ABDULLA MEHMETI: JANË NDEZUR DRITAT E ALARMIT PËR RREZIKUN NGA HELMIMI MASIV NË RAJONIN E POLLOGUT

Tetovë, 31. 10. 2015: Tetova dhe rajoni i Pollogut viteve të fundit i janë nënshtruar ndotjes enorme të ambientit jetësor, kryesisht si pasojë e helmimit të ajrit nga kombinati Jugohrom, i cila vitin e fundit e ka ngritur shqetësimin e banorëve të këtij rajoni në shkallën më lartë të mundshme. Qytetarët janë alarmuar disa herë nga shoqatat ekologjike, ekspertët e ndryshëm, specialistë të mjekësisë dhe veprimtarë të tjerë, të cilët për këtë çështje kanë organizuar disa protesta dhe e kanë sensibilizuar opinionin e brendshëm dhe të jashtëm. Deri më sot, asnjë reagim pozitiv nuk ka ardhur nga ana e organeve përkatëse të pushtetit qendror dhe lokal, ose nga Inspektorati shtetëror i shëndetësisë dhe Ministria përkatëse, e cila për disa mandate radhazi udhëhiqet nga kuadro shqiptarë.

Niveli i ndotjes i ka tejkaluar të gjitha parametrat e lejueshëm dhe Tetova një periudhë të gjatë gjendet në kreun e qyteteve më të ndotura në nivel botëror, që paraqet një shqetësim më tepër kur dihet se ky qytet nuk ka as industri të zhvilluar, as numër të madh banorësh, në krahasim me qytetet e mëdha disa milionësh në botë, disa herë më tepër banorë se e gjithë Maqedonia, e jo më qyteti i Tetovës.
Organet e pushtetit kot mundohen të arsyetohen se fajtor për këtë ndotje të pakontrolluar janë vetë qytetarët me veprimet e tyre të pamatura si, qarkullimi i madh i veturave, planifikimi i keq urbanistik, djegia e mbeturinave, ose ndonjë burim tjetër i ndotjes.
Një parti politike dhe një shoqatë e qytetarëve par disa muajsh kanë ngritur padi në gjykatën themelore të Tetovës për këtë çështje, duke e apostrofuar drejtpërdrejtë kombinatin e Jugoromit si ndotës kryesor, por siç duket do të përfundojnë këto lëndë pa ndonjë epilog në dobi të qytetarëve, siç e parashohin ligjet pozitive të vendit dhe konventat ndërkombëtare.

Mes tjerash, shumë specialistë të mjekësisë kanë dhënë alarmin se dy tri vitet e fundit ndër banorët e Tetovës dhe rajonit më të gjerë të Pollogut janë shumëfishuar sëmundjet kancerogjene dhe sëmundjet me komplikime serioze tek shtatzënat dhe fëmijët e sapolindur. Nga ana tjetër, specialistë të fushës përkatëse të teknologjisë kimike dhe industriale kanë dëshmuar përmes analizave dhe studimeve të tyre, se në të gjitha shtete e Bashkimit Evropian që moti janë mbyllur fabrikat dhe kombinatet si Jugohromi, të cilat emetojnë gazra helmues, ndërsa përkundër gjithë kësaj, Jugohromi vazhdon edhe më tej me punën e tij të paligjshme, pa i respektuar as kushtet më elementare për vendosjen e filtrave, të cilët e zvogëlojnë por nuk e eliminojnë në shkallë të mjaftueshme ndotjen e ambientit ajrit dhe ambientit jetësor.
Kjo gjendje e ka ngritur alarmin ndër banorët e Tetovës edhe për faktin se askush nuk ka dhënë deri më sot informata të sakta se, cilët janë pronarët e vërtetë të këtij kombinati, të cilët guxojnë të mos i respektojë vendimet e Inspektoratit dhe të Ministrisë përkatëse.
Mungesa e kulturës së përgjithshme të qytetarëve për këtë çështje, duke mos i ditur në masë të mjaftueshme pasojat afatshkurta dhe afatgjata të këtij helmimi; duke mos qenë të informuar sa duhet se, kjo çështje nuk është vetëm problem thjeshtë ekologjik, por një problem madhor që e cenon rëndë jetën e banorëve të këtij rajoni me mbi 500 mijë banorë, me pasoja të pariparueshme edhe për gjeneratat e ardhshme.

Duhet të merret parasysh fakti se, vetë qytetarët me metoda të këtilla të protestave të kohëpaskohshme dhe jo masive nuk do të kenë mundësi ta ndalojnë këtë helmim, me rrezik të shkallës së parë për jetën e tyre, pa ndihmën e ndonjë lëvizje më të gjerë, e cila do ta ngrit këtë çështje në nivel më të lartë, deri në zgjidhjen përfundimtare, edhe atë, sa më shpejtë që të jetë e mundur.
Iniciativat vetëm nga një shoqatë, ose një grup të rinjsh entuziastë nuk mund të japin rezultatet e pritura për tejkalimin e kësaj gjendje. Për aq më tepër kur dihet se as qeveria e vendit nuk ka shprehur interesim ta zgjidh këtë çështje, për arsye deri tani të panjohura. Supozohet se kjo çështje ka lidhje me aferat e korrupsionit dhe realizimin e interesave individuale të disa funksionarëve të lartë të shtetit.
Për këtë arsye, duhet të organizohet një lëvizje më e gjerë shoqërore, me plan operativ dhe afate të caktuara, që sa më parë të organizohen protesta, bojkot i përgjithshëm i institucioneve nga qytetarët dhe forma të tjera të rezistencës ndaj këtij gjenocidi të hapur ekologjik mbi qytetarët.

Së pari, banorët e këtij rajoni duhet të vetëdijesohen se kjo çështje është më e ndjeshme dhe më e komplikuar seç mendojnë ata. Ky është një kërcënim serioz për jetën e qytetarëve, prishjen e baraspeshës ekologjike, me këtë edhe shkatërrimin e natyrës dhe pamundësimin e vazhdimit të jetës në këto hapësira. Ndër të tjera, ky duhet të trajtohet si problem i sigurisë kombëtare, ashtu siç trajtohet në botës bashkëkohore, kur një regjion i caktuar helmohet në mënyrë permanente, pa pasur asnjë arsyetim shoqëror dhe ekonomik për zhvillimin e vendit.
Kjo është skandaloze!
TETOVA ZË VENDIN E PARË NË BOTË SIPAS NDOTJES SË AJRIT
-A ka Tetova male të larta përreth, që ta ketë ajrin më të pastër në botë? PO.
-A ka Tetova industri të zhvilluar për ta ndotur ajrin në këtë shkallë? JO.
-A ka Tetova institucione që e udhëheqin këtë komunë? PO.
-A ka udhëheqës që duhet t’i dalin zot këtij populli që po ngujohet nga helmi? JO.
Kush tha atëherë se udhëheqësit shqiptarë nuk e shesin interesin kombëtar për përfitime të vogla personale?!

POPULLI DUHET TU THOTË NJË NDAL TË FUQISHME KRIMINELËVE DHE VRASËSVE TË SË SOTMES DHE TË ARDHMES SONË!
Koha nuk pret. Që moti është ndezur drita e kuqe e alarmit për rrezikun që u kanoset banorëve të Tetovës dhe rajonit më të gjerë të Pollogut.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura