ABDULLA MEHMETI: LOJA POZITË – OPOZITË NUK PREMTON ZGJIDHJE TË DREJTË PËR QEVERISJE DEMOKRATIKE!

Tetovë, 02. 10. 2015: Në kohën e sotme, marrjen e pushtetit e krijojnë rastësitë, me ndihmën e shërbimeve sekrete, kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe të mafias financiare, për qëllime strategjike, dominim dhe përfitime materiale nga plaçkitja e pasurisë së popullit në një regjion të caktuar, ndërsa populli, si makinë votuese, vetëm e verifikon mandatin e pushtetarëve përmes zgjedhjeve të manipuluara, falsifikimeve dhe korruptimit të udhëheqësve të institucioneve, mediumeve dhe disa personaliteteve publike me ndikim. Asnjëherë nuk ndodh marrja e pushtetit nga të tjerët (opozita), por humbja e tij përmes dështimeve, korrupsionit, kontrabandës, tradhtisë ndaj idealeve, realizimi i të cilave premtohet në fushatat parazgjedhore, si dhe lakmitë e tepërta të bartësve kryesorë të pushtetit, ndërsa populli të ndihmon gjatë rënies në shenjë revolte, zhgënjimi dhe humbje të shpresës. Të gjithë ata që e ndihmojnë një strukturë politike për të ardhur në pushtet, e shajnë dhe dënojnë pasi ta ketë humbur atë, duke iu vardisur e ligavitur strukturës tjetër të ardhshme, për ta vazhduar lojën e djallit.
Në ardhjen dhe ikjen nga pushteti, loja pozitë-opozitë është vetëm një paraqitje publike me funksion argëtues. Merimangën gjakpirëse kundër popullit, lirive dhe të drejtave të tij, nuk e krijon populli, siç nuk e përgatit asnjë viktimë litarin për varjen e vet, por këtë kurth ia përgatitin rrjetet politike-mafioze, përmes propagandës së fuqishme të mediumeve dhe shpëlarjes permanente të trurit, përmes sistemit arsimor, krijimtarisë letrare dhe publicistike dekadente dhe krijimtarisë shkencore të porositur, financuar dhe kontrolluar nga pushteti.

(Ilustrimin e përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)

Nga ky kurth mund të shpëtojnë vetëm popujt që kanë traditë të gjatë liridashëse dhe zhvillim të madh ekonomik, si dhe popujt që kanë fatin të kenë lider të lindur me cilësi të larta morale, duke e përmbysur sistemin e imponimit të pushtetit me lajka dhe në mënyrë të dhunshme, duke identifikuar fatkeqësitë para se të ndodhin, si dhe duke krijuar mekanizma për sistemin e përfaqësimit të drejtë, nga baza e lartë, jo nga lartë-poshtë, që populli ta realizojë sovranitetin e tij të plotë.
Në rastin tonë, janë të kota përpjekjet për dalje nga ky kurth përmes imponimit nga jashtë, të bartjes së direktivave nga lartë-poshtë, qoftë edhe nga e ashtuquajtura opozitë, të cilën nuk jemi të sigurt se në shërbim të kujt është, për cilat interesa punon dhe ndoshta, sa për sy e faqe, vetëm dëshiron zëvendësimin e strukturës së vjetër të pushtetit me një të re, e cila nuk garanton asgjë më tepër, përveç në mënyrë verbale, se do të jetë ndryshe nga ajo paraardhëse. Qytetarët tanë janë lodhur me pritje, prandaj duhet të kërkojë zgjidhje më të mirë, më premtuese dhe më të sigurt, nëse përfundimisht dëshirojnë ta heqin qafe këtë sistem të egër të qeverisjes autokratike, diktatoriale, jodemokratike dhe tepër jonjerëzore.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura