Prishtinë, 25. 01. 2014 – (Jo dorëheqje të domosdoshme për botim të atyre 3 punimeve, por…) – Rektori aktual i UP-së, në vitin 2013, ka botuar 3 punime si bashkautor (jo autor i parë) në një revistë shkencore me kualitet të dobët. Ato punime mund të jenë edhe cilësore, por e dyshimtë tjetër është edhe prezenca e rektorit në bashkautorësinë e tyre, sepse rektori është historian, ndërsa punimet janë të ekonomisë dhe inxhinierisë. Thënë ndryshe – në aspektin e drejtësisë bardh e zi, rektori do ta fitonte ligjërisht sfidën me këtë statut (të dobët) të UP-së nga denoncuesit sa i përket natyrës dhe vendit ku janë botuar këto 3 punime. Sepse, gjykata nuk do të merrej me hollësitë akademike, të cilat me të drejtë i paraqesin kritikët. Mirëpo, për një rektor nuk mjafton kjo. Moralisht rektori e ka të humbur sfidën dhe, qoftë edhe vetëm për kaq, ai nuk do të duhej të vazhdonte më si rektor.
… dorëheqje (shkarkim) për shkak të shkeljes së statutit të UP-së!
Statuti i UP-së është shkelur nga ana e rektorit, prorektorit për mësim, komisionit të studimeve dhe nga komisioni recensues, jo pse rektori ka botuar në atë revistë shkencore, por sepse, sipas statutit aktual të UP-së, për tu zgjedhur profesor i rregullt, kandidati duhet të ketë së paku 5 punime me recension ndërkombëtar duke qenë autor i parë (neni 175, pika 1.2.1). Edhe po të ishte vetëm kjo shkelje e rektorit, rektori duhet të jap dorëheqje; nëse jo, duhet të shkarkohet. Mirëpo, rektori dhe stafi i tij kanë bërë (ose kanë lejuar të bëhen) edhe disa shkelje tjera të statutit të UP-së, ligjit mbi arsimin e lartë, vendimeve të senatit dhe rregulloreve të UP-së. Për të gjitha këto raste, edhe unë që nuk ndjehem se jam shumë i informuar, e di së paku nga një shembull të saktë, me emër e mbiemër.
– Ibrahim Gashi, rektor i UP’s –
Hiri i rektorit
Së paku tri herë, brenda pak ditësh, rektori foli publikisht dhe publikut të gjerë i hodhi hi syve. Cili është hiri i rektorit? Për ta argumentuar para publikut të gjerë biografinë e tij shkencore përmendë libra, konferenca dhe trajektoren 20 vjeçare. Këto nuk është duke ia kontestuar ndokush. Mirëpo, si shkencëtar dhe rektor që është, duhet vetë publikisht t’i përgjigjet statutit të UP-së në pikën më kritike për zgjedhje në thirrjen “profesor i rregullt”. Në statut thuhet: “Për titullin e profesorit të rregullt të njësisë akademike kandidati duhet të ketë … më së paku 5 punime kryesore të publikuara në revista shkencore ose artistike ndërkombëtare, si autor i parë ose korrespodent”. Këtë nuk e përmend rektori ndonjëherë. Për një rektor është i dënueshëm edhe ky fakt – fakti që hedh hi në sytë e opinionit.
Shkaku i reagimit të disa mësimdhënësve dhe etiketimi i tyre nga ana e rektorit
Në paraqitjen e fundit publike, rektori shkoi edhe më larg. Kritikuesit e tij i etiketoi dhe i sulmoi. Tashmë kam dëgjuar dhe lexuar shumë arsyetime nga shumë shkelës të ligjit, të cilët kur ballafaqohen me kritikën, të vetmin arsyetim e kanë se kritikat i bëhen për shkaqe politike apo konflikte personale. Edhe rektori, nuk ndalet në përmbajtjen e kritikës, por merret me prapavijat e mundshme të kritikuesve dhe me favoret që ua paska bërë atyre etj. Ka mundësi që ndonjëri edhe të ketë ndonjë prapavijë (megjithëse, sa shoh unë deri më tani katër mësimdhënësit që e kanë kritikuar publikisht rektorin, kanë për interes të parë dhe të fundit ngritjen e cilësisë së universitetit tonë). Mirëpo, rektori nuk duhet të sillet si një politikan apo zyrtar i keq, e të thotë se “këtë po ma bëjnë për këtë apo për atë”, por duhet të ndalet në përmbajtjen e kritikës dhe të përgjigjet në theksin e saj.
Ky rektor mund të jetë më i miri prej këtyre rektorëve të fundit, por nuk mjafton!
Dalja në shesh e shkeljeve në UP në kohën e fundit nuk do të thotë se UP-ja është duke u degraduar vetëm sot, apo se UP-ja është duke u fundosur. Mendoj, se sot, ne si shoqëri jemi duke kërkuar më shumë nga arsimi, dhe nga arsimi i lartë në veçanti dhe kjo është mirë. Me fjalë të tjera, rektorët e UP-së para këtij të tanishmit, kanë bërë shkelje edhe më të mëdha, por për arsye që mund të evidentohen, kanë arritur në një farë mënyre deri në fund të mandatit. Konsideroj se në çdo fushë të zbatimit të ligjit njerëzit po i hapin sytë më shumë. Ky është përparim. Prandaj, përparimet që i përmend rektori (disa prej të cilave i glorifikon) nën qeverisjen e tij të UP-së nuk mjaftojnë, e aq më pak të përdoren ato për t’i mbuluar shkeljet.
Mësimdhënësit duhet të jenë më aktiv
Protestat dhe reagimet eventuale ndaj qeverisjes së UP-së, fakulteteve apo ndaj një mësimdhënësi duhet të bëhen me shkrim dhe me gojë; me goditje të saktë të shkeljes eventuale dhe të adresohen në forumet dhe organet kompetente. Konsideroj se vetëm pas kësaj rruge të ndjekur i vije radha prokurorisë dhe gjykatës. E nëse këto nuk reagojnë, protestat në rrugë do të ishte mirë të fillojnë kundër këtyre organeve (prokurorisë dhe gjykatës) për shkak të mosreagimit të tyre. Shpesh, reagimi, kritika dhe protesta e pasaktë e adresuar jo në vendin e duhur, shkelësin e ligjit po e veshin me imunitet.
– Autori është mësimdhënës në FSHMN të UP “Hasan Prishtina”.
———————————-
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
Një grup i studentëve të Universitet të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë protestuar të premten para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës ku është kërkuar dorëheqje e rektorit, Ibrahim Gashi. Ky grup i studentëve, po ashtu, ka kërkuar të nisin procedurat ligjore dhe të iniciohen hetime në lidhje me keqpërdorimet e deritanishme në këtë institucion.