ADEM GAVAZAJ: TË METAT E SISTEMEVE POLITIKE DHE POLITIKANËT TANË

(Prizren, 15. 03. 2013) – Mendimtarët e sistemeve politike na thonë se format e sistemeve politike përcaktohen sipas kriterit se, a marrin pjesë qytetarët në ushtrimin e pushtetit, apo pushteti ushtrohet nga grupet e caktuara burokratike, të cilat veprojnë jashtë kontrollit të qytetarëve, sipas këtij përcaktimi, mendimtarët shtetet i ndajnë në demokratike dhe autokratike.
Ne si popull i kemi provuar të dy këto sisteme politike, autokratiken që e kemi jetuar edhe demokratiken që jemi duke e jetuar. Në të dy këto sisteme politike, politikanët shqiptar i kanë përqafuar dhe po i përqafojnë të metat e këtyre sistemeve, sa që popullit të tyre ju kanë sjellë aq shumë vuajtje e mjerim dhe po i sjellin, si as asnjë populli tjetër në Evropë.
Politikanët e sistemit politik autokratik si çdo kund nëpër botë kriminalizojnë politikën, duke kryer krime politike duke dënuar, internuar, duke krijuar armiq imagjinar dhe duke luftuar me ta e tjera. Por politikanët tanë janë ekzemplar, mjafton të evokohet e keqja e politikanëve vetëm me të burgosurit politik, mbi 666 shekuj burg ja dhuruan këtij populli ose mijëra të dënuarve për kinse “krime”, ata dhuruan shumë vuajtje, mjerim …

Televizioni – shpërlarësi i trurit të popullit,

për interesa të politikanëve autokratë e demokrtatë!

*  *  *

Pas sakrificës, vuajtjes së pa shoqe të popullit tonë, ishte krijuar një bindje në opinion, se me shembjen e sistemit autokratik kurrë më nuk do të ketë vuajtje e mjerim për popullin, sepse vuajtjen e paska pas mbjell sistemi autokratik e jo politikanët tanë… Politikanët sipas tyre nuk paskan pasur alternativë tjetër pos të përqafojnë sistemin si të tillë dhe të veprojnë, sipas ti… duke i sjellë popullit, vuajtje.. sa që vuajtjet dhe sakrificat e tyre të jenë ekzemplar në Europë. 
Të gjitha të këqijat ja veshën sistemit politik autoritar, e jo politikanëve, ata u ‘amnistuan’ nga të këqijat që i kanë bërë popullit, se kinse ata nuk paskan pasur qëllim që ti plotësonin motivet, epshet e tyre të sëmura për pushtet, autoritet, pasuri e tjera.
Me ndërrimin e sistemit politik, thuaja se të gjithë mendonin se tani më do jemi të lirë, se kemi sistemin demokratik, do kemi qasje të barabartë, besonin se nocioni demokraci, se ajo ngërthen lirinë, mirëqenien e tjera.
Populli, qytetarët duhet ta dinin se demokracia kërkon qytetari që ti ndaloi politikanët drejtë së keqes, i lejuan dhe po i lejojnë politikanët, me i përqafuar të metat e sistemit, të cilat kanë mbjell dhe do mbjellin të keqen në shoqërinë tonë. E keqja veç ka filluar të duket, po kultivohet një diktaturë latente ndër ne, e cila tani veç po lëshon shtat.
Politikanët me veprimet, sjelljet e tyre meskine, jo qytetare dhe jo humane po dëmtojnë institucionet demokratike të demokracisë, me qëllimin që ta lulëzojnë të keqen, ata në të keqen dinë të notojnë si gjithmonë dhe të kënaqen… Ata po i kënaq edhe fakti se ne renditemi gjithmonë shumë larg të fundit me shtetet evropiane, në të gjitha lëmit e jetës.
“Inteligjent” u treguan politikanët tanë si ‘gjithmonë’ i mësuan të metat e sistemit politik demokratik, të cilat veç ishin të evidentuara dhe si të tilla edhe të dënuara nga politikanët, intelektualët dhe qytetarët e shteteve me tradite demokratike.
Politikanët tanë, si gjithmonë, përvetësuan të metat e sistemit demokratik, me qëllimin që ti kënaqin egot e tyre në dëm të popullit. Ata përvetësuan rrugën e mashtrimeve elektorale, ata përvetësuan korrupsionin, krimin e organizuar, lojërat e paligjshme të fatit e tjera, të cilat atyre po ju mundësojnë që të bëhen të kamur ekonomikisht dhe të dallojnë nga të tjerët me vilat e tyre ku jetojnë dhe pushojnë ata dhe familjet e tyre, me makinat e tyre të shtrenjta. Ata bëjnë udhëtime ekzotike shumë të kushtueshme, ata vishen me veshje formato të shtrenjta, ata kanë aksione e biznese të shumta që ata kontrollojnë në mënyrë direkt apo indirekte e tjera.
Këto epitete i kanë të gjithë politikanët pa marrë parasysh a janë në pushtet apo në opozitë, kjo u pa me akordimin e tyre për reformën zgjedhore, i harxhuan kot parat për kinse po bëjnë reformë zgjedhore, në fund e lanë ashtu si ishte, një zonë zgjedhore… E mirë për të gjitha grupet politike, ku përjashtohet vetëm e mira e popullit….
Po të hedhësh një sy dhe të mendosh pak, do të konstatosh, se politikanët e të gjitha grupeve kanë bërë marrëveshje latente të pashkruar që plaçkën e mbledhur nga populli ta ndajnë në mënyrë të drejtë mes tyre…
Këto sjellje të politikanëve tanë ka krijuar një apati politike që po rrezikon demokracinë, e kanë krijuar njeriun që po heqë dorë nga shumëçka, i cili duket i dorëzuar, duket i dëshpëruar, i zhgënjyer, tek ai shohësh lehtë indiferencën, apatinë, mungesën e fuqisë shpresës etj …
Johan Stujart Milli do ju tregonte politikanëve shqiptar se demokracia nuk është forma më e mirë e qeverisjes, ju duhet ta dini, do këshillonte Milli se vetëm një demokraci që tregon anët e saj të mira, është më e mirë se ndonjë sistem tjetër politik përndryshe ju ore politikanë, do i sillni vuajtje e mjerim popullit, sikur politikanët paraardhës, të sistemit tjetër politik, ku edhe ata kanë shfrytëzuar të metat e sistemit të kaluar…
– Autori është profesor në Gjimnazin-2 “Remzi Adema”j në Prizren.

………………………………………..

(Ilustrimin e përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura