ABDULLA MEHMETI: KONTRIBUTI I PROFESORIT ALI VISHKO PËR THEMELIMIN E UNIVERSITETIT TË TETOVËS

Tetovë, 03. 11. 2014 – Profesor Ali Vishko me veprimtarinë arsimore, punën krijuese shkencore dhe publicistike, si dhe me veprimtarinë e tij të gjithmbarshme ka lënë gjurmë të pashlyera në kujtesën e njerëzve të cilët e njohën, ishin nxënës të tij, studentë ose bashkëpunëtorë në veprimtarinë e tij të bujshme. Ai përherë punoi dhe veproi në dobi dhe interes të popullit që e lindi. Ishte ndër personalitetet me dije të gjithanshme dhe intelektual i cili bëri shumë për të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoni dhe në përgjithësi për interesin e përgjithshëm kombëtar. Edhe sot, ka shumë njerëz që mund t’u kujtohet numri i telefonit të tij, 044 30 222, i cili sapo cingëronte, në anën tjetër të telefonit të përgjigjej një zë miqësor, dashamirës, zëri i një intelektuali përherë i gatshëm për punë, angazhim dhe aksion. Ky ishte intelektuali përherë i gatshëm ta jep kontributin e tij në çdo rast kur vlerësonte se kjo punë do t’i shërbejë interesit të përgjithshëm.
Profesorin Ali e njihnin gati të gjithë qytetarët e Tetovës, meqë kishte shërbyer një kohë të gjatë si mësimdhënës i lëndës së historisë në gjimnazin e Tetovës dhe në duart e tij kishin kaluar shumë gjenerata nxënësish, po ashtu, edhe gjatë kohës kur punoi si profesor në Akademinë Pedagogjike të Shkupit, ai kishte arritur që me kujdesin prej pedagogu dhe mësimdhënësi të historisë, me dashamirësinë e një prindi të vërtetë për secilin që kishte pasur fatin të jetë nxënës ose student i tij.[1]
Me perëndimin e epokës së komunizmit dhe fillimin e proceseve të reja demokratike, profesor Aliu u shndërrua në një shkollë në lëvizje, kudo që kishte nevojë për debate, mbledhje dhe takime në të cilat trajtoheshin tema për gjendjen aktuale, gjetjen e mundësive dhe rrugëve përmes së cilave shqiptarët e këtushëm duhej ta krijonin të ardhmen e vet politike, ekonomike, sociale dhe kulturore.

Prof.Ali Vishko (15. 02. 1930 – 12. 06. 2009)

Gjatë viteve të para të dekadës së fundit të shekullit XX, viteve të 90-ta, ai përherë ishte i shoqëruar nga intelektualë të shumtë, nga Tetova dhe rrethina, por edhe nga të gjitha viset tjera shqiptare, të cilët prej tij kërkonin mendime, sugjerime, këshilla dhe ide për çështje të rëndësishme që atë kohë i preokuponin shqiptarët dhe sidomos intelektualët e shumtë që me entuziazëm ishin rreshtuar në asociacione të ndryshme politike dhe jopolitike për ta dhënë kontributin e tyre në të mirë të çështjes kombëtare.
Janë të rrallë njerëzit si profesori Ali Vishko që kanë kontribuar aq shumë për popullin e vet, kanë lënë vepra shkencore të botuara dhe të pabotuara dhe kanë shkuar nga kjo botë në mënyrë aq të heshtur, sikur të kishin ardhur vetëm për t’i shërbyer popullit të vet, por asnjëherë të mos e merrnin shpërblimin e merituar.
Kjo konferencë e sotme shkencore për jetën dhe veprimtarinë arsimore dhe shkencore të profesor Ali Vishkos[2] dëshmon se herët ose vonë, populli nuk i len në harresë personalitetet e dalluar si ai, që për punën, veprat dhe mundin e tyre meritojnë respekt të përhershëm, ndërsa nderimi për figurën e tyre duhet të mbetet përherë gjallë në kujtesën e popullit që i lindi.
Janë me dhjetëra aktivitete të zhvilluara nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta, në të cilat morri pjesë profesor Aliu dhe kontributi i tij do të mbetet tepër i çmuar, për vetë faktin se ishte profesionist i përkryer, studiues i pasionuar, punonjës i palodhshëm shkencor dhe njeri i punës dhe veprave.[3]
Që në aktivitetet e para të Bashkësisë Kulturore Shqiptare, nga viti 1990, ai do të jetë mes intelektualëve të tjerë, në Këshillin organizues të Simpoziumit shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, i cili u mbajt më 20, 21 dhe 22 dhjetor të vitit 1991, në Shkup.[4] Në tubimet shkencore dhe manifestimet tjera që i organizuan shqiptarët gjatë asaj kohe, ai nuk ishte intelektual që vetëm shprehte dëshirë të merr pjesë, me diskutime ose me ndonjë kontribut shkencor, por me shije të rrallë i zgjidhte temat që do t’i trajtojë, që ato të ishin prurje të reja në shkencë, sidomos në fushën e historiografisë. Në këtë simpozium, i cili ishte tubimi i parë shkencor i këtij lloji ndër shqiptarët e këtushëm, profesor Aliut pati nderin ta paraqesë kumtesën e parë të këtij simpoziumi, në seancën e paraditës, më 20 dhjetor 1991.[5] Kumtesa e Prof. dr. Ali Vishkos mbante titullin ,,Pellazgët si banorë më të lashtë edhe në trevat tona”,[6] ndërsa në seancën e ditës së tretë, më 22 dhjetor, e paraqiti edhe një kumtesë tjetër, me titull ,,Popullata e Strugës në shek. XV sipas Vakëfnames të Sinanudin Jusufçelebiut”.[7] Nga vetë titujt e kumtesave shihet që profesor Ali Vishko prekte tema të rëndësishme, i trajtonte me profesionalizëm dhe me përkushtim prej një njohësi dhe studiuesi të madh. Si anëtar i Këshillit organizues të këtij simpoziumi, një kohë të gjatë, bashkë me disa studiues të tjerë u kujdes edhe për përgatitjen e materialeve të këtij simpoziumi për botim, të cilat pas shumë peripecive dhe pengesave u përfshinë në librin me të njëjtin titull ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, i cili e pa dritën e botimit disa vite më vonë, më 1994.
Më 29 janar të vitit 1994, në Tetovë u organizua një debat i gjerë në Tryezën e rrumbullakët, me temë ,,Mjetet e informimit dhe informimi në gjuhën shqipe në Maqedoni”, në organizim të Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni.[8] Edhe në këtë debat gjithëpërfshirës për çështjen e informimit të gjuhën shqipe, në të cilin morën pjesë përfaqësuesit e të gjitha mediumeve në gjuhën shqipe, si ato publike edhe ato private, një nga pjesëmarrësit edhe diskutuesit aktiv ishte edhe profesor Ali Vishko. Ai ishte njohës i mirë i rrethanave shoqërore, politike dhe kulturore dhe nga ky këndvështrim edhe diskutimi i tij kishte peshë të veçantë. Qasja e tij në këtë debat ishte që shqiptarët e këtushëm duhet të luftojnë me këmbëngulje që mjetet e informimit në gjuhën shqipe ta kryejnë veprimtarinë e tyre në mënyrë profesionale, të mos politizohen për nevojat e politikës ditore, të krijohet hapësirë e mjaftueshme për informimin në gjuhën shqipe dhe sidomos të hiqej censura politike nga redaksitë e tyre.
Me rastin e shënimit të 85-vjetorit të Kongresit të Manastirit, në organizim të Bashkësisë Kulturore Shqiptare dhe Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, në Tetovë, më 17 nëntor 1993, me fillim në orën 11:00 u mbajt një tribunë shkencore kushtuar kësaj dite të shënuar të historisë dhe kulturës sonë, në të cilën Prof. dr. Ali Vishko e paraqiti kumtesën me titull ,,Konvergjencat dhe divergjencat në çështjen e alfabetit të njësuar të shqipes”.[9] Ai ishte njohës i shkëlqyer i Kongresit të Manastirit dhe kongreseve të tjera për çështjen e alfabetit dhe të shkollës shqipe, për të cilën na ka lënë edhe një vepër me vlerë të madhe shkencore, me titull ,,Kongreset e alfabetit dhe të shkollës shqipe”,[10] por, kumtesa e tij e paraqitur me këtë rast shpalosi të dhëna dhe dëshmi të reja, të mbështetura në burime relevante shkencore, ku trajtohej në mënyrë të veçantë se sa ishte e vështirë rruga deri te njësimi i alfabetit të gjuhës shqipe dhe sa të mundimshme ishin përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë të asaj kohe, që në rrethana të robërisë arritën të mblidhen tok, nga të gjitha skajet e Atdheut dhe nga kolonitë shqiptare jashtë tij, që përfundimisht të flasin me një zë për çështjen madhore të alfabetit, e që çmohej si hap i parë për bashkimin kombëtar.

Më 19 mars të vitit 1994, në Tetovë u formua Këshilli organizues për shënimin e 150 vjetorit të Kryengritjes së Dervish Carës, po ashtu në organizim të Bashkësisë Kulturore Shqiptare, ndërsa profesor Ali Vishko u zgjodh kryetar i këtij këshilli,[11] ndërsa në Akademinë solemne për shënimin e 150 vjetorit të Kryengritjes së Dervish Carës, e cila u mbajt në Pallatin e Kulturës në Tetovë, profesor Ali Vishko e mbajti një referat tematik kushtuar kësaj date të rëndësishme nga historia e kombit shqiptar.[12] ***
I përmendëm të gjitha këto fakte sepse ishin pikërisht këto manifestime që i dhanë motiv profesor Ali Vishkos për t’u thelluar më pastaj në këto tema, të cilat gjatë viteve të ardhshme i trajtoi në studime të veçanta shkencore.
Me këtë rast, duhet të përmendim se i pari që e shpalosi temën e një ngjarje shumë të rëndësishme nga e kaluara jonë historike, e cila deri në atë kohë ishte heshtur nga historiografia shqiptare, ose nuk ishte e njoftuar sa duhet, ishte pikërisht akademiku maqedonas me prejardhje shqiptare, Aleksandër Matkovski (Mati), anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, i cili e la në dorëshkrim veprën e tij me titull ,,Dervish Cara”,[13] Por, profesor Ali Vishko, me rastin e shënimit të 150 vjetorit të Kryengritjes së Dervish Carës, solli të dhëna të reja dhe dëshmi të argumentuara për këtë kryengritje nga më të mëdhatë në historinë e popullit shqiptar, dhe të cilën, me dashje ose pa dashje historiografia shqiptare deri në atë kohë e kishte lënë në harresë.
Shënimi i këtij përvjetori, ishte një rast i mirë për realizimin e shumë takimeve, bërjen e analizave dhe zhvillimin e debateve në lidhje me iniciativën e Bashkësisë Kulturore Shqiptare për themelimin e Universitetit Shqiptar në Maqedoni, më vonë të emëruar sipas selisë së tij, Universiteti i Tetovës.
Profesor Ali Vishko, bashkë me një numër të vogël intelektualësh të tjerë përbëjnë bërthamën e parë të këtij projekti me rëndësi kombëtare.[14] Pas shumë takimesh dhe bisedash në lidhje me iniciativën e ngritur nga Bashkësia Kulturore Shqiptare në Maqedoni për themelimin e Universitetit Shqiptar në Maqedoni, siç e quanim atë kohë, deri në Kuvendin themelues të tij, më 4 qershor të vitit 1994, kur ky Kuvend u soll vendimi, ku ndër të tjera u vendos që ai ta merr emrin në bazë të selisë së tij, Universiteti i Tetovës. [15]
Pas disa aktiviteteve që i paraprinë kësaj iniciative, si takimet me Komisionin amë për hapjen e Fakultetit Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe, në Shkup, përgatitja e Platformës për hapjen e Universitetit Shqiptar në Maqedoni, gjatë muajit dhjetor të vitit 1993, e miratuar nga Kryesia e Bashkësisë Kulturore Shqiptare, më 20 janar të vitit 1994, publikimit të Komunikatës së kryesisë së BKSH-së për arsyeshmërinë e hapjes së këtij Universiteti, më 2 mars 1994, në gazetën ,,Flaka” në Shkup dhe gazetën ,,Rilindja” në Tiranë, si dhe aktiviteteve të tjera, kemi realizuar shumë takime, kokë më kokë dhe në praninë e disa intelektualëve të tjerë, si me prof. dr. Murtezan Ismailin, dr.Masar Kodrën, mr:Ramadan Sinanin, Kadir Shabanin, Ejup Ajdinin, Mustafë Arifin dhe të tjerë. [16] Profesor Aliu që në fillim ishte përkrahës i madh i kësaj ideje dhe me tërë qenien e tij dha kontribut shumë të çmuar, sidomos për sigurimin e mbështetjes së kësaj ideje nga intelektualë të cilët ishin pesimistë për realizimin e saj dhe nuk kishin vizion se kjo ide mund të bëhej realitet në një të ardhme të afërt, duke i bindur ata se kjo ide duhej të mbështetej me të gjitha forcat mendore dhe fizike, sepse ishte ide e vetme që mund ta çojë përpara çështjen shqiptare në Maqedoni.
Ishte pikërisht profesor Aliu, ai që me plot bindje filloi të punojë bashkë me ne, në ndërmarrjen e hapave konkret për jetësimin e këtij projekti madhor. Ai, me një rast, në vendin ku uleshim si zakonisht dhe i zhvillonim bisedat tona në lidhje me këtë çështje, [17] mes tjerash mu drejtua me një ton shumë emocionues, me këto fjalë: ,,Kam menduar mbrëmë shumë gjatë rreth kësaj çështje, dhe nga dita e sotme kam vetëm një dëshirë, Perëndia të më jep shëndet dhe jetë deri sa ta jetësojmë Universitetin tonë!” Mua më emocionoi tepër, por nuk e dhashë veten përpara tij, duke menduar se, edhe sa atdhetarë të tjerë kanë pasur një mal me ideale, por asnjëherë për së gjalli nuk arritën t’i shohin rezultatet e punës dhe sakrificës së tyre.
Gjatë muajit maj të vitit 1994, unë e përgatita Listën e kuadrit të mundshëm për nevojat e Universitetit, duke i evidentuar të gjithë kuadrot shqiptarë në Maqedoni me thirrje shkencore të doktorëve dhe magjistrave të shkencave. Ishte profesor Ali Vishko njëri nga konsulentët kryesorë, bashkë me dr.Murtezan Ismailin, dr.Masar Kodrën dhe dr. Rahmi Tudën, që kontribuuan që kjo listë të jetë sa më e plotë, gjithëpërfshirëse, vazhdimisht duke bërë analiza të hollësishme për kuadrin e ardhshëm, varësisht nga fusha ku kishte mundësi të mbulohej me kuadrin e nevojshëm që t’i hapnim fakultetet dhe katedrat e Universitetit tonë. [18] Më 14 maj 1994, në Kuvendin komunal të Tetovës u organizua një takimin konsultativ me disa intelektualë shqiptarë për veprimtarinë shkencore dhe botimet shkencore në gjuhën shqipe në Maqedoni, në të cilin morri pjesë edhe Prof. dr. Ali Vishko. [19] Po atë ditë u mbajt edhe mbledhja e rregullt e Këshillit organizues për shënimin e 150 vjetorit të Kryengritjes së Dervish Carës, në të cilën morri pjesë profesor Ali Vishko, në cilësi të kryetarit të Këshillit organizues për shënimin e këtij përvjetori. Në këtë takim, përveç tjerash, pas përfundimit të mbledhjes së rregullt të paraparë nga këshilli organizues, të cilin e drejtonte dr. Ali Vishko, si zakonisht hapëm diskutime edhe për mbajtjen e Kuvendit themelues të Universitetit të Tetovës, ku si mundësi alternative profesor Aliu propozoi që ky Kuvend të mbahet të lokalet e Këshillit të Bashkësisë Islame në Tetovë, në sallën e Xhamisë së vjetër të qytetit, në rast se nuk na jepej leja nga autoritetet e komunës për mbajtjen e tij në sallën e Kuvendit komunal të Tetovës.[20] Në këtë takim, morën pjesë për herë të parë edhe dr. Fadil Sulejmani dhe dr. Rahmi Tuda. Me këtë rast u zhvillua një debat i gjallë dhe konstruktiv, por pati edhe vërejtje dhe kritika të ndërsjella, që kjo punë të mos shihej në prizmin e interesit personal dhe maksimalisht të kujdesemi nga provokimet e mundshme të organeve të pushtetit, i cili asnjëherë nuk ia ka dashur të mirën arsimit shqiptar në Maqedoni.
Prof. dr. Ali Vishko, në Kuvendin themelues të Universitetit të Tetovës, me propozimin tim u zgjodh anëtar i kryesisë së punës së këtij Kuvendi, në krahun e djathtë, përkrah kryetarit të Bashkësisë Kulturore Shqiptare, Abdulla Mehmeti, organizator i këtij Kuvendi, dr.Murtezan Ismailit, dr.Fadil Sulejmanit dhe mr. Ruzhdi Latës. Nga ky Kuvend, njëherësh u zgjodh edhe anëtar i Këshillit themelues të Universitetit të Tetovës, në cilësi të anëtarit të Komisionit për hapjen e Fakultetit Filozofik, me detyrë që bashkë me anëtarët tjerë, dr. Masar Kodra, dr. Avzi Mustafa dhe dr. Gjylimsere Kasapi, do të angazhohej sidomos për ngritjen e Katedrës së Historisë në kuadër të këtij fakulteti. [21] Profesor Ali Vishko, së bashku me anëtarët tjerë të Këshillit themelues, u angazhua për përgatitjen e Elaboratit për arsyeshmërinë shoqërore dhe ekonomike për themelimin e Universitetit të Tetovës, [22] përgatitjen e planeve dhe programeve mësimore të Fakultetit Filozofik dhe realizoi edhe detyra të tjera në kuadër të Këshillit themelues të Universitetit.

Sipas datës së caktuar, Universiteti i Tetovës e filli punën më 16 dhe 17 shkurt 1995, në fshatin Poroj.[23] Prof. dr. Ali Vishko ishte i pranishëm aty mes profesorëve që mbajtën ligjëratat e para përpara studentëve të Universitetit të Tetovës.[24]
Me hapjen e Universitetit të Tetovës, që nga ditët e para, më 1994, profesor Ali Vishko i ligjëroi lëndët Historia e Kohës së Vjetër dhe Historia e Popullit Shqiptar, në Universitetin e Tetovës, ku ishte edhe njëri nga themeluesit e Katedrës së Historisë, bashkë me Prof.dr.Masar Kodrën, Prof.dr.Ramiz Abdylin, mr. Vebi Xhemailin dhe profesorë të tjerë.
Prof.dr.Ali Vishko nga procesi mësimor në Universitetin e Tetovës u lagua dhunshëm në vitin 1998, nga udhëhqësia e asaj kohe e Universitetit, me porosi të qarqeve që nuk ia donin të mirën këtij Universiteti dhe arsimit shqiptar, për t’u hapur rrugë mësimdhënësve të ,,dëgjueshëm” që do të ligjëronin sipas porosisë së punëdhënësve të tyre. Por, profesor Aliu edhe më tej nuk thye as u gjunjëzua. Atë e gjenim kurdoherë mes studentëve dhe mësimdhënësve, edhe pse ishte person i padëshirueshëm edhe jashtë hapësirave ku mbaheshin ligjëratat, në ambientet ku e kalonin kohën e lirë studentët dhe mësimdhënësit e këtij Universiteti.
Me këtë rast, ku studiues të shumtë, pjesëmarrës në këtë konferencë shkencore kushtuar veprimtarisë arsimore dhe shkencore të profesor Ali Vishkos,[25] referojnë për aktivitete të shumta të këtij kolosi të shkencës dhe dijes, për jetën dhe veprat e tij me peshë të veçantë për historiografinë dhe shkencat albanologjike në përgjithësi, vlen ta përmendi edhe një fakt nga takimet e shumta me profesor Aliun. Kur ndjemë nevojën për ngritjen e redaksisë së një reviste shkencore dhe për emërtimin e saj, e që planifikonim ta botojmë në kuadër të Bashkësisë Kulturore Shqiptare, me kërkesën time, profesor Aliu e hodhi një propozim për emërtimin e saj. Pasi mendoi disa çaste në heshtje, mu drejtua: – Unë mendoj që revista duhet ta mbajë emrin ,,Zgjimi”. Nga kjo kuptova një porosi të madhe që dilte nga mendja e një atdhetari të shquar, intelektuali të devotshëm dhe historiani me vizion të qartë për të ardhmen, se ne shqiptarët ende dergjemi nga plagët e së kaluarës dhe se kemi nevojë për një zgjim të përgjithshëm kombëtar. Më tej, mbetet në ndërgjegjen tonë nëse këtë amanet të tij do ta çojmë në vend, së paku gjenerata e jonë që ka vuajtur gjatë regjimit komunist dhe e ka përjetuar periudhën e tranzicionit të dhimbshëm ,,demokratik”, i cili nuk solli asgjë të re dhe të dobishme për kombin tonë dhe në veçanti për shqiptarët në Maqedoni.
______________
Referencat:
1. Ali Vishko ka punuar si mësimdhënës i lëndës së historisë në gjimnazin “Kirill Pejçinoviq” të Tetovës, gjatë viteve 1960-1975, profesor i historisë në Akademinë Pedagogjike në Shkup, nga viti 1975 deri në vitin 1987, ndërsa si profesor i lëndëve Historia e Kohës së Vjetër dhe Historia e Popullit Shqiptar, në Universitetin e Tetovës, punoi nga viti 1994-1998, ku ishte edhe njëri nga themeluesit e Katedrës së Historisë, bashkë me Prof. dr. Masar Kodrën, Prof.dr.Ramiz Abdylin, Mr.Vebi Xhemailin etj.
2. Programi i Konferencës shkencore, me temë ,,Veprimtaria arsimore dhe shkencore e Prof. Dr. Ali Vishkos”, e mbajtur në Tetovë, më 8 tetor 2014, në organizim të Shoqatës për kulturë dhe art ,,Tradita”;
3. Prof. Dr. Fejzulla Shabanit, referat i paraqitur në mbledhjen komemorative për profesorin Ali Vishko, e mbajtur në amfiteatrin e Rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, më 13 qershor 2009.
4. Programi i Simpoziumit shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, 20, 21 dhe 22 dhjetor 1991, Shkup. Dokument nga Arkivi i BKSH, Tetovë.
5. Abdulla Mehmeti, Simpoziumi shkencor që e krijoi platformën kombëtare për të ardhmen e shqiptarëve, gazeta ,,Lajm”, Shkup, 4 shtator 2014, f. 8.
6. Programi i Simpoziumit shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, Shkup, 20. 21 dhe 22 dhjetor 1991, f. 1.
7. Po aty, f. 5.
8. Tryeza e rrumbullakët, me temë ,,Mjetet e informimit dhe informimi në gjuhën shqipe në Maqedoni”, 29 janar 1994, Tetovë. Materiale nga Arkivi i BKSH, Tetovë.
9. Prof. dr. Ali Vishko, Konvergjencat dhe divergjencat në çështjen e alfabetit të njësuar të shqipes, kumtesë e paraqitur në tribunën shkencore me rastin e 85 vjetorit të Kongresit të Manastirit, 17 nëntor 1993, Tetovë. Kumtesa shkencore në origjinal, nga Arkivi i BKSH, Tetovë.
10. Prof. dr. Ali Vishko, Kongreset e alfabetit dhe të shkollës shqipe, Flaka e vëllazërimit, 1992, Shkup.
11. Vendimi i Bashkësisë Kulturore Shqiptare, i datës 19 mars 1994. Dokument nga Arkivi i BKSH, Tetovë.
12. Dokumente nga Arkivi i BKSH për shënimin e 150 vjetorit të Kryengritjes së Dervish Carës.
13. Aleksandër Matkovski, Kryengritja e Dervish Carës, Flaka e vëllazërimit, Shkup, 1985.
14. Abdulla Mehmeti, Rëndësia historike e mbledhjes së 14 majit 1994 për themelimin e Universitetit të Tetovës, gazeta ,,Lajm”, Shkup, 30 dhjetor 2013, f. 6-7.
15. Abdulla Mehmeti, Universiteti i Tetovës, 20 vjet krenari…, portali pashtraku.org, 4 qershor 2014.
16. Shih, gazeta ,,Lajm”, 30 dhjetor 2013, f. 7.
17. Këto biseda i zhvillonim zakonisht në restorantin ,,Gurra”, kafeterinë ,,Alpina” dhe lokale të tjera ku ishim më të sigurt se nuk na përgjojnë hafijet e pushtetit. Shënimet e mija, nga Arkivi i BKSH, Tetovë.
18. Lista e kuadrit të nevojshëm për t’u angazhuar në veprimtarinë arsimore dhe shkencore të Universitetit të Tetovës. Dokument nga Arkivi i BKSH, Tetovë.
19. Shih, Ftesa nr. 0301/1, e datës 9 maj 1994. Dokument nga Arkivi i BKSH, Tetovë.
20. Abdulla Mehmeti, Rëndësia historike e mbledhjes së 14 majit 1994 për themelimin e Universitetit të Tetovës, gazeta ,,Zhurnal”, Shkup, 31 dhjetor 2013, f. 18.
21. Enver Shala, Në vjeshtë me universitet në gjuhën shqipe, gazeta ,,Flaka”, Shkup. 6 qershor 1994, f. 1-3.
22. Elaborati për arsyeshmërinë shoqërore dhe ekonomike të themelimit të Universitetit me mësim në gjuhën shqipe. Dokument nga Arkivi i BKSH, Tetovë.
23. Nga kujtimet e Prof. dr. Fadil Sulejmanit, Poroji legjendë e Universitetit, botim special i UT-së, 1998, Tetovë, f. 50.
24. Prof. dr. Nebi Dervishi, referat me rastin e shënimit të 18-vjetorit të ligjëratave të para, i paraqitur në Akademinë solemne të mbajtur në amfiteatrin e Rektoratit të USHT-së, më 18.02.2013.
25. Shih, Konferenca shkencore ,,Veprimtaria arsimore dhe shkencore e Prof. dr. Ali Vishkos”, në organizim të Shoqatës për kulturë dhe art ,,Tradita”, 8 tetor 2014, Tetovë:

(Kumtesë e paraqitur në Konferencën shkencore ,,Veprimtaria arsimore dhe shkencore e Prof. dr. Ali Vishkos”, në organizim të Shoqatës për kulturë dhe art ,,Tradita”, më 8 tetor 2014, Tetovë)
***

JETËSHKRIMI DHE VEPRIMTARIA E PROF. DR. ALI VISHKOS

 

(15.02.1930 – 12.06.2009)

Prof. dr. Ali Vishko u lind në Strugë, më 15.02.1930. Shkollimin a parë e bëri në vendlindje, ndërsa atë të mesëm e bëri në Shkup, ku i kreu edhe studimet në Fakultetin Filozofik të Universitetit ,,Shën Kirili dhe Metodi”, dega e historisë.
Shërbeu në shumë vende si arsimtar dhe profesor, në tetëvjeçare, shkolla të mesme, në Akademinë Pedagogjike ,,Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup dhe në Universitetin e Tetovës.
Gjatë kohës së shërbimit bëri hulumtime e studime nëpër arkivat, institutet dhe bibliotekat e Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës, Rumanisë, Turqisë e Italisë dhe në të njëjtën kohë i kreu edhe studimet postdiplomike dhe doktoroi.
Nga veprimtaria shkencore ka publikuar dhe botuar më shumë punime shkencore dhe mbi 60 artikuj nga sfera politike, kulturore, ekonomike e të tjera, të cilat në pjesë të madhe i takojnë historisë së popullit shqiptar. Janë për të përmendur publikimet dhe botimet:
1. Manastiri me rrethinë në gjysmën e dytë të shekullit XIX sipas burimeve osmane dhe diplomatike – në dy gjuhë, në gjuhën shqipe më 1988 dhe në gjuhën maqedonase më 2008.
2. Kongreset e alfabetit dhe të shkollës shqipe, më 1992.
3. Teqeja Harabati e Tetovës dhe veprimtaria në të në periudhën e kaluar, më 1997.
4. Teqeja Harabati i Tetovës dhe roli i saj historik e kulturor në të kaluarën, më 2005.
5. Letërsia e kohës ilire – Shën Hieronimi, më 2009.
Përveç këtyre veprave shkencore, Prof. dr. Ali Vishko ka përgatitur për botim edhe veprat, siç janë:
– Kryengritja e Kosovës e vitit 1910.
– Kryengritja e Shtatorit të vitit 1913.
Prof. dr. Ali Vishko ka botuar dhe disa fejtone, siç janë:
– Iliria dhe Ilirët e Jugut në të dhënat antike dhe në studimet bashkëkohore.
– Veprimtaria e Dervish Himës në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
– Dialogu në shoqërinë postkomuniste dhe realiteti i ynë.
– Lynkestia dhe Butelioni (Manastiri i vjetër).
– Kosova në margjinat e historisë (1981-1999) dhe të tjera.
Përveç këtyre punimeve, ai ka marrë pjesë me kumtesa edhe në shumë tubime shkencore në vend dhe jashtë vendit.
Prof. dr. Ali Vishko ndërroi jetë më 12.06.2009, në Tetovë dhe me porosi të tij u varros në varrezat e Teqesë bektashiane Harabati të Tetovës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura