ABDULLA MEHMETI: LUIGJ GURAKUQI FIGURË EMBLEMATIKE E LIRISË DHE PAVARËSISË KOMBËTARE

Pashtriku.org, 30. 03. 2015 – Përvjetori – Më dy mars të këtij viti u mbushën 90 vjet nga atentati mbi Luigj Gurakuqin. Për çudi, ky përvjetor gati sa nuk u harrua plotësisht, përveç disa shkrimeve nga studiuesit dhe njohësit e veprës së Gurakuqit, të publikuara në disa gazeta dhe portalet në gjuhën shqipe. Shteti shqiptar, institucionet arsimore, kulturore e shkencore sikur e vunë në harresë këtë përvjetor. Me rënien e komunizmit dhe fillimin e proceseve demokratike në Shqipëri, në vitin 1993 busti i Gurakuqit, në qytetin e tij të lindjes u dëmtua, ndërsa shtëpia muze e familjes Gurakuqi në Shkodër vazhdon edhe sot t’i nënshtrohet shkatërrimit të plotë. Të shpresojmë se këto akte nuk janë atentate të radhës mbi këtë figurë të shquar kombëtare, por vetëm një harresë e zakonshme dhe moskujdes nga institucionet e shtetit, në themelet e të cilit qëndron edhe nënshkrimi i këtij kolosi. Luigj Gurakuqi ishte edhe mbrojtësi më i flaktë i të drejtave kombëtare të shqiptarëve të Kosovës, por as Prishtina zyrtare në këtë përvjetor nuk bëri përpjekjen më të vogël për shënimin e këtij përvjetori.

Referat me rastin e 90 vjetorit të atentatit ndaj Luigj Gurakuqit, i paraqitur në Akademinë përkujtimore për kolosët e kombit: Nolin, Gurakuqin dhe Konicën, në organizim të Shoqatës për kulturë dhe art ,,Tradita”, në Tetovë, më 27 mars 2015.

*     *     *

Ne shqiptarët në Maqedoni, në këtë përvjetor kemi më shumë arsye ta nderojmë figurën e Luigj Gurakuqit, sepse aktualisht jemi në një gjendje kur ditë e natë duhet t’i studiojmë veprat dhe veprimtarinë e tij dhe të rilindësve të tjerë, për të marrë shembullin më të mirë se si mund të dilet nga kjo gjendje e rëndë, nga kriza politike, sociale, ekonomike, morale e shoqërore. Sidomos nga Luigj Gurakuqi kemi se çka të mësojmë.
Figura
Luigj Gurakuqi është njëri ndër personalitetet më të shquar të kombit shqiptar, bashkë me Ismail Qemalin, Fan Nolin, Hasan Prishtinën, Nikollë Kaçorin, Isa Boletinin, Mehmet Pashë Derallën, Bajram Currin dhe të tjerë, të cilët asnjëherë nuk u ndanë nga fati i kombit e Atdheut. Në fillim të shekullit njëzet, lëvizja e Rilindjes Kombëtare i kishte zgjuar shqiptarët nga robëria shumëshekullore dhe përmes kryengritjeve të vazhdueshme dhe përpjekjeve politike e diplomatike, përmes luftës titanike me pushkë dhe me pendë, kombit shqiptar ia siguruan vendin e merituar mes popujve të lirë të Evropës, me shpalljen e Pavarësisë dhe veprimtaritë e mëvonshme atdhetare për konsolidimin e Shtetit Shqiptar.
Luigj Gurakuqi, ishte poet, publicist, orator, gjuhëtar, hartues i teksteve shkollore, politikan, diplomat dhe tribun popullor; ishte një nga personalitetet më të shquara të lëvizjes kombëtare, arsimore e kulturore në fundin e Rilindjes Kombëtare dhe të Pavarësisë, i cili si rrallë kush i përjetoi ngjarjet më kulmore historike të kombit shqiptar në çerekun e parë të shekullit njëzet. Në shumicën prej tyre qe pjesëmarrës, madje ndër organizatorët dhe drejtuesit kryesorë të tyre.
Rrethi familjar
Luigj Gurakuqi u lind në Shkodër, më 20 shkurt 1879 dhe u rrit në gjirin e një familje shkodrane me tradita kulturore dhe atdhetare. Në familjen e Gurakuqëve pandërprerë kishte hyrje-dalje nga njerëz prej të gjitha viseve shqiptare, që vinin të diskutonin për hallet e Atdheut. Mes bisedash dhe diskutimesh për ngjarjet e së kaluarës, për luftërat heroike të popullit kundër pushtuesve të shumtë dhe për burrat e shquar që i udhëhoqën ato, do të kalitet personaliteti i tribunit të ardhshëm, Luigj Gurakuqi.
Shkollën fillore dhe të mesme, jo të plotë, i ndoqi në Kolegjin Saverian, e cila ishte një nga shkollat më të organizuara që kishte Shqipëria e asaj kohe. Shkollën e mesme të papërfunduar në vendlindje, më pas e përfundoi në Kolegjin arbëresh të Shën-Mitër Koronës, ku e pati për mësues De Radën e madh, këtë figurë të shquar të Rilindjes Kombëtare që e frymëzoi për krijimtari dhe veprimtari atdhetare të mëvonshme.
Diplomën e pjekurisë e morri në Kozencë për shkencat natyrore, krahas tyre duke ndjekur dhe kurse të veçanta në filozofi. Studimet universitare i vijoi në Napoli të Italisë, në Fakultetin e Mjekësisë dhe të shkencave të natyrës, ku edhe u njoh me Zef Skiroin, profesorin e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Institutin Lindor të Napolit. Veprës së Skiroit Luigji do t’i përgatisë një parathënie, të cilën Konica do t’ia paraqiste botës frënge me një përkthim të bukur në të përkohshmen e tij “Albania”. I shtyrë nga rrethanat e kohës detyrohet t’i len studimet përgjysmë që t’i kushtohej luftës për lirinë kombëtare.
Veprimtaria letrare
Krahas veprimtarisë atdhetare, Luigji për asnjë çast nuk do ta lëshojë pendën nga dora. Më 1906, në Napoli do ta botojë veprën “Vargënimi n’gjuhë shqype me nji fjalorth shqyp-frengjisht n’marim”, me të cilën bëri përpjekjen e parë të suksesshme për kodifikimin e metrikës së poezisë shqipe. Po atë vit e botoi në Bukuresht librin “Abetare e vogël shqipe me alfabetin e Shoqërisë së Stambollit me shpjegime në dy dialektet”, ndërsa në Napoli e botoi “Fjalorin Shqip-Frëngjisht e Frëngjisht – Shqip të fjalëve të reja”.
Luigj Gurakuqi, përveç si publicist, hartues i disa teksteve shkollore, autor i traktatit të parë për metrikën, të vitit 1906, ai njihet edhe si poet. Vjershat e Gurakuqit janë të pakta në numër. Ai, vjershat dhe artikujt e ndryshëm i botoi me pseudonimet, Jakin Shkodra dhe Lekë Gruda.

Luigj Gurakuqi (Shkodër, 20 shkurt 1879 – Bari, 2 mars 1925)

Në krijimet poetike trajtoi tema të ndryshme të kohës, dhe sikur shënoi fundin e poezisë së Rilindjes. Trajtoi lloje të ndryshme të poezisë, strofës dhe vargut, ku i kushtoi rendësi sidomos formës klasike, dhe brenda saj futi përmbajtje aktuale. Edhe Gurakuqi, si ndonjë poet tjetër i kohës, pati fatin e ngutjes jetësore për ta ndihmuar çështjen e atdheut dhe të qenies kombëtare, prandaj poezia e tij ndonjëherë mbeti e palatuar, siç shpërtheu nga shpirti i tij prej romantiku.
Aktiviteti patriotik
Ngatërresën e parë me autoritetet turke e pati më 1904 nga shkaku i një botimi për kolonitë shqiptare në Itali ,,Dy koloni shqiptare në Itali deri tash të panjohura”, dhe më 1905 u shtrëngua të arratiset maleve për t’u shpëtuar përndjekjeve.
Në nëntor të vitit 1908 morri pjesë në Kongresin e Manastirit, përkrah përfaqësuesve nga Shkodra: Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Hilë Mosi e Mati Logoreci; ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe, që e solli ky Kongres.
Dora e tij i shkroi alfabetet e miratuar nga Kongresi i Manastirit dhe ato i zbuloi para delegatëve. Në tetor të 1909 u emërua drejtor i shkollës së parës normale, e njohur si Normalja e Elbasanit, ku dha një ndihmesë të çmuar për vënien e arsimit mbi baza kombëtare. Gurakuqi ka meritën se përcaktoi drejtë e qartë konceptin për shkollën kombëtare shqiptare, përmbajtjen, karakterin dhe parimet e ndërtimit të saj. Ai kërkonte që gjithë fryma dhe përmbajtja e shkollës të ishte në funksion të qëllimeve dhe idealeve kombëtare. Gurakuqi ishte autori më i shquar i librave shkollorë në gjuhën shqipe i fillimit të shekullit njëzet. Ai i dha shkollës shqipe, si autor e bashkautor, mbi 8 tekste mësimore, me një vëllim prej mbi 7 mijë faqesh.
Në prill të vitit 1911 mori pjesë në Kryengritjen e Mbishkodrës dhe si një nga udhëheqësit e saj e hartoi së bashku me At Prenushin, Memorandumin e Greçës, apo Librin e Kuq, siç njihet ndryshe.
Gjatë vitit 1912 zhvilloi një veprimtari të dendur për organizimin e kryengritjes së përgjithshme, duke qenë i pranishëm në të gjitha viset shqiptare, nga veriu në jug, dhe më vonë edhe pranë krerëve të Kosovës. Mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit, dhe pastaj do të merrte rrugën nga Bukureshti në Vjenë, e prej andej në Durrës dhe Vlorë, ku do të gjendej në krahun e djathtë të Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Gurakuqi ishte shkruesi i Deklaratës së Pavarësisë, të cilën e përgatitën bashkë me Ismail Qemalin.

Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës, në dhjetor 1912, u zgjodh Ministër i Arsimit dhe vendosi arsimimin e detyruar fillor për djem e vajza.
Më 1913 morri pjesë në Konferencën e Londrës, me Ismail Qemalin e Isa Boletinin. Në Luftën e Parë Botërore, kur Shkodra u pushtua nga ushtria malazeze, Luigj Gurakuqi internohet në Podgoricë, nga 17 korriku 1915 deri në janar 1916. Gjatë pushtimit austro-hungarez, emërohet drejtor i përgjithshëm i Arsimit, edhe hapi shumë shkolla shqipe. Qe një nga themeluesit e Komisisë Letrare më 1916.
Në qeverinë e dalë nga Kongresi i Durrësit ku ishte përfaqësues i Shkodrës dhe Mirditës, u emërua zëvendësministër i Arsimit në kabinetin e Turhan Pashë Përmetit. I ngarkuar nga kjo qeveri, si anëtar i delegacionit të saj, morri pjesë në Konferencën e Paqes në Paris. Çdo shkresë e përdorur nga delegacioni u shkrua nga dora e tij.
Në kabinetin disaditor të Hasan Prishtinës, iu dha posti i ministrit të brendshëm.
Më 1921-1924 ishte deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar, ku si një nga udhëheqësit e opozitës demokratike luftoi për demokratizimin e jetës së vendit, për lehtësimin e gjendjes së rëndë të popullsisë nga shtypja, për zhvillimin ekonomik e kulturor dhe për mbrojtjen e pavarësisë nga synimet armiqësore të jashtme. Tingëllojnë edhe sot të freskëta demaskimet që i bënte Gurakuqi politikës së pastrimit etnik që ndiqnin shovinistët serbë gjatë asaj kohe: “Qeveria jugosllave nuk do të ndalet para asnjë mjeti për t’i ndërrue fytyrën Kosovës”, deklaronte Gurakuqi.
Për gjendjen tepër të vështirë të shqiptarëve në shtetin jugosllav fajëson Fuqitë e Mëdha, të cilat bënë theror shqiptarët e trojet e tyre për interesat e veta e të aleatëve të tyre. Gurakuqi ishte këmbëngulës për t’u ndihmuar e për t’u dalë zot të drejtave të popullsisë së Kosovës. Këtë e quante si detyrë nga më të rëndësishmet të shtetit shqiptar. Ndër fjalimet më të fuqishme të Gurakuqit në parlament janë ato për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të popullsisë shqiptare të Kosovës.

Më 1924, në qeverinë e kryesuar nga Fan S. Noli u emërua Ministër i Financave. U dallua për ndjenjën e lartë të përgjegjësisë dhe për vendosmërinë e përpjekjet për krijimin dhe forcimin e shtetit demokratik shqiptar. Më 1924, mori pjesë në Konferencën e Gjenevës, përkrah Fan Nolit.
Duke u deklaruar demokrat e liberal, Gurakuqi thoshte se nuk është as revolucionar, as bolshevik e as socialist. Gurakuqi ishte për zgjidhjen paqësore të probleme përmes ligjeve, zgjidhjeve ,,me drejtësi e në mënyrë të qetë”. Si i tillë, ishte kundër futjes se popullit në udhën e kryengritjes së armatosur. Duke pasur këto koncepte për rolin e ligjit dhe zgjidhjen paqësore dhe jo kryengritjen, zgjidhjen me dhunë të problemeve, Gurakuqi u përfshi në Lëvizjen e 1924, pas një hezitimi e kundërshtimi të fortë.
Pas shtypjes së Lëvizjes së Qershorit shkoi në Itali, ku më 2 mars 1925 u vra nga kushëri i tij, djali i motrës, përpara hyrjes së hotelit ku Luigj Gurakuqi darkonte me dy miq. Në xhepat e shqyer të ish-Ministrit të financave policia italiane gjeti vetëm 350 lira, edhe pse ishte akuzuar nga kundërshtarët e tij se e kishte vjedhur arkën e Qeverisë së Nolit. Në organizimin e këtij atentati kishin dorë Ahmet Zogu, Ceno Kryeziu dhe Çatin Saraçi, por më e besueshme duhet të jetë porosia e kësaj vrasje nga qeveria e Beogradit. Më vonë, gjykimi për atentatin ndaj Luigj Gurakuqit do të bëhet shkas i shumë pazareve politike dhe diplomatike.
Për Luigj Gurakuqin, do shprehin mendime shumë figura të shquara, ndër të cilët edhe Fan Nili, Hasan Prishtina, Anton Harapi etj.
“Është pionier i qytetërimit perëndimor në Shqipëri, një nga shqiptarët e flaktë që thithi me themele kulturën e Perëndimit dhe si njeriun që punoi më gjate e më shumë se kushdo tjetër për të mbjellë farën e saj në Shqipëri.”, thotë Fan Noli për Gurakuqin.
“Burrë i vërtetë, L. Gurakuqit, i cili me kulturën e lartë shpirtërore mishëroi , madhëroi dhe përjetësoi urtinë, besën dhe burrninë shqiptare, duke mbetur përherë shembull shqiptari me kulturë, simbol i bashkimit kombëtar dhe idealist i shkëlqyeshëm”, do të thotë At Anton Harapi për Gurakuqin.
Ndërsa, Hasan Prishtina, mbi varrin e tij do të shprehej: “Fli i qetë Gurakuq, shpagimin tënd do ta marrim me përparimin e Shqipërisë.”
Në fund, siç do të shprehet një studiues i mirë i jetës dhe veprave të Gurakuqit, mund të përfundojmë se, do të mjaftonte kontributi i tij në Kongresin e Manastirit dhe drejtimin e Normales së parë në gjuhën shqipe të Elbasanit, që Luigj Gurakuqi ta ketë vendin e merituar në panteonin e personaliteteve më të shquara të kombit shqiptar. (Tetovë, 27 mars 2015)

Bari, 03.03.1925: Hasan Prishtina në mesin e bashkatdhetarëve në varrimin e Luigj Gurakuqit.

Bari, 03. 03. 1925: Varrimi i Luigj Gurakuqit (foto Pici)

………………………………………………………

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura