FATMIR MUNGULI: LIBRI ‘RRUFJANI’, SAGË QË NDERON LETËRSINË SHQIPE

Durrës – Korfuz, 08. 09. 2013 – Refleksione për librin “ Rrufjani “ të shkrimtarit Kalosh Çeliku” – (Ah, ky njeriu i shkretë! Rrënjë – s’ka po është i lidhur me tokën më fort se rrapi shekullor… Jakov Xoxa, “Lumi i vdekur”) – Tek lexon librin më të fundit të shkrimtarit dhe poetit Kalosh Çeliku ,kupton se ke të bësh me një doracak të mirfilltë që paraqet jetën e shqiptarëve jo vetëm në Maqedoninë e sotme. Ky libër është fakti dhe vërtetimi i tij mbi gjithçka reale dhe abstrakte që ndodh atje çdo ditë.
Pa asnjë lloj pretendimi nga ana e autorit për këtë libër , ai përkundrazi jep gjithçka shpirti i tij mban, gjithçka që sheh dhe analizon, duke kaluar mbi pendën e tij njerëz, vende dhe ngjarje .
Libri “ Rrufjani “ është shpërthimi paraqitës i çdo gjëje shqiptare nga më të ndryshmet e të fokusuara në një vend të shenjtë : nën hijen e rrapit të Shkupit.
Faqe pas faqeje lexuesi takon herë Fan Nolin e herë Nonda Bulkën( Chri – Chri ) e viteve ’30 , duke dalluar jo vetëm origjinalitetin e paraqitjes së problemeve shqetësuese të kohës sonë , por dhe stile të fuqishme, madje tronditëse edhe pse shumica janë nën okielon e humorit. Por lexuesi gjen akoma dhe Don Kishotët dhe Sanço Pançot shqiptarë , Nastradinët e popullit , Xha Dërrallën e famshëm dhe një galeri të tërë pasuese me emra të njohur të kulturës dhe historisë popullore.

I ngërthyer nga ide madhore të lirisë së shqiptarëve, Kalosh Çeliku është unikal në krijimtarinë e tij artistike.
Por tek studjon këtë vepër , gjen se dikush , apo më shumë se një dikush ia ndajnë jetën e tij në dy pjesë, atë të bohemit e atë të shkrimtarit , një mendim i padrejtë , jo normal sepse në trupin e Kalosh Çelikut ka vetëm një shpirt e vetëm një mendje. Ndryshe nuk do të kishim këtë shkrimtar, poet, humorist, botues , organizator, atdhetar, qytetarin shqiptar etj. Ndryshe nuk do të kishim as Frederik Reshpen për të cilin Kaloshi ka një respekt të veçantë në shkrimet e tij në këtë libër.
Dhe kam dëshirë të citoj një pjesë monologuese të Kalosh Çelikut nga libri që po diskutoj:
“Vonë. Shumë vonë njeriu i sheh këmbët e padukshme që duan ta shkelin, shtypin në baltë si mizën. Njerëzit e sëmurë janë krijesa të cilëve etja për shkëlqim ua jep trajtat dhe format sipas dëshirës. I tjetërson. Dikënd e bën të ecë këmbdorës, dikënd të fluturojë në qiell…”
Autori ka shumë të drejtë! Por nuk mërzitet ,se Franc Kafka ja ka bërë metamorfozën këtyrë qënieve plasteline dhe jo vetëm Kafka , por dhe njerëzit reth e përqark, edhe ata që e kanë lexuar veprën e shqiptarit Çeliku.
Për aq më tepër ky autor kështu duke i njohur vetitë e shumë njerëzve të mirë e të këqinj ka arritur të krijojë një metodë origjinale për të mpleksur artin letrar të poetit dhe shkrimtarit të sotëm e të djeshëm në jetët e gjithë popullsisë shqiptare. Pikërisht këtë metodë dhe artificet e saj ai i shpërthen, i nënshkruan në “ Takimet nën rrap” e më shumë se një herë në vit.
Ai di të përgjithësojë me një zemër të madhe nëpërmjet veprimtarive të shumta, krijimet e kolegëve të tij të njohur e të panjohur. Kalosh Çeliku të kujton testamentin poetik të Uollt Uitmanit që thotë se “… surb ajër për vete por le dhe për të tjerët”.
Në shkrimet e shumta dhe të goditura artistikisht të këtij autori , lexuesi megjithmënd dallon shpirtin bohem të tij por jo shpirtin cingun, miopik, cmirëprodhues . Kushdo që i ka këto vetitë e fundit , të këqija, sigurisht nuk do bënte punën madhore të Kaloshit.
Ky shkrimtar shqiptar i Maqedonisë ka ditur ta vendosë në këmbë vezën e Kolombit.
Këto ditë duke kaluar brigjeve shkëmbore të Sarandës, andej nga kam dhe origjinën, shihja fiqtë e detit tek kuqëlonin në ngjyrën e pjekjes. Në se dikush kërkon t’i shijojë në fillim tek i prek, i çpohen duart dhe më tej kur fruti hapet ,zemra e tij është aq e ëmbël… A nuk është dhe Kalosh Çeliku brenda kësaj metafore?
Por ironia intelektuale e këtij shkrimtari të madh e transkriptuar në kaq shumë libra të tij, shpaloset së bashku me krenarinë e të qënit shqiptar e bëhet njësh me flladin që fryn fletët e degët e rrapit dhe tashmë simbioza poezi – rrap , ka lindur.
Kalosh Çeliku ka arritur të ndërtojë stilin e vet , tepër racional, me doza radikaliteti , por gjithmonë duke u mbështetur me këmbë në tabanin popullor. Si i tillë ai krijon një lloj të ri proze , prozë që kultivohet gati në tridhjetë libra të larmishëm .
Në se ai në nëntitullin e librit “ Rrufjani” shkruan Libër për nesër bën shumë mirë e unë do ta përqafoj si ide. Dhe ja se çfarë shkruan ai në shkrimin përkushtuar poetit, studjuesit dhe përkthyesit Perikli Jorgoni :
Faleminderit o burrë për ndihmën tënde në luftën me trusakatët. Ende kemi rrugë .Tyrbja e Baba Shehut është larg. Baba Tomorri edhe më larg. Miqtë e tu të punës që e vazhdojnë rrugën, patjetër një ditë do të hypin në majë , Baba Tomorr. Vendin e Perëndive, Tyrben ku pihet verë, shkruhet poezia.. Dhe bëhet dashuri…
Kaloshi pret një të ardhme të madhe hyjnore për shqiptarët, bazuar në idetë e bëmat e profetëve të mëdhej shqiptarë. Por ai si gjithnjë kthehet në tokë me miq si Gani Xhafolli, Gjergj Qamili, Haxhi Shabani , nëpërmjet një udhëtimi europian duke përhapur kulturën shqiptare në Gjermani, Zvicërr, Bruksel, .. e deri në Durrës.
Kalosh Çeliku në një vend në libër thotë se rrapi e ndjek si hije , e ndërkohë unë do thoja të kundërtën: Kaloshi e ndjek rrapin virtualisht, duke e kthyer në një Muzë , dashnore të përjetëshme, edhe kur i vjen krejt si Mikja me katruven e e djersitur , mbushur plot me freski për ta frymëzuar më tej shkrimtarin…
Por rrapi teksa ndrit me rrezatimin e tij fluror Dritëro Agollin, Xhevahir Spahiun, Visar Zhitin ,Vahit Nasufin e Gani Xhafollin di dhe të fshehë ( tjetërlloj, të demaskojë ) “ngatërraçët e tredhur “ futur zgafellave të rrapit.
Kalosh Çeliku në librin “ Rrufjani” ka shumë shkrime të sensit politik. Por në saj të një strategjie të menduar mirë , autori i tejkalon sherret me situatat poltike midis partive e grupimeve maqedonase e shqiptare, ku tharmi artistik është ai i qesëndisjes, humorit zekthian. Pa dashje për krahasim të kësaj rrëmuje që nuk ndodh vetëm në Maqedoni , më kujtohen vargjet e një kënge ruse të viteve ’60:
“Moskva, Kalluga, Los Anxhelos,
sojedinilis v odin kolkoz”
(Moska, Kallug, Los Anxhelos,
u bashkuan në një kolkoz.)
Si mjeshtër i humorit ,realizon dhe pamflete aq të kuptueshme për këdo dhe aq abstraktë për dikë.Të njëjtën taktikë sjell Kaloshi në shumë shkrime të këtij libri për problemet e feve të ndryshme në Maqedoni.
Nëpërmjet sjelljes së figurave të letërsisë botërore si Don Kishoti dhe Sanço Pança ,ai si kritiku i madh amerikan Harold Blum di të sokëllijë e pastaj t’i bjerë fyellit i qetë me një muzikë korijesh të gjelbra ku delet kullosin lirshëm.
Në sagën “ Rrufjani “ ndjehen krahët e saj jashtë kufirit , fluturojnë e ndalen në Kosovë e në Sarandë, në Gjakovë e në Elbasan e për të bërë pushimin e madh në Korçën e bukur. Saga e Kalosh Çelikut është amebë e ditëve të sotme të shqiptarëve, ku ngjizen miqësitë e vërteta të njerëzve të mire, burrave të mendjes krijuese të arit të madh e jo burrave të zgiqeve ku vetëm minjtë sorrollaten.
Pano Taçi dhe Perikli Jorgoni, Milianov Kallupi, e pa harruar Frederik Reshpen , poetë që sot s’janë më, kanë lënë lëndën e tyre që recitohet me shpirt jo vetëm në takimet nën rrap. Kalosh Çeliku është i nderuar tek kujton të ndjerin Perikli Jorgoni, për të cilin pak shkruhet sot në Shqipëri dhe bëhet simbiozë me kujtimin e Pano Taçit duke na dhënë faqe të veçanta analitike në librin e tij. Kështu Kaloshi gjatë faqeve të sagës na sjell aromën e një romani me kaq shumë personazhe , duke e kthyer librin në një roman – sagë. Eshtë një udhërrëfyes që të çon tek shpirtrat e mirë jo vetëm të poetëve e të prozatorëve.
Nëse dikush mund ta quaj një antologji , unë nuk do ta quaja të tillë, thjeshtë nga shpirti që gëlon aty brenda, shpirt që është larg katalogimit antologjik. E ky roman – sagë , edhe pa lidhje lineare , e ka gjithë ‘ Luftën e paqen ‘ të popullit shqiptar , aty brenda , në 600 faqet e tij.
Si për të mos u mjaftuar me figura reale të jetës shqipatre andej e këndej trojeve shqiptare, në këtë sage do të lexojmë kapitullin Trëndafilja dhe facebooku . Një pamflet i llahtarshëm ku ironia shumë therëse intersekton shpotitjen me burrat e gratë e papuna fejbukse. Prandaj i vjen shumë për mbarë të bëjë skanera serialë të jetës shoqërore shqipatre.
Çdo kapitull në librin “ Rrufjani “ është një (anti) telenovelë, ku shpërthimin e merr në shkrimin brilant Kakademiku duke futur një monolog të përsosur që më kujton Migjenin:
“ … M’i zgjidhni sytë!… Sytë… Dua vetë ta shoh botën kaq të bukur, kaq të mjerë! Kaq të pasur , kaq të varfër! Kaq të bukur, kaq të shëmtuar!…”
Në këtë sagë të bukur , të gjallë, autori tashmë e ka ngritur kalorësinë e shkrimtarëve dhe poetëve, i ka marrë besën atyre e është gati t’i turret kujtdo që e lëndon sado pak zemrën e vërtetë shqiptare. Ata që mund të mos e pranojnë , do kenë kohë edhe për të ndryshuar.
“Rrufjani” është një libër që do hapë probleme, diskutime në kritikën e mirëfilltë të letërsisë . Eshtë një libër që kritika do t’ja gjejë shpejt hyrjen në apartamentin kryesor të këtij pallati letrar. Por fati i librit është në mendjen e lexuesit dhe fati i autorit në faqet e librit.
Kompozimi i humoristikes me seriozen , na jep një hibridizim të mrekullueshëm , gjë që shkakton optimizëm jo vetëm te lexuesit shqipatrë. Në një lloj mënyre Kalosh Çeliku ka fituar statusin e opozitarit të vërtetë. Ndërsa në tejkalimet e guximshme letrare ai ka fituar statusin e kritikut të kohës , i cili edhe nga lart e dëgjon rrahjen e këmbëve në tokë. Kështu ai ka ndërtuar institucionin virtual të kohës nga ku dalin libra , mendime, takime, kritika e forma të tjera të kulturës shqiptare. Janë universitete të gjallë! Edhe në se kanë aromën e bohemes!
Stili bohem , stili i thjeshtë i Kalosh Çelikut , i formuar nga mendime të prera, pa ekuivoke, me frazë të ëmbël, të shkurtër, me lakonizëm të përhapur gjithandej librit “ Rrufjani “ si një pelerineë mbrojtëse nga fjalët e stërgjatura të ndonjë mundësie tjetër.
Drejt Kalosh Çelikut , lexuesit do të rikthehen më shpejt se të Niçeja…
Fatmir Minguli, Shtator 2013 – Durrës – Korfuz

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura