Zvicër, 27. 02. 2014 – (LPRK dhe rrugëzgjidhja e strukturimit përmes votës) – Vitet 1985, `86 dhe sidomos viti 1987, do jenë vite, vendimtare për fatin e Lëvizjes ilegale në trojet shqiptare nën pushtim! Mosmarrëveshjeve të brendshme për çështje strukturore e organizative, po u vinte fundi. Puna e filluar me strukturat e organizuara në terren, mbajtja e mbledhjeve dhe zgjedhjeve të strukturave drejtuese që nga bërthamat deri tek arritja e mbajtjes së Mbledhjes së Përgjithshme, tashmë të LPRK’së, përfundimisht përcaktoi drejtimin dhe fatin e Kosovës, pozitën e shqiptarëve nën pushtimin e ish’Jugosllavisë. Mbledhja e Parë e Përgjithshme e LPRK’së, mbahet në Korrik 1987 në Zvicër (St. Gallen, Cyrih, Delemont). Aty marrin pjesë delegatë nga diaspora dhe delegati Ahmet Haxhiu, i dërguar nga Këshillat e LPRK’së brenda vendit. Kjo Mbledhje zgjati 3 ditë dhe aty bë aprovimi i Programit Politik, aprovimi i Statutit të organizatës, aprovimi i statusit të „Zërit të Kosovës“, si organ i propagandës dhe kjo do të jetë faza kulminante e organizimit ilegal në kushtet e pushtimit. Krahas detyrimeve dhe obligimeve tjera, Mbledhja e Përgjithshme, autorizon Këshillin e Përgjithshëm, si organi më i lartë organizativ në kuadër të LPRK’së, të zgjedhë dhe emëroi Kryeredaktorin e „Zërit të Kosovës“. Këshilli i Përgjithshëm zgjodhi kryesinë prej 7 anëtarëve ku për kryetar zgjodhi F.Veliun, sekretar E.Xhemajlin, përgjegjës financiar G.Elshanin. KP me zgjedhjen e Kryesisë në përbërje prej shtatë (7) anëtarëve, zgjedh edhe Kryeredaktorin e «Zërit të Kosovës», drejtuesin e propagandës. (Kryeredaktor u zgjodh M. Xhemajli – Sh.B)
Për të qenë sa më afër jo vetëm zhvillimit të ngjarjeve politike, por edhe në vijën politike e organizative të LPRK’së, Kryeredaktori, domosdo duhej të ishte anëtar i Këshillit të Përgjithshëm. Detyrat e Kryeredaktorit nuk ishin vetëm çështjet organizative dhe ekzekutive në Redaksinë e „ZiK“, ishte pjesë aktive e organit drejtues. Kryeredaktori, para Këshillit të Përgjithshëm, propozonte për aprovim anëtarët e Redaksisë, caktonte redaktorët e rubrikave si dhe raportonte çdo gjashtë muaj, apo edhe më shpesh-sipas nevojës dhe kërkesave.
Mbledhja e Parë e Përgjithshme, përkatësisht Këshilli i Përgjithshëm i dalë nga kjo mbledhje, me emërimin e kryeredaktorit, vuri në binarë të shëndoshë gjithë fatin e LPRK’së dhe „Zërit të Kosovës“. Kryeredaktori, zgjodhi bashkëpunëtorët dhe korrespondentët.
LPRK, vota në organizimin ilegal dhe suksesi
Mbajtja me sukses e Mbledhjes së Parë të Përgjithshme, ishte sukses i përgjithshëm i strukturave të përgjithme organizative, që nga çdo celulë ilegale në terrenin e pushtuar, deri tek çdo strukturë organizative jashtë, kudo në Europë, ku ishin pjekur kushtet. Thjesht, ishte finalizimi i entuziazmit, të paparë deri më tani në organizimin klandestin të pjesës së shqiptarëve të pushtuar. Arrestimeve në masë të vitit 1983 dhe gjykimeve në vijimësi ndaj shqiptarëve duhej përgjigjur në kushtet dhe rrethanat e kohës. Konsolidimi i radhëve me finalizim, mbajtjen e Mbledhjes së Përgjithshme, ku përfaqësoheshin struktura të caktuara nga terreni i gjerë, ishte fillimi i institucionalizimit të jetës jo vetëm ilegale, përballë pushtuesit, por edhe fillimi i institucionalizimit të pasqyrës politike e kombëtare të shqiptarëve nën ish-Jugosllavi.
Kjo ishte përgjigja më e fortë Beogradit, njiherit kundër goditja si organizative, poashtu edhe propagandistike. Tashmë, sigurisht, me qëllimin më të mirë, protagonistët e gjithë kësaj, organizatorët deri tek veprimtari i fundit i LPRK’së, me mbajtjen e Mbledhjes së Përgjithme, hynë në rrugën e pakthim, largimin e pushtuesit jugosllav e serb nga Kosova. Pavarësisht zhvillimeve politike e ushtarake në Europë, në Ballkan, me theks të veçantë, në ish’Jugosllavi, vitet në vijim do pasqyrojnë peshën strategjike të Mbledhjes së Parë të Përgjithme të LPRK’së. Për kohën, zgjedhja e organeve organizative, në kushtet e ilegalitetit, me „magjinë“ e votës së lirë, nuk ka pasur, në dukje, peshë të madhe! Por, marrë parasysh periudhën e Luftës së Ftohtë, pesha e votës së lirë, për organizimin klandestin, në LPRK, shënon, kthesën, dhe përvojën, e parë institucionale në kushtet e ilegalitetit!
Pse!
Domosdoja, mbase, shtegdalja e vetme, e daljes nga rrethi i mbyllur, që kishte rënë, organizimi ilegal i shqiptarëve nën ish-Jugosllavi, ishte, zgjedhja e drejtuesve, që nga celula bazë deri tek ajo qendrore. Kjo ishte, përsëri, them, „magjia“, e suksesit të mëpastajm, të LPRK’së, pararendësen e LPK’së deri në çlirimin e Kosovës. Ishte, praktika e parë e daljes, kapërcimit përtej atoritetit të Bajraktarit, Liderit, Drejtuesit, të Vetëemëruarin, me të drejta të pakufizuara në kushte e organizimit klandestin përballë pushtuesit!
Vota e lirë, shpëtimtarja e LPRK-së përballë zhvillimeve globale
Tashmë, formula e „magjisë së votës» së lirë, të drejtpërdrejt, në kushtet e organizimit ilegal, e kishin lehtësuar shumë, madje tepër shumë, formën e organizimit, strukturimit e LPRK’së, përballë sfidave të ditës dhe kohës në perspektivë. Frymëmarrja e lehtësuar, e organizimit në terren krijoi përparësi tejet të mëdha, në raport me organizimet tjera klandistine shqiptare në terren. Epërsia politike e krijuar, e LPRK’së në terren, nuk do ta ketë lehtë, të paktën në perspektivën e gjatë kohore. Kjo rehati politike do trazohet së shpejti. Marrë në jetgjatësinë politike, ishte e shkurtër. Struktura organizative dhe organet e LPRK’së, me entuziazëm të tillë, do zhvilloi aktivitetin dhe ekspanzionin politik tek shqiptarët nën ish’Jugosllavi, deri në fundin e viti 1999.
Përkundër kësaj, LPRK, në këtë kohë, arrin të mbajë edhe një Mbledhje të Përgjithshme, atë të Dytë, në tetor 1989 në Baden dhe Olten të Zvicrës. Në Mbledhjen e dytë të Përgjithshme të LPRK’së aprovohen dokumentet e Mbledhjes në të cilat i jipet mbështetje çdo veprimtarie liridashëse që është në programin e LPRK’së. Delegatë në këtë mbledhje përveç të tjerëve janë: Fadil Vata, Ahmet Haxhiu dhe Arif Seferi. Zgjedhet Kryesia e LPRK-së nga 7 anëtarë dhe Këshilli i Përgjithshëm nga 31 anëtarë. Pra kjo mbledhje ishte më tepër si një frymëmarrje e thellë, para maratonës politike, tejet të vështirë, që tashmë ishte në prag. Pra, organet e zgjedhura, apo më mirë me thënë të riemëruara, me ca freskime, më tepër operacionale, do jenë të peshës strategjike, për periudhën në vijim. Strukturat e zgjedhura, për pak javë do jenë përballë zhvillimeve tejet të mëdha globale, „fundin e Luftës së Ftohtë“, deri tek ndryshimi i pozitave dominuese të faktorëve, tashmë të rinj, të skenës së politikës globale! Sa „qel e mëshel sytë“, bëhet shembja e Murit të Berlinit. Nga e dëgjueshmja e Uashingtonit, Bon-i, del në skenë. Bëhet, qendër e vendosjes globale. Gjermania u bashkua! Në Europë filloi ndryshimi i kufijve. Shqiptarëve, po u buzëqeshte fati. Por, fatin, më tepër në pamundësi, sigurisht dhe me mosdijen dhe organizimin e pamjaftueshëm, u desh dhe një dekadë rrugëtimi me sakrifica dhe vuajtje për ta kapur, në orët e fundit, për të mos e lëshuar më!
LPRK’së, përpara, i dolën sfida të reja, vështirësi të mëdha, ballafaqime dhe çështje të reja të paparashikuara në aspektin organizativ e orientues.
Skena politike shqiptare, fillimisht në hapsirën e ish’Jugosllavisë, psoi ndryshime. Lidhja Komuniste e Jugosllavisë, për shqiptarët, si organizim politik „vdiq“! Fillimisht, përmes grupimit intelektual, në „listën e intelektualve“, si nënshkrues të një peticioni dhe Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, lindi organizimi „legal“ politik, Lidhja Demokratike e Kosovës. Entuziazmi, ishte i papërshkueshëm. Vetëm brenda ca ditëve, gjithë strukturat e Lidhjes Socialiste të Popullit Punues të Kosovës, Lidhjes së Komunistëve të Kosovës dhe organizimeve tjera politiko-shoqërore, të lidhura me njërën nga format me pushtetin u zhbënë, kaluan në LDK. Ky ishte vetëm një kapërcim, politik, formal. Pushteti, ekzekutiv, pushtues vazhdoi pa u trazuar fare, bile dhe gati për një dekadë.
Pas entuziazmit, gjithëpopullor, tashmë në kuadër të LDK-së, që zgjati dy-tre vite, në pamundësi dhe mbyllje të perspektivës gjithnjë e më shumë për shqiptarët, filloi dhe reflektimi, fillimisht, individual, që në numër ishte tejet mospërfillës, për skenën politike, tashmë „legale“, të dominuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e prirë nga Ibrahim Rugova. Në ndërkohë, mozaikut politik të skenës organizative të shqiptarëve nën ish-Jugosllavi, i ishin shtuar dhe Partia për Prosperitet Demokratik e Shqiptarëve nën Maqedoni me prijës Nevzat Halilin, Riza Halimi me një tjetër në Luginën e Preshevës, Ferhat Dinosha nën Mal të Zi dhe ca tjera parti minore, që në të vërtet, më tepër ishin, satelit të LDK’së e PPD’së se sa që paraqisnin strukturë të pavarur.
Pushteti jugosllav, i lejoi të gjitha këto parti edhe tek shqiptarët, vetëm pas kushteve, që i bënte Uashingtoni Beogradit, në lidhje me shlyerjen dhe prolongimit të borgjeve përmes Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe emërimit të Ante Markoviqit në krye të Këshillit Ekzekutiv Federativ të Jugosllavisë.
Vetëm ca muaj më vonë, një lajm i lëshuar nga burime të CIA’s, do trondisë, jo vetëm ish’Jugosllavinë, por gjithë Ballkanin. Paralajmëronin, fshirjen nga faqja e dheut shtetin e Jugosllavisë, shpërbërjen e saj!
Shqiptarët, u entuziazmuan deri në „ekstazë“ politike! Madje dhe në Tiranë, me bujë arriti «Demokracia»! Skenën politike shqiptare së shpejti e mbuluan aleancat partiake-politike «antikomuniste»! Marrja e pushtetit, u bë fare lehtë, më tepër me hapje rruge. Gjendja ekonomike, sa vinte e rëndohej! Zgjidhjet si ekonomike, poashtu dhe politike, për shqiptarët e pushtuar sa vinte e rëndohej. Shto kësaj dhe fillimin e luftërave në hapsirën e ish-Jugosllavisë!
Përballë gjithë kësaj, LPRK, së pari e papërvojë, tashmë edhe e pakrahë, filluan ditë të vështira dhe me pikëpyetje të mëdha! Në Tiranën zyrtare u bënë ndryshime, që jo vetëm kishin predispozita anti Lëvizje, por tashmë nga pozitat e Qendrës së vendosjes për Shqiptarët, me gjithë propagandën në dispozicion e luftuan pa mëshirë! E gjendur në udhëkryqin e jetës së saj, dhe jo vetëm të saj, me ndarjen e fatit me pupullin rifillon, sërish, sprova hamletjane! Të rrëmbyer nga entuziazmi i jetës politike legale, një pjesë braktisën deri dhe me thirrje kolektive që t’i bashkohen LDK’së dhe simotrave të saj! Braktisja e radhëve, që nga baza, arriti deri në Kryesi! Për të mos thënë se kishte dezorganizim total, më e mira e mundshme ishte se vazhduan, pa u ndërpre asnjë çast lidhjet Kryesi-bazë, qoftë edhe formale. Edhe ato struktura që kishin mbetur, falë Autoritetit të zgjedhjes përmes „magjisë » së votës së lirë, bënë mrekullinë.
Filloi, sërish rritja e foshnjes – LPRK- në kushtet dhe rrethanat e reja. Mbledhjet konsultative me bazën e gjerë, mbledhjet përgatitore deri tek ato të rregullta në bazë të Statutit të LPRK’së, bënë të mundur tejkalimin e përkohshëm të krizës, me mbajtjen e Mbledhjes së Tretë të Përgjithshme të LPRK’së, fillimisht për Diasporë, në Bazel, dhe së shpejti edhe atë të Brendshme, që tashmë quhet si Mbledhja e Ujëmirit (tetor 1991 – Sh.B).
Derisa në Mbledhjen e Tretë të Përgjithshme të LPRK’së, jashtë vendit, dominoi dhe vendosi zgjedhjen e strukturave drejtuese, VOTA, në Mledhjen brenda vendit, në Ujëmirë, edhe pse pjesa dërrmuese e delegatve ishin si pjesëmarrës në bazë të parimit dhe fuqisë së votës, zgjedhja e organeve drejtuese u bë me fuqinë e besueshmërisë dhe të autoritetit të deritanishëm organizativ e politik.
Pikërisht, ishte mospërvoja dhe dëshira për afri të sërishme brenda LPRK’së të personaliteteve që tashmë kishin dalë nga burgjet, e që rezultoi si gabimi operativ i Strukturës organizative për Mbledhjen e Përgjithme brenda vendit. U shpërfill e drejta e votës, u injoruan veprimtarët që kishin kontribuar deri në këto momente, dhe pa kaluar as edhe një muaj, Kryesia u shpërbë, madje individët e dalë tashmë nga LPRK’ja, në momente të caktuara, harruan se janë nën pushtim, sulmin e orientuan nga radhët që tashmë i kishin braktisur. Zgjedhja e pa votuar, Aklamative, «bajraktariste», LPRK’së i kushtoi shtrenjtë. Sërish, fillon faza tjetër (ri)organizuese.
– Orkestra e dirigjuar Rugova&CO. (!!!) (Sakra) –
Fatmirësisht, largimi i «kuadrove», sikur lëshoi hapsirë ardhjes në shprehje të veprimtarëve që deri tani kishin mbetur nën hijen e autoriteteve të pasprovuara me «magjin» e votës! Nën autoritetin e Rezistencës Paqësore legale, me vështirësi të mëdha, LPRK, arriti të riorganizohet, përkundër daljes së fraksionit-LKҪK (mars 1993 – Sh.B).
Mbledhja e Kollares – Kërçovë (prill 1993 – Sh.B) – me kërkesa gjithnjë e në rritje, tashmë për rezistencë të armatosur, celulat dhe këshillat popullore të LPRK’së, më 1993, fillimisht për Diasporë e pastaj edhe në Kosovë, do Mbahet Mbledhja e Katërt e Përgjithshme (28/29 korrik 1993 – Sh.B). Gjithë fazës pergatitore deri në Mbledhjen e Përgjithshme, zgjedhja e organeve drejtuese përmes votës së fshehtë, në kushtet e ilegalitetit ishte dhe mbeti si pikë kresore e të drejtës së zgjedhjes dhe për t’u zgjedhur.
Nga Mbledhja e Katërt e Përgjithshme, me forcën e votës organizata, nga LPRK do riemërohet si Lëvizja Popullore e Kosovës – LPK. LPK, si emërtim, do të dominoj deri në transformimet e reja të pasluftës, duke iu përshtatur rrethanave të reja.
Vota e lirë dhe „lindja“ e LDK’së
Lehtësirave të krijuara me legjislacion për krijimin e organizimeve politike nën ish’Jugosllavi, shqiptarët sikur i lehtësoi. Me shpejtësi do të krijohen organizime politike. Fillimisht me Lidhjen Demokratike të Kosovës, shqiptarët kudo nën ish’Jugosllavi, braktisin organizimet e deritanishme! Brenda një periudhe të shkurtër kohore, të gjithë, ama të gjithë, nga popull punonjës, sindikalistë të ekonomisë së socializmit jugosllavë deri tek anëtarët e LKJ’së, do anëtarësohen në organizimet politike shqiptare.
Kalimet e shpejta, nga një organizim në tjetrin, pa procedurë zgjedhore përmes votës, qoftë formale, sidomos shqiptarëve iu hakmor. Pushteti pushtues, nuk u trand. Vijimësia ekzekutive e pushtuesit, vazhdoi pa trandje. Lejimi i organizimeve legale nga pushtuesi ishte dhe u bë armë e fortë para faktorit ndërkombëtar. Shqiptarët, tashmë me „lidership“, të ardhur në fuqi brenda ca ditësh, pa kurrfarë procedure u bë realitet. Lidershipi, kryesisht i LDK’së, për një periudhë tejet të shkurtër kohore, përmes emërimeve, fitoi pushtetin mbi shqiptarët. Euforia ishte kudo. Mjaftonin lidhjet, cilado qoftë, farefisnore në zaptimin e pozitave, në kalanë e pushtueme.
Edhepse, i emëruar me aklamacion, Ibrahim Rugova, për shumicën e organizimeve tek shqiptarët nën ish’Jugosllavi, do jetë modeli dhe idhulli. Mjaftonte që në një mes të caktuar, dikush të shprehte iniciativën dhe ambicien për krijimin e një partie politike, nënshkrimet e domosdoshme, anëtarësia gjindej shumë lehtë dhe formalitete e regjistrimit për lindjen e një Lidershipi të ri. Procedura e Lidershipit, tashmë model u bë emërimi me Aklamacion!
Në fakt çka po ndodhte ndryshe nga e djeshmja e monizmit?! Derisa dje emërimet i bënin kuadrot brenda LKJ’së, tashmë në terren, deri në organet më të larta të partisë, formalisht, filluan të zgjedhen individë me ndikime dhe të influencueme nga klane tashmë të instaluara përrreth „Lidershipit“.
Me shpejtësi u krijuan struktura të diferencuara. Të „zgjedhurit“ dhe të emëruarit, sikur harruan misionin që kishin marrë në fillim. Për kohën dhe hapsirën, strukturat deri tek lidershipi krijuan autoritet të padiskutueshëm dhe jetë luksi nën pushtim. Stërkeqja, manipulimet, korrupsioni deri tek flirtet me pushtuesin sa vinin e bëheshin më evidente. Të gjitha këto, opinionit shqiptar i servireshin nën autoritetin e jetës dhe pushtetit paralel! Madje dhe u bënë „zgjedhje“! Shumë zhurmë, për asgjë! U tund mali se polli miu! Ҫdo gjë lejohej dhe kontrollohej nga pushtuesi! Vullneti i votuesit dhe „Vota“ keqpërdorej deri në banalitet! Përgjegjësia ndaj marrjes së Votës ishte baras me zero! Tallja dhe përbuzja me vullnetin e „Votës“, kishte arritur kulmin. Shqiptarët, filluan të pranojnë të mirëqenë, një praktikë, tashmë të braktisur, plot një shekull, Bajraktarizmin! Votën dhe besimin e ngarkuar për mes institucionit të votës e keqpërdoren madje edhe ca drejtues të LPK’së! Instikti i Bajraktarit, tashmë i lakmuar si model nga „legalistët“, pa u shuar zjarri i Luftës së UҪK’së, u bë motoja e tyre, tashmë politike legale!
Bajraktarizmi si model qeverisjeje dhe vëzhgimi ndërkombëtar
As Lufta e UҪK’së dhe jeta plurale, politike e organizative në rrethana të reja nuk e largoi nga mendjet politikën bajraktariste! Mjafton të shihen të gjithë kryetarët e partive politike shqiptare nën ish’Jugosllavi, zgjedhja-emërimi i tyre është bërë me aklamacion, ose më mirë me thënë zgjedhje pa kundërkandidatë si formë bashkëkohore e qeverisjes! Mjerimi politik ka pushtuar shqiptarët! Ky mjerim, është paraendëse e mjerimit kombëtar! Tashmë Bajraktarët, të gjithë, kanë ofruar afër vetes të degjueshmit, në rastin më të mirë, deri tek elementët ish’bashkëpunues me pushtuesin! Madje, ndonjëri ish’zyrtar në rastin më të keq! Bajraktarët, votën se njohin, fuqisë së saj, nuk i nënshtrohen! Kanë strukturat e tyre të kontrollit dhe „vendimmarrjes“! Llogaridhënja për Bajraktarin nuk është e zbatueshme, atë e aplikojnë vetëm ndaj vartësve! Shikoni vetëm jetëgjatësinë politike të Bajraktarëve, në krye të Partisë (ve) Politike, për të kuptuar largpamësinë e tyre dhe tolerancën e brendshme!
Maratona e bajraktarëve nën vëzhgimin e ndërkombëtarve! (Sarka’1998)
Gjithë këto sjellje, që shfaqen kudo tek drejtuesit e partive politike, tek shqiptarët, edhe pse është e pranueshme për opinionin e brendshëm, në atë zyrtar ndërkombëtar, është i pranueshëm, vetëm përderisa përputhen me agjendat e tyre politike! Të gjithë Bajraktarët, ama secili, është i scanuar! Madje, gjithnjë e më tepër, sa vijnë e shtohen zerat, e miqve ndërkombëtar, kundër Bajraktarëtve shqiptarë. Me këtë, miqtë shqiptarë pa u dukur arrogant, kohëpaskohe ftojnë Bajraktarët të tërhiqen, të lëshojnë rrugë, në njërën anë dhe ftojnë shqiptarët që përfundimisht nëse përqafojnë rregullat e demokracisë perëndimore, me format legale të largojnë nga skena gjithë Bajraktarët në anën tjetër!
Përfundimisht, shqiptarët janë në udhëkryqin e pasluftës, udhëkryqin e shtetit ligjor, marrjen e vlerave të drejtës së shtetit ligjor apo vazhdimin e qeverisjes së shtetit me Bajraktarë!
– Kontakti me autorin: [email protected]
********************************************************
(Ilustrimet janë të pashtriku.org, sh.b)