ZEQIR HAJRIZI: KURRË NUK I DALIM HAKUT KOSOVËS

Pashtriku.org, 11. 09. 2012 – (Bisedë me veprimtarin e lëvizjes kombëtare të Kosovës, të viteve gjashtëdhjetë, zotin Zeqir Hajrizi, botuar te “Infopress” më 29 dhjetor 2009 – 5 janar 2010, ndërsa sot botohet në portalin pashtriku.org) – Gjurmëve të historisë së lëvizjes kombëtare të Kosovës – Në fillim të viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, Kosova kishte statusin e një të ashtuquajturi “Oblast”, në kudër të Republikës së Serbisë në Jugosllavi. Ministri i brendshëm jugosllav, shovinisti famëkeq serb, Aleksandër Rankoviq, në kulmin e tërbimit të tij dhe të UDB-esë kundër shqiptarëve, po zbatonte planet akademike serbe për zhdukjen e shqiptarëve në trojet e veta. Skamja dhe mjerimi, përndjekja dhe shtypja çnjerëzore, sundimi i egër dhe jeta e padurueshme e karakterizonin Kosovën e asaj kohe. Kosova ishte e pa mbrojtur dhe pa aleatë.
Në plan ndërkombëtar, lufta e ftohtë rrezikonte në radhë të parë sigurinë dhe jetën e popujve të vegjël. Shqipëria, pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë më 1948, e cila pretendonte ta kthente në një republikë të shtatë brenda saj, më 1961 u nda edhe nga Bashkimi Sovjetik, duke qenë nën rrezikun e vazhdueshëm që të pushtohej prej tij. Jugosllavia në marrëdhëniet ndërkombëtare kishte forcuar pozitën me të ashtuquajturën politikë e të painkuadruarve.
Rezistenca e popullit shqiptar kundër pushtuesit u vështirësua, por nuk pushoi as në këto kohë veçanërisht të vështira. Patriotët shqiptarë dergjeshin në kazamatet jugosllave.
Më 1960, vargut të organizatave çlirimtare të Kosovës iu shtua edhe Organizata Revolucionare Antirevizioniste për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, e udhëhequr nga intelektuali i shquar, Kadri Halimi, Ali Aliu etj.

Veprimtari i Lëvizjes sonë Kombëtare Zeqir Hajrizi.

…………………………………..

Në këtë Organizatë ishte edhe Zeqir Hajrizi, i lindur në Strofc të Vushtrrisë më 1940. Babai dhe nëna e Zeqirit, kishin lindur dhe rritur një vajzë dhe pesë djem, të cilët i edukonin në frymën e atdhedashurisë. Zeqiri po mbaronte Shkollën e Mesme të Bujqësisë, kur u arrestua nga policët e Rankoviqit dhe u dërgua në Goli Otokun famëkeq për të vuajtur burg të rëndë.
Zeqir Hajrizi ka më shumë se dhjetë vjet në Finlandën e largët, atdheun e tij të dytë. Para dymbëdhjetë vjetëve, si pasojë e sëmundjeve të burgut, atij i pushuan të dy veshkat dhe jeton në dializë. Atje i kanë vënë edhe bajpas, sepse kishte probleme edhe me zemrën. Ai është i lektisur për Kosovën, por nuk mund të kthehet për shkak të shëndetit të tij të dobët. Në këtë intervistë për “Infopress” Zeqiri flet për organizimin e tij ilegal, për organizatën, për jetën në burg dhe për gjendjen aktuale të Kosovës.

Zoti Hajrizi, si e filluat veprimtarinë ilegale?
Zeqir Hajrizi:
Si i ri kisha dëgjuar shumë tregime rrëqethëse të vuajtjeve të popullit tonë nën sundimin serb. Gjëma e mizorive të pushtuesit kishte rënë edhe në familjen time disa herë. Xhaxhin tim bashkë me dy kushërinj i kishte pushkatuar regjimi më 1922, atëherë kur Kosova digjej nga zjarri serb. Babai më ka treguar se kur i vranë të vëllain, ai ndodhej në Beograd si ushtar. Me te dëgjuar lajmin, i kishin rrjedhë lotët, kurse oficeri serb i kishte thënë përse po qante për të mbasi ishte i keq, sepse po të ishte i mirë nuk do ta vrisnin! Meqë nuk kishte mbetur burrë në tri familjet tona, gratë kishin shkuar t’i marrin kufomat dhe i kanë varrosur të pushkatuarit.
Pas Luftës së Dytë Botërore, lëvizja e rezistencës në Kosovë vazhdoi në formë të kryengritjes së armatosur dhe me organizimin ilegal.
Nga fillimi i vitit 1960 kam hyrë në radhët e Organizatës Revolucionare Antirevizioniste për Bashkimin e Shqipërisë. Unë në atë kohë isha në Shkollën e Mesme Bujqësore në Lipjan. Ishte kjo një shkollë për të rritur. Na duheshin libra për shkollë dhe duke marrë libra në bibliotekë rashë në kontakt me Ramadan Hoxhën, njërin nga veprimtarët e organizatës. Vijuam së bashku veprimtarinë. Shumë shpejt në organizatë aderoi edhe daja im, Banush Ademi, me të cilin shoqërohesha, sepse ishim edhe moshatarë. Ramadani kishte filluar më herët, ne pas tij, dhe shumë të tjerë pas nesh. Ishte një organizatë bukur e madhe, kishte intelektualë, zejtarë, bujq, punëtorë etj., me një fjalë përbëhej nga njerëz prej të gjitha shtresave të popullit dhe të moshave të ndryshme.
Në vjeshtën e vitit 1960 unë dhe Banushi, gjatë një misioni ndërlidhës në Shqipëri, u arrestuam nga forcat jugosllave, por pasi që nuk zbuluan gjë na lëshuan, pas dy muajve burgimi. Në fund të janarit të vitit 1961 organizata u zbulua dhe u arrestuam të gjithë…
Cili ishte synimi i organizatës?
Zeqir Hajrizi:
Veprimtaria e kësaj organizate kishte për qëllim, sikundër që dihet, bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Ky qëllim përbënte programin kombëtar të të gjitha organizatave e grupeve të lëvizjes kombëtare të Kosovës gjatë gjithë periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore.
S’mund të themi që kemi bërë kushedi se çka, sidoqoftë, kemi bërë përpjekje që të lëvizim diçka në këtë drejtim. Padyshim, diçka kemi bërë. Organizata vepronte ilegalisht dhe përgatitej që qëllimet e saj t’i arrinte me luftën e armatosur të popullit të robëruar.
Kush ishin njerëzit kryesorë të saj?
Zeqir Hajrizi:
Njerëzit kryesorë të organizatës kanë qenë: Kadri Halimi, Ali Aliu, Ramadan Hoxha etj. Këta ishin iniciatorët e themelimit të saj.
Si e zhvillonit aktivitetin në kuadër të organizatës?
Zeqir Hajrizi:
Aktiviteti ynë dhe zgjerimi i organizatës bëheshin në konspiracion të thellë. Secili aktivist, brenda mundësive të veta është dashur të grumbullojë rreth vetes dhjetë kandidatë të rinj, të painkuadruar deri atëherë. Pastaj, secili anëtar i ri është dashur të mbledhë njerëz të tjerë, duke krijuar celula të reja, por pa e njohur njëra-tjetrën. Ka qenë një zgjerim i shpejtë i organizatës. Qëllimi ishte që të përgatiteshin njerëzit për një revolucion, luftë, sepse ishte e ditur që Serbia nuk heq dorë nga Kosova në ndonjë formë tjetër.
Sa anëtarë i ka pasur organizata?
Zeqir Hajrizi:
Para zbulimit dhe arrestimit, organizata ka numëruar rreth dyqind anëtarë, ndërsa numri i atyre që janë marrë me organizim dhe aktivitet, dhe që janë dënuar pas arrestimit ka qenë rreth katërdhjetë-pesëdhjetë vetë. Shumë të tjerë vetëm janë marrë në pyetje, i kanë keqtrajtuar por në fund i kanë lëshuar në shtëpi.
Sa njerëz keni arritur t’i organizoni ju personalisht?
Zeqir Hajrizi:
Unë kam organizuar gjashtë anëtarë aktivë, por kam pasur edhe shumë të tjerë në përgatitje për rekrutim. Unë isha i ri në moshë, më mungonte përvoja. Pastaj, kushtet për propagandim të kauzës dhe zgjerim të rrethit në atë kohë kanë qenë shumë të vështira, në të gjitha aspektet. Është dashur të ecet në këmbë me orë të tëra, odë më odë, por me kusht që të mos ndeshesh në ndonjë të “papërshtatshëm”. Në të kundërtën është dashur të mbyllësh gojën dhe të heshtësh. Thuajse të gjithë njerëzit e organizuar ishin shumë të besueshëm. Kishte të tillë që tërhiqeshin, por numri i tyre ka qenë tepër i vogël.
A keni pasur bashkëpunim me organizata të tjera shqiptare?
Zeqir Hajrizi:
Nuk kemi pasur, për faktin se të gjitha vepronin në konspiracion të thellë, sepse atëherë ishte rrezik të flisje kundër pushtetit e lëre më të bëje diçka konkrete kundër tij.
A kishit armë dhe a keni organizuar ndonjë sulm?
Zeqir Hajrizi:
Po, organizata kishte siguruar edhe pak armë të dobëta nga njerëz të besueshëm në popull dhe eksploziv, por pa arritur të ndërmarrë ndonjë sulm. Në rrethin e Artakollit, radhët i kisha zgjeruar fillimisht me Zenel Hajrizin, nga Strofci i Vushtrrisë, të birin e xhaxhait tim të vrarë, i cili gëzonte autoritet të madh në ato anë. Zeneli ishte shumë më i vjetër se unë dhe kishte qenë luftëtarë i aradheve partizane dhe i Luftës së Drenicës, të udhëhequr nga tribuni popullor, Shaban Palluzha. Zeneli mblodhi rreth organizatës shumë miq, shokë e ish bashkëluftëtarë, të cilët mund të organizonin shpejt aradhë të tëra luftëtarësh të armatosur në luftën çlirimtare.
A keni pasur kontakte me shtetin shqiptar?
Zeqir Hajrizi:
Kontaktet me shtetin shqiptar në atë kohë ishin thuajse të pamundura, për shkak të rrethanave në Kosovë, ndërsa organizata ishte përpjekur t’i vejë ato përmes rrugëve anësore. Kishim vënë disa lidhje.

Veterani i Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, Zeqir Hajrizi.

……………………………………………………….

A kishte organizata program të shkruar, nëse po, ku ishte i bazuar?
Zeqir Hajrizi:
Jo nuk ka ndonjë dokument programatik të shkruar, por qëllimi i organizatës bazohej në programin kombëtar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për unitetin e territorit shqiptar. Qëllimet programatike të organizatës janë paraqitur në librin e Kadri Halimit “Shkëndijë e lirisë”, të botuar rreth 15 vjet më parë.
A bëhej betimi i anëtarëve të rinj, dhe nëse po, si bëhej ai?
Zeqir Hajrizi:
Po, bëhej një betim besnikërie e përkushtimi.
A kishte rregulla të qarta për aktivistët gjatë aktivitetit por edhe në rast të arrestimit?
Zeqir Hajrizi:
Kishte dhe përcilleshin gojarisht nga njëri aktivist te tjetri.
Kur është zbuluar organizata juaj?
Zeqir Hajrizi:
Organizata jonë është zbuluar në fillim të vitit 1961. Na kanë arrestuar, na kanë mbajtur nën hetime për një kohë të gjatë dhe jemi dënuar në fund të atij viti, me burgim nga 1-8.5 vjet.
Si ju zbuloi pushteti i atëhershëm?
Zeqir Hajrizi:
Më kanë thënë më vonë që një anëtar i organizatës, gjatë krijimit të grupit të vet kishte hasur në një bashkëpunëtor të pushtetit. Ky i fundit e kishte denoncuar aktivistin e organizatës tek organet e pushtetit. Është mbajtur një kohë, nuk e dimë se çfarë i kanë bërë aty, por më vonë e kanë lëshuar gjoja se nuk ka qenë në dorë të tyre, në mënyrë që të hyjnë në rrjetin tonë, gjë të cilën edhe e arritën. Pra është arrestuar, ka qëlluar i dobët, atje i ka treguar fijet e organizatës, atë çfarë i interesonte pushtuesit, dhe më pas është liruar për të mos u arrestuar më kurrë.
Si u arrestuat ju?
Zeqir Hajrizi:
Ditën e arrestimit kam qenë në Prishtinë, me kushëririn Zenel Hajrizin. Po ecnim rrugës, me kujdes dhe vëzhgim të veçantë, si gjithherë. Shkuam në Fushë-Kosovë. Ishim të uritur dhe hymë në një lokal të hamë diçka. Ai na solli ndryshe çfarë kërkuam ne, dhe në shenjë proteste u ngritëm. U takuam me vëllain tim, Tahirin e me Banush Ademin dhe bashkë do të shkonim në shtëpi. Unë ecja me Banushin, ndërsa vëllai me bacën Zenel. Papritmas erdhën policë dhe na e morën Banushin. E kishin çuar në stacion të policisë. Ndërkohë policë dhe udbashë të tjerë kishin qenë në shtëpinë time dhe më kishin kërkuar. Pasi nuk ndodhesha në shtëpi e kishin marrë babain për një kohë, duke e porositur në fund që të paraqitesha të nesërmen në polici, sa për një bisedë. Babai tregonte se kishte ndjerë që diçka e keqe do të ndodhte, sepse, siç thoshte ai, policët më rrahën shpatullave, duke më thënë “mos ke dert”. Ne, tek po ecnim rrugës për në shtëpi, u takuam me policët që po ktheheshin bashkë me një informator të fshatit dhe aty në rrugë më arrestuan. Pastaj, më dërguan në Burgun e Prishtinës, drejt në qeli.
Sa kohë ju kanë mbajtur në burgun e Prishtinës?
Zeqir Hajrizi:
Rreth 15-16 muaj. Por na sillnin nëpër burgje, në Podujevë, Mitrovicë, Prishtinë. Frikësoheshin.
Për çka ju akuzuan pas arrestimit?
Zeqir Hajrizi:
Aktakuza jonë formulohej si “veprimtari armiqësore kundër shtetit jugosllav, në përpjekje për të shkëputur Kosovën dhe për t’ia bashkëngjitur Shqipërisë”. Në gjyq e kam mbrojtur veprimtarinë tonë, shokët dhe kam paraqitur faktet e argumentet tona.
Kthehemi edhe njëherë në fillim. Sa kanë zgjatur hetimet?
Zeqir Hajrizi:
Nëntë muaj.
A ju kanë torturuar gjatë hetimeve?
Zeqir Hajrizi:
Gjatë hetuesisë kemi pasur tortura çnjerëzore, të pashpjegueshme. Na kanë mbajtur nëpër qeli të ftohta, na kanë rrahur në të gjitha format dhe me gjithçka; me shufra, shkelma, grushte, pastaj tortura me ujë, me rrymë… Por tortura ka pasur edhe pas hetimeve e madje edhe pas dënimit.
Në një rast, ishte vonë, kishim rënë të flemë. Unë isha i sëmurë. Erdhi drejtori i burgut dhe dy policë. Nuk di pse i ishte tekur, na bërtiti “kush po bën zhurmë këtu”? I thamë që askush s’po bën zhurmë, ne po flemë. Tha “ky po bën zhurmë”, duke drejtuar gishtin nga unë. I thanë “po çfarë zhurme, ky po vdes”. Na mori me zor dhe na çoi në drejtori. Donte të bënte të vetën.
Ke pasur probleme shëndetësore në burg?
Zeqir Hajrizi:
Në Burgun e Prishtinës kushtet kanë qenë shumë të këqija. Na kanë mbajtur nëpër qeli të ftohta, pa rrymë, pa dritë, pa nxehje. S’ke mundur as të flesh. U sëmura rëndë në mushkëri. Kur kërkoja ndihmën e mjekut, bënin shaka dhe talleshin me mua. Dhoma ishte e vogël. Njëherë në gjashtë muaj bëhej një vizitë nga përfaqësues të Gjykatës së Qarkut. Kur vinin ata duhej të ngriheshim në këmbë. Unë nuk mund të ngrihesha. Më gjetën ratë. Kisha temperaturë të lartë. Me mua në dhomë ishte Hasan Dumani nga Miradia e Ulët (Dobreva), me të cilin kishim qenë në organizatë dhe kujdesej bashkë me të tjerë për të më shpëtuar jetën. Ai iu tha që Zeqiri është i sëmurë dhe s’mund të ngrihet, ka shumë temperaturë. Njëri nga ta, shqiptar, ma kapi dorën. Iu dogj dora nga temperatura… Ai ishte vetëm vegël e tyre. Shkroi diçka në bllokun e vet dhe shkuan, por unë mbeta pa ndihmën e mjekut. Sëmundja tuberkulare kaloi më vonë nga mushkëritë në veshkë, të cilat më kanë torturuar gjithë jetën, derisa pushuan fare së funksionuari para dymbëdhjetë vjetësh… Falë mjekësisë së avancuar në Finlandë, jam ende gjallë.
A mund të na e përshkruani qelinë e burgut?
Zeqir Hajrizi:
Qelia ka qenë shumë e vogël, me beton dhe plot lagështi, ka pasur derën dhe një dritare të vogël, pa xham, vetëm me grila. Kur binte borë, na hynte brenda. Në qeli kemi pasur një qyp në vend të nevojtores, i cili qelbej gjithë kohën dhe një fshesë, të cilën e përdornim si jastëk.
Shtrojë e mbulojë nuk ka pasur?
Zeqir Hajrizi: Nuk ka pasur. Thashë, vetëm një fshesë të cilën e përdornim si jastëk, sa për të mos e vënë kokën në beton.
Sa herë në ditë ju kanë sjellë ushqim?
Zeqir Hajrizi:
Në mëngjes kemi pasur kafe të hidhur dhe një copë bukë. Ajo copë bukë ishte për tërë ditën, ndërsa në drekë na e sillnin një si gjellë, ndonjëherë me njëfarë cope mishi, të cilat shokët e mi m’i jepnin mua kur isha i sëmurë. Në darkë na sillnin serish vetëm një kafe. Pra, në 24 orë kishim vetëm një copë bukë. Kështu ka qenë sa ishim nën hetime. Kur u dënuam, u përmirësua pak. Ishim shumë të dobët dhe duhej të përmirësoheshim, sepse na çonin në burgjet e tjera të Jugosllavisë.
A mund ta rrëfeni ndonjë aspekt të jetës në burg?
Zeqir Hajrizi:
Po, p.sh. komunikimi. Isha në burgun e Mitrovicës, jo në atë të sotmin, por në një lloj shtëpie private, në qeli. Një natë erdhën disa udbashë, dhe më pyetën se si po e kaloja, si isha me shëndet. Ishte edhe shefi i organeve të sigurimit të shtetit. Më tha “merri gjërat tua dhe kalo në tjetrën dhomë”. Në fakt s’kisha asgjë. Dhoma tjetër ku dola ishte më e madhe. Filloi të më marrë në pyetje. Më pyeti se çfarë lidhjesh po mbaja me shokët në burg. Thashë si të mbajmë lidhje, të gjithë jemi nëpër dhoma të veçanta. Tha e di unë se si i mbani lidhjet ju.
Ishte e vërtetë që në burg funksiononte shumë mirë njëfarë sistemi i komunikimit të përhershëm. Atë natë e sollën dikë. Isha kureshtar ta dija se kë e sollën. Hipa mbi qyp dhe shikova, ishte një shok i imi. Kisha mundësi të dija kur hynin e dilnin, përmes asaj dëgjueshmërisë së burgut. Më vonë i sollën edhe dy shokë të tjerë.
Kemi pasur lidhje me të gjitha dhomat. Përmes letrave të vogla, të cilat i vinim edhe nëpër cigare. Pastaj merreshim vesh edhe përmes murit. Trokitnim në mur, ai tjetri dëgjonte që po e thërret, dhe e vendoste veshin për muri. Mund të flitej sikur të ishin afër njëri-tjetrit. Veshi ynë e tërhiqte zërin, sepse gjithkush s’mund të fliste. Nganjëherë hapeshin edhe vrima në mur.
A ju kanë zënë ndonjëherë gardianët duke folur?
Zeqir Hajrizi:
Po dhe për këtë paguanim çmimin me lëkurën tonë.
A kishte mundësi t’ju vizitonte familja?
Zeqir Hajrizi:
Pas nëntë muajve, pas përfundimit të hetimeve, më ka ardhur babai në vizitë, sepse nuk e lejonin më parë. Pas dënimit kanë ardhur më shpesh dhe më kanë sjellë ushqime e ndërresa. Mirëpo shpesh herë nuk na i jepnin. Ose i kthenin, duke u thënë se nuk janë këtu.
Kah ju dërguan pas dënimit?
Zeqir Hajrizi:
Nëpër burgjet jugosllave. Na lidhën mua dhe Banush Ademin, Kadri Halimin dhe Tefik Shehun, Hasan Dumanin më duket me Ali Aliun etj. Nuk e kemi parë njëri-tjetrin derisa kemi shkuar në Fushë-Kosovë. Aty na kanë tubuar. Aty kishte qëlluar një vëlla imi, Tahiri. Mirëpo nuk guxonim t’i jepnim shenjë, e as ai neve, sepse ishim nën përcjellje të fortë policore. Na futën në stacion të trenit. Ishim të lidhur me pranga e zinxhirë, dhe për të mos na parë njerëzit, na futën të gjithëve në një dhomë, derisa të vinte treni nga Shkupi. Disa nuk rrinin urtë. Tefik Shehu e Kadri Halimi ishin nga Gjilani. Tefiku e vuri dorën me zinxhirë mbi tavolinë dhe i mëshonte, duke thënë “kjo dhemb, kjo nuk dhemb”. Policët shikonin njëri-tjetrin. Tefiku ishte sheh. Ishte shumë burrë i mirë.
Na hipën në tren dhe nuk e dinim se ku po na çonin. Në mesin e policëve ishte edhe një shqiptar. Kur dilnin policët e tjerë në korridor, ai mundohej të na tregonte diçka me shenja. Kadri Halimi kuptoi se atë dhe disa të tjerë po i dërgonin në Mitrovicë të Sremit, kurse mua dhe Banushin, në Goli Otok. Fillimisht ne të dyve na vendosën në Burgun Qendror në Beograd (CZ). Aty na mbajtën 21 ditë, derisa të bëhej një grup i madh për ta mbushur trenin, për t’u nisur pastaj për në Goli Otok. Prapë nuk kemi shkuar drejt në Goli Otok, na kanë ndalur në burgun e Rjekës dhe na kanë mbajtur 13 ditë. Kishte qenë burg i keq dhe i rëndë. Prej aty na kanë ngarkuar në një anije dhe na kanë nisur për në Goli Otok, sepse siç dihet Goli Otoku është ishull, tokë e rrethuar në të gjitha anët me ujë. Atje nis një etapë e re për neve.
Si ka qenë një ditë e burgut në Goli Otok, prej mëngjesit deri në mëngjesin tjetër?
Zeqir Hajrizi:
Nga 24 orë ditë, 8 ishin punë e rëndë, me gur, sepse Goli Otoku është i tëri gurë. Ngriheshim herët, në ora 5 të mëngjesit, shkonim hanim mëngjes, në mënyrë që t’i përballonim punës. Pastaj niseshim në punë. Kishim gjysmë ore rrugë deri në vendin e punës.
Çka punonit në gurishte?
Zeqir Hajrizi:
Ka pasur grupe që kanë thyer gurë të mëdhenj, që kanë nxjerrë gurë, kanë bartur gurë deri te makina, e cila pastaj i përpunonte dhe nxirrte pllaka. Edhe kur kishte gurë të mjaftueshëm, na detyronin të bartnim prej një vendi në tjetrin, thjeshtë vetëm që të na mundonin. Kur ndonjë të burgosuri i bëhej dora varrë nga bartja e gurëve me lese, i venin një litar në qafë, derisa edhe qafa i bëhej tërë gjak. Pastaj fillonte bartja me duar sërish.
Me të burgosur të kombësive të tjera, kroatë, serbë, a keni pasur lidhje?
Zeqir Hajrizi:
Me kroatët po, kemi pasur diçka të përbashkët. Kurse me serbët jo. Kroatët kanë bërë përpjekje të lidheshin me ne, por edhe ne kemi bërë përpjekje të lidhemi me ta.
Do të thotë kishte të burgosur politikë kroatë?
Zeqir Hajrizi:
Po si jo, sidomos ushtarakë të lartë të Jugosllavisë.
A mund të kujtoni ndonjë përvojë nga këto lidhje bashkëpunimi?
Zeqir Hajrizi:
Në Burgun e Goli Otokut ka qenë njëfarë Danqeviqi, ushtarak i lartë kroat. Atë e kanë mbajtur të izoluar. Nuk ka punuar fare. E cilësonin si të rrezikshëm. E lëshonin herë pas herë. Filloi të afrohet me neve, na tregonte për veprimtarinë e tij, ne i tregonim për tonën. Të dy palët dilnim armiq të Jugosllavisë. U patëm marrë vesh që kur të lirohem nga burgu, diku në Kroaci të vejë plisin e bardhë, të vijnë dhe të më gjejnë shokët e tij, për të shkuar pastaj në bazën e tyre. Mirëpo, duket se autoritetet e burgut nuhatën diçka, dhe para se të lirohem unë, e morën dhe e çuan në izolim Danqeviqin. Pas daljes nga burgu nuk pata lidhje dhe nuk kisha gjithaq besim.

Veterani i Lëvizjes sonë Kombëtare Zeqir Hajrizi, i cili kishte kaluar disa vite burg në kampin famëkeq të Goli Otokut.

………………………………………………………..

Pra plisin ta kishin sjell në burg?
Zeqir Hajrizi:
Po plisin e kërkova nga familja dhe ma sollën në burg me pako. Sidoqoftë nuk e vura.
A keni provuar të ikni nga burgu?
Zeqir Hajrizi:
Jo, nuk kam provuar, edhe pse në disa raste krijoheshin kushte të tilla. Përveç tetë orëve punë, punonim edhe tre orë punë, kinse vullnetarisht. Kështu kam punuar rreth dy vjet, pastaj refuzova. Dikur erdhën dhe na morën, mua, njëfarë Qazimin dhe njëfarë Miqkon, slloven ka qenë. Na pyetën se pse nuk po punojmë punë vullnetare. Iu thamë që këtu nuk kemi ardhur me vullnet tonin. Unë iu thashë që mjaft kam punuar vullnetarisht, pa kurrfarë dobie, ndërkohë që serbët e malazezët kishin favore. E pyesin Qazimin “pse nuk po punon vullnetarisht”, ky iu thotë se është i zënë. “Pse çfarë pune po bën ti?”, e pyesin ata. Ky iu thotë se po e mësonte gjuhën angleze. “Ti po dashke të shkosh në Angli, ë ?”. Edhe slloveni gjeti një arsyetim.
Vetëm ne të tre kishim refuzuar të bëjmë punë vullnetare, dhe na dënuan. Na çuan në një bodrum, tërë pluhur. Drejtor ka qenë njëfarë Nijazi Maloku, shqiptar, ka qenë njeri i zoti. Na çoi në zyrën e tij. Na pyeti se çfarë zanati punonim në burg. Unë i thashë latues, Qazimi murator, ndërkaq slloveni tha se punonte me dru. “Na paskeni ardhur si t’ju kishim porositur”, tha. Na çoi në njëfarë barake. Ai donte të na mbronte neve. Nuk ia prishte kush atij. Përgjegjësi shpesh na gjente fjetur.
Duke hulumtuar nëpër dërrasa, e gjetëm një barkë. I shkon mendja atij sllovenit, thotë i marrim do ushqime, i hipim barkës dhe ikim, dalim jashtë, unë marrë përgjegjësi për juve.
Mua më kishte mbetur edhe pak burg. Thashë unë s’do të vij, ju dilni, asnjë të keqe s’do ta keni nga unë. Edhe Qazimi u tërhoq. I ndihmuam sllovenit ta vendoste barkën në ujë, ka qenë barkë e gjatë. Iku. Filluan ta kërkojnë, na qitën edhe neve ta kërkojmë, por s’e gjetën.
Ju kur dolët nga burgu?
Zeqir Hajrizi:
Më 22 janar 1965, pasi kisha mbajtur katër vjet dënimi. Lirimi aq sa është gëzim, ka edhe anën tjetër, të hidhërimit. Sepse, e di që po lë në burg shokët me të cilët ke qëndruar një kohë të gjatë. E di se ku po mbesin. Ka qenë ndjenjë e përzier.
A e ka ditur familja se kur do të lirohesh, apo ka qenë befasi?
Zeqir Hajrizi:
Familjarët kanë dalë disa ditë rresht për të më pritur. Mirëpo ata më kanë vonuar pak, nuk e di pse. Kur kam hyrë në oborr, nëna ka qenë duke nxjerrë ujë nga bunari. U habit kur më pa dhe u përqafuam fort.
Në vitet e mëvonshme janë burgosur edhe anëtarë të tjerë të familjes suaj, për shkak të veprimtarisë së ngjashme me tuajën. Nipi juaj, Naser Hajrizi, si veprimtar ilegalë është vrarë në ballë të demonstratave të vitit 1981. Do të thotë ju e keni bartur atë frymë te vëllezërit dhe nipërit tuaj?
Zeqir Hajrizi:
Mund të kem ndikuar patjetër, por mbi të gjitha ata janë frymëzuar, janë edukuar dhe motivuar nga të njëjtat burime, sikur edhe unë.

Dëshmori i Kombit Naser Hajrizi.

*  *  *

LEXONI: NASER HAJRIZI, VEPRIMTAR I SHQUAR I LËVIZJES KOMBËTARE
Klikoni këtu: https://pashtriku.org/index.php?kat=46&shkrimi=214

………………………………………………………………………….

E përmendët ma herët qëllimin e organizatës, synimet e saj. Si e keni përjetuar luftën e UÇK-së?
Zeqir Hajrizi:
E kam përjetuar me kënaqësi shumë të madhe, si një fazë e pashmangshme dhe finale e lëvizjes kombëtare. Unë nuk mund të luftoja, por biri im ishte bërë herët luftëtar i UÇK-së. Burrat dhe gratë e UÇK-së e bënë atë që nuk arritëm ta bëjmë ne dekada më parë. Sidoqoftë, ende nuk është arritur e tëra për çka jemi përpjekur edhe ne. Qëllimi ynë final ka qenë bashkimi kombëtar.
A mendoni që do të arrihet kjo?
Zeqir Hajrizi:
Mendoj që do të marrë kohë. Tash ka ardhur një frymë e re, demokratike, integruese. Ka njerëz që punojnë për këtë synim, megjithëse s’do të jetë lehtë t’i dilet në krye.
Tash shqiptarët kanë dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën. Mendoni që është i domosdoshëm krijimi i një shteti të vetëm shqiptar?
Zeqir Hajrizi:
Ideja e bashkimit nuk do të vdesë kurrë.
Ju jetoni në Finlandë. Në kohën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës keni qenë protagonist nëpër gazeta finlandeze. Si është pritur në familjen tuaj dhe nga ju personalisht, dita e 17 shkurtit 2008?
Zeqir Hajrizi:
Shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008 është një akt i dytë i 28 nëntorit të vitit 1912, është ndreqje e një padrejtësie historike ndaj Kosovës, siç e tha me të drejtë presidenti Ahtisaari. Unë jetoj në Finlandën mike për shkaqe shëndetësore, por me mallin që më djeg për Kosovën time të dashur. Unë dhe pjesa e familjes sime këtu, sikur edhe shqiptarët e tjerë në Finlandë e kudo që ndodhen, e kemi kremtuar me gëzim e krenari ditën e madhe të Pavarësisë. Bashkë me ne janë gëzuar edhe shumë miq tanë finlandezë. Pavarësia e Kosovës është rezultat i shumë përpjekjeve, i shumë vuajtjeve, i gjakut dhe sakrificave të panumërta. Kosovën e ndihmuan edhe shumë miq në këto kohë vendimtare. Ta gëzoni pavarësinë, por Kosovës i duhet tash lufta për zhvillim dhe përparim. Kurrë nuk i dalim hakut Kosovës.
Zoti Hajrizi, ju faleminderit shumë për intervistën.
Zeqir Hajrizi:
Me nder qofshi dhe shëndet e suksese!

======================================

SOT, NË MOSHËN 72 VJEҪARE VDIQ VETERANI I LËVIZJES SONË KOMBËTARE – ZEQIR HAJRIZI
(Pashtriku.org, 10. 09. 2012) – Sot, në moshën 72 vjeçare vdiq në Malme të Suedisë, veterani i Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, i burgosuri politik i Goli Otokut famëkeq, Zeqir Hajrizi. Ai vuante nga një sëmundje e gjatë dhe e rëndë. Viteve të fundit po trajtohej në spitalet e Suedisë, ku iu bënë të gjitha shërbimet mjekësore, por pas një përkeqësimi të shpejtë, humbi vetëdijen dhe vdiq në qetësi. Zeqir Hajrizi, tërë jetën ia kushtoi çështjes së lirisë së Kosovës. Me shembullin e tij, ai inspiroi veprimtarë e luftëtarë, shumë prej të cilëve ranë dëshmorë në altarin e lirisë. Kufoma e të ndjerit pritet të sillet këto ditë në Kosovë, për t’u varrosur në Prishtinë. Zeqir Hajrizi ka lindur më 1940 në Strofc të Vushtrrisë, prej ku familja e tij ishte shpërngulur dhe tani jeton në Prishtinë.

(…)
Më gjerësisht: https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=722

……………………………………………………………..  

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura