Pashtriku.org, 18. 10. 2104: Vera Shkurti është me të vërtetë një Rilindëse e Gjuhës Shqipe, një Rilindëse e kohës sonë. Gjashtë ditë në Tinos, ishullin e bukur të Cikladheve të Egjeut, ditë mes shqiptarësh gjuhëdashës, mes fëmijëve në atë klasë të thjeshtë marrë nga Bashkia pas një përkushtimi heroik, udhëtimeve anekënd ishullit, më krijuan bindjen për Verën si një njeri që në shpirt e në zemër ka Gjuhën Shqipe. Jo për vete, por për fëmijët shqiptarë që i sheh tek rriten pa gjuhën e nënës, pa të tridhjetë e gjashtë shkronjat e Kongresit të Manastirit. Isha i pranishëm kur vetë e katërta krijuan “Këshillin e mësuesve të gjuhës shqipe të Tinosit”. Isha me të kur udhëtuam në Siros, kur shtroi atje mes shqiptarëve nevojën e mësimit të gjuhës shqipe, kur Parashqevia, një aktiviste e palodhur shqiptare i mbylli takim të nesërmen me nënkryetarin e bashkisë së Sirosit dhe kur ajo, për të mos humbur këtë rast të artë, dogji biletën e kthimit për të marrë drejtpërdrejt premtimin e madh, lejen për shkollimin shqip të fëmijëve të ishullit… Për to, dhe të tjera, në një cikël të gjatë shkrimesh në numrat e ardhshëm… Ndrec Nue Gjoka, heroi i shkollës shqipe në fshatrat e thellë të Mirditës në “30 shkollat”, pas vetes kishte ndihmën e shtetit… Vera Shkurti e mori gjuhën e bukur shqipe nga malet e lartë të Shqipërisë për ta zbritur në ishujt e largët të Greqisë… Krahasimet le ti bëjë lexuesi pasi të lexojë bisedën time me mësuesen shqiptare në ishullin e Tinosit…Për mua ajo është me të vërtetë një “ Rilindëse e vërtetë e Gjuhës Shqipe”, një “Rilindëse e kohës sonë” – pagëzim ky i Dritëroit të Madh të letrave shqipe… Abdurahim Ashiku – Tinos 24 maj 2012.
NJË FLETË NGA JETA…
Kam ardhur në Greqi më 17 gusht të vitit 1994 duke shfrytëzuar një “vulë” që autoritetet greke që u jepnin shqiptarëve për dalje-hyrje në ditë festash e pushimesh. Në fillim u ndalëm tek një kushëri në Athinë e më pas në Keratea ku, pasi mbaroi rrushi e ullinjtë, u përballëm me dilemën e të papunit: ”Të qëndrojmë apo të ikim” si në dilemën hamletiane “Të jesh apo mos të jesh”. Një çift grek na mori e na solli në Tinos. Ishte janar 1995. Ndenjëm 6 muaj në një fshat lart pastaj zbritëm në qytet. Kujdesesha për një grua të moshuar, bashkëjetonim me të familjarisht. Më pas kam punuar ndihmëse shtëpiake… Në gusht mbush 18 vjet në Greqi. Kam një vajzë, Kristiana, studente e juridikut dhe një djalë, Angjelon, në shkollën qytetëse.
– Mësuesja Vera Shkurti –
DËSHIRA E MADHE PËR SHKOLLËN SHQIPE…
Nuk ishte vetëm dëshirë dhe nuk ishte as dëshira profesionale të ushtroja profesionin e mësuesit. E ndjeja detyrë dhe këtë e them me plot bindje. E ndjeja detyrë si mësuese që isha. Ndoshta në atë periudhë të jetës time, kur kam mbaruar universitetin apo shkollën pedagogjike, nuk kemi bërë ndonjë betim që të jemi mësues në shërbim të atdheut në kuptimin fanatik të fjalës, por ajo ishte e nënkuptueshme. Përderisa të jepej e drejta të ushtroje profesionin e mësuesit, ishe mësuese. Ishe mësuese të mësoje fëmijët. Ushtrimi i profesionit ato kohë ishte çështje e ministrisë së arsimit. Këtu në Greqi ndryshon çështja. Nuk është e njëjta, ka tjetër karakter. Ka në të vërtetë karakter patriotik sepse ka të bëjë me kombin, me kulturën kombëtare. Jemi një komunitet i tërë shqiptarësh. Themi se jemi këtu në Tinos 2000 shqiptarë. Vit për vit shikoja që numri i fëmijëve po shtohej. Fëmijët e mi u rritën. Vajza e madhe u rrit. Ia mësova shqipen në mënyrë shtëpiake, bashkë, por nuk mund të them se vajzës i kam dhënë njohuritë e plota gjuhësore. Se di të lexojë, se di të shkruajë, se di disa gjera për figurat historike të kombit shqiptar, them që i di. Ama nuk ka kulturën e gjuhës shqipe. Këtë doja ta realizoja tek djali që po rritej. Para 4 vjetësh këtu ke lagjja ku banoj mblodha fëmijët; Alesion, Angjelon, Bionën… pashë që kishin dëshirë. Më thërrisnin që poshtë shtëpisë:
“Mësuese kur do të mblidhemi?”.
Për fatin e mirë vajza kishte ikur në universitet. Në 2008 Kristiana shkoi në universitet në Komotini dhe dhoma e saj lart ishte bosh. I mblidhja tek dhoma. Vajza kishte një tavolinë të madhe. Në fillim vizatuam flamurin, shkronjat. Pashë që kishin dëshirë por nuk më pëlqente forma, nuk më pëlqente mënyra, jo ilegale se nuk ishte ilegale, nuk mund të na ndalonte njeri të mësonim gjuhën shqipe. Por pse mos ta merrnin vesh se po mësohej gjuha shqipe? Një e drejta jonë nuk ishte? Nuk kishte nivel pedagogjik një orë e tillë. Grumbulloheshim si dikur në shekullin e 19-të. Pse duhet të ishim kaq mbrapa? Të ishim në vitet 2000 dhe të jetonim situata sikur ishim dy shekuj të shkuar? Ishte diçka që nuk lidhej me të sotmen. E ndërpreva, nuk më pëlqeu. Sado që kishin dëshirë mësuan diçka.
E pashë që kishte interesim. Atëherë thash ta bëj ndryshe, do ta bëj më dinjitoze orën e mësimit përderisa shqiptarët përbëjnë një numër të madh. E shikoja që në shkollat greke, si te njëshi si tek dyshi, numri i fëmijëve sa vinte e shtoheshin dhe kishte shumë fëmijë shqiptarë . Mendova që të vë në dijeni opinionin, jo thjesht opinionin qytetar por autoritetet vendëse. A është e drejta jonë të mësojmë gjuhën shqipe? Unë mësuese nuk jam? Ekzistojnë fëmijë shqiptarë? Gjuha jonë mëmë është gjuha shqipe? Atëherë pse mos ta mësojmë? Unë e dija shumë mirë që grekët në të gjitha shtetet ku kanë emigruar kanë hapur shkollat në gjuhën greke. Mora kurajë duke u nisur nga të gjitha këto.
Të them të drejtën, kisha dëgjuar që ishin hapur shkolla shqipe. Se si ishin hapur, në çfarë forme ishin hapur nga ana administrative të them të drejtën nuk e dija
E nisa thjesht me nismën time, me bindjet personale, qytetare, e udhëhequr nga ndjenjat atdhetare. Thashë do të shkoj ta bisedoj me autoritetet vendase. Nuk kemi pse të mblidhemi fshehurazi, në mënyrë pak a shumë ilegale, nuk më pëlqente. Në radhë të parë e ndjeja detyrë të vija në dijeni që ne këtu do të organizojmë mësimin e gjuhës shqipe. E ndjeja për detyrë sepse jemi në një vend tjetër ku duhet të respektojmë edhe normat, edhe ligjet e vendit. E kisha diskutuar edhe me shoqet e mia, me Artën dhe me Valentinën. U thashë se unë do të hap shkollën shqipe, do mundohem ta organizoj. Rrugët i kisha menduar me veten time.
TAKIM ME KRYETARIN E BASHKISË…
Një ditë vjeshte shkollat filluan. Koha ecte. Më vriste që kishim humbur shumë kohë. Mendova se tani është momenti, më tutje nuk mban ujë, kur themi, pilafi. Shkova në bashki, takova sekretaren. Takova në një çast pune kryetarin e bashkisë dhe i kërkova takim në zyrë. Një ditë, nëntor duhet të ketë qenë, 13 apo 15 nëntor, u takova me të. Më priti shumë mirë. Ndoshta mendonte se unë shkova për ndonjë çështje personale. E përgëzova për fitoren në zgjedhje, i urova suksese. I thashë se nuk kam ardhur për ndonjë gjë vetjake. I thashë se vajza ime është studente e juridikut, djali është nxënës në shkollën nr. 1, nxënës shumë i mirë, vetë jam në marrëdhënie pune. Problemi nuk lidhet me mua por me dhjetëra fëmijë shqiptarë që mësojnë në shkollat greke të cilët nuk dinë gjuhën e mëmës, nuk dinë të flasin shqip siç duhet, saktë, nuk dinë si shkruhen shkronjat e alfabetit shqip. I thashë se e ndjej detyrë organizimin e gjuhës shqipe por duam edhe ndihmën tuaj. Dua të më jepni një klasë që mësimi të organizohet në ambientet shkollore atje ku ata mësojnë greqisht, marrin kulturën e gjerë. Atje, pse jo, të mësojnë edhe gjuhën e tyre mëmë…
Më dëgjoi me shumë vëmendje, nuk më kundërshtoi. Pas fjalëve të mia më tha se që tani nga ana ime e ke fjalën PO veçse duhet të bësh një kërkesë drejtuar këshillit bashkiak, të aprovohet nga këshilli dhe do të japim një klasë. Nuk e mohoj se isha shumë entuziaste, nuk e mohoj që më befasoi. Prisja edhe fjalën që mund të më thoshte “Veronika duhet të bisedojmë, duhet të marrë mendim këshilli, të pyesim më lart, nuk e dimë se si bëhet.” Nuk më nxori pengesa, më tha PO. Më gëzoi jashtë mase. Atëherë unë duhet të merresha me anën organizative. Nga ana administrative çështja do të merrte rrugë nga pushtetarët vendas. Mua më duhej të merresha me prindërit shqiptarë, me nxënësit pasi prej kaq kohësh ne kishim qenë në gjumë. Thoshim “fëmijët venë në shkollë, shkojnë edhe në universitete” dhe kënaqeshim. Ky ishte opinioni i shqiptarëve dhe nuk isha i sigurt se ato do të më mbështesnin.
Megjithatë kisha bërë një plan në vetvete. Kisha regjistruar që nga fëmija im, i Artës, fëmijët e lagjes. Me një llogari timen bëja 13 fëmijë. Bëra menjëherë listën.
Më njoftuan se duhet të isha në mbledhjen e këshillit bashkiak që zhvillohet nga data 20 janar 2012 për të qenë e pranishme në diskutimin e një prej çështjeve të ditës, atë të gjuhës shqipe.
Shkova. U lexua kërkesa ime. Për fatin e mirë si kryetari i bashkisë ashtu edhe nënkryetari, një njeri me shumë kulturë, i cili jo vetëm që e lexoi me shumë seriozitet kërkesën por shtoi se këtë problem të shqiptarëve që jetojnë sot për gjuhën e tyre mëmë e patëm ne në emigracionin e pas viteve ’50-të. Është një plagë shoqërore që e kemi kaluar prandaj do të japim mirëkuptim komunitetit shqiptar, ta ndihmojmë. Fjala e tij pati rëndësi por edhe e të tjerëve.
Nuk pati asnjë kundërshtim apo vërejtje. U miratua njëzëri.
Kjo ishte një fitore e madhe për gjuhën shqipe dhe për mua. Më priste një punë e madhe organizative. Numri 13 më dukej pak. E dija që fëmijë shqiptarë kishte më shumë dhe doja që pjesëmarrja të ishte më masive. Kjo edhe për ti dhënë të kuptonte opinionit vendas se ne shqiptarët jo vetëm jemi njerëz të punës por jemi edhe atdhedashës, gjuhëdashës, kemi edhe ne kulturën tonë. Këtë e vlerësojmë dhe vlerësimi matet me pjesëmarrjen.
Për të realizuar këtë bëra takim me disa shqiptarë që kishin autoritet dhe aftësi organizative dhe ndjenja të theksuara patriotike. I vura në dijeni për vendimin e bashkisë dhe u kërkova që të sigurojmë pjesëmarrje sa më të madhe.
Punuam. Muaji mars ka qenë muaj sulmi, pune me të vërtetë patriotike e të gjithëve. Kudo që shkoja, këdo që takoja më thoshin “Të lumtë…!”, “Sa mirë”!, “Ndihmën tonë e ke!”, “Do ti biem fëmijët bile edhe të tjerët do punojmë që t’i bien”. Unë vërtet trokita në dyert e patriotëve dhe të njohurve të mi në lagjen time por duhet ta zgjeroja më tej. Vajta derë më derë dhe u thashë, u shpërndave edhe fletë ku kisha shkruar arsyet e mia pse duhet ti sillnin fëmijët në shkollën shqipe.
Patëm disa pengesa sepse duhet të kalonim në një tjetër vendim, atë të drejtorëve të shkollës që duhet të më jepnin një klasë. Edhe ata kishin kompetencat e tyre. Drejtori i shkollës nr. 2 e dha klasën, një klasë jashtë oborrit të shkollës por që është mjedis që bashkia paguan qira. Kjo gjë mua më interesonte sepse doja të ishte pak larg oborrit të shkollës. Kaluam disa pengesa burokratike administrative. Duhet të merrej leje nga dega e ministrisë së arsimit rajonal e Sirosit. Për fat të mirë inspektorja e arsimit u ndodh në Tinos dhe u morën një ditë të tërë me dokumentacionin tim derisa e a miratuan. Nuk ishte aq e thjeshtë. U miratua. Më mori në telefon drejtori dhe më tha se do të japin klasën. Deri në ministri arritëm për aprovimin. Atëherë e ndjeva veten të çliruar, sukses të madh sepse çështja kishte arritur deri në ministrinë e arsimit dhe na ishte dhënë e drejta. Ishte me të vërtetë fitore. Tash nuk na mbetej gjë tjetër veçse të hapnim shkollën dhe të fillonte ora e parë e mësimit.
TË GJITHË BASHKË PËR SHKOLLËN SHQIPE…
Mora me firmë klasën nga drejtori i shkollës më 8 mars. Mund ta kishim hapur më 10 mars. Dëshiroja që në këtë ditë të madhe të mblidheshin të gjithë shqiptarët. Bëra një lajmërim dhe e vendosa në të gjitha pikat e qytetit, në supermarkete, furra buke, në dyqane e lokale ku tubohen shqiptarët. I vura në dijeni për hapjen e shkollës shqipe dhe për një bashkëbisedim si shqiptare dhe si mësuese. Për fatin e mirë më 10 mars u mblodhën tek qendra kulturore e qytetit sallën e së cilës na e dhanë falas. Ky ishte një nder i madh, i dyti që më bëhej. U mblodhën shumë prindër shqiptarë dhe bashkatdhetarë të tjerë. Morën pjesë rreth 80 vetë; burra, gra, çifte, por edhe vajza e djem të rinj. Të pranishmëve u lexova thirrjen që u kisha bërë dhe e kisha shpërndarë. U thashë se ndoshta është me të vërtetë vonë, jemi 20 vjet pas emigrimit por më mirë vonë se sa kurrë. U thashë se fëmijët tanë për meritë të prindërve dinë të flasin gjuhën shqipe por nuk mund të pretendojmë se fëmijët tanë dinë shqip sepse nuk dinë ta shkruajnë atë. U thashë se në qoftë se ka këtu prindër shqiptarë që pretendojnë se fëmijët e tyre dinë shqip sepse i keni mësuar ju duke u sjellë një abetare nga Shqipëria unë do ta kundërshtoja. Në qoftë se shkojmë në shtëpi dhe i pyesim fëmijët tuaj për Ismail Qemalin apo për Skënderbeun dhe për figura të tjera shqiptarësh të mëdhenj, ata nuk dinë asgjë sepse këto gjëra i mëson vetëm shkolla. Nuk realizohet formimi shoqëror në shtëpi. Këtë e realizon vetëm shkolla. Është fitore e madhe dhënia e së drejtës së mësimit të gjuhës shqipe në mjediset e shkollës greke çka kërkon marrjen me seriozitet të kësaj çështjeje, pjesëmarrjen masive të fëmijëve në shkollë për ti dhënë të kuptojë opinioni grek se ne dimë të vlerësojmë veten, ne dimë të vlerësojmë kulturën tonë, jemi shqiptarë…Ishte një çast shumë emocional, çast që është fiksuar në një CD të cilën me ta marrë do ta dërgoj. Biseda me prindërit shqiptarë ishte shumë e suksesshme, tepër emocionale, ishte hera e parë që mblidheshin shqiptarët. Dhe mblidheshin për gjuhën shqipe. Ishte një gjë shumë e bukur.
DITA E PARË E SHKOLLËS…
Shkollën vendosëm ta hapim më 17 mars. E shtuna e 17 marsit ishte për mua një ditë e madhe, ditë që do ti jepte kuptim gjithë punës së bërë deri atë ditë. Kisha bërë një llogari që do të vinin 13-15 fëmijë. Emocionuese për mua ishte se kur shkova në shkollë, rreth orës tre e gjysmë, përpara kishte një numër të madh prindërish bashkë me fëmijët e tyre të veshur si në ditë feste. Hapa klasën, u futën të gjithë. Nuk kishte vend ku të uleshin. Klasa ka 25 karrige. U ulën dy vetë në një karrige. I futa të gjithë prindërit brenda. Ishte një ditë e veçantë, ishte dita e parë e shkollës. kisha përgatitur në shtëpi alfabetin e gjuhës shqipe, kisha shkruar edhe vjershën e bukur të Naim Frashërit “Gjuha jonë”. Ua shpërndave fëmijëve. Nuk mjaftuat fletët sepse fëmijë kishte më shumë. Kisha llogaritur 30 kurse fëmijët atë ditë ishin 52. Ishte emocionuese por dua të them se si mësuese nuk ishte e vështirë të ingranohesha me orën e mësimit. Ishte sikur të ishte dita e më pasme në mësim. Ishte aty ku e kisha lënë…
KOCULI I VLORËS KU E LASHË…
E kisha lënë në vitin 1994, në një shkollë në Kocul të Vlorës… Në vitin 1993-1994 kam qenë mësuese në Kocul. E lash atje për ta filluar këtu. Ishte me të vërtetë një vazhdim, nuk ndjeva asnjë lloj vështirësie nga ana profesionale. Prezantimi me fëmijët ishte shumë i thjeshtë, shumë i ëmbël. Ishin shumë të vëmendshëm, më ndiqnin me një heshtje të thellë. U shpjegova pse ndodheshin aty, çfarë do të mësonin. Pyeta një fëmijë, një vajzë me flokë bionde, nga je? Më tha emrin por nuk dinte se nga cili vend i Shqipërisë ishte. Një nga arsyet ishte se fëmija kishte lindur këtu. Shumica e fëmijëve kanë lindur në Athinë apo në Siros, nuk kanë lindur në Shqipëri. Mangësi e prindërve është se nuk u kanë thënë se nga janë. Po ti hysh kësaj çështje befasohesh, nuk i gjen fund. Vonë, njëzet vjet vonë, por e kapëm problemin. Sot fëmijët jo vetëm që dinë se nga janë. Dinë se atdheu i tyre është Shqipëria. “Atdheu ynë është Shqipëria” shkruhet në dërrasë çdo ditë. Shkruhet edhe “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar”. Para fillimit të orës së mësimit bëhet gjithnjë një bisedë e shkurtër ku nxënësit flasin për qytetin apo fshatin e tyre; për Elbasanin, Korçën, Tiranën, Vlorën, Matin… Fëmijët mësuan në radhë të parë se nga janë dhe dinë të prezantohen shumë mirë shqip, bukur. Kjo është e para. E dyta filluan të mësojnë shkronjat, ti përdorin ato të fjalë e fjali. Ka fëmijë që dinë, që kanë mësuar me ndihmën e prindërve por shumica nuk dinë të shkruajnë shkronjat, kanë vështirësi. Veçanërisht për të shkruar shkronjat e dorës kanë shumë vështirësi. Për ato të shtypit jo edhe aq shumë. Kur kam lexuar librin “Rilindësit e kohës sonë” kam gjetur veten time. Jam ndjerë si deti që kemi përballë, herë i qetë e herë me dallgë. I thashë vetes se të gjithë këta mësues që ndodhen në Greqi kanë mundësi të mbledhin pesë nxënës rreth vetes së tyre dhe tu mësojnë gjuhën shqipe. Është falas, është vullnetarisht, i dimë tashmë këto por, pavarësisht, duhet të luftojmë për shkollën shqipe, për ti rregulluar të gjitha gjërat. Duhet kohë por përpjekje duhet të bëjmë që mësimi i gjuhës shqipe në Greqi të marrë formë shtetërore, të organizohet e drejtohet nga qeveria jonë, të marrë formë e përmbajtje dinjitoze. Përderisa nuk është bërë hap nga qeveria jonë është në dorën e mësuesve ta marrin në dorë gjuhën shqipe në Greqi. Ku është pasioni, them unë, ku është dashuria profesionale e mësuesve, çfarë po bëjnë? Dakord punojnë. Emigrantë jemi dhe hallet i kemi të shumta por ama kemi mundësi që dy orë në javë t’ia kushtojmë mësimit të fëmijëve në gjuhën e nënës. I gjejmë po të duam edhe tri orë përfshirë edhe përgatitjen e të tjera. Unë pyes mësuesit a kanë mundësi që dy orë në javë, kudo që ndodhen, të mbledhin fëmijët dhe tu mësojnë të lexojnë e shkruajnë shqip? Në ishuj është më e lehtë për tu organizuar sepse njihemi nga afër me njeri tjetrin. Revolta ime është e dyfishtë në këtë rast. Është ndaj shtetit, qeverisë sonë që nuk po bën asgjë por edhe ndaj gjithë këtyre mësuesve shqiptarë që kanë brenda pathosin, unë jam e sigurt se ata e kanë pathosin për gjuhën shqipe, edhe ndjenjat atdhetare i kanë të rrënjosura. Duhen zgjuar, duhet ta marrin seriozisht, të ndjejnë në vetvete një situatë alarmi që kjo çështje, në qoftë se nuk kapet tani kur është qetësuar situata, kur ne e kemi gjetur veten si emigrantë, jemi pajisur me dokumente, kemi arritur diçka me punën tonë, atëherë është koha të kapim çështjen e kulturës, të identitetit tonë, të fëmijëve tanë, të të ardhmes sonë që traditat tona, kultura jonë të mos vdesë. Një gjuhë, siç kanë thënë rilindësit vdes në qoftë se nuk shkruhet.
FILLIM I MBARË…
Fillimi i mbarë, thotë populli, gjysma e punës. E shikoj të mbarë. Vitin tjetër do të kemi po të njëjtin sukses. Pjesëmarrja do të jetë më e madhe, më masive. Në kopshtet e Tinosit janë më se 15 fëmijë që do të futen në klasën e parë. Edhe me largimet që mund të kemi, edhe me ardhjen e kontingjentit të ri të fëmijëve nuk do të biem poshtë 70 fëmijëve në klasë. Kjo vetëm në qytetin e Tinosit. Përderisa në Pirgo, një fshat shumë i bukur në anën tjetër të ishullit ka shumë shqiptarë dhe shumë fëmijë shqiptarë, mbi 15 fëmijë të moshës së ciklit të ulët do ti drejtohemi përsëri bashkisë dhe këshillit komunal në komunën e zonës që edhe atje të na japin një klasë që fëmijët të mësojnë gjuhën shqipe duke vendosur atje një nga mësueset e Këshillit të Mësuesve që e krijuam dje apo edhe mësues të tjerë që do ti bashkohen nismës sonë.
SHKOLLA EDHE NË SYROS, MYKONOS, ANDROS…
Synimi ynë nuk është tashmë Tinosi. Këtu gjuha shqipe ka marrë rrugë dhe nuk ndalet, vjen gjithnjë në rritje. Unë pengesën e parë e kalova. Pyes: Pse të mos e shtrijmë mësimin e gjuhës shqipe edhe në Mykonos? Pse të mos ta hapim në Siros? Flas për këto dy ishuj që unë i kam përballë dhe ka mundësi të vete të merrem me organizimin. Nuk është e lehtë. Dëshiroj dhe do ti përvishem punës për të hapur shkolla shqipe edhe në Siros, edhe në Mykonos. Më tej pse mos hidhemi edhe në Andros? Dy orë është Androsi larg. Këtu është çështje organizimi. Nuk duhet të mbetet çështja tek unë, tek Vera. Ka një Lidhje të Mësuesve Shqiptarë në Greqi, ka një drejtues të saj zotin Lorenc Koka, një intelektual i mirëfilltë që mua më ka ndihmuar jashtë mase. Në këtë mes rëndësi parësore merr bashkëbisedimi me shqiptarët, ndihma e tyre, gjetja e mësuesve në Siros që me siguri ka. Por edhe sikur të mos ketë ja që jemi 5-6 mësues këtu. Unë jam gati tua lë klasat kolegeve të mia dhe të shkoj të jap mësim në Siros apo Mykonos. Unë them aq sa ta fillojmë pastaj çdo gjë ecën vetë. Nuk ka asnjë shqiptar, sado i zhytur në halle e probleme, po ta marrë vesh se komshiu i tij e ka çuar fëmijën e tij në shkollë pas pesë ditësh do ta çojë edhe ai. Do bindi edhe fëmija fëmijën nëpërmjet shembullit të njeri tjetrit. Duke mësuar se shoku vete në shkollën shqipe edhe ai do të shkojë. Zhuljano këtu pretendonte se dinte shqip. Unë i thosha “Zhuljano je i madh por duhet tu thuash edhe shokëve e patriotëve të tjerë në shkollë që të vijnë”. Më thoshte “Mësuese unë e di gjuhën shqipe”. I them se mësimi i gjuhës shqipe nuk është me detyrim por me dëshirë. Një ditë, nuk kam për ta harruar, kishte filluar ora e mësimit hyn Zhuljano me një fletore, një laps, një gomë në duar më kërkon të futet në orën e mësimit. U fut tamam si të ishte fëmijë i klasës së parë sado që dinte për bukuri edhe të shkruante edhe të lexonte. Në ato momente e përshtati vetveten si një fëmijë i klasës së parë. Fëmijët me njeri tjetrin do të bëjnë atë që nuk mund ta bëjë askush. Çdo shqiptar ka ndjenjën e atdhetarizmit, shqiptarizmit. Kështu që puna është sa ta fillojmë edhe në ishujt e tjerë dhe çdo gjë do të ecë mirë. Jam e sigurt. A. Ashiku: Edhe unë jam i sigurt se ti do të jesh një ndër rilindëset e kohës sonë, këtu dhe në ishujt Cikladhes… Tinos, 24 maj 2012
***
Letra e mësueses Vera Kurti – më 5 maj 2012
Në Tinos, ishullin e largët, unë kam çelur klasën e parë për shqipen
Vera Shkurti – Dashuria për vendlindjen, është dhe mbetet me të vërtetë, një nga ndjenjat më të fuqishme e më të bukura për njeriun! E lindur në fshatin Vranisht të Vlorës, ushqeva përherë mendimin dhe bindjen, se pikërisht, natyra e bukur e fshatit tim, është ajo që ka bërë që dhe bota ime shpirtërore t’i ngjajë asaj, gjë që ma bën të vështirën të bukur, ndërsa mallin, të ëmbël!
Vitet do iknin e nga fshati im do largohesha e vogël, por me një dashuri të madhe për atë e për shkollën time, të fëminisë. Katër vitet e shkollës së mesme pedagogjike, në Gjirokastër, formuan dhe përforcuan më tepër te mua ndjenjat patriotike e arsimore, ndjenja këto, që i kisha spikatur që e vogël në portretin e babait tim të dashur, Ferjat Shkurti, e të mësuesit tim, në vazhdimësi.
Të jesh mësues nuk do të thotë të mësosh nxënësin, pasi ai mëson vetë, por do të thotë ta frymëzosh atë! Këtë të “fshehtë” të profesionit ma mësoi babai im, si mësues i talentuar, ashtu thjesht e pa kuptuar, ashtu siç e ka natyrën e bukura!
Por, kush e mendonte se, një ditë, jeta ime, si e shumë shqiptarëve të tjerë, të rinisë sime, do merrte rrugën për në mërgim e si në ëndërr, do gjendesha në një ishull të Greqisë, mes Detit Egje, të quajtur Tinos! E atëherë, vargjet e bukura të Naimit; “O malet e Shqipërisë,.,…”, vargjet e Çajupit; “mëmëdhe quhet toka,…”.
Gjatë viteve të mia në emigrim, vite që po mbushin 18 nuk harrova kurrë profesionin tim, të mësueses. Shumë herë, me fantazinë time ndodhesha në klasë e midis nxënësve të mi! Nga ana tjetër, jeta ime në emigracion qe dhe është për mua, një përvojë e re e plot vlera njohëse e edukative.
Kështu, vitet iknin një e nga një e fëmijët tanë, nga të vegjël, sot, po mbarojnë universitetet në një vend tjetër, që për ata është bërë atdhe i dytë! Nuk kam për të harruar, një nga momentet e bukura që vajza ime, Kristiana, më fali kur mbaroi liceun e doli e para në të gjithë ishullin. Duke ikur nëpër korridorin e shkollës dëgjoja të thoshnin se, “e para doli ajo shqiptarja!”. Në ato momente krenaria ime nuk ishte personale, thjesht prej një nëne, por ishte kombëtare!
Fakti, që numri i fëmijëve tanë shqiptarë në Greqi sa vinte e shtohej, mendoja se, qeveria jonë do bënte diçka! Por, realiteti i bërë për të dëshiruar, mendova se nuk duhet lënë më në mëshirë të fatit!
Kështu, një ditë vjeshte, kur shkolla kishte filluar, ngjita shkallët e Bashkisë së qytetit Tinos, ku banoj, për 18 vjet rresht, e trokita në derën e kryetarit të saj, zotin Panajotis Krodiza. “Nuk ndodhem këtu, – i thashë, – për hallin tim, por për hallin e të gjithë atyre fëmijëve tanë shqiptarë, që nuk dinë të shkruajnë gjuhën mëmë! Juve, si popull, keni tradita të shquara për arsim e kulturë e kam besim se do ndihmoni që fëmijët tanë të mësojnë gjuhën e nënës!” (duke i kërkuar kështu, një klasë ku të jap mësim falas për të gjithë fëmijët, emigrantë që banojnë në ishull). Dhe në të vërtetë, kështu ndodhi, siç është e vërtetë edhe tjetra, “se po s’qau fëmija, as nëna s’i jep gji”! Që nga nëntori e deri më 7 mars të këtij viti u desh kohë që kjo kërkesë të aprovohej njëzëri, nga të gjithë anëtarët e Këshillit. Sot në Tinos, të Greqisë që prej 8 marsit, për herë të parë, pas 20 vjetësh emigrim, mësojnë të shkruajnë e të lexojnë shqip mbi 60 fëmijë shqiptarë nga të gjitha anët e Shqipërisë. Këtu mësojnë shqip që nga 6-vjeçarja, Erilena nga Tepelena e deri te 17-vjeçari Bojkani, nga Tirana. Më kuptoni drejt dhe shqip, ky është gëzimi i një nëne, mësueseje dhe shqiptareje në një ishull të Egjeut, në Greqi.