ABAZ PLLANA: MIRUSH KABASHI SHKËLQEU EDHE NË SELINË E OKB-së NË GJENEVË

(Lion, 05. 10. 2012) – Më 2 tetor 2012, në selinë e OKB-së në Gjenevë, aktori i madh shqiptar Mirush Kabashi, luajti pjesën teatrore “Apologjia e vërtetë e Sokratit”. Një vepër e madhe e aktruar me shumë mjeshtëri nga i madhi Mirush Kabashi. Atë ditë kur morëm vesh se Mirush Kabashi do të vinte për të luajtur pjesë teatrore në Gjenevë, u dha ideja se duhej shkuar ta shihnim. Ta shihnim sepse çdo pjesë teatrore apo mbrëmje kulturore, Mirush Kabashi i bën më mirë se asnjë tjetër. Duhej të vendosnim që ta takojmë edhe njëherë në skenë aktorin e madh shqiptar edhe për një arsye krejt personale. Që prej dy mbrëmjeve kulturore që mbajti në Lyon para ca muajsh, ai mbeti një mik shumë i mirë i anëtarëve dhe dashamirëve të Shoqërisë sonë Iliria.
Edhe udhëtimi ishte i këndshëm mes shokëve të mirë dhe me vullnet që të vyejnë sa më shumë për Shqipërinë dhe kauzën kombëtare. Të martën, më dy tetor përveç tjerash duhej ta mbështetsnim aktorin tonë që jipte një shfaqje në qendrën e OKB-së në Gjenevë. Më shumë se kudo tjetër kishim dëshirën që të shkelqejë akoma më shumë në podiumin ku me dekada të tëra u morën nisma dhe vendime të rëndësishme për botën. Pjesa teatrale e Mirush Kabashit mund të jetë edhe një qortim “artistik” për të mëdhenjtë që ndajnë drejtësi në botën e sotme. Shqiptarët, shumë herë mbajtën mbi kurrizin e tyre peshën e rëndë të këtyre vendimeve. Natën e dy tetorit në podium do të ngjitej ambasadori i kulturës shqiptare.

Aktori i madh shqiptar, Mirush Kabashi – duke luajtur

pjesën teatrore “Apologjia e Sokratit”.

…………………………………………………..

Drejtori gjeneral i zyrës së OKB-së në Gjenevë, Kassym Jomart Tokajev, përshëndeti nismën e një shfaqje të tillë duke dhënë kualifikime të larta për iniciatorët. Pas tij, ambasadori i përhershëm shqiptar në selinë e OKB-së në Gjenevë, Sejdi Qerimaj përshëndeti pjesëmarrësit e mbrëmjes duke i paralajmëruar se do të befasoheshin këndshëm me “Apologjinë e vërtetë të Sokratit” të Mirush Kabashit. Edhe Ambasadori Qerimaj u ndje si në shtëpinë e tij sepse kishte disa dhjetëra shqiptarë që ishin ftuar në shfaqjen e “…Sokratit”.
Një sallë jashtëzakonisht e bukur dhe me një dekor që ndoshta nuk ishte paramenduar asnjëherë të bëhej teatër në të. E vërteta është se kur hyra në sallë u frikova shumë se shfaqja e Mirush Kabashit do të binte nën hijen e një punimi kaq madhështor arkitekturor. Frika ime fatmirësisht ishte e pavend falë aktorit tonë të madh Mirush Kabashit që shkëlqeu edhe përballë një dekori markant.
Por, Mirush Kabashi dëshmoi edhe njëherë se është i madh. Shumë i madh dhe padyshim që arrin përmasat botërore. Përcjellja me aq kujdes të monologut, ndjekja fjalë për fjalë e përkthimit dhe duartrokitjet shumë të gjata ishin një mirënjohje për punën dhe profesionalizimin e Mirush Kabashit.
Larta e bukur pesëvjeçare e veshur me kostumet popullore shqiptare, me buqetën me lule i hidhet në përqafim Mirush Kabashit. Edhe ajo e ndjente se Mirush Kabashi ishte dhe mbetet një shqiptar i madh.
Pas shfaqjes ishte organizuar nga ambasadori shqiptar Qerimaj edhe një koktej rasti. Ishte rast i mirë të bisedohej për nisma tjera të shpalimit të kulturës dhe artit shqiptar në botë. Ishte momenti i njohjes dhe lidhjes së miqësive mes pjesëmarrësve të kësaj shfaqje teatrore.
Kështu ndodhi edhe mes nesh dhe ambasadorit shqiptar Sejdi Qerimaj. Ai u interesua për punën dhe jetën e mërgimtarëve shqiptarë në Francë. Kërkoi falje që nuk kishte mundur të vinte në aktivitetetet e Shoqërisë për shkak të aktiviteteve të ngjeshura të tij por, premtoi se do të gjente kohën dhe me dëshirën e madhe do të ishte pjesëmarrës në aktivitete tjera të Shoqërisë Iliria.
Dy fjalë edhe për përshtypjet e mia për ambasadorin shqiptar. Ambasadori Qerimaj ishte një njeri shumë i afërt dhe i çiltër. Ishte i këndshëm për bisedë dhe sharmant. Duke pasur këto cilësi dhe duke shtuar aftësitë e tij prej diplomati për të cilat nuk dyshoj, mund të them se shqiptarët kanë një përfaqësues të denjë në selinë e OKB-së në Gjenevë.
Të kënaqur me një mbrëmje të mirë, nisemi të kthehemi në Lion. Të entuziazmuar me arritjen e kësaj mbrëmje, marrin udhë ide dhe nisma tjera për të realizuar në të ardhmen.

…………………………………………..

“Apologjia e Sokratit” – Mirush Kabashi:

………………………………………………………

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura