ELIFE PODVORICA – JASHARI: SHPRESA BERISHA – NJË YLL I MUZIKËS POPULLORE (FOTOALBUMI+VIDEO)

Prishtinë, 26. 06. 2016: Më 23 qershor 2016 në Prishtinë, në ambientet e restoranit “Pishat”, u organizua një manifestim madhështor me rastin e promovimit të CD-së nga artistja dhe këngëtarja jonë e çmuar, Znj.Shpresa Berishës!
Shpresa, derisa priste mysafirët e ftuar me dashamirësinë e një mikeje të vjetër, rrëzëllinte me buzëqeshjen e saj plotë nur! Shkëlqimi i syve dhe buzëqeshja e vazhdueshme, reflektonte freski plotë sharm, sikur ato buqetat e luleve që i dhuroheshin nga miqtë dhe kolegët artist, dhe ata/o të drejtësisë!
Shpresa jonë e dashur, ka lënë gjurmë, në fushën e kulturës, si një artiste me zë të ëmbël bilbili, dhe si e tillë ajo e begatoi shijen dhe dashurinë e gjithë shqiptarëve ndaj muzikës sonë të bukur popullore! Shpresa, poaq e zellëshme, ka qenë edhe në fushën e drejtësisë, si gjyqtare në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë. Falë rezonit të gjërë njerëzor e intelektual, ajo bëri që në kohëra më të vështira kur ishte rrezikuar qenja jonë kombëtare (në fushën e kulturës…) nga dhuna e pandërprerë e regjimit sërb, ta ngriste zërin fuqishëm për të drejtat e popullit shqiptar të Kosovës.

Dhe, nuk ishte kjo një punë e lehtë! Atëkohë të ishe kolege me Ukshin Hotin, të bashkëpunoje me te në fushën e drejtësisë,… dhe në vitet 70’të t’i këndoje në qendër të Tiranës “Lidhjes së Prizrenit”, ishte një sfidë e madhe që kërkonte guxim intelektual! Por, Shpresa ia dilte!
Vlerat e saj, u promovuan në bashkëpunim me artistët e kohës në Shqipëri! Ajo ka zhvilluar aktivitete të shumta koncertale në Pallatin e Kongreseve dhe në Shtëpinë e Operas dhe Baletit në Tiranë, në bashkëpunim me orkestrën sinfonike të RTSH, me dirigjentët – Ferdinand Deda, Eno Koço, Ҫesk Zadeja,…bashkë me shumë yje të këngës siç ishte Vaçe Zela etj.
Prezantimet e Shpresës sonë të hijshme në këto skena koncertale, vetëm sa ia shtonin edhe më shumë bukurinë, madhështinë e fisnikërinë, vlera këto që vetëm një intelektuale zë-ëmbël din t’i gërshetoj, së bashku në mozaikun artistik shqiptar!
Motivet e bukura origjinale të popullit tonë, ajo arriti t’i promovojë me sukses edhe nëpër Republikat e ish Jugosllavisë, si në Kroaci e Slloveni – vende këto të cilat, u jepnin hapësirë artistëve shqiptar nëpër eventet e tyre të rëndësishme kulturore! Popujt e civilizuar, i çmojnë vlerat e traditës së një populli, dhe si të tilla shërbenin si ura miqësie dhe afrimi të popujve! Arti është dielli që shndëritë përtej kufijëve të vendeve të ndryshëm! Ai thyente edhe barrierat më të frikëshme, në një situatë të rëndë siç ndodhej atëkohë populli shqiptar!
Këngët e artistit e etnomuzikologut poliedrik shqiptar, Ramadan Sokolit, kaherë i kishin thyer vijat e trasha të kufirit shqiptaro-shqiptar! Tingujt e bukur të kompozimeve të tij, kishin marrë trajtën e luleve plotë aromë, cicërimën e zogjëve, bukurinë e rrezeve të diellit që shkëlqenin në nënqiellin tonë, aromën e bregdetit shqiptar, puhizën e erës së malit të Tomorit, përmes tingujve të ëmbël të Shpresës sonë të madhe, e cila qante midis ujërave të trazuar të kohës, për t’i vënë themelet e shëndosha në artin tonë muzikor!
Ajo këtë punë e bënte me krenari të madhe, sepse i takonte një populli të lashtë, në këtë cep të Europës – siç ishte populli shqiptar.
Këto aktivitete kulturore, bëheshin në mënyrë të suksesshme institucionale. Ishte orkestra e Radio Prishtinës së atëhershme, e cila përbëhej nga një plejadë këngëtarësh, kompozitorësh e instrumentistësh të spikatur, që punonin me përkushtim të madhë! Me këtë rast vlenë të përmenden disa nga emrat më eminent si: Isak Muqolli, Musa Piperku, Rexho Mulliqi, Nexhmije Pagarusha, Shpresa Berisha, Kristë Lekaj, Pranvera Badivuku, Mehdi Bajri, Qamili i vogël, e shumë e shumë të tjerë, të cilët e begatuan jetën tonë kulturo-artistike me kompozimet e tyre. Kjo plejadë e kishte mundësinë e interpretimit, nëpër festivale profesionale të kohës siç ishin “Akordet e Kosovës”, dhe aty shpaloheshin vlerat e tyre të mëdha dhe begatimi i muzikës me motive tradicionale!
E Shpresa, me prezencën e vetë kudo, ishte në zenitin e saj artistik! Tingujt e zërit të saj magjik, përçonin emocione, në shpirtin e publikut artëdashës në Prishtinë, në Tiranë, në Zagreb, në Ljubjanë, në Gjermani e kudo gjetkë në shtetet perëndimore!
Muzika popullore gjatë periudhave historike, ka pasur rolin kryesor në zhvillimin e kombit tonë, për faktin sepse aty pasqyrohej tradita jonë e lashtë! Laryshia e muzikës ka përcjellur emocione të veçanta nga brezi në brez, dhe si e tillë ka kultivuar e ruajtur identitetit tonë kombëtar!
Ashtu siç ka qenë e pasur dhe e çmuar kënga jonë popullore, ashtu ishin të çmuar dhe meritor, interpretuesit e këngës, që me zërin dhe talentin e tyre, arritën ta ngrisin në piedestal këtë nektar të traditës sonë të mbledhur ndër shekuj.

Dhe njëra nga artistet e veçanta, padyshim ishte Shpresa Berisha, e cila do të mbetet një yll ndriçues në sfondin e gjerë të muzikës sonë të bukur popullore!
Ajo sot, me iniciativën vetjake dhe me ndihmën e miqëve, na fali sërish emocione e drithma artistike, si njëherë e dikur që i bënte në skenat muzikore të vendit tonë dhe të shumë vendeve tjera të botës!
Shpresojmë shumë, që gjurmët e arta të këtyre artistëve, të mbuluar sot nën hirin e injorancës, t’u kthehet shkëlqimi dhe drita artistike. Një shtet, një institucion kulturor apo një elitë intelektuale, që nuk di t’i çmojë artistët e tij, atëherë ata/o nuk dinë t’i çmojnë as vlerat e mirëfillta të traditës e kulturës kombëtare!
Por, kjo nuk vlen për Hanën e vogël, e cila kishte ardhur enkas nga Holanda (ku kishte lindur), bashkë me mamin, tezet dhe gjyshin e saj, për t’i dhuruar buzëqeshjen fëmijërore gjyshes së dashur, Shpresa Berishës, kësaj shprese e cila e kishte rritur me këngë’ninullat magjepsëse.
Tingujt dhe zëri i gjyshes – për mbesën Hanë, do të jenë fanar ndriçues në rrugën e trashëgimisë shqiptare, pavarësisht se ku ajo po rritet dhe do të gjallojë!
Dhe krejt në fund!
Ju lumtë – Shpresa Berisha – shpresa jonë e paharruar!

======================================================

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura