GJOKË DABAJ: DUKE PRITUR TË NA KËNDELLET BUJQËSIA

Durrës, 28. 03. 2014 – (Dëshmitar i dështimevet) – Që të flas për temën që po e trajtoj këtu, e shoh të nevojshme t’i them disa gjëra lidhur me jetën time. Rrjedh nga një familje tradicionalisht blegtoro-bujqësore, dokumentuar historikisht që nga viti 1614. Rritur nën hijen e një kulle 400-vjeçare, ndërtuar e tëra me gur të gdhendur, nuk mund të mos kisha adhurim për blegtorinë dhe për bujqësinë: Ish pikërisht ajo blegtori e bujqësi që ia kish bërë të mundur paragjyshit tim të shekujvet XVI e XVII për ta ndërtuar atë kullë.
Në fëmijërinë time të hershme familja ime rronte ende me po atë lloj pasurie që e kish mbajtur gjallë në 4 shekuj. Kishim rreth 100 kokë dhen e dhi, nja 14 lopë, qe e viça, 1 mushkë, 2 dosa me nga 7-8 gica, një oborr bletësh që s’na linte kurrë pa mjaltë dhe toka që na jepnin patate, misër, thekër dhe grurë, fasule, qepë, aq sa na dilte ushqimi për gjithë vitin. Patatet edhe i shisnim, sepse toka ishte humus dhe plehu ishte i bollshëm. Bagëti, natyrisht, shisnim 2 herë vit, kurse leshin e dhenvet dhe djathin i nxirnim në pazarin e madh të Shkodrës.
Jugosllavia, e quajtur komuniste, ishte ajo e cila e shkatërroi mirëqenien e fshatarit. Nga viti 1945 deri në vitin 1953, familja ime, jo vetëm që s’i kish më atë bujqësi e blegtori, por nuk e siguronte as gjysmën e miellit për bukë. Blegtoria u katandis në më pak se 20 kokë të imta, 1 lopë, 2 qe, një gic mezi e blinim, dhe një gomar. Për mushkë më as që bëhej fjalë. Tokat tashmë prodhonin aq pak, sa s’kish levërdi as të punoheshin. Ishte dështimi i parë që e përjetova.
Nuk ishte vetëm familja ime që mbeti pa të ardhura, por ish krejt fshatarësia e atij shteti, nga e cila u krijua një armatë e madhe të papunësh. Titoja u detyrua të bëjë marrëveshje me Evropën Perendimore, për t’u lehtësuar nga problemet që i solli papunësia.

 Kur erdha këtu, në Rep.e Shqipërisë, punova 5 vjet si punëtor bujqësie. Më pëlqente puna e bujkut, e atillë siç e kish organizuar shteti i këtushëm. U krijua, në ata vite, aty ku unë punoja, një vresht i madh mu përballë Tepelenës, u krijua një ullishtë, një plantacion me fiq, një tjetër plantacion i vogël me agrume, në një luginë ku s’e mirrte era e veriut. Mbahej, me jonxhat dhe me foragjeret e asaj ferme, një tufë jo e vogël lopësh, prej së cilës furnizohej me qumësht krejt qyteti. Kish shumë probleme organizimi, por unë dëshiroja me shpirt, e punoja edhe me mend, që ata probleme të mund të kapërceheshin. Dëshiroja që të prodhohej sa më shumë, në mënyrë që populli të jetonte sa më mirë.
U gjenda, pas disa vjetësh, në rreth të Matit. Jetoja mu në mes të bujqësisë, ndonëse nuk punoja tashmë në bujqësi. Më dilte gjumi natën dhe dëgjoja me ëndje brurimat e traktorëvet, që quheshin stalinjecë. Ata i lëronin tokat deri rrëzë malevet. E krahasoja Fullqetin me vendin ku isha rritur. Atje, më shkruante një kushëri, nxirnin tym vetëm 6 shtëpi, 4 prej të cilavet kishin brenda vetëm nga 1 plakë. Uroja që në fushat dhe kodrat e Matit të mos ndodhte si në Shestan.
Por, dalëngadalë, edhe aty filloi tatëpjeta. (Më patën dënuar njëherë 6 muaj me punë korrektuese në kooperativë. U kënaqa duke punuar nëpër ara, bashkë me kooperativistët. E vetmja gjë që më t’huajte, që më largonte nga puna në bujqësi, ishte paga e ulët. Jetuam ata 6 muaj thuajse me rrogën e sime shoqeje, se lekët e kooperativës nuk dilnin as për të ushqyer njërin prej kalamajve.) Në vitet në vazhdim, në vend të ngritjes, ndodhi rënia e lemerishme. Familjet fshatare mbetën edhe pa pikën e qumështit, për t’ua njomur fytin fëmijëvet. Ishte dështimi i dytë që përjetova.
Unë, dhe shumë të tjerë si unë, e shikonim me alarm rrokullisjen e bujqësisë. Por shumica nuk e dinin që shkatërrimi edhe më i madh do të vinte pas rënies së komunizmit. Unë e dija, sepse e kasha përjetuar njëherë.
Kapitalizmi e shkretoi shumëfish më keq atë bujqësi, në të cilën komunizmi prej vitesh kish dështuar. Mbetën djerr tokat, u shndërruan arat në shkurrishte, u shkulën vreshtat (Vreshti i Tepelenës, ngritur me aq mund e pasion, s’është më.), u prenë ullinjtë për dru zjarri (Ose u dogjën, si dhe pyjet e pishavet.), agrumet i mbuluan ferrat. Në vend që Rep.e Shqipërisë t’i eksportonte prodhimet e bujqësisë, siç kish bërë jo shumë vite më parë, tani filluam të blejmë në Greqi, në Itali dhe në Rep.e Maqedonisë. Djemtë tanë punonin atje, ne blinim mundin e djemvet tanë, por paratë i merrnin (dhe i marrin) kapitalistët e vendevet fqinjë. Ishte dështimi i tretë, që e përjetova.
Kur të bie shorti, të çash dërrasa pa pykë
Asnjëherë nuk kam menduar sipërfaqshëm për problemet e bujqësisë. Por ishin të cekët, të sipërfaqshëm, ata që e drejtonin bujqësinë. Madje, e them me bindje, se pjesa dërmuese e drejtuesvet, ishin armiq të bujqësisë dhe të blegtoririsë, sepse s’mund t’i shihje asnjëherë të kapnin shatin me dorë apo ta milnin vetë një dele. (Përjashtohen këtu, sigurisht, njerëz të atillë të mëdhenj si Abedin Çiçi apo Ahmet Osja.) Nuk mund të komandojë një ushtri, një që s’është ushtarak edhe në kuptimin praktik. Nuk mund të jetë trajner futbolli, një që s’luan kurrë futboll. Shumë here, vite me radhë, kam çarë dërrasa pa pykë deri edhe me titullarë të ministrivet. Vetëm një Bejo Zhupë, një lab i guximshëm, drejtor i NBL-së në Tepelenë, e pat kuptuar vizionin tim dhe u mundua të më përkrahte. Edhe në Mat, ish një matjan i guximshëm, Ahmet Çollaku, drejtor i shkollës ku punoja, me të cilin u bëmë dhe mbetëm miq. Por ç’mund të bëjnë 1 apo 2 apo 3 vetë, në një botë që rrokulliset?! Digat e lumenjvet nuk bëhen në kohë vërshimesh. Digat bëhen, pasi të jenë kalbur përmbytjesh gruri dhe misri dhe pasi të jenë varrosur të mbyturit. Edhe atëherë, në pastë mbetur kush, nga ata që e kërkojnë rimëkëmbjen dhe që dinë si bëhet rimëkëmbja.
Rruga e rimëkëmbjes
Por, më mirë të mos merremi gjatë me këtë lloj hyrjeje, e cila, sidoqoftë, ish e nevojshme.
Ç’të bëjë me bujqësinë e vet Republika e Shqipërisë, në gjendjen që është katandisur sot? A zgjidhin punë ca të quajtur rimbursime të naftës, ca të quajtur grande për të suportuar individë, një këtu e një aty, ca subvencionime pa kurrfarë efekti të dukshëm dhe ca të quajtura kredi të buta financiare?!
Bujku ynë, sarkastikisht i quajturi “fermer”, kërkon nga shteti VETËM 2 KUSHTE kryesorë: TOKËN, TË MJAFTUESHME, DHE TREGUN E SHITJES, TË GARANTUAR. A është në gjendje qeveria t’i sigurojë bujkut, fermerit, fshatarit, aq tokë dhe të atillë tokë, që ai të ketë levërdi të punojë atje? A është në gjendje qeveria t’i sigurojë prodhuesit bujqësor e blegtor, treg të lakmueshëm për t’i shitur prodhimet?
Duke u mbajtur fort te përkufizimi: BUJKU DO TOKË DHE TREG, unë do ta shtjelloj tani idenë time se si do të mund të shndërroheshin shumë shpejt bujqësia e blegtoria shqiptare në bujqësi e blegtori të përparuar kapitaliste.
I.Po trajtoj fillimisht çështjen e tokës. Toka, e parcelizuar, kështu si e bënë pushtetarët, restauruesit injorantë e xhahilë të kapitalizmit, nuk bën dot bujqësi e blegtori kapitaliste. Nuk bën, sepse fshatari nuk ka levërdi të lidhet pas aq pak toke. Subvencionoje sa të duash, ulja akcizën ose falja krejt naftën, 5 dynymë ose 1 hektar tokë atij s’i dalin as për të mbajtur 1 bisht lope. Me 1 hektar, por edhe me 2 apo 3 hektarë, fshatari mbetet përherë i varfër dhe ekstensiv, duke u munduar vetë, siç thonë, me thonj e me dhëmbë, ndonjëherë edhe duke mbrehur gomarin në parmendë. Me këtë sasi toke do të merret vetëm ai që s’ka ku të mbytet, ai që s’shkon dot në botën e quajtur të jashtme, (në të vërtetë, vetëm në botën perendimore, se në pjesën tjetër të botës së jashtme s’po rrojnë dot as vendësit), si dhe ai që s’e ka zënë dot një copë vend diku në qytet. Mund të mendohet që edhe me pak tokë bëhet bujqësi, psh me sera, (duke i skuqur domatet me kimikate), me ndonjë vresht të vogël, ose me ndonjë stallë lopësh, duke blerë andej e këndej bar të thatë dhe ushqime koncentrat, (duke u futur viçavet nga një kortizon), e kështu me radhë. S’është kjo kurrfarë ekonomie e qëndrueshme, me të cilën do të mund të krijohej një klasë e mirëfilltë fermerësh. Nuk mund të krijohet kështu as klasa punëtore bujqësoro-blegtore, siç e kanë të gjithë vendet me kapitalizëm të zhvilluar.
Mirëpo, as sipërfaqet e mëdha të tokavet, të përqëndruara në duart e 1 pronari, për Shqipërinë, (jo vetëm për Republikën e Shqipërisë, por për krejt Shqipërinë), nuk janë të përshtatshme. Madje, as në Botë, për kohën në të cilën po hyjmë, pronat e mëdha, latifondet, nuk e di a do të kenë perspektivë. Këtu tek ne, që kur u krijuan feudet e stërmëdhenj të pashallarëvet, bujqësia dhe blegtoria zunë të asfiksohen. Puna erdhi deri atje, sa, më në fund, doli në skenë domosdoshmëria për reforma agrare. Shprehur shkurt, Shqipëria ua pa sherrin çifliqevet të mëdhenj. Por edhe kooperativavet, të quajtura të tipit të lartë, sado që ato ekzistuan këtu për një kohë fare të shkurtër, Shqipëria ua pa sherrin. Ato, të krijuara nga dofarë burokratësh, që mendonin se dinë shumë, bënë që masa e kooperativistëvet të bjerë në mjerim më keq se bujkrobëria e dikurshme.
Për Shqipërinë, pronat e mesme, madje ato që mund të klasifikohen edhe nën të mesme, por jo të vogla, janë më të përshtatshmet, për disa arsye.
Arsyeja e parë është se, me prona të tilla, që unë i kam rrumbullakosur përafërsisht te 10-hektarëshi, rigjallërohet jeta rurale, jeta në fshat, gjë që është e domosdoshme për të pasur një shoqëri të ekulibruar. Arsyeja e dytë është se, me 10 hektarë, fshatari, fermeri, ka levërdi të merret me bujqësi e blegtori. Arsyeja e tretë, mekanika e sotme bujqësore është përshtatur tashmë pikërisht për të tilla ekonomi. Arsyeja e katërt, në një pronë 10-hektarëshe mund të aplikohet shumëllojshmëria e kulturavet dhe 2-degësia bujqësi-blegtori, në atë mënyrë që asnjëherë të mos shkohet drejt falimentimevet. Arsyeja e pestë, një e tillë ekonomi menaxhohet lehtë, nuk ka nevojë për zyra e për administratë. Arsyeja e gjashtë, pronari i një të tillë prone, 10-hektarëshe, nuk mund ta braktisë atë e të shkojë në qytet, por është i detyruar të banojë aty dhe të punojë edhe vetë me gjithë familje. Arsyeja e shtatë, pronari i një të tillë prone, ndonëse një pjesë të punëvet i bën vetë (gjë që ka shumë rëndësi), prapë është i detyruar të marrë edhe punëtorë me mëditje, kështu që, në shkallë shteti, zvogëlohet papunësia. Arsyeja e tetë, prona të tilla kontrollohen lehtë nga shteti, kundër abuzimevet, të cilët, në kohën tonë, nuk janë as të pakët dhe as të parrëzikshëm.
Numërova këtu vetëm 8 përparësi, 8 kategori përparësishë, por thellimi dhe detajimi i mëtejshëm i këtij projekti, do të nxirte doemos edhe shumë të tjera anë të mira. Psh, vënia në jetë e kësaj mënyre të ekonomizimit, do të bënte që shumë shqiptarë të emigruar të mund të ktheheshin në Shqipëri. Menaxhimi i tokës, vënia në efiçencë e sipërfaqevet të tokës, që sot nuk shfrytëzohen, do të gjente zgjidhjen më optimale, sistemi i ujitjes do të mund të përmirësohej më me sukses se në çdo formë tjetër, rrëziqet e përmbytjevet e të gërryerjevet do të mund të minimizoheshin, madje do të mund të eliminoheshin tërësisht. Hapja e tregut të tokës do t’i bënte shumë mirë krejt ekonomisë së vendit tonë.
Mirëpo, për t’ia arritur këtij synimi, i cili do t’i sillte popullit tonë një përmirësim të menjëhershëm të jetesës, duhet që shteti të krijojë LEGJISLACIONIN PËRKATËS. Puna e parë do të ishte, krijimi i një grupi specialistësh, jo për ta hedhur poshtë (sepse dihet që ne jemi “specialistët” më të mirë në Botë për të hedhur poshtë, sidomos idetë progresive), apo për ta shtyrë zbatimin e tij në kalendat greke (sepse dihet që edhe për t’i zvarritur projektet deri në pafundësi, ne jemi “specialistë” të përkryer), por për t’i vënë më mirë në dukje përparësitë dhe për të hartuar, në funksion të këtij projekti, nenet përkatës të kushtetutës dhe ligjet.
Të pranohet kjo formë prone bujqësore si forma që mbrohet dhe stimulohet nga shteti. Të krijohet program përkatës shtetëror për vënien në jetë të kësaj ideje. Të gjitha format e subvencionimevet të bujqësisë e blegtorisë të përqëndrohen vetëm te vënia në jetë e kësaj ideje. Psh shteti të marrë përsipër pagimin e kamatës së kredivet. (Sepse dihet që prona të tilla mund të krijohen vetëm me metodën e kreditimit) Nuk ka nevojë të subvencionohet as nafta, as farërat, as blerja e pajisjevet agroteknike. Të paguarit e kamatës është nyja financiare e të gjithë subvencionimeve.
Me akte ligjorë të gjenden rrugë për shmangien e çdo lloj shkeljeje apo spekullimi. Psh të përcaktohet me ligj sipërfaqja që mbrohet e përkrahet nga shteti, natyrisht, pa i ndalur, pa i nxjerrë jashtë ligjit, as pronat më të vogla apo më të mëdha, ndonëse unë nuk jam për prona shumë të mëdha, sepse ato çojnë pashmangshëm drejt degjenerimit dhe drejt shkatërrimit. Të krijohen ligje mbi mënyrën se si do të veprojnë bankat në funksion të realizimit të këtij projekti, si do të miratohen e livrohen kreditë, afatet e shlyerjes së kredivet, penalizimet në raste mosshlyerjeje, deri në konfiskim. Midis hollësivet apo disa elementëvet që duken si hollësi, por që në të vërtetë, janë të rëndësishëm, dhe që duhet të përcaktohen me ligj, është, psh, kërkesa që çdo pronë e krijuar, me sipërfaqen që e përcakton ligji, rreth 10-hektarëshe, duhet doemos të rrethohet me shtylla betoni e me rrjetë teli. Ky element ka rëndësi të jashtzakonshme, sepse mbyll shtigjet e abuzimevet lidhur me sipërfaqet, krijon mundësinë për t’u shënuar në kadastër në mënyrë precize etj.etj. Nuk do harruar që këto prona krijohen me perspektivë nga më afatgjatat që njeh historia njerëzore. Hollësi tjetër do të ishte krijimi në krye të çdo prone 10-hektarëshe, të një baseni me konstrukt betoni për grumbullimin dhe shpërndarjen e ujit. Ndërtim ky i përfshirë në kredi dhe i detyrueshëm për t’u realizuar. Secila pronë duhet të ketë një basen me kapacitet rreth 1000 m³ (25x20x2), i cili të mbushet në radhë të parë prej shiut dhe pastaj mundësisht prej rrjetevet të ndryshëm kanalesh apo tubacionesh ujësjellës.
Në lidhje me të drejtat e pronësisë, legjislacioni për bujqësinë duhet të mbështetet në praktikat që kanë objekte të ndryshëm të industrisë. Po marr ndonjë shembull, i cili, ndonëse mund të duket banal, na jep mundësi që ta kuptojmë çështjen më mirë: Nëse një familje ka në pronësi një autobus, si veprohet kur vjen puna për t’u ndarë ajo familje? A e ndajnë fizikisht autobusin, gjysmë njëri e gjysmën tjetri vëlla, apo, kur janë 3 vëllezër, secili nga 1 të 3-tën? Kështu edhe kur dikush është pronar i një anijeje transporti, një trageti apo jahti, prona nuk ndahet fizikisht, sepse një ndarje e tillë do ta shkatërronte objektin. Kështu do kuptuar edhe prona 10-hektarëshe: Ndarja e saj në pjesë fizike e shkatërron atë. Ashtu si, ligjërishht, duhet pamundësuar zmadhimi i saj, ashtu edhe zvogëlimi duhet pamundësuar ligjërisht. Prandaj edhe them që pronat 10-hektarëshe duhet të krijohen me perspektivën më afatgjatë të mundshme. Mundësisht të përjetshme.
Mbështetur në këto, lind doemos vargu i pyetjevet: Kur, nga 1 familje krijohen 2 ose 3 familje, ç’bëhet me pronën? Kush e trashëgon atë pronë? Ç’të drejta ka një pjesëtar i familjes, i cili, ta zëmë, shkollohet dhe shkon në qytet? Ç’të drejta ka një vajzë që rritet në atë familje? Ç’të drejta ka një bashkëshort, i cili divorcohet? Të gjitha këto duhet të zgjidhen me format më të mira të mundshme, por jo kurrsesi me copëzimin fizik të pronës. Anëtarët e familjes japin secili kontributin e vet në mbarëvajtjen e pronës dhe kjo pasqyrohet në evidencat e përdithshme, që janë të detyrueshme për t’u mbajtur. Kur vjen koha që fmilja të ndahet, pjesëtarët që largohen, ose marrin aksionet, ose ia shesin pjesën e vet atij që mbetet në pronë. Këtu ka vend për të tjerë detajime ligjorë. Në rastet kur familja nuk bie dakord për formën me aksione ose shitje të pjesës së vet pjesëtarit tjetër, mund të shitet krejt prona dhe ndahen paratë. Legjislacioni duhet të parandalojë krijimin e familjevet patriarkale, sepse ato, si formë e dikurshme e mbijetesës, tashmë nuk janë të përshtatshme. Kjo bëhet duke përcaktuar ligjërisht, që, në një pronë moderne bujqësore mund të jetojnë bashkë vetëm çiftet e kuroravet me lidhje vertikale, gjyshër, prindër dhe çifti i ri, kurse sapo të krijohen çifte paralelë, 2 vëllezër të martuar, njëri duhet të largohet, ose duke blerë pronë tjetër, ose duke u vendosur në qytet. Kur njerëzimi nxjerr ligje edhe për mbrojtjen e pelikanëvet apo të breshkavet e ujit, nuk ka arsye të mos kërkojë dhe gjejë ligjet më mirë për mbrojtjen dhe mbarëvajtjen e njerëzvet.
II.Thashë në fillim që, ndaj bujkut e blegtorit, shteti ka 2 detyra kryesore: T’i sigurojë tokë dhe t’i sigurojë treg për shitjen e prodhimevet. (Kuptohet, shitja e prodhimevet varet edhe nga cilësia, pra nga vetë prodhuesi.) Kaluam kështu te çështja e dytë, sigurimi i tregut. Dihet që ka 2 tregje: tregu i brendshëm dhe tregu i jashtëm. Çështja e parë që duhet kuptuar me këtë rast, është kjo: Kur një prodhim bujqësor apo blegtor prodhohet me bollëk në vend, tregu i brendshëm nuk mbetet asnjëherë pa u plotësuar. Duke pasur këtë konstatim parasysh, del që shtetit i mbetet për të siguruar sidomos tregun e jashtëm. Kushtet klimatikë në Shqipëri janë të atillë që, për prodhimet tanë mund të gjenden tregje të jashtëm me shumë levërdi. Këtu vijnë në konsideratë sidomos vendet përgjithësisht të ftohtë dhe ata veriorë: Austria, Zvicra, Gjermania, Polonia, Çekia, Sllovakia, Hungaria, Danimarka, Suedia, Norvegjia, Finlanda, Bjellorusia, Lituania, Letonia, Estonia, Ukraina, Rusia. Të shprehemi figurativisht: Sikur nga 10 trajlera prodhimesh tanë të shesim në gjithë këta vende, ne do të na shiteshin të gjithë prodhimet jashtë shtetit. Dua të them: Ka treg të jashtëm, mjafton që qeveria të jetë e përgjegjshme.
Do vënë dukje këtu edhe një specifikë e jona e veçantë, e shkaktuar nga krimi i copëtimit të Shqipërisë në vitin 1913: Tregjet e Republikës së Kosovës, të Republikës së Maqedonisë dhe të Republikës së Malit të Zi, nuk duhen konsideruar si tregje të jashtëm. Ata janë tregje të brendshëm dhe në funksion të këtij këndvështrimi, duhen realizuar edhe marrëveshjet përkatëse për doganat. Madje edhe me Republikën e Greqisë, për shkak të Çamërisë, të arvanitëvet dhe të emigrantëvet tanë të shumtë, duhet të hartohen marrëveshje të veçanta doganore.
Çështje tjetër që ka të bëjë me legjislacionin dhe që duhet të kihet mirë parasysh, është ajo e pastërtisë së prodhimevet. Shqipëria, me kushtetutë, duhet të shpallet shtet ekologjik. Që të proklamohet një shtet, si shtet ekologjik, duhen plotësuar një varg kushtesh, por unë po ndalem vetëm te kjo formë prone, për të cilën po flas këtu. Në një pronë 10-hektarëshe, siç edhe e thashë që në fillim, mund të zbatohet shumë mirë kombinimi i bujqësisë me blegtorinë, gjë që në radhë të parë do të thotë, të kesh plehun tënd për t’i plehëruar bimët kryesisht me pleh organik.
Një fermë e këtillë mund të mbajë 2 apo 3 lopë, 20 kokrra dhen, 10 kokrra dhi, 1 dosë me gica, 100 krerë shpendë të llojevet të ndryshëm. Mund të mbahen, natyrisht, 2 kuaj. E gjithë kjo blegtori i siguron pronës një plehërim organik deri diku të rregullt, plehërim, i cili, i kombinuar mirë me plehërat inorganikë, jep doemos një prodhim, sa të bollshëm, aq edhe cilësor.
Sa u përket kuturavet bimore, 3 hektarë mund të mbillen me miser e me grurë, 1 hektar, psh, mund të mbillet me vresht, 1 hektar tjetër me ullinj, pastaj, pemë të tjera frutotre, pjeshkë, kajsi, agrume, bajame, shegë, arra, fiq. Duke bërë shteti kontrata me vendet veriorë, me 2 apo 3 dynymë tokë të mbjellë me fiq, kjo pronë mund të nxjerrë të ardhura mjaft të mira. Një prone 10-hektarëshe i duhet, si rregull, edhe një pyll, ndoshta 3 apo 4 dynymë. Pyll për dru, por edhe për atrakcion, për bukuri, për shëndet të mirë dhe për kënaqësi.
Për të siguruar mbarëvajtjen e pronavet që po i propagandoj unë këtu, e që llogaris të kemi rreth 100 mijë të tilla apo edhe dyfishin, shteti duhet t’u rekomandojë pronarëvet, madje t’ua caktojë me ligj, bashkëpunimin me specialistët: 1 ekonomist, 1 agronom, 1 veteriner, 1 jurist. Secili prej këtyre specialistëve do të mund të merrte nën kujdestari rreth 100 prona dhe secilit pronar do t’i binte të paguante 1 të 100-tën e 4 rrogavet të tyre, pra, rreth 40 mijë lekë të vjetër në muaj. Me të gjithë këta, kuptohet, duhet të ketë kontrata të rregullta dhe shërbimi i tyre duhet të jetë i përgjegjshëm, përndryshe pronari të ketë të drejtë ta zgjidhë kontratën dhe të kërkojë tjetër specialist. Vetëm me këtë llogari të rrumbullakësuar i bie që kjo formë organizimi e bujqësisë, të sigurojë 4 mijë vende pune vetëm për specialistët. Secilit pronar do t’i duhet të mbajë ndoshta 3-5 punëtorë me mëditje. Edhe kjo do ta zbuste në masë të kënaqshme papunësinë, sidomos për shtresat që sot trajtohen me të quajturat “ndihma ekonomike”, në të vërtetë, bamirësi mjerane banorësh më se të mjerë.
Për të siguruar një pastërti prodhimi, por edhe pastërti ekonomizimi, shteti duhet të vërë në funksionim shërbimin e vet inteligjent. Në shërbimin e fshehtë shtetëror duhet të funksionojë një rrjet i posaçëm i informacionit në lidhje me bujqësinë e blegtorinë, në mënyrë që të mund të shmanget në kohën e duhur çdo lloj krimi ekonomik i mundshëm në këtë fushë. As kjo nuk mund të konsiderohet vogëlsi.
Pra, duhet menduar organizimi i kësaj pune deri në imtësi dhe atëherë nuk ka asnjë arsye që të mos funksionojë. Nuk mund të lejohet që qumështi i dhenvet të Labërisë të derdhet te stacioni i autobusëvet ose ta hanë qentë, ndërsa kalamajtë e Tepelenës të mos e kenë pikën e qumështit për të lagur fytin.
Kategoritë sociale, ndaj të cilavet shteti duhet të tregojë kujdes të veçantë, me legjislacion, jo me fjalë, janë 2: Prodhuesi dhe konsumuesi, shpenzuesi. (S’e di pse i thonë: konsumatori.) Duhet të tregohet kujdes i veçantë, sepse, prodhuesi, po nuk ia sigurove shitjen normale të mallit, ikën. E braktis të prodhuarit dhe ikën, largohet nga sytë këmbët. Edhe konsumuesi po ashtu: Po nuk i doli hesapi për të jetuar normalisht, ikën edhe ai. E braktis atdheun, dhe zhvilloje ekonominë, po munde, pa blerësin! Që kjo punë të rregullohet, shteti, doemos, duhet të ushtrojë kontroll të fortë ligjor sidomos te KASTA E SHPËRNDARËSVET. Nuk duhet lejuar që tregtari të fitojë më shumë se ç’është e arsyeshme.
Edhe në lidhje me tatimet duhet të ketë një dispozitë të veçantë për atë bujqësi dhe për atë blegtori që do të përfshihej në këtë formë pronësie: Këtyre pronave do t’u merrej tatimi vetëm kur ato i shesin prodhimet. Pra, merret taksë vetëm për mallin që shitet. Vetëm në këtë mënyrë ekonomia 10-hektarëshe do të mund t’u bënte ballë konkurencavet të shumta, sidomos konkurencës së të quajturvet OMGJ (organizma të modifikuar gjenetikisht), gjë që në këto ekonomi duhet të jetë rreptësisht e ndaluar, deri te burgimi i rëndë.
Që të mos e mbyll me shijen e keqe të burgut, dua të theksoj edhe njëherë: Kjo formë e organizimit të bujqësisë e blegtorisë në vendin tonë është forma më e mirë e mundshme, për të mos thënë e vetmja formë që i siguron vendit një përparim të shpejtë dhe që zgjidh në formë zinxhiri një varg problemesh të tjerë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura