Skënderaj, 28. 02. 2014 – Dikush e quan betejë heroike, dikush e quan masakër… Të dyja qëndrojnë, ndoshta… Nejse… Në ditën e varrimit isha në ‘Këshillin për varrim’…Para disa vitesh isha në Këshillin për përgatitjen e manifestimit të përvjetorit të rënies së 24 ‘dëshmorëve e martirëve’. (Po atë ditë ishte vrarë edhe i 25’ti në Skenderaj – Bekim Deliu, të cilin askush nuk e përmend).
Meqë më ngarkuan me këtë detyrë, mendova të bëj diҫka më ndryshe… Në përvjetorët e mëparmë, familjarët vinin me fotografitë e të rënëve, secili të një formati që e kishte punuar për ta mbajtur në shtëpi. Propozova që t’i punojmë fotografitë, të gjitha të një formati dhe t’i fusim në korniza të njëjta. Kur dola t’i mledh fotografitë, hasa në situata të ndryshme: Familjarët e viktimave, të heshtur e të përvuajtur, m’i jepnin fotografitë pa ndonjë vërejtje, madje falënderonin për kujdesin që po tregonim – si komunë. Familjarët e dëshmorëve (jo të gjithë) na pritën ‘me këmbë të para’ duke na thënë se nuk po i bëjmë mjaftë jehonë luftës heroike të dëshmorëve të asaj beteje. Me mua ishte edhe gazetari A. Meta, i cili dëshironte të bënte një reportazh…
Kur shkuam te familja Gjeli, prej të cilës ishin dy dëshmorë, Muhameti e Naseri, dëgjuam një rrëfim tronditës. Iliri na tregoi se si vetë i treti kishte mbetur në tavanin e një shtëpie, në të cilën ishin vendosur kriminelët serbë. Ai tregoi se si i kishin mbytur me tortura, duke i goditur me mjete të forta, të dhjetë meshkujt e familjes Ahmeti dhe një mikun e tyre nga Gradica që kishte ndodhur mysafir tek Ahmetajt. Vendi ku ishin torturuar për vdekje të gjithë 11 meshkujt, disa prej tyre shumë të rinj, ishte vetëm 10-15 hapa nga ku ishin fshehur (në tavan) tre të rinjtë.
– “Prej të parit deri tek i fundit janë torturuar deri sa kanë vdekur, dhe nuk e kanë thënë asnjë fjalë edhe pse ‘shkiet’ u thonin ‘folni!’ ’kallxoni!’
Unë e pyeta:
– E ҫka duhet të kallxonin ata, sipas tyre?
– Me kallxue kush i vrau shokët e tyre para dyerve të Ahmetajve! – tha Iliri.
Ky m’u duk një heroizëm mbi heroizmat!
Ata kishin pranuar të martirizoheshin për të mos e treguar mikun, të cilin, të plagosur, e kishin fshehur në shëpinë e tyre. Ai, ndërkohë kishte vdekur dhe personalisht nuk mund të kishte kurrfarë pasojash edhe po të tregohej, por mund të kishte pasoja familja e tij… Ky nuk është quajtur asnjëherë heroizëm nga ata që kanë pasur në dorë formimin e ‘listës’ së dëshmorëve, heronjve. Këta, madje, janë trajtuar me njëfarë përbuzje (!)…
* * *
Ditën e manifestimit, disa familjarëve të dëshmorëve (se familjarët e ‘viktimave’ nuk kishin kurrfarë kërkesash) iu propozova renditjen e fotografive në ‘binë’. E bëra një skicë duke iu treguar konkretisht se si po mendoja. Me që ishin gjithsej 24 të vrarë dhe vetëm katër trajtoheshin si dëshmorë (tani ky numër ka ndryshuar – është rritur), propozova që renditja të jetë:
– 10 ‘viktima’ në radhën e parë, sipër;
– katër dëshmorët në mes dhe
– 10 ‘viktima’ në rreshtin e tretë, poshtë.
Kështu qëndronin mirë edhe estetikisht, edhe përmbajtësisht – mendova. Dhe iu thashë se po të kishin mundësi të shpreheshin, katër dëshmorët do të ndiheshin mirë në këtë radhitje – edhe janë të veҫuar, edhe janë në mesin e të gjithë të rënëve të tjerë. Ata u pajtuan.
Kur filluam t’i ngulnim gozhdat që t’i vendosim fotografitë, erdhi dikush dhe më tha:
– “Nuk po pranojnë t’i radhisni ashtu!”
– Po si? – e pyeta.
– “Veҫ katër dëshmorët duhet të jenë të parët – po thonë.
Të tjerët vendosni si të doni…” Ashtu u bë.
Ndryshe s’mund të bëhej…