ABDULLA MEHMETI: ORGANET DREJTUESE DHE UDHËHEQËSIT E PARË TË UNIVERSITETIT TË TETOVËS

Tetovë, 29. 06. 2015 – Kuvendi themelues i Universitetit të Tetovës u mbajt më 4 qershor 1994, ndërsa punimet e tij i udhëhoqi Kryesia e punës, në përbërje: Prof. Abdulla Mehmeti-organizator, Prof. dr. Fadil Sulejmani-kryesues, Prof. dr. Ali Vishko-anëtar, Prof. dr. Murtezan Ismaili-anëtar dhe Mr. Ruzhdi Lata-anëtar. Në Kuvendin themelues të Universitetit të Tetovës, i cili u mbajt në Kuvendin komunal të Tetovës, përveç tjerash u zgjodhën edhe organet e përkohshme të Universitetit, edhe atë: Kryesia e Universitetit, Këshilli i Universitetit dhe Komisionet amë të fakulteteve. Kryesinë e Universitetit e përbënin: Prof. dr. Fadil Sulejmani, Prof. dr. Murtezan Ismail dhe Prof. dr. Agni Dika.
Këshillin e Universitetit, prej 21 anëtarësh, e përbënin anëtarët e Komisioneve amë të fakulteteve, nga 3 anëtarë të secilit Komision amë të 7 fakulteteve të themeluar të Universitetit të Tetovës, edhe atë: Prof. dr. Rahmi Tuda, Prof. dr. Mahmud Hysa (Mr. Ismail Ahmedi), Mr. Nexhibe Palloshi, Prof. dr. Masar Kodra, Prof. dr. Avzi Mustafa, Prof. dr. Ali Vishko (Dr. Gjylimsere Ksapi), Mr. Musli Halimi, Mr. Abdulla Aliu, Mr. Petrit Pollozhani, Prof. dr. Bedri Kamberi, Prof. dr. Murat Murati, Mr. Nexhmedin Beadini, Adem Kastrati (piktor akademik), Miftar Memeti, (piktor akademik) Zijadin Ismaili (pedagog i muzikës), Prof. dr. Feti Mehdiu, Mr. Bari Aliu, Ef. Sulejman Rexhepi, Prof. dr. Tahir Zajazi, Prof. dr. Abdirauf Pruthi dhe Mr. Rrahim Ganiu. Koordinator i Këshillit të Universitetit, në mbledhjen e parë (konstituive) të Këshillit u zgjodh Prof. dr. Bedri Kamberi.


Pamje nga Kuvendi për themelimin e Universitetit të Tetovës, 4 qershor 1994.

Më 8 janar të vitit 1995, Këshilli i Universitetit, në zyrat e Partisë Demokratike Popullore, e mbajti mbledhjen e nëntë, në të cilën u zgjedhën organet e rregullta të Universitetit dhe të fakulteteve. Me këtë u pushoi mandati organeve të përkohshme të Universitetit, të zgjedhura nga Kuvendi themelues i Universitetit të Tetovës, ndërsa punën e mëtejme për udhëheqjen e këtij Universiteti do ta kryejnë organet e reja drejtuese, të zgjedhura në mënyrë demokratike e transparente dhe me procedurë të rregullt.
Mbledhjen e Këshillit të Universitetit e udhëhoqi Prof. dr. Fadil Sulejmani, i cili pasi konstatoi se në mbledhje ishin të pranishëm më tepër se gjysma e anëtarëve të Këshillit të Universitetit, e propozoi rendin e ditës, i cili u miratua njëzëri nga të pranishmit. Në mbledhje ishin të pranishëm edhe pjesëmarrës të tjerë, përfaqësues të partive politike dhe asociacione jopolitike shqiptare, si dhe punonjës shkencorë e veprimtarë të tjerë. Në mbledhje morën pjesë edhe përfaqësuesit e mjeteve të informimit në gjuhën shqipe. Kryesuesi i mbledhjes, pasi i njoftoi të pranishmit me disa çështje procedurale, hapi diskutime dhe pas kësaj u vendos që mandati i rektorit dhe prorektorëve të Universitetit, dekanëve dhe prodekanëve të fakulteteve të zgjatë 2 vjet, edhe pse pati propozime nga pjesëmarrësit që mandati i anëtarëve të zgjedhur të këtyre organeve të zgjasë katër vjet.

Në këtë mbledhje morën pjesë më tepër se gjysma e anëtarëve të Këshillit të Universitetit, 11 anëtarë nga gjithsej 21 anëtarë, të zgjedhur me mandat nga Kuvendi themelues i Universitetit të Tetovës, edhe atë: Prof. dr. Fadil Sulejmani, Prof. dr. Murtezan Ismaili, Prof. dr. Masar Kodra, Prof. dr. Rahmi Tuda, Prof. dr. Bedri Kamberi, Prof. dr. Murat Murati, Prof. dr. Tahir Zajazi, Mr. Petrit Pollozhani, Mr. Nexhbedin Beadini, Mr. Nexhibe Palloshi dhe Dr. Gjylimsere Kasapi, ndërsa pjesëmarrës të tjerë ishin edhe Prof. dr. Ramiz Abdyli, Prof. dr. Feti Mehdiu, Prof. dr. Isen Reçi, Dr. Sefedin Haruni, Prof. dr. Agni Dika, Mr. Vebi Xhemaili, Mr. Sadi Bexheti, Mr. Reshat Qahili, Mr. Kasamedin Abdullahi, Mr. Agim Shabani, Mr. Zehra Ajrullahi, Mr. Sheqibe Beadini, Mr. Sami Ibrahimi, Mr. Halim Purelku, Mr. Flora Sela-Kastrati, Mr. Mixhait Reçi, Prof. Ismail Hoxha, Qenan Sheji, Agim Amiti, Prof. Milaim Fejziu, Prof. Miftar Zyberi, gazetari Enver Shala dhe Iljaz Xhemaili.
Kjo mbledhje nuk i përfundoi punimet ashtu siç ishte paraparë, pasi në lokalet ku mbahej ajo ndërhynë forcat e policisë, të cilat, me urdhër nga lartë, e ndërprenë mbledhjen, i legjitimuan pjesëmarrësit, e konfiskuan një pjesë të materialeve për punën dhe aktivitetet e Universitetit, ndërsa më vonë edhe i arrestuan disa nga pjesëmarrësit e kësaj mbledhje.
Meqë policia dhe inspektorët e sigurimit kërkuan që mbledhja të ndërpritet menjëherë, pas një debati konstruktiv, Këshilli vendosi që ta vazhdojë mbledhjen në një lokal tjetër afarist në afërsi të selisë së Partisë Demokratike Popullore, në Tetovë.

Nga Kuvendi për themelimin e Universitetit në gjuhën shqipe në Maqedoni – Në vjeshtë – me Universitet në gjuhën shqipe, Enver Shala, Flaka e vëllazërimit, Shkup, 6 qershor 1994.

Pas një diskutimi të gjerë, Këshilli i Universitetit, në mbledhjen e mbajtur më 8 janar 1995, në bazë të nenit 8 të Aktit për themelimin e Universitetit, morri vendim për zgjedhjen e organeve të rregullta të Universitetit dhe të 6-të fakulteteve të tij.
Vendimet për organet drejtuese të Fakultetit Pedagogjik dhe të Fakultetit Teologjik-Shkencat Islame, u vendos të sillen më vonë, kur të plotësohen kushtet e parapara dhe të bëhen përgatitjet e nevojshme nga Komisionet amë të këtyre fakulteteve.
I. REKTORI DHE PROREKTORËT E UNIVERSITETIT
Rektor i parë i Universitetit të Tetovës u zgjodh Prof. dr. Fadil Sulejmani, ndërsa prorektorë: Prof. dr. Murtezan Ismaili dhe Dr. Sefedin Haruni, i cili pas disa muajsh dha dorëheqje, ndërsa prorektor u zgjodh Prof. dr. Agni Dika, i cili më herët e ushtroi detyrën e anëtarit të Kryesisë së Universitetit, nga data 4 qershor 1994 deri më 8 janar 1995.
II. DEKANËT DHE PRODEKANËT E FAKULTETEVE
Dekanë dhe prodekanë të parë u zgjodhën, sipas fakulteteve:
Fakulteti Filozofik: Dekan, Prof. dr. Masar Kodra, Prodekanë, Prof. dr. Ramiz Abdyli dhe Mr. Vebi Xhemaili;
Fakulteti Filologjik: Dekan, Prof. dr. Rahmi Tuda, Prodekanë (u.d.), Mr. Sami Ibrahimi dhe Mr. Nexhibe Palloshi;
Fakulteti Juridik: Dekan (u.d.), Mr. Abdulla Aliu, Prodekanë (u.d.), Mr Asllan Bilalli dhe Mr. Osman Kadriu;
Fakulteti Ekonomik: Dekan (u.d.), Dr. Beqir Zhuta, Prodekanë (u.d.), Mr. Mixhait Reçi dhe Mr. Shaban Prevalla;
Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore: Dekan, Prof. dr. Hisen Reçi, Prodekanë (u.d.), Mr. Nexhbedin Beadini dhe Mr. Sadi Bexheti;
Fakulteti i Arteve: Dekan, Ismail Hoxha, kompozitor, Prodekanë, Meli Zenku, piktor akademik dhe Miftar Mehmeti, piktor akademik.
III. KËSHILLI I REKTORATIT
Këshilli i Rektoratit përbëhej nga: Rektori, Prof. dr. Fadil Sulejmani, Prorektorët, Prof. dr. Murtezan Ismaili, Dr. Sefedin Haruni, Dekanët: Prof. dr. Masar Kodra, Prof. dr. Rahmi Tuda, Mr. Abdulla Aliu, Dr. Beqir Zhuta, Prof. dr. Hisen Reçi, Ismail Hoxha dhe Sekretari i përgjithshëm, Rufat Beadini.
IV. SENATI I UNIVERSITETIT
Në mbledhjen e Këshillit të Universitetit, më 8 janar 1995, u vendos që drejtuesit e zgjedhur të organeve të Universitetit, rektori, prorektorët, sekretari i përgjithshëm, dekanët dhe prodekanët e fakulteteve do ta përbëjnë Senatin e Universitetit të Tetovës.
Sipas kësaj, Senatin e parë të Universitetit të Tetovës e përbënin 22 anëtarë, edhe atë: Prof. dr. Fadil Sulejmani, Prof.dr. Murtezan Ismaili, Dr. Sefedin Haruni (Prof. dr. Agni Dika), Prof. dr. Masar Kodra, Prof. dr. Ramiz Abdyli, Mr. Vebi Xhemaili, Prof. dr Rahmi Tuda, Mr. Sami Ibrahimi, Mr. Nexhibe Palloshi, Mr. Abdulla Aliu, Mr Asllan Bilalli, Mr. Osman Kadriu, Dr. Beqir Zhuta, Mr. Mixhait Reçi, Mr. Shaban Prevalla, Prof. dr. Hisen Reçi, Mr. Nexhbedin Beadini, Mr. Sadi Bexheti, Ismail Hoxha, Meli Zenku, Miftar Mehmeti dhe Sekretari i përgjithshëm, Rufat Beadini, i cili u kooptua më vonë si anëtar i Senatit. Në mbledhjen e parë (konstituive) të Senatit, kryetar i tij u zgjodh Prof. Milaim Fejziu.
PËRFUNDIM
Në mbledhjen e Këshillit të Universitetit, të mbajtur më 8 janar 1995, disa nga drejtuesit e organeve të Universitetit të Tetovës, të zgjedhur me këtë rast në detyrë të dekanit dhe prodekanit, si Dr. Beqir Zhuta (nënkryetar i Qeverisë), Mr. Saban Prevalla (deputet i PPD-së) etj., nuk kanë qenë të pranishëm në këtë mbledhje, por udhëheqësit e Këshillit të Universitetit vendosën t’i emërojnë në këto detyra duke marrë parasysh se ata ishin bartës të funksioneve në Qeverinë dhe Parlamentin e asaj kohe të Republikës së Maqedonisë dhe me këtë veprim do të ,,futeshin në lojë” përfaqësuesit e partive politike shqiptare që ta ndihmojnë zgjidhjen e çështjes së arsimit të lartë në gjuhën shqipe dhe njohjen zyrtare të Universitetit të Tetovës. Në këtë frymë, gati në të gjitha mbledhjet e Kryesisë dhe të Këshillit të Universitetit janë ftuar përfaqësuesit shqiptarë në Qeverinë e asaj kohe, ministrat dhe zëvendësministrat, deputetët, kryetarët dhe drejtuesit tjerë të partive politike dhe asociacioneve jopolitike shqiptare. Po me këtë qëllim, disa mbledhje të Këshillit janë mbajtur në zyrat e partive politike, PPD-së dhe PDP-së, si dhe në hapësirat e Kuvendeve komunale, të Tetovës dhe të Gostivarit.

Një nga protestat për zyrtarizimin e Universitetit të Tetovës. 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura