Itali (Piza) 12. 02. 2014 – (Seremo datur cunctis, animi sapienta pancis! – Gjuha i është dhënë gjithkujt, mënçuaria pakujt)! Refleksion mbi vëllimin me tregime ”Eunukët ëngjëllorë”, (Bota Shqiptare, 2013, Tiranë) të shkrimtarit Moikom Zeqo. Të shkruash poezi apo edhe prozë, nuk është aspak e lehtë. Këtë e them me bindjen dhe sigurinë e atij që rreket të shkruaj gjëra të vogla, të thjeshta. Por të shkruash diçka të tipit të këtyre tregimeve është, është…
Po! Po!
Haluçinante.
Po e përdor edhe unë këtë term të autorit megjithëse përdorimi i tij është paksa i rrezikshëm. Është e tillë pasi vetë termi rjedh nga fjala halucinazione, që ka dy kuptime si në gjuhën mëmë prej nga rrjedh ashtu edhe në gjuhën tonë. Pra thikë me dy presa.
Kuptimi i parë është vegim dhe vegimet në të shumtat e rasteve janë përfundim i një gjendje anomale, pisikodelike. Kurse i dyti është, vizion dhe vizionet në të shumtat e rasteve që njohim, kanë qenë dhe mbeten rrëfimtare, përfundim i një gjendje surreale, të shenjtë. Natyrisht unë po e përdor në kuptimin e dytë të saj.
– Kopertina e librit: “Eunukët ëngjëllorë” të Moikom Zeqos –
Teksa lexon këto tregime vizionare, ndihesh keq, të vjen keq. Pasi këto tregime, nga ajo që mund të kuptojë një lexues i mesëm, si unë, nuk mund të jenë për të gjithë, për masën.
Në njërin prej këtyre tregimeve lexuesi kupton se kjo keqardhje ka zaptuar edhe vetë autorin. Kur shkruan se masat populiste mbushin stadiumet dhe boshatisin bibliotekat publike.
Janë këto, masat që adhurojnë Mesi-an dhe injorojnë Borges-in.
Nuk njohin ekzistencën e Gabriel Garsia Marquezit, por adhurojnë, madje dëshirojnë jetën, pasurinë e Pablo Eskobarit.
Ky libër nuk ka se si të jetë për masat që mundohen të lodhin xhepat, por jo mendjet e tyre të papërdorura. Asnjë nga këta individë nuk do të mund të duronte dot vizionin e këtij libri.
I magjinoj sikur një nga këta individë të pasur, të futej në një dyqan margaritarësh dhe diamanësh dhe në vend të një shitësi të rëndomtë të gjente autorin e Eunukëve Engjëllorë. Ai duke i treguar një diamant do t’i thoshte: “Moikom Z…, ju jeni duke blerë copëzën më të bukur të karbonit të cilën e shkëputi nga gjiri i tokës mëmë, llava e nxehtë që shpërthnte për në sipërfaqe nga zemra e bërthamës së saj. E duke kalur përmes shtypjes së madhe që toka mëmë ushtroi mbi të, doli në sipërfaqe me këtë formë.” Njeriu, ai i masës populiste do e shihte me habi, gati i tmerruar. Pasi për të është e pamendueshme që diçka kaq e tejdukshme të jetë pjellë e diçkaje të zezë sterre, por që shndërrit marramendshëm.
Në këtë libër, Moikom Zeqo, duket sikur i flet të gjithë idhujve të vet, por duke i parë si të barabartë dhe pa kurrfarë frike: për tërmetin filozofik, psikologjik dhe ekzistencial që rrezikon të shkatërrojë! Dilemave madhore, (Ekuacioneve ekzistenciale me dy të panjohura) i bashkangjit edhe të panjohurën e tretë. Të gjitha dilemave duke futur këtu edhe atë të Hamletit, të Faustit, duke mos përjashtuar as atë dilemën gati banale që udhëton edhe në gojët e masës populiste.
Është ajo dilema e vezës dhe e pulës, se kush lindi e para, (Kush është e parë vlera X apo vlera Y) ai me qetësinë e një gjeniu i fut edhe vlerën e tretë (Z). Këtë e bën duke përdorur në mënyrë figurative elementin ujë. Pra ai na thotë: mirë që nuk e dimë se kush e polli pula vezën apo veza pulën? Por ama kush e fekondoi vezën që do pillte pulën që do pillte vezën.
Autori, në faqet e këtij margaritari absurd, real, përdor një thënje latine të cilën unë e përdora në fillim dhe tani dua që t’i shtoj edhe diçka.
Nëse gjuha është për të gjithë dhe mençuria e disave, gjenialiteti, kurdo që shfaqet, është i parakohshëm, për kohën.
Qe i parakohshëm në antikitetin e Pitagorës, të Platonit, të Arkimedit, të Virgjilit dhe të Senekës. Ishte i parakohshëm në mesjetën e Pjer Abelarit. Mbeti i tillë në rilindjen e Dantes, Machiavelit dhe të Da Vinçit. Vazhdoi të ishte i tillë në klasicitetin e Mozartit. Po ashtu edhe në modernizmin Dekadent të Uajlde-t, të Nitszhe-s, Kafka-s, apo në ”bet generation“ të Kerouac-ut. Dhe vazhdon të jetë i tillë në postmodernizmin haluçinant (vizionar) të ”Eunukëve engjëllorë” të Moikom Zeqos të papërsëritshëm.
Ndokush mund të mendojë se kam ekzagjeruar, se po deliroj. Nuk kundështoj dot askënd, ngaqë ky libër më ka sugjestionuar, (më ka kushtëzuar vizionet e mëparshme) shumë. Aq shumë sa tashmë as shiun që bie jashtë dhomës time nuk e shoh si më parë pas qelqeve.
Por jam duke e parë pas një kompozimi kimik të përbërë nga pluhur silici dhe e disa mineraleve të tjera, që po të ndodhej nën shi do të qe kthyer në baltë.
Pjesë e baltës fillestare. E ftillëzimit të botës dhe universit!
*) Erion Muça, autor që shkruan poezi, prozë dhe esse. Jeton dhe punon në Itali.
Piza, më 12. 02. 2014