve të shkrimtarit Moikom Zeqo, libri me prozë të shkurtër “Eunukët ëngjëllorë“ është një risi tjetër e këtij autori në letërsinë e sotme shqiptare, një risi që e trondit deri në rrënjë idenë e ekzistencializmit global, pra jo vetëm në Shqipëri.
Moikom Zeqo njihet sot si shkrimtari më emblematik në letërsinë e sotme shqiptare, i cili jo vetëm me poezitë etij origjinale por edhe me prozën e shkurtër është sot pa frikë një përfaqësues i denjë i letërsisë kontemporane jo vetëm në Shqipëri. Libri “Eunukët ëngjëllorë“ është vertëtim i padyshimtë për këtë fenomen shqiptar. Në të përshkuhen trajektore blasfemike të një letërsie të re, duke kapërcyer shumë kufinj të vendosur sipas disa normave morale. Letërsia e Moikom Zeqos nuk është thjeshtë letërsi ”e çuditshme”, në se perifrazoj akademikun e nderuar Ali Aliu, por njëkohësisht është blasfemike, e papritur me qëllimin e nxjerrjes në breg të një letërsie të re.
Nuk është “Eunukët ëngjëllorë” libri i parë që e shënon këtë konstatim. Janë pothuaj të gjithë librat e fundit të kolanës me prozë të shkurtër, si “Anima Mundi”, “Refuzimi i shkrimit“, “Vetullat hyjnore” etj.
Por në “Eunukët ëngjëllorë” del dukshëm esenca e kësaj letërsie që Moikomi po krijon vazhdimisht. Eshtë ekzistenca e përhershme e dy të vërtetave, asaj legale dhe asaj ilegale. Një paralelizëm pothuaj në çdo prozë të këtij libri, një pohim i dy ekzistencave paralele të vetë autorit me personazhin tashmë unikal dhe të evidentuar fort bukur në letërsinë shqiptare, personazhin polemizues të vetë Moikomit, Makabe Zaharia.
Ecja paralele e ideve, jo vetëm të kundërta, nuk mëton që të krijojë kaosin e identiteteve të personazheve apo njerëzve realë. Ajo kërkon, që të mos shpikë të jashtëzakonshmen, sepse ajo jeton, ekziston, ndodh.
Duke lexuar prozën “Fantazma e Helenës”, lexuesi e ndjen lehtë ecjen e këtyre paraleleve krejt realisht, duke kuptuar ndriçimin që autori bën, jo vetëm me spektrat filozofikë të lashtësisë por edhe me ato të sotmit. Intersektimi i këtyre spektreve të filozofisë çon në një hapësirë të ndritshme të panjohur më parë, hapësirë paksa moderniste por krejt mbresëlënëse, pra të kuptueshme.
Moikomi, ky zotërues i paimagjinueshëm i dijeve madhore jo vetëm mbi filozofinë, tek plazmon artin e tij të “dy të vërtetave” , Euripidin e lashtë e sjell krejt të freskët në ditët tona nëpërmjet vargjeve:
Helena: “Unë kurrë nuk kam qenë në Trojë
Ajo që dukej si unë qe vetëm një fantazmë“
Lajmëtari: “Ç’ thua,
Mundimet tona, për një hije paskan qenë?“
Pra Helena dhe hija e saj, e vërteta legale dhe ajo ilegale, i gjalli ecën me të vdekurin. Kjo është dhe sfida moikomiane tek shpërthen artin e tij të ri, sidomos në prozën e shkurtër. Tregime si ky i Helenës dhe të tjerë në librin “Eunukët ëngjëllorë” janë të strukturuar me këtë lëndë të parë, me kërkimin e përhershëm të diçkaje që nuk duket. Një perlë e vërtetë është dhe tregimi “Princi i lumtur” ku intuita moikomiane zbërthen filozofinë absolute të disa të vërtetave të shkruara por edhe të pashkruara.
– Tiranë, 21.08.13 –
Një takim me Moikom Zeqon, Gjokë Dabajn, Besim Cengun dhe Demir Rreshitin.
Po kështu mund të rendis dhe tregimin “Poema e Krishtit” si dhe esenë madhore “Letra e bardhë”, ku intresektohen ide kërkuese në sfera të mendimit botëror, për të gjetur zbërthime filozofike të pazakonta.
Në këto tregime dhe ese, Moikom Zeqo na tregon se letërsia që bën ai është e subjekteve botërore, mbasi ai nuk merret thjeshtë me provincialitetin gjeografik, por nga ide që sot shqetësojnë shumë njerëz jo vetëm të letrave dhe të filozofisë por edhe anëtarët e komiisionit të çmimit Nobel, në Stokholm.
Sipas librit “Eunukët ëngjëllorë“ dalin mësime të tilla, se gjërat nuk janë të thjeshta dhe statike, por rreth tyre mjegullojnë variante paralele mbi ekzistencën e tyre. Por gjithmonë sipas teorisë së Moikom Zeqos “errësira e ndihmon dritën që të jetë më e ndritshme.“
Po kështu, interesante është dhe ideja që lind në skicën e vogël të këtij libri e që titullohet “Mister Google”. Nuk është aspak dëshira për të treguar azhornimin e përhershëm të Moikomit me teknikat e sotme kompjuterike. Jo, aspak! Përtej dëshirës, qëndron fakti i cili duhet evidentuar dhe ky fakt është se Moikomi godet në shenjë duke “shumzuar me zero” kohën, përmasat hapsinore dhe vetë materien. Ja një pasazh nga kjo skicë delikate:
Mister Google! Përshëndetje!
…Do të ringjall diturinë për të vdekur prej saj…
Dhe me të vërtetë Facebook- u, muri social është shpikur apo përdorur para 2000 vjetësh, atëhere kur njerëzit shkruanin nëpër mure shënime dhe mesazhe për njëri tjetrin duke krijuar statusin mural të personit. “Writing in the wall” është titulli i një libri shkruar kohë më parë nga një shkrimtare që mbështet pikërisht këtë fakt por dhe vetvetiu përshëndet teorinë e letërsisë së Moikomit, i cili lëviz i lirë në kohëra dhe hapësira të ndryshme, duke e quajtur Mister Google- n si “demon i formalizmit dhe abstragimit”.
Kështu idetë e Moikomit në këtë libër nuk kanë fund. Në tregimin – ese “Juda i lindur në Butrint”, hapet një dritare pa korniza, e pa përmasa ku lexuesi kupton një nga magjitë që ka letërsia e Moikomit.
Ky tregim trajton në mënyrë të hollësishme, çuditshëm, mosbesueshëm, aspekte të jetës së Judës, të analizuara nga Borghesi. Por Moikomi i sheh në një formë tjetër, ndonëse të ngjashme me ato çka Borghesi ka shkruar, me një stil krejt ndryshe por dhe me një optikë tjetër shikuese.
Eshtë tashmë eveniment i njohur që Moikomi e adhuron Borghesin. Por çudia e qëllimshme, si dhe metafora ëngjëllore nuk më çojnë në mendimin se Moikomi vazhdon stilin e Borghesit. Këtu lind dhe dilema e origjinës të një narracioni original, të vetëçpikur nga Moikomi dhe i përpunuar vazhdimisht prej tij.
Duke ndjekur idenë se “e jashtëzakonshmja nuk shpiket“ çka e lexojmë të shkruar nga Moikomi, sipas tij dilet në konkluzionin se ekzistencialzmi është shumëformësh dhe shpesh krejt i padukshëm.
Dilema ekzistencialiste e botës së sotme u trajtua së pari nga Moikom Zeqo, në librin e tij të njohur “Anima mundi“ – Shpirti i botës, për ta vazhduar dhe përsosur më tej në “Eunukët ëngjëllorë”.
Kjo dilemë, duke qenë lajtmotivi kryesor i këtij libri është në fakt dhe esenca e letërsisë së re që Moikom Zeqo po krijon nga libri në libër.
Gjithmonë në botë ekziston një diçka që duhet kërkuar. Ashtu si në shkencat e aplikuara dhe në botën e pafundësisë teknologjike, Moikomi kërkon në hemisferën e letrave e ku kërkimet e tij janë të një niveli të lartë duke ngërthyer me dhjetra probleme që shqetësojnë botën e sotme të qyetëruar.
Fausti, ky personazh ekzistencialist i Gëtes, filozof dhe teolog, përdori Mefistofelin për të kuptuar botën që ai vetë e kish ndërtuar me teoritë e tij. Pra, përdori zëvendësimin e një të vërtete me diçka ireale. Moikomi shkon, pikërisht në këtë hulli po me përmasa të tjera, përmasa që ë takojnë shekullit të ri që jetojmë e kur teoritë ekzistencialiste kanë zhvillimin e tyre.
Prandaj në librin “Eunukët ëngjëllorë“ ndjehet fryma faustiane, por kërkimi i Moikomit bëhet në drejtime të tjera, në kërkime të një të vërtete të vështirë. Kjo ide përkon me fenomenin që përmenda më lart se ekzistenca ekziston por në forma të ndryshme dhe të fshehura.
Më mirë se kudo këto mendime konstatohen në tregimin elegant dhe të çuditshëm “Dinosauët“.
Në këtë tregim, Moikom Zeqo merr shkas nga tregimi më i shkurtër në botë i guatemalasit Augostino Monterros ku i gjithë teksti është:
“Kur u zgjua, dinosauri ishte ende aty”
Ai, Moikomi, ndërton tre tregime alternative në formën e tre sinopseve origjinalë që këtë tekst të guatemalasit t’a shndrojë në një diskutim filozofik modern, të sjellë me shumë ide sipas teorisë së letërsisë së tij duke e shprehur në mënyrë shumë konçize:
“Çdo gjë letrare është sfidë dhe mosrespektimi i reales së mirfilltë, një profanim i vrazhdë e gjoja një sublimim elegant dhe naiv.“
Me fjalë të tjera shprehja e Monterrosos mund të marrë edhe qindra forma të tjera ku nën rreshta mund edhe të lexosh “Kur u zgjua, mediokriteti ishte ande aty”. Moikomi mund t’i sjellë bukur këto transformime jo vetëm filozofike.
Ndërsa në tregimin tjetër të veçantë dhe shumë mbresëlënës “Takim me Sanguinetin”, Moikomi duke trajtuar me stil elegant, besues dhe eksplozues në ide, një takim në Strugë me poetin e shquar italian, hap siparet e një trajtimi ndryshe të letërsisë. Avangardat letrare përzihen hijshëm me tercinat e Dantes për të ardhur në aspektet e jetës shqiptare. Ky tregim është një modeli i shndërimit të një “reportazhi” në një ese studimore dhe problemore, në një leksion për të mësuar konfrontimin e ideve mbi letërsinë dhe zhvillimet e pandërprera të saj.
Vazhdimin e këtij tregimi mund ta ndeshësh edhe në tregimin jo haluçinant “Takim me Dalaj Lamën“. Eshtë një konceptim i jashtëzakonshëm për botën reale të shpirtrave të ngjashëm. “Pikërisht, – thotë Moikomi në këtë tregim, – njeri prej këtyre shpirtrave përfaqësonte kopjen e njeriut, sozinë e tij.”
Kjo nuk është thjeshtë ekzistenca e çiftit të sozive, as shpirti i njejtë, binjak. Kjo është artificë mjeshtërore e autorit të librit të ri “Eunukët Engjëllorë“ për të sjellë tek lexuesit transemetimin e filozofive në udhëtime shekullore dhe në hapësira të njohura e të panjohura, ku shpesh e ardhmja është e shkuara dhe e kundërta.
Fakti që Moikomi është erudit, ai tangenton me shumë shkolla të njohura e të panjohura të filozofisë dhe të letërsisë botërore, por vetëm prek teoritë e tyre sepse ai ndërton filozofinë dhe letërsinë e vet. Këto teori të tij mund t’i ilustrojë me këtë frazë të bukur që Moikomi shkruan me art në këtë tregim:
“Ëndërrat e mia kanë gjithmonë ngjyrë portokalli, tashmë miliona lama- fluturues mund t’i shoh edhe në pikat e shiut, në çdo objekt.”
***
Autori Moikom Zeqo në librin “Eunukët ëngjëllorë“ në pjesën e dytë të tij që ka emërtimin “Ditar sinopsesh” paraqet një periudhë njëzet vjeçare“ me sinopse (1993-2013).
Bashkohem me mendime të shumë poetëve e shkrimtarëve, kritikëve të letërsisë se sinopset e Moikom Zeqos janë një art i ri në letërsinë e sotme. Unë mendoj se janë poezi në prozë, miniese me një strukturë të sigurt filozofike.
Në një shikim të hollë, këto sinopse janë vazhdim i pështjellimeve teorike të tregimeve që janë në këtë libër. Por me një finesë gati transparente autori e fut lexuesin në mendim. Këto sinopse mund të quhen dhe sinopse-mendim.
Ideja e simbiozës universale mbizotëron në këtë pjesë të dytë të librit. Sinopsi “Gostia si mundësi“, duke folur për muzikën e kompozitorit modern Igor Stravinski, pjellon një modernitet të prozës poetike me stil krejt moikomian.
Po kështu tek sinopsi “Dy botët e amfibit” përftojmë konceptualitetin modernist të esencës dhe të ekzistenciales, ku njeriu jeton njëkohësisht realen dhe virtualen, qenësinë dyfishe jo vetëm si materie fizike. Ndërsa në sinopsin “Trojet e një bote tjetër”, shpaloset flamuri i teorisë së poetit të madh kinez Li Bo, ku lexuesi nënkupton qartazi objektivin e madh që Moikomi i ka vënë vetes, mendimet e shkrimtarit të shkojnë drejt qiejve më të largët e të paparë jo vetëm të letërsisë.
Sinopset edhe pse të shkurtër emetojnë energji pozitive, ngjallin një optimizëm real në jetën e sotme të shqiptarëve, ku mediat dhe një pjesë e mirë e librave të botuara janë të mbushura me slogane të një jete politike apo filopolitike.
Libra të tillë si “Eunukët ëngjëllorë“ i shërbejnë jetës sociale të shqiptarëve dhe jo vetëm asaj. Është një libër që i takon një letërsie intelektuale të mirfilltë, larg sofizmave dhe lajkave të zakonshme, është një libër që i bën skanerin automativ të jetës së sotme njerëzore, një libër që jo vetëm është tejet i kuptueshëm por njëkohësisht është dhe një model se si duhet të shkruhet sot letërsia.