Pashtriku.org, 11. 03. 2014 – Prej një kohe të gjatë kam ndjekur me vëmendje masivizimin e atyre që vizitojnë xhamitë dhe ndjekin modën e mjekrave të gjata e të ashtuquajturave brekushe treçerekëshe, dhe pyesja veten, është vallë nevojë e tyre e brendshme e komunikimit me një zot, si një mbështetje fiktive për t’i tejkaluar hallet dhe vështirësitë jetësore, apo një nevojë e maksimalizimit të fuqisë së një autoriteti ideologjik përmes shumëfishimit të numrit të partizanëve të besimit, me qëllim sundimi e realizimi të disa qëllimeve të dyshimta, në kundërshtim me nevojat e vërteta të shoqërisë kosovare për progres e integrim evropian. Koha po e dëshmon këtë të dytën. Ata po shndërrohen në një formacion të rrezikshëm politik. Duke ndjekur prononcimet e disa kokave të nxehta islamike të Kosovës lidhur me disa personalitete historike shqiptare, sidomos për Skënderbeun dhe nënë Terezën, nisa të vrasë mendjen se ku e kanë burimin këto qëndrime idiotike antikombëtare të kësaj gjenerate të re injorantësh kosovarë!
Viteve të fundit jemi dëshmitarë të një rritjeje të ndikimit fetar në Kosovë, sidomos nga islamizmi, dhe sidomos nga versioni sunit i tij, gjë që ka çuar në ndezjen e një debati, në parlament e në media, që vazhdon të zgjasë sot e kësaj dite. Në paraqitjet e tyre publike partizanët e këtij orientimi fetar e ideologjik tek ne preferojnë të prezantohen si viktima, qoftë duke u ankuar për mungesë hapësirash fetare për lutje, qoftë duke përdorur ndonjë argument në dukje të arsyeshëm, siç është e drejta e mbajtjes së shamisë/mbulesës së kokës nga femrat nëpër objekte publike të arsimit e të administratës. Çështja e tretë me të cilën janë të preokupuar islamistët është futja e mësimit fetar nëpër shkolla. Në këtë trajtim do të merremi, përpos disa temave të veçanta, edhe me kapërcimin e kufijve sekularistë dhe me impaktin politik e konsekuencat politike të islamit në Kosovë.
Vehabizmi …..!
Mbulesa e kokës
Për sa i përket mbulesës së kokës, natyrisht që kjo gjë nuk do të duhej të shqetësonte ndokënd, sikur të lidhej thjesht me pamjen e jashtme të varur nga vullneti i lirë i individit. Mirëpo është e qartë se shamia, tek ne, ndërsa në vendet arabe edhe mbulesa e plotë e fytyrës dhe e syve (niqabi e burka), janë më parë simbol i diskriminimit gjinor e i demonstrimit të pushtetit patriarkal e të fuqisë teokratike, se sa shprehje e orientimit të vetëzgjedhur kulturor e identitar.
Fatbardhësisht, këta dy artikuj veshjesh, niqabi e burka, në botën tonë myslimane pothuajse janë zhdukur dhe nuk përbëjnë shqetësim, ndërsa tani po diskutohet vetëm për bartjen ose jo të shamisë së kokës.
Për çudi, e drejta e shamisë ka gjetur mbështetje edhe nga partia e Vetëvendosjes në Kosovë, si një gjë që hyn në të drejtat themelore të njeriut. Ekspertët e së drejtës natyrisht mund ta shkoqisin më mirë këtë punë, mirëpo është afër mendsh se jo çdo pamje e jashtme e njeriut mund të tolerohet nga mjedisi publik. Psh, në të gjithë botën janë të ndaluara aktet ekzibicioniste të zhveshjes lakuriq në publik. E kundërta, mbulimi tërësor i një individi mund të shqetësojë masat e sigurisë në një vend sepse pamundëson identifikimin. Në botën e krishterë, mbulimi i kokës është kufizuar vetëm brenda mureve të manastireve, midis murgeshave, duke u konsideruar thjesht një rekuizit fetar që nuk e ka vendin në jetën e përditshme të qytetarëve. Ndërkaq islamizmi tenton që gjërat thjesht fetare t’i inkorporojë fuqimisht në jetën e përditshme të të gjithë njerëzve.
*********************
Matrapazët dhe abuzuesit e islamit në Kosovë!
Mbulesa Islame me liberare
Islamizmi tradicionalisht është përzier fuqishëm në të gjitha punët e shtetit, sidomos si mbrojtës zyrtar i moralit publik. A mund të lejojmë që feja islame të na përcaktojë sjelljet morale në Kosovë? Secili që ka sadopak respekt për historinë tonë, për unitetin tonë nacional e për traditat tona të vjetra zakonore e morale, një mundësi të tillë do ta hidhte poshtë vendosmërisht. Megjithatë, në median tonë televizive pati edhe shfaqje të tilla të përçmueshme kur zëdhënës të fesë, madje të tillë që kanë zënë vend edhe në parlament, të na predikojnë moralin islamik si moral të përgjithshëm të Kosovës, duke harruar faktin se populli ynë, me tradita zakonore e me një qytetërim shumë më të vjetër se të arabëve, nuk i akceptoi kurrë disa norma morale arabo-islamike, siç është psh. martesa brenda gjakut apo përjashtimi e ndëshkimi (juridik) i bashkëfamiljarit për shkak besimi. Në anën tjetër, zgjidhjet juridike që japin nenet e kodeve tona zakonore dhe të statuteve të vjetra të Drishtit e të Shkodrës, janë më të qytetëruara e më njerëzore se sa disa zgjidhje që japin kodet serbe, si psh. ai i Dushanit, apo kodi islamik i Sheriatit, që për shumë krime parashikojnë ekzekutime, torturime e gjymtime trupore, me zjarr e me shpatë e me hedhje gurësh gjer në vdekje. Akoma është e freskët në mendjen e kosovarëve përqasja që i bëri zonja kryetare e Kosovës në takimet e vjeme të Gjeqovit Sheriatit e Kanunit, duke favorizuar këtë të fundit. Natyrisht që për normat e sotme morale e juridike, që të dyja referencat janë të papranueshme. Mirëpo zonja Kryetare, si përfaqësuese e unitetit nacional, nuk duhej të lëshonte deklarata publike që do të acaronin një pjesë të kombit. Ndërkaq, ajo që nuk i lejohet një kryetari apo përfaqësuesi tjetër politik, mund t’i lejohet fare mirë një historiani apo juristi, që nga pozitat e shkencës të bëjë krahasimin e duhur. Kësisoj, reagimi i një numri islamistësh kosovarë me tone fyese kundrejt Kryetares për shkak të paraqitjes së saj është krejt pa vend. Nenet e Kanunit, ndonëse të tejkaluara nga koha (ashtu si dhe ato të Sheriatit), kanë dhe duhet të kenë përparësinë sepse janë prodhim vendor, produkt i popullit tonë në një fazë të caktuar historike, ndryshe nga ato të Sheriatit që janë një mall importi nga një areal më pak i qytetëruar se sa ai i yni që ishte në kontakt direkt me qytetërimin greko-romak, nga ku e ka burimin gjithë qytetërimi i sotëm perëndimor. Të heqësh dorë nga tradita jote historike, morale e juridike, në favor të disa rregullave morale që nuk ngjitën kurrë mes popullit tonë, është thjesht një marrëzi.
– Mbulesa Islame –
Përfundimisht, shamia, së paku ai lloj për të cilën ngulmojnë ithtarët e islamizmit, nuk bën pjesë në traditën e veshjeve tona kombëtare laike. Edhe po të bënte pjesë, veshjet, sidomos në botën e femrave, ndjekin rrjedhat e modës, dhe në këtë kuptim, shamia është jashtë mode. Ajo ka mbetur thjesht një relike fetare që s’preferohet në jetën tonë publike, sepse nuk ka pamje vendore. Frika se mos kësisoj po cenohen të drejtat e njeriut nuk qëndron, sepse kërkesat e tilla të ndonjë femre kryesisht bëhen nën detyrim të hapur a të fshehtë dhe nuk duhen marrë si të mirëqena apo si shprehje e vullnetit të tyre të lirë, pos në rastet e rralla, kur e dimë me siguri se gjenden jashtë fushës së ndonjë presioni patriarkal. Në anën tjetër, Vetëvendosja po bie kështu në kundërshtim me parullën e saj të njohur “Blej shqip”, sepse në rastin e shamisë ajo na këshillon që “të blejmë arabisht.”
Duke qenë se kam ndjekur me vëmendje këtë fenomen në Zvicër, më duhet të theksoj se duhet pasur kujdes kur bëjmë paralelizma. Është e vërtetë se ka familje konservatore nga bota arabo-islamike që nuk pranojnë të integrohen në mjedisin e ri kulturor zviceran dhe duan t’i kultivojnë me çdo kusht traditat e tyre, sidomos ato fetare, bashkë me raportet e ngurta patriarkale në familje. Për pasojë, sa më ortodokse që janë treguar ato, aq më i madh ka qenë numri i të rinjve, sidomos femra, që kanë braktisur, bashkë me religjionin islamik, edhe familjet e tyre. Mjafton të vizitosh faqen e tyre të internetit “ex-muslime.de” (ish-muslimanët.de) dhe të bindesh për këtë. Statistikat tregojnë se numri i myslimanëve që po braktisin religjionin e tyre në mbarë botën është jashtëzakonisht i madh.
Islami ua ndalon Femrave të lahen ne Pishina
Të shohim se si trajtohen këto probleme në Zvicër. Z. Xh. Ahmeti ka dhënë një shembull mjaft ilustrues se si është zgjidhur problemi i së drejtës për objekte kulti myslimane përmes demokracisë direkte zvicerane. Mirëpo duhet pranuar se ka edhe shembuj të kundërt, kur drejtësia zvicerane, përkundër të gjitha pritmërive, ka vendosur në favor të prejardhjes kulturore të ardhacakut. Rasti më i fundit ka qenë pikërisht për të drejtën e mohuar për shami koke në një shkollë fillore (Sekundarschule) në Burglen të Kantonit të Turgaut, një muaj më parë. Gjykata Federale Zvicerane hodhi poshtë vendimin e drejtorisë arsimore dhe të një gjykate lokale që urdhëronte ndalimin e shamisë së kokës për dy vajza 16-vjeçare nga Maqedonia me pretekstin e thyerjes së rregullave shkollore që ndalonin mbajtjen e kapeleve, shamive dhe syzeve diellore (për të gjithë nxënësit). Arsyetimi i Gjykatës Federale kishte qenë i thjeshtë: në legjislacionin zviceran nuk ekziston një nen ku mund të gjente mbështetje një vendim për ndalimin e shamisë. Një verdikt të ngjashëm kishte dhënë më parë një gjykatë zvicerane kur prindi kishte kushtëzuar vijimin e shkollës nga fëmija me abstenimin në ato orë të edukatës fizike që do të zhvilloheshin në pishinë, ku vajzës, mbi 12-vjeçe, i duhej të zhvishej, sipas normës dhe rregullave të edukatës fizike. Gjykata, ndonëse kishte peshuar të këqijat, duke llogaritur dhe traumat e mundshme që do të pësonte fëmija pas ndarjes së dhimbshme nga shokët e shoqet e klasës, i kishte dhënë përparësi sigurisë fizike e biologjike si dhe mirërritjes së vajzës në gjirin e saj familjar. Me fjalë të tjera, është favorizuar një e keqe më e vogël, përkatësisht, është marrë për bazë interesi jetik i fëmijës dhe jo e drejta zvicerane apo rregullorja e shkollës. Megjithatë, nuk mund të thuhet se vendimet e veçanta kanë shërbyer si një precedent model gjithkund nëpër Zvicër, dhe se ato mund të trajtohen si të pandryshueshme. Në rast se parlamenti zviceran një ditë do të votojë heqjen e rekuizitave fetare nga shkolla, qoftë të kryqeve, të gjysmëhënave e të yjeve të Davidit nëpër qafat e të rinjve e të rejave, qoftë të pamjes së jashtme të tyre, atëherë kjo do të jetë e obligueshme për të gjithë nxënësit e nxënëset, pa dallim feje. Në anën tjetër, qytetarët zviceranë janë të informuar me diskriminimin që i bëhet femrës në shoqëritë islame, ndërsa drejtësia zvicerane po merr për herë e më shumë kritika nga vetë individët me prejardhje turke e arabo-islamike për kompromiset e saj të patolerueshme përmes vendimesh të diskutueshme që favorizojnë forcat më konservatore të vendeve përkatëse të origjinës dhe që janë në kundërshtim me disa norma të shoqërive moderne, sidomos me ato që lidhen me barazinë gjinore e me lirinë e shprehjes. Për përfaqësuesit e inteligjencës, si asaj vendëse, ashtu edhe asaj me origjinë të jashtme, është i papranueshëm përdorimi i standardeve të dyfishta, njëri psh. për ardhacakun nga vendet ballkanike apo turko-arabe, i cili mund të lirohet nga përgjegjësia e ushtrimit të dhunës familjare, sepse në vendin e tij të origjinës është e zakonshme që të rrahet gruaja dhe fëmija, dhe tjetri për vendësin, i cili për këtë faj do të marrë ndëshkimin ekzemplar.
Islami ua ndalon Femrave të lahen në Pishina!
Gjithsesi, elita kulturore perëndimore gjithmonë është shprehur kundër trajtimit diskriminues e të pabarabartë të femrave në botën arabo-islamike. Nuk është e rastit psh. që gjermanët një përmbledhje tregimesh të Ismail Kadaresë e botuan të titulluar “Schleierkarawanne” (Karvani i ferexheve) ndonëse tregimi që i jep titullin kësaj përmbledhjeje në origjinalin shqip titullohet “Sjellësi i fatkeqësisë” me një nëntitull shumë domethënës “Islamo nox” (Nata islamike). Amerikani John K. Fox i kushtoi një ese të tërë vetëm kësaj novele, duke u përqendruar në fenomenin kulturor e fetar të velit (ferexhes) dhe përhapjes së tij që nga antikiteti, në vendet aziatike e evropiane, ku ai (veli) mund të lidhej edhe me modën e me pozitën klasore të femrës. Fatkeqësisht, të paktë janë kosovarët që dinë për ekzistencën e kësaj novele të Kadaresë, dhe të trajtesës përkatëse të Foxit, ndonëse do të duhej të ishin të pashmangshme gjatë diskutimeve për shaminë e kokës.
Shtrohet pyetja, a duhet të kemi të njëjtin trajtim të këtij problemi e të problemeve të ngjashme edhe në Kosovë, si në disa vende evro-perëndimore? Unë do të thosha se duhet të jemi të kujdesshëm. Kur dukuritë janë sporadike dhe të kufizuara, ato marrin ose mund të kenë karakter thjesht juridik, duke trajtuar secilin rast si specifik. Nëse problemi do të merrej thjesht juridikisht, drejtësia kosovare duhet të bëjë kujdes për faktin se kur një gjë përbën shkelje të të drejtave njerëzore (imponimi familjar ndaj një anëtari) dhe kur shprehjen e tyre. Gjersa për legjislacionin zviceran nuk përbën ndonjë shqetësim të vendosë ndonjëherë në favor të traditave konservatore të ardhacakëve, sepse herët a vonë, edhe këta ardhacakë do t’i nënshtrohen rregullave të reja të jetesës, në mos në këtë gjeneratë, atëherë në të dytën apo në të tretën, në Kosovë, për nga përmasat dhe ndikimi që ka religjioni, fenomeni shndërrohet automatikisht në problem politik që ka të bëjë me identitetin e ardhshëm të Kosovës, me sistemin e saj demokratik, dhe me të ardhmen e saj evropiane.
Problemi i shamisë dhe i mbulesës së kokës e të fytyrës (niqabi e burka) nuk është një problem ekskluziv i myslimanëve të Evropës. Ai po i shqetëson edhe shoqëritë arabe dhe herët a vonë edhe ato do të detyrohen të heqin kufizime të tilla absurde për femrat, siç u hoq kohë më parë ligji që u ndalonte femrave në Arabinë Saudite vozitjen e automobilit. Pra duket qartë se diskriminimi i femrave nuk lidhet ekskluzivisht me tekstin kuranor apo me këshillat e profetit, sepse në kohën e supozuar të burimeve të islamit nuk kishte automobilë. Ndërkaq, nuk e di nëse atëbotë femrat arabe kanë pasur ose jo të drejtën për të ngarë devet. Gjithsesi, religjioziteti i popujve lidhet më së shumti me raportet klasore në prodhim. Religjioziteti i evropianëve ishte më i theksuar dhe me pasoja më negative në kohën e mesjetës feudale, kohën kur shkaktoi më së shumti viktima, kryesisht ndër femrat e akuzuara nga inkuizicioni si shtriga. Bota arabe, fatkeqësisht, akoma karakterizohet nga raportet anakronike feudale, me vende që udhëhiqen kryesisht nga princër e sheikë feudalë e nga autoritete fetare, pa ndonjë sens për demokracinë. Fatkeqësia kosovare vjen nga imamët tanë të cekët që përpiqen të imitojnë aspektet më konservatore e më negative të shoqërive arabe, të cilat edhe ato vetë përpiqen t’i hedhin poshtë si frenuese të progresit.
Mund të ketë të drejtë z. Arbër Fetiu, ekspert i fushës së sekularizmit dhe i bashkëpunimit midis feve e kulturave, kur argumenton të drejtat fetare që nuk cenojnë sekularizmin kosovar, dhe kur atakon ndonjë politikan kosovar që tregohet më i zellshëm seç duhet në sulmin ndaj ndonjë shfaqjeje të dyshimtë religjioze. Mirëpo do t’i sugjeroja këtij eksperti që të thellohet paksa më shumë në specifikat e shoqërisë shqiptare e kosovare, duke u shkëputur paksa nga recetat interkulturore që ofrohen nga vendet e zhvilluara perëndimore. Fitohet ndonjëherë përshtypja sikur kritikët e ekstremizmit fetar në Kosovë po i fryjnë kosit. Mirëpo shikoni një herë realitetin afgan, duke lexuar njëkohësisht romanet e Khaled Huseinit, dhe do të shihni se nga mund të shkojë shoqëria jonë. Apo duhet t’ia lëmë gjithçka në dorë shërbimeve të huaja?
Mësimi fetar në shkolla
Për sa i përket mësimit fetar nëpër shkolla, kjo është një çështje për të cilën tek ne po bisedohet me argumente të cekta, duke kërkuar paralelizma nëpër sistemet shkollore të botës, por duke mos u futur në detajet tjera, psh. se ç’mësojnë, në fakt, fëmijët nëpër orët e tilla mësimore, dhe a e dëmton mësimi fetar formimin shkencor të nxënësve në dobi të së ardhmes së shoqërisë sonë. Do të nisem sërish nga praktika zvicerane, dhe pikërisht nga përvoja vetjake. Kur fëmija i im arriti në klasën ku parashikohet mësimi fetar, gjithsesi pas moshës 12-vjeçare, nëpunësja përgjegjëse e drejtorisë arsimore më pyeti nëse unë do ta lejoja fëmijën tim të vijonte këto orë. E pyeta se ç’mësohej në to, dhe ajo më rrëfeu se kryesisht bëhej fjalë që fëmijët të informoheshin me realitetin fetar, me burimet e fesë, me librat e shenjtë e me profetët e të gjitha feve, po sidomos ato abrahamite. Duke e parë veten të rrethuar me objekte kulti fetare ngado që shkoja, më dukej e paarsyeshme që fëmija im të mos kishte njohuri për Biblën e Kuranin si dhe për realitetet që ndikuan në ngritjen e veprave të tilla madhore si Piramida e Keopsit, Kapela Sikstine, muralët e Onufrit apo Katedralja e Këlnit. Megjithatë, paraprakisht i shtrova një pyetje e cila pedagogen zvicerane për një çast e la pa fjalë: “Nëse fëmija im në orën e biologjisë mëson për krijimin e njeriut dhe të gjallesave tjera përmes një procesi evolutiv dhe seleksionimi të llojeve gjatë miliona vjetëve, ndërsa vetëm një orë më pas, gjatë mësimit fetar, do t’i thuhet se njeriun dhe gjithçka në këtë botë i krijoi një qenie madhore si zoti, jo më larg se para disa mijëra vitesh, kë duhet të besojë ai?” Nëpunësja nuk u përgjigj dot menjëherë dhe kërkoi që t’i jepja disa ditë kohë sa të këshillohej. Dhe vërtetë, pas tri-katër ditësh, ajo më ftoi në bisedë dhe më komunikoi se në sistemin arsimor zviceran askush s’ka të drejtë të indoktrinojë fëmijët me pikëpamje të caktuara, por vetëm të parashtrojë lëndën e vet në mënyrë joimponuese, përkatësisht, që vetë fëmija të përcaktohet se ç’do të konsiderojë si të vërtetë dhe çfarë si të gabuar. Ky lloj arsyetimi mu duk i pranueshëm, prandaj dhe e lejova fëmijën që të ndiqte mësimin fetar.
Fatbardhësisht, ky lloj mësimi, pas dy-tre vitesh djalit tim iu duk i mërzitshëm, i padobishëm e joserioz në raport me mësimet shkencore prandaj më kërkoi që ta çlajmëroja, gjë që e bëra me kënaqësi, sepse edhe ashtu qëllimi im tashmë ishte përmbushur: fëmija i im i njihte burimet e fesë dhe ndikimin real që kanë pasur dhe kanë religjionet në zhvillimet historike e shoqërore.
Burka islame!
Mirëpo, shtrohet pyetja, a do ta lejoja fëmijën tim që të vijonte mësime të tilla në Kosovë? Hë për hë do të thosha jo. Komuniteti religjioz i Kosovës më duket i paemancipuar dhe jo i gatshëm për të pranuar dhe të vërteta të tjera përpos asaj religjioze. Kleri fetar i Kosovës, sidomos ai islamik, nuk ka sensin e duhur për demokracinë, ai nuk lejon dialogun dhe sqarimin, por preferon diktatin dhe kryerjen pa kushte të detyrimeve. Ai nuk është në gjendje që fëmijëve t’u shpjegojë me të njëjtën paanësi e objektivitet, si islamizmin, ashtu edhe krishterizmin, budizmin, dhe shumë besime të tjera fetare politeiste e monoteiste. Shumë nga besimtarët islamikë bëhen aq qesharakë me injorancën e tyre sa marrin guxim të ngriten madje edhe kundër teorisë së evolucionit. Kur njëri ndër biologët më të shquar të shekullit 20, Th. Dobzhanski, përndryshe besimtar, deklaroi se “në shkencën e biologjisë gjithçka do të ishte e pakuptimtë po të mos vështrohej nën dritën e evolucionit”, Vatikani u detyrua që të korrigjonte qëndrimet e veta dhe që edhe evolucionin ta përfshinte në “produktet hyjnore”, ndonëse kjo gjë zhvlerësonte disa postulate biblike të krijimit. Fatkeqësisht, kleri mysliman akoma nuk e ka bërë një hap të tillë, dhe do të vazhdojë të na çudisë me injorancën e tij. Kësisoj, vetë kërkesa për mësim fetar nëpër shkolla del si joserioze, po të kihen parasysh dy faktorë: aktiviteti i shtuar i klerit mysliman në indoktrinimin fetar të fëmijëve tanë nëpër mejtepe të ndryshme qysh në moshën e miturisë, kur s’janë të aftë akoma për të bërë zgjedhjen midis besimit dhe mosbesimit, të vërtetës dhe mashtrimit, dhe formimi i mangët intelektual, kryesisht teist, i mësuesve tanë. Në Kosovë është i vogël numri i mësuesve që u ofron nxënëseve mësime thjesht shkencore, pa i përzier ato me teizmin. Dmth. realisht, feja është e ulur këmbëkryq nëpër shkollat tona. Ndoshta më shumë kuptim do të kishte një kërkesë e kundërt, që qytetarë laikë të Kosovës të hidhnin parullën: “Feja larg prej shkollës!”
Islami dhe nacionalizmi
Prej një kohe të gjatë kam ndjekur me vëmendje masivizimin e atyre që vizitojnë xhamitë dhe ndjekin modën e mjekrave të gjata e të ashtuquajturave brekushe treçerekëshe, dhe pyesja veten, është vallë nevojë e tyre e brendshme e komunikimit me një zot, si një mbështetje fiktive për t’i tejkaluar hallet dhe vështirësitë jetësore, apo një nevojë e maksimalizimit të fuqisë së një autoriteti ideologjik përmes shumëfishimit të numrit të partizanëve të besimit, me qëllim sundimi e realizimi të disa qëllimeve të dyshimta, në kundërshtim me nevojat e vërteta të shoqërisë kosovare për progres e integrim evropian. Koha po e dëshmon këtë të dytën. Ata po shndërrohen në një formacion të rrezikshëm politik.
Duke ndjekur prononcimet e disa kokave të nxehta islamike të Kosovës lidhur me disa personalitete historike shqiptare, sidomos për Skënderbeun dhe nënë Terezën, nisa të vrasë mendjen se ku e kanë burimin këto qëndrime idiotike antikombëtare të kësaj gjenerate të re injorantësh kosovarë. Dhe nuk m’u desh të kërkoja shumë: u mjaftova të vizitoj webfaqen islamike shqiptare www.dielli.net, dhe prej aty të shkarkoj librin me titull “Islami dhe nacionalizmi” të autorit Dr. ALI MUHAMMED NAKAVI. Zbulimi ishte tronditës: nuk ekziston libër më subversiv dhe më destruktiv i publikuar në gjuhën shqipe në shërbim të minimit të çdo formësimi nacional të shqiptarëve e çdo adhurimi të historisë sonë në totalitetin e saj, psh. që nga ilirët e deri më sot. Për autorin e këtij libri, e vetmja traditë që duhet respektuar dhe që ia vlen të përmendet është ajo e perandorisë osmane, kur të gjithë shtetasit e saj i lidhte vetëm një zot dhe një pejgamber. Libri mund të quhet një pamflet antikombëtar i sojit më të errët, një manifest i haxhiqamilizmit, që derdh lot krokodili për periudhën e egër të sulltanëve turq. Të gjithë ata që u përpoqën të liroheshin prej kësaj perandorie, që nga rilindësit shqiptarë, deri tek ata që sollën çlirimin e arabëve nga sundimi turk, si psh. themeluesi i Egjiptit modern – Muhamed Ali Pasha, madje edhe deri te Kemal Ataturku që shkatërroi traditën sulltanore turke, sipas këtij autori, të gjithë ishin në shërbim të djallit. Sipas tij, lëvizjet nacionaliste evropiane për çlirim kombëtar ishin e keqja më e madhe që i ka ndodhur popujve evropianë. Injoranca e këtij autori shkon aq larg, sa, gjersa nuk përmend në asnjë rresht kryqëzatat e krishterimit kundër islamit (duke qenë se favorizon religjionin kundrejt nacionalizmit), për të gjitha të këqijat që i kanë ndodhur popujve islamikë akuzon lëvizjet moderne nacionaliste të Evropës të shfaqura pas revolucionit francez. Sipas tij,
“Shkolla e mendimit nacionalist është ndërtuar mbi dy instinkte shtazarake të njeriut, të cilat ky i ka të përbashkëta edhe me krijesat tjera, e këto janë “instinkti i grupit” dhe “dashuria për shtëpinë”. Nacionalizmi fillon me këto dy instinkte, e që më në fund të përfundojë në një pseudoreligjion, i cili shkakton që këto ndjenja të qeta të shndërrohen në një fanatizëm të rrezikshëm.” Sipas tij, “Gjuha nuk është faktori themelor i formimit të kombit.[…] “Kultura dhe qytetërimi ynë mbështeten në besimin dhe ideologjinë. Të gjithë muslimanët në kohën pas lindjes së Islamit kanë kulturë dhe histori të njëjtë.” […] “Konflikti midis Islamit dhe nacionalizmit është i pashmangshëm. Në Islam nuk ka vend për atë që dëshiron të jetë lojal dhe nacionalist i vërtetë. Kjo është çështje e identitetit, me ç’rast njëra e përjashton tjetrën.” […] “Nacionalizmi nuk mund të jetë në pajtim me Islamin, sepse këto dy shkolla kanë ideologji të kundërta. Që të dyja paraqesin dy pole plotësisht të kundërta në frymën e tyre, në esencën, në drejtimin dhe synimin e tyre.“ […] „Gjërat më të rëndësishme për nacionalizmin janë lojaliteti dhe dashuria për atdheun, kurse për Islamin janë Zoti dhe feja.” Më në fund ky autor ngritet edhe kundër vlerave sekulariste të shteteve moderne duke pohuar: “Sekularizmi është vëlla binjak i nacionalizmit“. (Dr. ALI MUHAMMED NAKAVI, Islami dhe nacionalizmi, www.dielli.net, Libraria digjitale).
Vebfaqet islamike shqiptare janë të mbushura me literaturë të këtillë sharlatane. Nuk është çudi prandaj që klerikët tanë fetarë, të ushqyer me broçkulla të tilla antishkencore e antikombëtare, po e lëshojnë plugun e indoktrinimit të tyre politiko-islamik aq thellë sa po vënë në dyshim dhe identitetin nacional të kosovarëve. Duke u bazuar në teza të këtilla të çmendura, është afërmendsh që një mysliman i sotëm kosovar do të përjashtonte nga kombi ynë pjesët e krishtera. Madje nga ky libër rezulton sikur më mirë të ishim sllavizuar apo greqizuar, sesa që u ngritëm në luftë kundër sundimit otoman. Klerikët dhe njerëzit tjerë të fesë, të indoktrinuar me ide të këtilla të mbrapshta, janë shkëputur tërësisht nga tradita e rilindësve tanë të mëdhenj të shekullit 19, që ndonëse në shumicë myslimane, vendosën që kombin e tyre ta rreshtojnë brenda Evropës së krishterë. Brenda tyre mund të ketë edhe të tillë që vërtetë ëndërrojnë e besojnë në krijimin e një superfuqie panislamike që do të vendoste për fatet e botës, përafërsisht, atë që pati kërkuar themeluesi i Vëllazërisë Islame, Hasan Al Banna, apo atë që pati propaganduar boshnjaku Alija Izetbegoviq në Deklaratën e tij islamike. Ç’thuhet në fakt në këtë Deklaratë që duket sikur nuk është pa ndikim, së paku te një pjesë e kosovarëve të lidhur me traditat boshnjake. Po i shkëpusim vetëm tre paragrafë që flasin më shumë se gjithçka tjetër dhe që s’kanë nevojë për koment:
“Nëse do të jetojë dhe mbijetojë si mysliman, ai (myslimani) duhet të krijojë mjedisin, bashkësinë, rendin. Ai duhet ta ndryshojë botën ose do të detyrohet të ndryshojë vetë. Historia nuk njeh asnjë lëvizje të vërtetë islamike e cila të mos ishte njëkohësisht edhe lëvizje politike. Kjo për shkak se islami është fe, por njëkohësisht dhe filozofi, moral, rend i gjërave, stil, një atmosferë, me një fjalë, një mënyrë integrale e të jetuarit.”[…]“Funksioni natyral i rendit islamik është synimi për bashkimin e të gjithë myslimanëve dhe të gjitha komuniteteve myslimane në botë. Në rrethanat e sotme ky synim nënkupton luftën për krijimin e një federate të madhe islamike nga Maroku deri në Indonezi, nga Afrika tropikale deri në Azinë Qendrore.”[…] „Idetë nacionaliste në botën islame janë joislamike edhe për nga prejardhja e tyre. Nga shpirti i popujve myslimanë ka buruar gjithmonë panislamizmi, ndërsa nacionalizmi ka qenë gjithmonë mall importi.“ (Alija Izetbegović, Islamska deklaracija. Sarajevë 1970)
Duke lexuar tekste të këtilla ekstremistësh fanatikë muslimanë cilido mund ta kuptojë arsyen se përse shumica e të ashtuquajturve salafistë/vahabitë ultra-konservatorë të fesë janë të zhveshur pothuajse plotësisht nga ndjenja nacionale. Ukshin Hoti në trajtesën e tij për komponentin religjioz tek shqiptarët, pasi nënvizon kundërvënien e besimit islam ndaj nacionalizmit, bie në përfundimin se shndërrimi i popujve arabo-islamikë në një fuqi të madhe ekonomike e politiko-ushtarake është i pamundur për disa shkaqe, sidomos për copëzimin dhe shtrirjen e tyre gjeografike në formë brezi apo bishti, nga Maroku deri në Indonezi (pa kompaktësi gjeografike e pa mundësinë e një komunikimi efikas), dhe e dyta, për shkak të diferencave të theksuara kulturore e historike, që ndërlidhen me një shtrirje të tillë.
Mbulesa për Femrat e Religjionit Islam!
Analizën më të shkëlqyer për shkaqet e prapambetjes së popujve islamikë dhe të vetë islamit e ka bërë Amin Malufi në librin e tij “Çoroditja e botës”. Unë do të shtoja vetëm një gjë, se revolucioni borgjez francez (dhe jo marksizmi) ia tregoi vendin fesë dhe klerikalizmit. Ai e detyroi krishterimin të ndryshojë devizën e tij kryesore politike të luftës pakompromis kundër shtrigave e njerëzve të pushtuar prej djajve, në devizën e sotme mbi dashurinë ndaj të afërmit. Mjafton të klikosh në faqet fetare të krishtera dhe të shohësh se fjala dashuri është ndër fjalët më të shpeshta të përdorura prej tyre. Ndonëse e akuzuar si hipokrite prej Slavoj Zhizhekut, kjo devizë megjithatë tingëllon më njerëzore se sa deviza e xhihadit islamik. Kësisoj, progresi i popujve islamikë konsiston në vendosjen e kufirit te thana imamëve pushtetmbajtës dhe në përjashtimin e tyre nga vendimet politike. Nuk është nacionalizmi evropian burim i prapambetjes së tyre, po është feudalizmi i tyre mesjetar që ka nevojë akoma për aleancën me fenë. Jo rastësisht periudhat më të errëta të sundimit shumëshekullor të krerëve fetarë në Evropë ndërlidhen me feudalizmin. Mendoj se po kjo recetë vlen edhe për Kosovën. Drejtuesit e tanishëm duhet t’u vendosin kufij të qartë krerëve fetarë dhe kokave të nxehta religjioze, që të mos synojnë më shumë se ç’u takon. Islamizmi është një ideologji si të gjitha ideologjitë, dhe nuk ka të drejtë të imponojë një integralizem moral islamik apo një mënyrë të përgjithshme jetese islamike për qytetarët e Kosovës. Aq më pak ai ka të drejtë të etiketojë e të kërcënojë grupimet tjera ideologjike, qoftë fetar apo laike, ose grupimet ateiste, qoftë edhe anti-teiste, sepse kjo do të binte ndesh me ligjin dhe me demokracinë.
Perceptimi i ndryshëm i religjioneve në Perëndim e në Lindje
Sa i përket perceptimit të religjionit dhe rolit të tij në jetën e përditshme, ekziston një qasje krejtësisht kontrastive midis botës islame dhe botës së krishterë. Në botën e krishterë mund të thuhet se religjionit i kanë rënë që moti dhëmbët e inkuizicionit dhe ai sot është reduktuar në rituale mortore, në festa e celebrime, në raste të caktuara edhe si ngushëllim e mbështetje shpirtërore, por kryesisht me fare pak respektim aktiv e të rregullt të urdhëresave fetare. Duke plotësuar kryesisht nevojën njerëzve për festa, ky religjion bëhet më i popullarizuar në ditët e karnavaleve, kërshëndellave, hallovinit, pashkëve etj. Karnevalet janë një ndër veçoritë që ka pasur një impakt të thellë sa është shndërruar në një filozofi jetësore në qytetërimin perëndimor. Gjersa nga grupimet e mëdha sociale religjioni konsiderohet thjesht një çështje private, nga pjesa dërrmuese e intelektualëve ai nuk merret seriozisht. Shkrimtarë të tillë të mëdhenj perëndimorë, si zvicerani Dürrenmat apo portugezi Saramago, kanë shkruar romane që tallen me religjionin dhe që janë shndërruar në bestsellerë.
Krejt ndryshe perceptohet religjioni në botën arabo-islamike. Për shkak të tij ndodhin përditë tragjedi të shumta. Njerëzit kthehen në bomba duke vrarë veten dhe shumë civilë të pafajshëm. Para ca muajsh një të riu tunizian iu pre koka nga kushërinjtë sepse kishte braktisur islamin. Intoleranca ndaj tjetrit dhe ndaj qëndrimit ndryshe është në shkallën më të lartë dhe një tipar themelor i botës së sotme islamike. Nuk është i imagjinueshëm botimi i ndonjë libri që do të trajtonte shkencërisht Kuranin apo burimet tjera të islamizmit, aq më pak ndonjë libër antifetar si, psh. “Kaini” apo “Ungjilli sipas Krishtit” të Saramagos. Ndjeshmëria fetare e kësaj bote, psh. në rastin e publikimit të karikaturave të njohura nga Skandinavia, mori përmasat e një deliri.
Duke përjashtuar më në fund ëndërrat utopike të ekstremistëve, shtrohet pyetja se cilat mund të jenë pasojat reale të veprimeve të tyre në Kosovë. Pasoja themelore gjithsesi është mosemancipimi kulturor, mosintegrimi evropian e zhytja në prapambetje e injorancë. Një pasojë tjetër është zvarritja apo pamundësimi i bashkimit tonë kombëtar, për shkak të diferencave të sjelljes ndaj religjionit në Kosovë e në Shqipëri.
Fanatikët islamistë të Kosovës nuk i çmojnë traditat tona kulturore të krijuara nga krishterimi, ata nuk akceptojnë e nuk respektojnë as artin tonë kishtar ose pikturën ikonografike të kryemjeshtrave shqiptarë si Onufri e Shpataraku. Ekstremistët salafistë/vahabistë të Kosovës po shkojnë aq larg sa po mbjellin urrejtje edhe ndaj rrymave tjera islamike. Disa syresh tregohen aq arrogantë sa, duke tundur flamurin sunit si të vetmin flamur të vërtetë islamik, duan të hedhin poshtë të gjitha traditat e sufizmit e të bektashizmit shqiptar. Kësisoj, ata duan ta gjymtojnë pandreqshmërisht historinë tonë duke eliminuar figura të tilla që gjenden mu në themelet e kombit, siç janë psh. vëllezërit Frashëri (Naimi, Samiu e Abdyli). Qarkullojnë në internet shkrime të tilla primitive vahabiste që hedhin poshtë me gjithçka vlerat e njërës prej figurave më të mëdha të kulturës islamike e botërore, siç është psh. ajo e poetit iranian Xhalaludin Rumiu. Fanatizmi fetar po bën që individë nga radhët e tyre të ngatërrohen edhe në luftën aktuale civile në Siri. Para ca javësh përmes rrjetit social Facebook, thirrjes për pjesëmarrje në xhihadin islamik në Siri iu bashkua edhe i biri i kryemyftiut kosovar, z. Tërnava, ndërsa organet tona shtetërore rrinë e vështrojnë, pa çarë kokën për pasojat e veprimeve të tilla të çmendura. Ç’do të ndodhte me ne sikur nesër këta fanatikë t’i ndërsente ndokush edhe kundër pjesës së krishterë të kombit tonë?! Ose ç’do të ndodhte sikur një simpatizant i shiitëve në Kosovë të thërriste gjithashtu për ndihmë “vëllezërve shiitë në Siri”? Mbase një simpatizant i tillë s’do të kish nevojë të shkonte deri në Siri, sepse armikun e ka këtu, në Kosovë, në personin e z. Tërnava! Ja sa afër e kemi të keqen dhe nuk e shohim.
Një pasojë tjetër e mundshme e veprimeve të tyre mund të jetë edhe zhgënjimi evropiano-perëndimor me Kosovën e me kosovarët dhe pajtimi i tyre për të na mbajtur nën vëzhgim e monitorim të përhershëm si një Kalë Troje të islamizmit militant, sidomos në rast të ndonjë konflikti a përplasjeje përmasash të tilla për të cilat sinjalizon Samjuel Huntingtoni në librin tij “Përplasja e qytetërimeve”. Kësisoj shtrohet nevoja që kjo gjendje të vihet vendosmërisht nën kontrollin e shtetit sekular të Kosovës, duke vendosur kufij të qartë midis asaj që përbën të drejtën e ushtrimit të fesë, dhe presionit politik të fesë. Këtij të fundit i duhet mbyllur porta. (Nga: Bislim Elshani – Prishtinë, Shtator 2013)