ADEM GAVAZAJ: NJERIU YNË, A DUHET TË EKZISTOJË?!

Prizren, 02. 10. 2013 -Është ndoshta momenti i fundit që ne si prindër, si mësimdhënës, si ideolog, si politikanë, e tjera, të punojmë, të ndikojmë, në largimin e përgjumjes, kotjes, nihilizmit dhe të nisim të kultivojmë ekzistencën tek njeriu ynë… Njeriu në kohën të cilën po jetojmë duhet pa tjetër të bëhet ekzistencë, përndryshe ai vetëm është, do ngjasoje me trungun, gurin, e tjera, – do shprehej Martin Heidegger.

Me një të vërejtur të thjeshtë shohim se njeriu ynë është. Ai nuk ekziston. Këtë konstatim e vërtetojnë sjelljet, veprimet, komunikimet e politikanëve, prindërve, mësimdhënësve e tjerë për njeriun tonë.
Tek ata dëgjosh sintagmat “elektorati im”, “kjo lagje, ky katund është i imi nuk ke çka kërkon aty”, “janë të mijtë” e tjera. Gjithmonë këta të “fortët” kanë kultivuar jo ekzistencën e njeriut tonë dhe tashti (që është e pamundur në botën që po ndryshon shpejtë) të fortët, po mundohen që të kultivojnë njeriun jo ekzistencë, me qëllimin që ta përdorin kur të munden dhe kur të duan.
Të fortët si gjithmonë, ndër ne kanë qenë, edhe sot janë të shpërndarë nëpër “feudet” e tyre dhe shihen si mbretër pa kurorë, pa grada e tjera. Ata shihen si të aftë, që mbarojnë të gjitha punët. Ata në të vërtetë, edhe po mbarojnë shumë punë, me këto rregulla dhe me këto vlera që kemi dhe që po tentojnë ti kultivojnë edhe më në shtetin tonë. Ata popunësojnë stafin nëpër institucione, ata po emërojnë menaxherët në feudet e tyre, ata po bëjnë regjistrimin e nxënësve dhe studentëve nëpër shkolla dhe universitete publike e tjera.

Politikani dhe njeriu ynë trushpërlarë! (Ilustrimi është i pashtriku.org)

Të fortët mendojnë se këto sjellje, këto veprime tashti më veç janë ngulitur në vetëdijen e njeriut tonë. Ata duke filluar nga prindi, mësimdhënësi, politikani, ideologu e tjerë, mendojnë se vetëdija jonë është kjo që është dhe kështu do të mbetet… Ndoshta edhe kanë pasur të drejtë, por nuk kanë të drejtë për të ardhmen, sepse ndryshimet janë të shpejta dhe në këto ndryshime të shpejta duhet ndryshuar edhe vetëdijen, përndryshe do jemi të poshtëruar dhe të fyer, siç edhe janë poshtruar dhe fyer prindërit, mësimdhënësit, politikanët dhe një pjesë e ideologëve europian në trazirat e vitit 1968. 
Sot thuaja se të gjithë e dinë, se çështja e vetëdijes është çështje e shumë disiplinave si:
– filozofisë,
– psikologjisë,
– psikiatrisë,
– sociologjisë,
– drejtësisë,
– religjionit etj.

Si e tillë vetëdija ështëe ndërlikuar dhe zor të arrijmë deri te një përkufizim që është i pakundërshtueshëm. Ne në këtë vështrim po e përkufizojmë vetëdijen në gjendje psikike, gjatë së cilës njeriu ose grupi shoqëror di ç’bën, ç’dëshiron, ç’thotë apo ç’vlerë apo ç’peshë ka ajo që bënë, ç’dëshiron, të thotë, e tjera.
Ky përkufizim për vetëdijen na shtynë, ta pyesim veten. A po dimë çfarë po bëjmë, çfarë po dëshirojmë, çfarë po themi, a po dimë çfarë peshe, çfarë vlere kanë veprimet, sjelljet në vlerat tona që po i kultivojmë në individin dhe shoqërinë tonë.
Pyetjet e parashtruara në këtë përkufizim, mendojë që janë të pa evitueshme dhe na bëjnë të ndryshojmë dhe të kërkojmë ekzistencën tonë.
Po ti vështrosh të riun dhe të renë tonë do të shohësh se ata janë të pa motivuar për të vepruar, për të mësuar të renë. Sjelljet dhe veprimet e tyre duken anemike dhe shfaqin nihilizëm e tjera.
Kjo gjendje duhet ta alarmojë prindin, mësimdhënësin, politikanin ideologun e tjera. Është ndoshta momenti i fundit që ne si prindër, si mësimdhënës, si ideolog, si politikanë, e tjera, të punojmë, të ndikojmë, në largimin e përgjumjes, kotjes, nihilizmit dhe të nisim të kultivojmë ekzistencën tek njeriu ynë.
Njeriu në kohën të cilën po jetojmë duhet pa tjetër të bëhet ekzistencë, përndryshe ai vetëm është, do ngjasoje me trungun, gurin, e tjera, – do shprehej Martin Heidegger. Duhet të përfundojë koha e kultivimit të njeriut jo ekzistencë – do të vazhdonte Haeideggeri, duke shtuar se: nuk ka nevojë askush për njeriun jo ekzistencë, në kohën të cilën po jetojmë. (Martin Heidegger (1889 – 1976) http://www.iep.utm.edu/heidegge/)
Vetëdijen që e kemi kultivuar dhe që po mundohemi ta kultivojmë edhe më, ngjason me vetëdijen e qytetarit që donin ta kultivonin prindërit, mësimdhënësit europian pas luftës së dytë botërore. Mësimdhënësit dhe prindërit e asaj periudhe dëshironin të ruanin autoritetin, për çka, nuk kishin mundësi, sepse ju kishte ikur koha vlerave, veprimeve dhe sjelljeve të cilat ata adhuronin, duke mos mundur ta ruanin autoritetin, ata natyrshëm filluan me autoritarizëm. Autoritarizmin e ushtronin prindërit nëpër familjet e tyre, autoritarizmin e ushtronin mësimdhënësit që paraqiteshin në atë kohë të gjithëfuqishëm duke ushtruar autoritarizëm e jo autoritet, ata ishin të pa aftë dhe të papërgatitur për rikthimin e autoritetit. Filozofët duke parë gjendjen e njeriut të pas luftës së dytë botërore e bënë aktuale problemin e ekzistencës. Ata filluan të shfaqnin mendimet për ekzistencën dhe me këto mendime të shfaqura në mediat dhe librat e asaj periudhe, zbardhën vetëdijen dhe njerëzit e kuptuan se tek ata tentohej të ngulitej vetëdija e robit.
Natyrshëm, librat dhe mediat e asaj periudhe zbardhën në fillim kokat e rinisë studentore, ata si të vetëdijshëm që ishin ju kundërvunë, të “fortëve” me trazirat e vitit1968. Këto trazira i paraprinë trazirave politike të cilat i detyruan politikanët, profesorët dhe prindërit të reflektojnë që të kërkojnë kuptimin e vërtet të ngjarjeve të vitit 1968. Sipas mendimtarëve të asaj kohe duheshin që të merrenin përgjigje këto pyetje. Mos është kjo revoltë e bijëve të llastuar të një klase të begatë, e cila kishte dal në dritë si rezultat i mrekullisë ekonomike? Mos ishte një kundërshtim i qytetarit ndaj qeverive që nuk kishte kuptuar se koha e nënshtetasve kishte përfunduar? Mos ishte thjeshtë një stad në reformimin e shoqërisë moderne me institucione të vonuara për ndryshime themelore e tjera.
Ka ardhur koha (ndoshta jemi vonuar) që këtyre pyetjeve dhe shumë pyetjeve të tjera edhe ne si shoqëri, si prindër, si mësimdhënës, si intelektual, si politikanë, duhet që t’i përgjigjemi, për ndryshe do jemi të përqeshur, do jemi të përbuzur nga fëmijët tanë, nga nxënësit, studentët tanë, nga qytetarët tanë.
– Autori është profesor në Gjimnazin-2 “Remzi Adema”j në Prizren.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura