ABDULLA MEHMETI: RËNDËSIA HISTORIKE E MBLEDHJES SË 14 MAJIT 1994 PËR THEMELIMIN E UNIVERSITETIT TË TETOVËS

Tetovë, 09. 01. 2014: Në publikimin me titull: ,,Universiteti i Tetovës – 3 vjet” (1994-1997), botim special i Universitetit të Tetovës, me rastin e 3 vjetorit të themelimit, Tetovë 1997, f. 10, thuhet: ,,Intelektualët shqiptarë nga Maqedonia, duke parë këtë gjendje tejet të rëndë të arsimit shqip në këtë vend dhe nevojën jetike të krijimit të kuadrit arsimor, kulturor dhe teknik për shkollat shqipe, infrastrukturën dhe në tërësi ekonominë shqiptare, ata me 14 maj 1994 mbajtën Mbledhjen e Këshillit Nismëtar dhe shqyrtuan mundësinë e ngritjes së iniciativës për themelimin e një Universiteti në Maqedoninë Perëndimore, i cili do të ishte një kusht vendimtar për ngritjen e nivelit arsimor dhe ekonomik edhe të këtij rajoni të lënë pas dore nga pushteti maqedonas, meqë banohet kryesisht prej shqiptarëve, dhe të barazimit të tij në një rrafsh me pjesët e tjera të Maqedonisë të banuar kryesisht me maqedonas.

Kryetari i Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni, Abdulla Mehmeti, Dr. Fadil Sulejmani dhe delegatë të tjerë, nga Kuvendi për themelimin e Universitetit të Tetovës, më 4 qershor 1994, në sallën solemne të Kuvendit komunal të Tetovës, ku i zhvilloi punimet ky Kuvend.
U pa se shqiptarët kanë vullnet për arsimim, e duan Universitetin, kanë studentë dhe kuadro universitare të mjaftueshme për start, si dhe mundësi ekonomike për ta përmbajtur vetë Universitetin, po qe se në fillim nuk do ta financonte atë Qeveria e Maqedonisë.” (Shih foton nr. 1.)

SQARIM: Këtu dhe në shumë shkrime të tjera, si dhe në disa intervista të asaj kohe të dhëna nga udhëheqësit e Universitetit të Tetovës, të publikuara më herët dhe më vonë, të cilat kanë po të njëjtën përmbajtje, nuk saktësohet vendi ku është mbajtur ky takim, kush e ka organizuar atë, cilët kanë qenë pjesëmarrës, as qëllimi i vërtetë i këtij takimi, siç quhet ,,mbledhje e Këshillit nismëtar…”. Në të gjitha shkrimet që e përmendin këtë datë si nismë për themelimin e Universiteti të Tetovës, vetëm data është e saktë. Në bazë të shënimeve autentike të po kësaj date, 14 maj 1994, jap këto sqarime:
DËSHMI: Më 14 maj 1994 (dita e shtunë), është mbajtur takimi konsultativ me një grup intelektualësh, në sallën e vogël të Kuvendit komunal të Tetovës, me fillim në orën 11. Tema e kësaj konsulte ka qenë veprimtaria shkencore dhe botimet shkencore në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë (shih foton nr. 2.). Në këtë mbledhje konsultative kanë marrë pjesë: Dr. Ali Vishko, Dr. Fadil Sulejmani, Dr. Murtezan Ismaili, Dr. Rahmi Tuda, Kadir Shabani, Ejup Mahmuti dhe intelektualë të tjerë.

Po këtë ditë, më 14 maj 1994, me fillim në orën 14:00, është mbajtur edhe mbledhje e rregullt e Këshillit organizativ të BKSH-së për shënimin e 150 vjetorit të Kryengritjes së Dervish Carës. Pas përfundimit të kësaj mbledhje është biseduar edhe në lidhje me përgatitjet e nevojshme për mbajtjen e Kuvendit për themelimin e Universitetit Shqiptar në Maqedoni, të cilat kishin filluar disa muaj më parë dhe sipas parashikimeve pritej që në fund të muajit maj ose në fillim të muajit qershor të mbahej ky Kuvend. Bisedat në lidhje me aktivitetet përgatitore për themelimin e Universitetit i zhvillonim si zakonisht pas mbledhjeve të rregullta të Këshillave për organizimin e manifestimeve që duhej të mbaheshin gjatë muajve të parë të këtij viti (1994), me qëllim të mbajtjes në fshehtësi të detajeve, që të mos pengohen nga pushteti aktivitetet e mëtejme për themelimin e Universitetit të Tetovës.
Dr. Fadil Sulejmani dhe Dr. Rahmi Tuda, atë ditë kishin ardhur në Tetovë për të marrë pjesë në takimin që u organizua në lidhje me veprimtarinë shkencore, konsultën e mbajtur në Kuvendin komunal të Tetovës, për botimet shkencore në gjuhën shqipe dhe kërkimet shkencore të planifikuara nga BKSH. Ata, kryesisht ishin të interesuar për botimin e veprave të tyre shkencore në dorëshkrim dhe mundësisht për angazhimin në projektet kërkimore-shkencore që planifikonte BKSH gjatë vitit në vijim, meqë aktualisht ishin të paangazhuar, për shkak të pushtimit të dhunshëm të institucioneve arsimore dhe shkencore të Kosovës nga pushteti serb, ku kishin qenë të punësuar më herët. Për herë të parë në këtë takim, Dr. Fadil Sulejmani dhe Dr. Rahmi Tuda janë njoftuar me iniciativën dhe aktivitetet për themelimin e Universitetit të Tetovës (atëherë bisedohej për Universitetin Shqiptar në Maqedoni), dhe nga kjo ditë ata iu bashkëngjitën kësaj iniciative dhe u bënë pjesë e pandarë e saj deri në arritjen e qëllimit final. Nga mbledhja konsultative në Kuvendin komunal të Tetovës, Dr. Fadil Sulejmani dhe Dr. Rahmi Tuda erdhën edhe në mbledhjen e Këshillit organizues, në orën 14:00, dhe sipas shënime të ruajtura në Arkivin e BKSH-së, Dr. Fadil Sulejmani ka marrë pjesë edhe në mbledhjet tjera të këtij Këshilli, më 20 dhe 30 maj, ku është biseduar edhe për mbarëvajtjen e punëve në lidhje me themelimin e Universitetit të Tetovës. Më 20 maj, në katin përdhes të objektit ku mbaheshin këto mbledhje, në zyrën e shtypshkronjës ,,Luma” janë shtypur dhe shumuar ftesat për pjesëmarrësit në Kuvendin themelues të Universitetit të Tetovës, më 4 qershor 1994.
Mbledhja e Këshillit organizativ për shënimin e 150 vjetorit të Kryengritjes së Dervish Carës, e datës 14 maj, është mbajtur në njërën nga sallat në katit të dytë, në objektin ku ishte selia e PPD-së, dhe selia e mëpastajshme e PPDSH-së, të cilën e shfrytëzonin atë kohë asociacionet jopolitike që vepronin në Tetovë. Këtë mbledhje e ka udhëhequr Dr. Ali Vishko, kryetar i Këshillit organizues për shënimin e 150 vjetorit të Kryengritjes së Dervish Carës dhe njëri nga bashkëpunëtorët për organizimin e Kuvendit për themelimin e Universitet të Tetovës, si dhe Dr. Murtezan Ismaili, njëri nga bashkëpunëtorët e ngushtë që nga ditët e para në iniciativën për themelimin e Universitetit të Tetovës. Dr. Fadil Sulejmani ka qenë kryetar i përkohshëm i BKSH-së, nga themelimi i saj, më 19 gusht 1990 deri në vitin 1991 (i tërhequr në fund të vitit 1991 nga BKSH-ja për shkaqe personale. Përndryshe ka qenë shoku im shumë i afërt dhe në lidhje të ngushtë familjare me dajallarët e mi), ndërsa Kadir Shabani dhe Ejup Mahmuti atë kohë kanë qenë anëtarë të Kryesisë së BKSH-së. Në këtë takim është biseduar për mbajtjen e një takimi paraprak me intelektualët shqiptarë nga Maqedonia, me thirrje shkencore doktorë dhe magjistra të shkencave, për modalitetet e organizimit të Kuvendit themelues të Universitetit të Tetovës, vendin e mbajtjes së punimeve të këtij Kuvendi, datën e mundshme, strategjinë e mëtejshme dhe çështje të tjera.

Nga shënimet e mbajtura për nevojat e mija si kryetar i BKSH-së, si nga të gjitha aktivitetet dhe takimet tjera (shih foton nr. 3), në bazë të së cilave janë mbështetur aktivitetet e mëtejshme dhe janë sjellë vendimet e nevojshme, shihet që kam lënë takime gjatë javës në vazhdim, edhe atë: takimin me Dr. Fadil Sulejmanin, në restorantin ,,Vatra” në Çarshi të Epërme, në Tetovë, më 19 maj 1994 (dita e enjte), në orën 17:00), dhe me Dr. Murezan Ismailin, në restorantin ,,Gura”, më 18 maj 1994 (dita e mërkurë), në orën 16:00, në lidhje me aktivitetet e mëtejshme, ndërsa me Dr. Murtezan Ismailin jam konsultuar sidomos për plotësimin e listës së pjesëmarrësve në Kuvendin për themelimin e Universitetit të Tetovës dhe mundësitë e angazhimit të këtij kuadri në veprimtarinë arsimore dhe shkencore të Universitetit që pritej ta themelonim. Në këtë takim kemi sjellë përfundime, edhe atë: që themelimi i Universitetit të bëhet në Kuvendin komunal të Tetovës, të ftohen përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike dhe jopolitike shqiptare, të gjithë intelektualët shqiptarë nga Maqedonia me thirrje shkencore, si dhe për çështje të tjera organizative dhe teknike të këtij Kuvendi. Në këtë takim, përveç tjerash, Dr. Ali Vishko si mundësi alternative propozoi që ky Kuvend të mbahet të lokalet e Këshillit të Bashkësisë Islame në Tetovë, në sallën e Xhamisë së vjetër të qytetit, në rast se nuk na jepet leja nga autoritetet e komunës për mbajtjen e kij Kuvendi në sallën solemne të Kuvendit komunal. Dr. Rahmi Tuda, siç shihet në këto shënime, ma ka lënë një numër telefoni për kontakt dhe një emër kandidati (z. Flora Sela-Kastrati), për ta përfshirë në Listën e kuadrove për nevojat e Universitetit, ku është shënuar edhe emri i një personi tjetër me thirrje shkencore (Mr. Ejup Selmani), për kuadër të mundshëm në veprimtarinë e mëvonshme arsimore të Universitetit. Në këto shënime përmendet edhe ,,lista ime”, që është dëshmi se deri në këtë kohë është punuar në lidhje me iniciativën për hapjen e Universitetit dhe se kjo iniciativë nuk fillon nga ky takim dhe nga kjo datë. Iniciativa daton shumë më herët, që nga themelimi i BKSH-së dhe përcaktimet programore të kësaj organizate (shih foton nr. 4, pjesë e Procesverbalit nga mbledhja e rregullt e Kryesisë së BKSH-së, e datës 19.07.1991, foto nr. 4), sidomos me përgatitjet intensive gjatë vitit 1993, pas regjistrimit të kësaj organizate në regjistrin e subjekteve juridike, sidomos pas takimeve të realizuara me Komisionin amë për hapjen e Fakultetit Pedagogjik në kuadër të Universitetit të Shkupit, me qëllim të ,,thyerjes” së këtij koncepti, gjatë muajve të fundit të vitit 1993.

Kurse zyrtarisht, këto aktivitete janë intensifikuar gjatë muajve të parë të vitit 1994, me miratimin e Platformën për hapjen e Universitetit Shqiptar në Maqedoni, në muajin janar, dhe Vendimit për zbatimin e kësaj Platforme, nr. 02-7/1, të datës 1 shkurt 1994, si dhe me shkresën zyrtare drejtuar Komisionit amë për hapjen e Fakultetit Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe, në kuadër të Universitetit ,,Shën Kirili dhe Metodi”, në Shkup, të datës 20 janar 1994 (shih foton nr. 5).

Ndërsa për njoftimin e opinionit me iniciativën e ndërmarrë nga BKSH për këtë ndërmarrje me rëndësi të veçantë kombëtare, është miratuar dhe publikuar Komunikata e Kryesisë së BKSH-së, e botuar në gazetën ,,Flaka”, në Shkup dhe gazetën ,,Rilindja” në Tiranë (shih foton nr. 6), më 2 mars 1994*.

Të gjitha këto aktivitete janë ndërmarrë së paku 6 (gjashtë) muaj më herët nga data 14 maj 1994, e cila nga drejtuesit e Universitetit dhe nga disa studiues është konsideruar si data më e hershme e ngritjes së iniciativës për hapjen e Universitetit të Tetovës.
Sa për informimin më të plotë të lexuesve dhe studiuesve të ardhshëm që do të merren me këtë çështje, shkëputim një pjesë të intervistës së Prof. Dr. Agim Vincës (shih foton nr. 7), pjesëmarrës në Kuvendin për themelimin e Universitetit të Tetovës, më 4 qershor 1994, nga vepra e tij ,,ARTI I REAGIMIT”, Prishtinë 2011, f. 147, ku mes tjerash thotë: ,,Bashkësia Kulturore Shqiptare, e cila, me sa di unë, e para e ka ngritur idenë e universitetit shqiptar në Maqedoni dhe e kishte marrë iniciativën për mbajtjen e atij kuvendi…”

Motivet për këtë shtrembërim të fakteve duhet të kërkohen në dëshirën për ,,famë personale” të drejtuesve të atëhershëm të Universitetit dhe ,,ikjen nga kontrolli” nga ana e themeluesit të tij, Bashkësisë Kulturore Shqiptare, dhe sigurisht edhe nga mundësia e ,,bartjes së përgjegjësisë eventuale”, në rast të shkeljes së dispozitave të Platformës për hapjen e Universitetit Shqiptar, përpara Kuvendit që i kishte emëruar dhe subjektit i cili i kishte ngarkuar me këtë detyrë me përgjegjësi të lartë shoqërore dhe kombëtare.
*) Materialet janë marrë nga Arkivi i Bashkësisë Kulturore Shqiptare, me seli në Tetovë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura