PASHTRIKU: NDOC GJETJA TE ‘LAJMËTARI I LIRISË’ SË JUSUF GËRVALLËS

 Pashtriku.org, 13. 02. 2014 – Jusuf Gërvalla është një figurë monumentale e Kombit tonë. Përveçse atdhetar dhe drejtues i organizatës LNÇKVSHJ, Jusufi ishte edhe krijues i përsosur. Ai i takon brezit të tretë të krijuesve të poezisë së sotme shqipe. Në këtë brez Jusuf Gërvalla, sikur edhe pak krijues të artit poetik, do të hyjë jo thjesht si krijues i artit letrar, por edhe si individualitet me prirje të shumanshme kulturore e intelektuale. Prandaj, në rrethet kulturore në përgjithësi dhe në ato letrare në veçanti, Jusuf Gërvalla është krijues i pranuar në shumë fusha: publicist, interpretues, përkthyes, prozator e poet. Në Kosovë Jusufi ka botuar tri përmbledhje me poezi: Fluturojnë e bien (1975), Kanjushë e verdhë (1978) dhe Shenjat e Shenjta (1979). Edhe pas arratisjes nga Kosova Jusufi vazhdon të shkruaj poezi, por në gazetat e tij apo në ato gazeta të redaktuara nga ai nuk e boton asnjë poezi të vetën. E vetmja poezi e Jusuf Gërvallës që është botuar në revistat e kohës është poezia “SHQIPJA BËN EDHE PA GJËMË, I MJAFTON LAVDIA” e botuar në revistën “Liria”, nr. 4-5, gusht 1981, faqe 23. Revistën “Liria” Jusufi e ka ndihmuar me të gjitha mënyrat por, nuk ka qenë redaktor i saj. Kjo poezi është zgjedhur për botim nga bashkëveprimtari i tij Kadri Zeka.

– Ndoc Gjetja dhe Jusuf Gërvalla –

Jusuf Gërvalla në rubrikën ”Këndi poetik” të revistave të tij, ka botuar poezi të autorëve: Abdyl Latif Arnauti (Siri), Tahsin Saraçi (Turqi), Ulmar Qvicku (Suedi), Petraq Risto, Çajupit, Hydajet Hysenit, Isamil Sylës, Ismail Kadaresë etj. Në gazetën ”Bashkimi” ka disa poetë tjerë që nuk përmenden këtu. Nga të gjithë poetët shqiptar, Jusuf Gërvalla, hapësirë më të madhe në revistën ”Lajmëtari i lirisë” i ka dhënë poetit NDOC GJETJA.
Poeti Ndoc Gjetja është ndarë nga jeta më 7 qershor 2010, në moshën 66-vjeçare. Vdekja e parakohshme e poetit erdhi për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Ai u lind më 1944 në fshatin Bërdicë të Shkodrës, por në Lezhë u vendos me familjen që kur ishte 7 vjeç. Shtegtoi drejt Tiranës në kohën kur krijimtaria e tij u bë e njohur në vitin 1971. Kishte botuar vëllimin e parë poetik “Rrezatim”, pastaj erdhën gjashtë të tjerë:
– “Shqiponja rreh krahët” (1975),
– “Qëndresa” (1977),
– “E përditshme” (1982),
– “Çaste” (1984),
– “Poezi” (1987),
– “Kthimet” (1991) dhe
– “Dhjata ime” (1998).

Poeti Ndoc Gjetja dikur do të thoshte: “Edhe pse kam botuar shtatë vëllime me poezi, unë e konsideroj veten autor i një libri të vetëm, që do të hartohej duke përzgjedhur poezitë më të mira që kam arritur të krijoj.”
Studiuesit e kanë cilësuar Gjetjën si poet që di me çdo varg t’i bjerë bukur tastierës së humanizmit dhe prandaj jo pa qëllim e kanë quajtur ”poet humanist”. Kjo përmasë në poezinë e tij rri pa zhurmë dhe me dinjitet në rendin e poezisë bashkëkohore shqipe. Për më tepër Ndoc Gjetja konsiderohet si një nga poetët më origjinalë shqiptarë.


Lajmëtari i lirisë, nr.1, gusht 1980

Në shenj nderimi për Ndoc Gjetjen, portali www.pashtriku.org i ka shkëputur katër poezi nga revista ”Lajmëtari i lirisë”, për t’iu bërë jehonë fjalëve të këtij poeti të madh, në të njejtën përmasë, siç ka bërë Jusuf Gërvalla para 34 vitesh. (Sh.B)

*  *  *

MË KISHIN ARDHUR NJERËZIT
Para ca vitesh isha sëmurë
i kisha humbur ndjenjat fare
dhe tek krevati m’u duk sikur
më erdhi ajo, armikja e të gjallëve.

Në dhomën me heshtje të rëndë
lëvizte me çapa të pandjerë
sikur më tha: – Ngreu në këmbë!
Po të fal dhe kësaj herë.

Ajo priste që t’i thosha
por s’i thash: – Falemnderit!
Unë u ngrita se te koka
më kishin ardhur njerëzit.

UNË SHTËPINË E KAM TË FALA ”SHOK”

Më kanë ardhur kaq telegrame
“Lajmëro shëndetin”
nga shokë të largët pas tërmetit.
Me këta vargje desha t’u përgjigjem:
“Ju paça të gjithëve, falemnderit!”

Shtëpia u rrëzua, shumë gjëra u prishën
por nga kjo s’e pata vështirë
se unë prej kohësh e kisha hyrjen
te zemra juaj, njerëz të mirë.

Sa njerëz më erdhën tek çadra sot!
Prit e përcjell më kaloi gjithë dita,
unë shtëpinë e kam te fjala “Shok”,
me themele në zemra e me çati prej drite.

Ja, rri e mendoj me vete sonte:
me shumë gjëra në jetë jam ngopur
por asnjë herë dashuria e shokëve
të më teprojë s’më ka ndodhur.

Se gjithçka në botë ka një madhësi,
mbushet me diçka dhe nuk nxë më tepër
por njeriu kur s’u mbushka me njeri
dhe universin mund ta nxërë në zemër.

Gjyshit tim
Gjithë jetën e kaloi me një martinë hedhur krahut duke luftuar mal më mal kundër zaptuesve. Ka qenë 93 vjeç kur e rrëmbyen armiqtë natën në kullë dhe s’u kthye më. Nuk dihet se ku e kanë vrarë dhe as kufomën nuk ia gjetë njeri.

NGA NJË GOJËDHANË

Jeta e gjyshit – një gojëdhanë
një gojëdhanë me tridhjetë fjalë
se fjalët e tjera i kanë rënë
rrokje-rrokje nga një këngë,
se s’është lehtë njëqind vjet
të trokasësh nëpër zemra,
të hysh në to dhe të bëhesh
fjalë që digjet nëpër breza.

Vallë ku mbin gjithë ato fjalë
që i patë folë kur ishte gjallë
se fjalët e gjyshave janë si farat
që çajnë plisin në pranverë,
nëpër zemra lëshojnë rrënjë,
ato mbijnë e nuk lënë
jetën kur të mbetet djerrë.

Në ato fjalë si thelbi në farë
është përkdhelja edhe puthja,
është martina edhe lahuta,
është Shqipëria me gjithë hallet
dhe ajo e bardhja bjeshkë
kokrra e misërit, Besa e Dhënë
më të shenjtë se zoti vetë.

More gjysh, Ulisi i Bjeshkëve!
Askërkund s’ta gjeta varrin,
gjithkah brodha vërri e më vërri,
pyeta hënën e s’mu përgjegj,
pyeta përrenjtë e nuk u ndalën,
pyeta diellin e tha: Nuk di!

Më në fund thash me vete:
Bjeshka e Namun me shtatë male
ngrihet sot mbi eshtra të gjyshit
Bjeshka e Namun me shtatë maja
që tallin e sfidojnë
piramidat e Egjyptit.

Si t’i shtyj shtresat e tokës,
si t’i shtyj shtresat e kohës
si t’i ngrej malet e Bjeshkës
të ta gjej thelbin e zemrës
se ty mali të ka marrë
të të hedh një tufë me fjalë
të të hedh një degëz ahu,
të të hedhë një hingëllim kali,
të të hedhë ca hala pishe,
të të sjellë një djep fëmije
të shohësh jetën si lëvizë
nëpër rrembat e Shqipërisë…

Qëkur vdiqe more gjysh
njëqind vjetë kanë kaluar
e ti s’mundesh që ta dish
se sa shumë që ka ndryshuar
faqja e jetës dhe faqja e botës
po të ngjallesh tre dekika
tre dekika ta shikosh
nuk besoj se do ta njohësh.

Ngreu e shih fillin e lëmshit
që është lidhur nyje-nyje
në tavolinë të supershtetit,
në politikën e të gjithë krajlive,
janë bërë një rrahja e puthja,
janë bërë një paqja e lufta,
janë bërë një tregu e miqësia,
janë bërë një burgu e liria,
janë bërë një gjoksi e shpina…

Të dhëmb syri dhe zemra
kur sheh bankat “Nëna e bija”
mbushë me letra që vlerësohen
shumë më tepër se burrëria,
shumë më tepër se atdheu
shumë më tepër se fytyra,
kur sheh urat që montohen
me gjymtyrë e kafka kombesh
ku kalojnë tanket e jankit
edhe trenat e Moskovit.

Për ta gjetur të vërtetën
duhet sot t’i kthesh përmbys
shtatëmijë male ngritë me letra
ngritur shkronjën përmbi shkronjë
dhe çdo fjalë ta thyesh si arrën
mos ka brenda varrin tonë.

Larg nga detet dhe kontinentet
nga sarajet e krajlive
vijnë ca zëra si përkdhelje,
vijnë ca zëra si gjëmime
Ç’janë sirenat e Uliksit
more gjysh përpara tyre?

Si gra të lëshueme propagandat
nëpër udhë të botës ecin
në buzëqeshje fshehin prangat,
fshehin thikën brenda fjalës.
Disa thonë: – Çaj përmes!
Disa thonë: – Bjeri anës!

Na u dashka t’i thuash vetes
ndizu flakë e digje trupin,
me kurriz s’fiton asgjë,
rënë në gjunjë të ha poshtrimi
të kafshon me dhëmbë prej qeni,
më mirë luftës jepja gjoksin
në llogore ta haj plumbi.

Krejt si njerëzit edhe kombet!
Nga kurrizi u vjen vdekja
rënë në gjunjë humbin veten
u zbret qyqja në thelb të zemrës
mbi shpinëkrrusjen vjen mandata,
më mirë flakë ta ndezin shtatin
dhe në dorë t’u shkrihet shpata.

Po shekullit tim e rrugës sime
në mos i shkofsha për midis
në mos vdeksha për këto vërrie
mos arritsha të bëhem gjysh!

Gjakun tim te udha e jetës
pika-pika e piftë dheu
gjithsaherë t’i thahet buza
gjithsaherë ta marrë etja
e iu bëftë shëndet e gëzim
u bëftë lule, gjesh e bar
u bëftë rrita e Shqipërisë,
zë fëmije ndër pelena!

(Këto poezi janë marrë nga “Lajmëtari i lirisë”, nr.1, gusht 1980)

*  *  *
TE GRYKA E HONIT KU PREHEN ESHTRAT E AZEMIT

Iu afrova grykës së honit,
ia ngula sytë heshtjes, territ
dhe s’di pse zemrës brenda gjoksit
iu dha t’i thërrasë Azemit.

– A po më ndien, o Azem Galica? –
thirra ndoshta nj¨qind herë.
Një shqiponjë doli nga gryka,
me tërsëllimë u ngrit në qiell.

I thash vetes: Mos thirrë më!
Se Azem Galica doli.

(Marrë nga “Lajmëtari i lirisë”, Nr. 1, janar – shkurt 1981).

 **********************************************

(Përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura