Pashtriku.org, 02. 05. 2013 – Nuk po shfrytëzohen asnjëra nga dy varësitë e Serbisë ndaj Kosovës. Së pari, varësia e saj nga dialogu me Kosovën gjersa dëshiron të avansojë në integrimet evropiane. Dhe, së dyti, varësia e Serbisë nga tregu i Kosovës për prodhimet e saj me ç’rast i merr ato gjysëm miliardi euro në vit (sipas shifrave zyrtare që mund të jenë veçse më të ulta sesa ato reale). Këtyre dy varësive, Thaçi dhe Qeveria e tij ju përgjigjen po ashtu me varësi duke e vënë në pyetje shtetin e Kosovës. Së pari, dialogu politik me Serbinë në Bruksel paraqet imunitet për Thaçin nga EULEX-i. Së dyti, buxheti i Kosovës mbushet mbi tri të katërtat në kufi përmes importeve përderisa tregtarët shqiptarë të mallrave të Serbisë janë miq të qeveritarëve ose të atyre opozitarëve që janë miq të qeveritarëve.
Kryeministri Thaçi nuk bën kompromis me ambiciet e veta personale, në mënyrë absolute. Prandaj, pikërisht për këtë arsye, në mënyrë absolute, ai bën kompromise për shtetin e Kosovës. Thaçi nuk i kishte më vijat e kuqe te mostejkalimi i Kushtetutës së Kosovës por te mosarritja e Republika Srpska-s. Sidomos në mediet ndërkombëtare ai e ka përsëritur disa herë që nuk do të lejohet një Republika Srpska tjetër në Kosovë. Kësisoj, ai e tregoi tavanin përfundi të cilit mund të futet kompromisi – Republika Srpska minus! Kushtetuta e Kosovës është dyshemeja ku shkelin ndërkaq Republika Srpska është tavani ku thuhet se s’bën të arrihet. Kryeministri Thaçi dëshironte të dukej që e ka mbrojtur Kosovën në Bruksel, ku, në fakt, në rastin më të mirë, është përpjekur që të mos realizohet 100% Platforma e Serbisë, përkatësisht aspirata maksimaliste e saj. Dhe tash dialogu politik vazhdon, apo jo? Kjo ishte veçse marrëveshja e parë e ‘normalizimit’.
Gatishmëria për dialog shtesë është gjithmonë gatishmëri për koncesione shtesë. Me vetë faktin që Thaçi pranoi të vazhdojnë dialogun me Serbinë në Bruksel pasi që ajo e refuzoi marrëveshjen dhe pas kërkesës së saj për dialog shtesë, Thaçi shfaqi mirëkuptim me pakënaqësinë e Serbisë. Koncesionet e reja, në parim, tashmë ishin aty. Korniza e dialogut pa kushte për Serbinë e për çështje të brendshme të Kosovës është përherë fatale. Dihet që Gjermania i ka vënë kushte Serbisë dhe flet me të për çështje të brendshme të Serbisë. Kosova s’i ka vënë asnjë kusht Serbisë dhe bën dialog me të për çështje të brendshme të Kosovës. Nëse Gjermania ka arsye për shtatë kushte ndaj Serbisë, Kosova ka arsye për shumëfish më shumë se aq. Rezoluta e Kuvendit të Kosovës që u miratua të hënën, në orën një pasmesnate, dhe e cila jep pëlqimin për nënshkrimin e Marrëveshjes Daçiq-Thaçi thirrej në Rezolutën tjetër të 18 tetorit 2012 e cila tashmë ishte shkelur në tërësi dhe në secilën prej gjashtë pikave të saj. Moskushtëzimi i Qeverisë së Kosovës ndaj Serbisë vjen i shoqëruar me mospërgjegjësinë e Qeverisë së Kosovës ndaj Kuvendit.
I gjithë përqendrimi sa i përket dialogut politik me Serbinë në Bruksel kohëve të fundit ishte reduktuar te kompetencat e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, përkatësisht te kompetencat e mundshme ekzekutive. Kështu është lënë në harresë çështja e formës së fituar për Serbinë, duke spekuluar për hollësitë e përmbajtjes. Vetëm një ditë pasi që u miratua në Kuvendin e Kosovës Rezoluta që jep pëlqimin e mbështetjen për marrëveshjen Thaçi-Daçiq, strukturat e Serbisë në veri e shpallën autonominë! Pra, morën çka deshën nga institucionet e Kosovës dhe tash shkojnë një hap më tutje. Të thuash që strukturat e Serbisë në veri të Kosovës janë të pavarura nga Daçiqi në Beograd është njësoj si të thuash që Karaxhiqi e Mladiqi në Bosnje ishin të pavarur nga Milosheviqi në Beograd. Daçiqi është edhe ministër i brendshëm përveçse kryeministër kurse Vuçiqi është edhe ministër i mbrojtjes përveçse zëvendëskryeministër. Kjo flet më shumë se gjithçka tjetër për llojin e shtetit të Serbisë.
Mbase arsyen pse u bë marrëveshja Daçiq-Thaçi e ka treguar më së miri Presidentja Jahjaga. Me rastin e shkuarjes së Thaçit në takimin e nëntë me Daçiqin në Bruksel, ajo tha që marrëveshja është e pashmangshme dhe e nevojshme. Pra, kështu foli Presidentja: njëherë e pashmangshme, mandej e nevojshme (sic.). Kjo renditje e termave dëshmon më shumë se vetë kuptimi i tyre veçmas. Sigurisht që mund ta trajtojmë këtu se si kjo marrëveshje sipas Presidentes na paska qenë e pashmangshme dhe pse. E, gjithashtu, edhe ta shtjellojmë pse dhe si kjo marrëveshje konsiderohej e nevojshme. Por, thelbi është se marrëveshja na paska qenë fillimisht e pashmangshme e pastaj edhe e nevojshme. Në të vërtetë, kjo deklaratë e Presidentes Jahjaga pasqyron vetë shpirtin e vdekur të krerëve shtetërorë të Kosovës. Ajo çfarë u servohet është e pashmagshme. Do ta hanë, gjithsesi. Më pas e racionalizojnë edhe si të nevojshme. U bëri mirë, pa dyshim.
Albin Kurti – Prishtinë, 23 prill 2013
================================
SHPËRLAJRA E SHEKULLIT
Neoliberalizmi dhe krimi i organizuar ecin dorë për dore në Kosovë. I pari jep mbështetjen konceptuale e teorike të praktikave kriminale të qeverisjes në Kosovë. Të ashtuquajturat reforma strukturore e vazhdojnë privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore tek ato publike. Dhe, jo vetëm kaq: ajo që është e të gjithëve është e askujt dhe duhet të bëhet e dikujt. Mendja e tyre njëdimensionale sheh vetëm prona të pronësueshme. Ekzistenca është pronë; prona është ekzistencë. Prandaj, si bisha të etura për gjak nuk përmbahen dot në gjahun e tyre ndaj gjithçkaje publike.
Po them krim i organizuar dhe jo korrupsion sepse nuk bëhet fjalë më, thjesht, për korrupsion. Kjo fjalë është tepër e butë për ta përshkruar egërsinë e zhvatjes së pasurisë publike në Kosovë. Miliarda euro janë në pyetje – ndërmarrja kriminale kundër ndërmarrjeve publike është gjithsesi e organizuar.
Aq i kriminalizuar është privatizimi në Kosovë saqë nuk të bëhet më ta quash privatizim. Prandaj, me të drejtë sindikalistët, gazetarët dhe politikanët opozitarë nisën ta quajnë shitje, pra shitje e një malli të vdekur meqë ndërmarrja nuk trajtohet as si organizatë e punëtorëve dhe as si kapacitet zhvillimor për vendin. Mirëpo, edhe kjo fjalë me shpejtësi u zhvlerësua porsi ndërmarrjet para se të shiten: fjala shitje ia lëshoi vendin fjalës falje. Pasi që ndërmarrjet shiteshin tepër lirë, meqenëse shitja nënkupton një vlerësim adekuat të mallit të shitur, zërat që flisnin për falje të ndërrmarrjeve dhe pasurive të Kosovës nën siglën e privatizimit u rritën shumë.
Së fundmi, privatizimi nuk është më as shitje e madje as falje. Sepse, falja ka të bëjë me të kaluarën dhe të tashmen. Mund të falësh diçka që ka të bëjë me të shkuarën ose të tanishmen, i falet dikujt tjetër ajo që të përket ty. Por, këtu po falet edhe e ardhmja, edhe potencialiteti e perspektiva e shoqërisë, nga dikush që nuk ka të drejtë ta bëjë këtë dhe që po e shndërron popullin e Kosovës nga sovran në borxhli. Kjo është arsyeja që ky privatizim është para së gjithash uzurpim. Dihet që në Kosovë nuk kemi një ligj mbi privatizimin e aq më pak një ligj mbi privatizimin e Distribucionit e Furnizimit të KEK-ut apo të 75% të aksioneve të Telekomit. Prandaj, së pari, vënia për privatizim e këtyre shënon një uzurpim paraprak nga Qeveria. Dhe, së dyti, bartja e pronësisë më pastaj paraqet veçse uzurpim të ri.
Le të ndalemi pak te ky uzurpimi i ri, repektivisht uzurpimi më i ri. Qeveria e Kosovës e miratoi uzurpimin e 75% të aksioneve të Telekomit të Kosovës për 277 milionë euro, formalisht, ndërkaq përmbajtësisht kësaj shume duhet t’i hiqen 75% të 35 milionëve, dividenda që tash s’fitohet dhe lejimi i projekteve kapitale më herët të bllokuara, ashtu siç e sqaroi Federata e Sindikatës së PTK-së. Nga ajo çfarë kam mësuar deri më tash, uzurpimi i PTK-së do të mbahet mend si shpërlarja e shekullit në Kosovë. Disa kompani të ndryshme vendëse të afërta me kryeministrin Thaçi, përfshirë këtu atë të njërit apo më shumë vëllezërve Zhugolli, po marrin pjesë në blerjen e Telekomit edhe po i shpërlajnë milionat e përvetësuara pas luftës. Bile, në mesin e këtyre kompanive janë edhe aso që organizojnë lojëra të fatit dhe biznesmenë të tjerë të lidhur me politikanë që nuk janë në Qeveri. Shuma e ofruar është bërë prej një fondi investiv, konsorciumit ‘Axos Capital Partners’ dhe ‘Najafi Companies’. Kjo do të thotë se nuk po e marrin Telekomin e Kosovës kompanitë e specializuara në lëminë e telekomunikacionit, por fonde jotransparente të cilave nuk ju dihet saktësisht përbërja e prejardhja. Ngjashëm sikurse me rastin e privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit të KEK-ut, ku njëherë ishin të interesuara kompanitë e lëmive të energjisë si RWE e pastaj mbetëm tek ato që erdhën të mësohet te ne, edhe te Telekomi fillimisht ishin të interesuara kompanitë si Deutsche Telecom e T-Mobile, por tash përfunduam te këso fondesh investive. Sidoqoftë, pyetja themelore në këtë rast është: kapitalin e kujt e përfaqëson dhe menaxhon ky konsorcium në Kosovë? Sigurisht që ato 277 milionë euro të përfolura që nuk i kemi parë ende nuk janë të ‘Axos Capital Partners’ dhe as të ‘Najafi Companies’. Telekomunikimi është çështje sovraniteti dhe interes strategjik përveçse pasuri publike. Është e domosdoshme të dihet se të kujt janë ato para. Në këtë pyetje duhet të përgjigjen kryeministri Thaçi dhe ministri Beqaj.
Njerëzit në Kosovë po frikësohen të flasin hapur. Posaçërisht ata që punojnë në institucione dhe kanë informata. Pas të ashtuquajturës ‘vetëvrasje’ të Dino Asanajt, në Kosovë ka njëfarë klime që t’i përkujton vitet e ’90-ta. Mbase edhe privatizimi, përkatësisht uzurpimi i pasurisë pas luftës, është vazhdim me mjete tjera i shkatërrimeve të luftës e të paraluftës. Kosova duhet të ngritet në këmbë që të mos lejojë nënshkrimin e kontratës ndërmjet Qeverisë dhe ‘Axos Capital Partners’ e ‘Najafi Companies’. Populli e shteti i Kosovës duhet t’i kthejë herëdokur këto ndërmarrje, të cilat më parë se u privatizuan, u shitën, më parë se u shitën, u falën, dhe, më parë se u falën, u uzurpuan. Përndryshe, ky vend i pazhvilluar e me qeverisje të kriminalizuar po bëhet i pajetueshëm për qytetarët e tij.
Albin Kurti – Prishtinë, 16 prill 2013