ABDULLA MEHMETI: QEVERIA E MAQEDONISË E TOLERON DHE FSHEH HELMIMIN E QYTETARËVE TË POLLOGUT!

Tetovë, 03. 12. 2015: Tolerimi dhe fshehja i helmimit në Tetovë dhe rajonin e Pollogut nga qeveria aktuale e Republikës së Maqedonisë paraqet akt kriminel dhe të dënueshëm, sipas ligjeve dhe Kushtetutës së këtij vendi, si dhe në bazë të akteve ndërkombëtare për mbrojtjen e ambientit jetësor dhe qenieve njerëzore.
,,Ndotja e ajrit në Shkup dhe Tetovë është rezultat i kombinimit të shumë efekteve, e jo vetëm e industrisë. Pjesë më të madhe në ndotje ka ndotja me dru për ngrohje, sepse atje emisioni i grimcave është mjaft i madh”, vlerësoi sot zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike i Qeverisë së Maqedonisë, Vlladimir Peshevski, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, pas mbjelljes së fidanëve në një park në Gazi Babë të Shkupit, në kuadër të aksionit ,,Dita e drurit – mbille ardhmërinë tënde”, më 2 dhjetor 2015, raportojnë mediumet në gjuhën shqipe.
Kjo deklaratë është sa për të qeshur dhe për të qarë! Ky njeri sigurisht nuk ka informata të sakta se çka digjet, shkrihet ose përpunohet në këtë kombinat dhe çfarë gazesh helmues emitohen në qiellin e Pollogut nga kombinati Jugohrom! As vendosja e filtrave më nuk do ta shpëtojnë Jugohromin nga mbyllja, sepse përmes tyre niveli i ndotjes zvogëlohet vetëm për 30 %, ndërsa dihet që edhe kjo sasi është tepër e rrezikshme për shëndetin e 500 mijë banorëve të Pollogut. Përveç kësaj, besimi është humbur plotësisht në udhëheqjen e këtij kombinati dhe në qeverinë aktuale, e cila ka toleruar helmimin e këtyre banorëve vite me radhë, sikur të ishin një kope e parëndësishme bagëtie, jo qenie njerëzore dhe banorë të këtij shteti, për të cilin kontribuojnë dhe të cilit i paguajnë tatime.

Sa për informimin e drejtë të qytetarëve:
1. Gjatë verës nuk përdoret ngrohje me dru, ndërsa helmimi e kalon nivelin e normales dhjetëfish e më tepër edhe gjatë sezonit të verës, që dëshmon se helmuesi kryesor në Tetovë dhe rajonin e Pollogut është kombinati Jugohrom;
2. Gjatë natës, ka qarkullim tepër të kufizuar të automjeteve, kurse pikërisht gjatë natës emitohen sasi më të mëdha të gazit helmues nga kombinati Jugohrom;
3. Gjatë ditëve kur nuk punon kombinati Jugohrom, për shkaqe të procesit të punës, komunikacioni zhvillohet normalisht, edhe ngrohja gjatë dimrit bëhet në mënyrë normale, por asnjëherë nuk ka ndodhur që gjatë atyre ditëve të ketë helmim të ajrit në këtë rajon, ndërsa niveli i pranisë së grimcave kancerogjene PM10 bie në nivel të tolerueshëm, prej 35%;
4. Gazrat që lirohen nga makinat, djegiet e mbeturinave, djegia e druve për ngrohje dhe ndotës të tjerë, ngrihen në qiell, sepse janë gazra të lehtë dhe nuk janë gazra të rëndë me prani të grimcave PM10, që emiton vetëm kombinati Jugohrom;
5. Asnjë ndotës tjetër, përveç kombinatit Jugohrom nuk lëshon 30 ton pluhur helmues në ditë në qiellin e Pollogut;
6. Asnjëherë për njerëzit normal nuk mund të pranohet vënia e paraleles mes Tetovës dhe qyteteve të tjera, sepse shkalla e ndotjes në asnjë qytet tjetër nuk është e përhershme dhe me sasi të njëjtë si në Tetovë e rrethinë. Vetëm Shkupi nganjëherë përfshihet nga valët e këtij helmimi, duke pasur parasysh se një pjesë të këtyre gazrave i bart era përmes grykës së Vardarit dhe grykës së Dervenit në drejtim të Shkupit dhe qyteteve të tjera në jug të Maqedonisë.
7. Në asnjë qytet tjetër nuk është regjistruar shkallë e lartë e vdekshmërisë nga kanceri si në Tetovë e rrethinë;
8. Në asnjë qytet tjetër nuk janë regjistruar kaq shumë aborte brenda një viti, sa janë regjistruar në Tetovë;
9. Në asnjë qytet tjetër nuk janë evidentuar me mijëra çifte të reja të ankohen nga steriliteti për lindje të fëmijëve, si në Tetovë;
10. Në asnjë rajon tjetër të vendit dhe të botës nuk janë evidentuar kaq shumë lloje të florës dhe faunës në zhdukje e sipër, ose veç më të zhdukura përgjithmonë;
11. Ka edhe njëmijë arsye të tjera për ta kundërshtuar qëndrimin e përfaqësuesve të qeverisë aktuale të Maqedonisë se burimi i kryesor i helmimit në Pollog është kombinati Jugohrom.

Kjo qeveri dhe cila do qeveri e ardhshme le ta ketë të qartë se, JUGOHROMI DO TË MBYLLET, PO SE PO, POR NUK DO TË LEJOHET FUNKSIONIMI I ASNJË FABRIKE TJETËR E KËTIJ LLOJI DHE ME KËTË NIVEL TË NDOTJES, NË RAJONIN E POLLOGUT! Nëse qeveritarët e sotëm mendojnë se shqiptarët hanë barë, këtë e kanë gabim, se barë mund të hanë vetëm ata që janë bashkëmendimtarë të tyre, jo i gjithë populli i rajonit të Pollogut!
Abdulla Mehmeti – Tetovë, 3 dhjetor 2015

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura