ELIFE LUZHA: DICK DHE RRJETI PANSLLAV

Serbia e ndodhur nën trysnitë e BE-së për përmbushjen e kritereve për integrim, ku në njërën anë i duhet t’i dorëzojë kriminelët e luftës, dhe në anën tjetër edhe publikisht është e detyruar ta pranoj realitetin e shtetit të Kosovës, ka filluar t’i intensifikoj sulmet kundër pavarësisë së Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. S’do mend se Serbia asnjëherë nuk ka zgjedhur mjete as metoda për të blatuar e poshtëruar popullin tonë për çka më së miri flasin memorandumet serbe të hartuara vit pas viti për shfarosjen e shqiptarëve. E dimë tani më se rrjeti pansllave me qendër në Beograd, bekuar edhe nga kisha ortodokse serbe, vite me radhë përgatit receta dhe angazhon me pagesë firma prestigjioze nëpër botë për të lobuar kundër shqiptarëve, duke synuar edhe blerjen e kongresmenëve amerikan. Kjo ishte edhe arsyeja e themelimit të lobit serb më 1999 në Uashington, me rrjetin e degëzuar në Zvicër e gjetiu, dhe nga atëherë është angazhuar për të publikuar gjithçka të mundur kundër UÇK-së dhe luftës për liri të shqiptarëve. Rrjeti i lobit serb ka angazhuar me pagesë edhe firma të njohura si ‘Venable’ e cila përveç pagës së rregullt nga 100 mijë dollar në muaj, paguhet edhe me nga 100 mijë tjera shtesë, për publikimin e artikujve, të ndryshëm kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shqiptarëve.
Me shuma të mëdha parash porositen gjithashtu personalitete të ndryshme si në Zvicër, SHBA, Kosovë e gjetiu, për të shkruar kundër UÇK-s. Lobistët serb asnjëherë nuk i kanë fshehur mundimet torturuese për të krijuar imazhin negativ për shqiptarët. Megjithatë, ky fakt nuk e ka frenuar Vojisllav Koshtunicën që të paguaj 60 mijë dollar në muaj firmën ‘Barbour Griffith and Rodgers’ për t’i shantazhuar shqiptarët, njashtu si dhe Boris Tadiqi, i cili angazhoi firmën ‘Chicago basen Advanced Practical Solutions’ e njohur si mbledhëse e fondeve për ish-guvernatorin e famshëm të Ilinoisit Rod Bllagojeviç, dhe paguan 85 mijë dollar në muaj për t’i shërbyer propagandës serbe kundër shqiptarëve. Kështu, edhe raporti i Daniell L.Philips, botuar ne maj të këtij viti, i cili fyente rëndë vlerat e luftës së UÇK-së, duke i quajtur banda kriminale, ishte fabrikim i rrjetit pansllav, në bashkëpunim me lobin serb në Uashington dhe ‘Këshillin kombëtar serb për Kosovë e Metohi’.
Raporti i z.Philips nuk paraqiste asnjë të dhënë apo argument faktik, por megjithatë gazeta ‘Koha Ditore’ duke shkelur etikën gazetareske nuk vonoi ta publikojë raportin me gënjeshtra tendencioze kundër shqiptarëve. Përderisa Klubi për Politikë të Jashtme në Prishtinë, duke i bërë nder dhe shërbim autorit Daniel L.Philips, organizoi edhe tryezë të rrumbullakët për diskutim. Shih për këtë, këto ditë jemi dëshmitar të publikimit edhe të një pamfleti propagandistik kundër shqiptarëve, apo projekt-raport siç e quajti zëdhënësi i qeverisë amerikane. Me një fjalë radikali Dick Marty, eurodeputet në Asamblenë e Këshillit të Evropës, duke e keqpërdorur autoritetin rrespektiv të këtij institucioni, ngreh akuza kundër shqiptarëve me qëllimin e vetëm njollosjen e tyre. I verbuar nga paragjykimet antishqiptare, ai guxon t’i ngarkoj vetes rolin e hetuesit, gjykatësit e prokurorit dhe publikon projekt-raportin e motivuar politikisht së pari në medien me orientim majtist ‘The Guardian‘ pastaj raporton para Asamblesë në KE.
Nuk do koment aprovimi i këtij projekt-raporti antishqiptar nga Asambleja KE, kur kemi parasysh ofertat e majme të lobistëve serb, ama është tmerrues fakti se si në botën e qytetëruar demokratike guxohet të lejohet zbrazja e tërë atij arsenali ofendues e racist kundër një populli të tërë e në këtë rast shqiptarëve. Të habit fakti se si është e mundu që z.Marty, ky punëtor për të drejtat e njeriut, edhe me vite e njihte realitetin në Kosovën, por asnjëherë nuk e tha as një të vetmen fjalë për largimin me dhunë nga shtëpitë e tyre të 1 milion shqiptarëve?! Asnjëherë nuk e tha as një të vetmen fjalë për 1800 të zhdukurve shqiptar që edhe pas 11 vitesh të përfundimit të luftës po i mban peng Serbia?! Është po ky Marty që haptas u deklarua kundër shtetit të Kosovës që në start të pavarësisë së saj. Akuzat e z.Marty, drejtuar shqiptarëve, ku fyhen e njollosen të gjithë pa dallim, na kujton egërsisë serbe kur vrasjet masive të shqiptarëve i arsyetonte me thënien se: ‘shqiptarët janë njerëz me bishta’.
Gjithsesi akuzat dhe shantazhet e z.Marty të shprehura në raport kundër shtetit dhe pavarësisë së Kosovës janë fjalë boshe për çka rrjeti pansllav për një dëshmi të rreme (edhe në Kosovë) ofroi 300 mijë euro. Thënë troç, imagjinatat fantome të shprehura në librin ‘Lufta ime’ nga ish-prokurorja Karla Del Ponte, z.Marty, duke shkelur çdo parim etik e moral i ricikloi në deklaratë politike kundër kombit shqiptar, dhe ‘harroi’ se ishte pikërisht narracioni i dyshimt i znj. Del Ponte, që i detyroi autoritetet zvicerane ta ndalojnë publikimin e librit. Znj.Del Ponte ishte ndjerë e fyer me dështimin e ‘Luftës së saj’, prandaj dhe bashkëpunoi me kolegun Marty për t’iu ‘rikthyer’. Karla Del Ponte ishte fyer edhe më 2004, kur prokurorët e Administratës së Kombeve të Bashkuara vërtetuan me fakte, se imagjinatat e saj, dhe të gjitha akuzat e ngritura nga Prokuroria serbe për krime lufte, janë të pa baza! Atëhere shtrohet pyetja, akuzat që sot drejton z.Marty (në koordinim me rrjetin pansllav) për po të njejtën qështje a nuk janë përdhosje e drejtësisë ndërkombëtare?!. Marty dhe kundërshtuesit e pavarësisë së Kosovës nuk ju gëzuan prosperitetit të Kosovës dhe lirisë së saj. Fitorja e Hashim Thaçit në zgjedhjet e 12 dhjetorit është garanci për Kosovën euroatlantike e të integruar në bashkësinë ndërkombëtare, andaj dhe gjakësorët u shpejtuan t’ia pengojnë hapin, duke nxjerr nga sirtarët sekretet fabrikime të tyre. Por, do t’i apeloja z.Marty se me gënjeshtrat e sajuara kundër udhëheqësve të vendit tim dhe kombit tim, jam bindur shumë se nuk e njihni realitetit shqiptar, prandaj dhe e keni të garantuar dështimin!
Prishtinë, 20. 12. 2010
– Autorja është e diplomuar në Kolegjin Universitar VICTORY, Fakulteti i Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura