ADIL FETAHU: DIALOGU KOSOVË – JUGOSLLAVI NUK MUND TË ZBRITET NË NIVEL TË SERBISË (BUJKU, 11 PRILL 1998)

Pashtriku.org, 10. 04. 2015 – (Më 11 prill 1998, unë paralajmëroja gjykimin e S.Millosheviqit në Tribunalin e Hagës. Dhe ashtu ndodhi, por atë e gjykoi Zoti, para se ta gjykonte Tribunali. Këtu po e reprodukoj të plotë shkrimin tim të botuar në gazetën “Bujku” të datës 11 prill 1998. Për atë kohë ky shkrim ishte i guximshëm dhe me rrezik, si dhe shumë shkrime tjera të mia të botuara, për padrejtësitë dhe krimet serbe të kryera në dekadën e fundit të shekullit të kaluar.)
***

ADIL FETAHU: DIALOGU KOSOVË – JUGOSLLAVI NUK MUND TË ZBRITET NË NIVEL TË SERBISË
*Millosheviqi nuk mund t’i ikë dialogut me shqiptarët (e Kosovës), as “dialogut” me Gjyqin e Hagës;
* Referendumi është një klithje për hegjemonizëm, ksenofobi dhe mobilizim të frymës luftarake të popullit serb kundër zgjidhjes paqësore të statusit të Kosovës;
*Kompetenca e Gjyqit të Hagës edhe në kohë, edhe në hapësirë dhe në materie e përfshinë rastin e Kosovës.

Janë të kota dhe vetëm për konsum të brendshëm orvatjet e propagandës politike dhe diplomatike të organeve dhe autoriteteve të RFJ e të RS, gjoja për moslejimin e internacionalizimit të çështjes së Kosovës. Poashtu janë të kota thëniet (madje edhe deklarimi në referendum) për moslejimin e përzierjes së faktorëve ndërkombëtarë në zgjidhjen e këtij problemi. Sepse, çështja e Kosovës gjithnjë ka qenë dhe ka mbetur çështje e pazgjidhur ndërkombëtare, qysh prej Konferencës së Londrës (1913), e cila nuk u përfundua kurrë, për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Dhe, që prej asaj kohe, shqiptarët që mbetën jashtë kufijve të shtetit shqiptar, nuk e kanë ndërprerë luftën politike dhe fizike për çlirim nga pushtuesi dhe për bashkim kombëtar. Në kohë e rrethana të ndryshme, intensiteti, mjetet dhe metodat e kësaj lufte e të këtyre përpjekjeve kanë pasur hove, dimensione dhe intensitete të ndryshme. Më afër realizimit të aspiratave për çlirim dhe bashkim kombëtar ishte periudha menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, kur edhe u miratua Rezoluta e Bujanit për bashkimin e Kosovës me shtetin amë – Shqipërinë. Mirëpo, tradhtitë jugosllavo-komuniste bënë që Kosova edhe për një gjysmë shekulli mbeti nën pushtimin jugosllav.

– Lozha serbe e krimit në krye me Sllobodan Millosheviqin –

Shkatërrimi i Jugosllavisë titiste ishte rast i volitshëm që populli i Kosovës, duke shfrytëzuar të drejtën për vetëvendosje, përmes përfaqësuesve të vet (Kuvendit të Kosovës) dhe përmes deklarimit plebishitar (referendumit), e shpalli Kosovën shtet sovran e të pavarur. Për rrethanat aktuale ky përcaktim ishte më optimali, me qenë se opsioni më i drejtë, ai i bashkimit kombëtar, për momentin e caktuar do kishte reperkusione tjera.
Realizimin e pavarësisë së Kosovës populli u përcaktua ta arrijë në mënyrë paqësore e me dialog të civilizuar, natyrisht me ndërmjetësimin dhe garantimin e një fuqie të tretë respektive.
Koha midis shpalljes dhe realizimit faktik të pavarësisë, e mbushur me dhunë e viktima të shumta në dëm të popullit shqiptar, është një episod i rëndë i historisë sonë. Me gjithë dhunën dhe krimet e përjetuara, populli nuk hoqi dorë nga opsioni paqësor dhe dialogu, sado që në skenë dolën forca më radikale, të cilat duan me forcë dhe dinjitet ta mbrojnë familjen dhe vendin e vet. Opsioni paqësor i zgjidhjes politike dhe statusore të problemit të Kosovës është edhe në të gjitha agjendat e qarqeve ndërkombëtare, të cilat tash për tash nuk e përkrahin pavarësinë dhe prishjen me dhunë të kufijve ndërkombëtar. Mirëpo, dialogun e konsiderojnë se duhet të jetë pa kushte paraprake, që duhet të zhvillohet midis përfaqësuesve legjitimë të popullit shqiptar të Kosovës dhe përfaqësuesve të pushtetit jugosllav (Federata serbo-malazeze).
Grupi i Kontaktit obligon zgjidhje politike-statusore
Në këtë frymë, ministrat e punëve të jashtme të Grupit të Kontaktit (ShBA, Britani e Madhe, Francë, Gjermani, Itali dhe Rusi), bashkë me përfaqësuesit e OSBE-së dhe të Komisionit Evropian, në mbledhjen e mbajtur në Londër më 9 mars 1998, duke e trajtuar çështjen e Kosovës si problem i mbrehtë ndërkombëtar, pas dënimit të krimeve të policisë serbe që i bëri në Drenicë, e obliguan RFJ-në dhe personalisht Millosheviqin, që përmes dialogut me shqiptarët e Kosovës të gjejë zgjidhje politike-statusore për Kosovën. Dialogu duhet të jetë pa kushte dhe pa prejudikime paraprake. Grupi ia caktoi edhe afatin prej dhjetë ditëve që Millosheviqi të deklarohet publikisht se është i gatshëm për të filluar procesin e dialogut me palën shqiptare. Si ndërmjetësues në këtë dialog Grupi i Kontaktit ia dha Filipe Gonzalesit mandatin e ri special për Kosovën, ngase ai edhe më përpara, si përfaqësues i OSBE-së kishte mandatin për Jugosllavinë. Për moskryerjen e “detyrave të shtëpisë” që ia kishte caktuar Grupi i Kontaktit, kishte paralajmëruar sanksione.
Millosheviqi dhe “sejmenët” e tij, me makinacione e gjysëmpoteza u përpoqën e po përpiqen ta mashtrojnë botën, por duket se mashtruan dhe po e mashtrojnë vetveten. Sepse, Grupi i Kontaktit në mbledhjen që mbajti në Bon (më 25 mars), pasi konstatoi se pala jugosllave nuk i kishe kryer detyrat e caktuara, vendosi t’i mbajë në fuqi masat e paralajmëruara dhe t’i ashpërsojë ato, duke i propozuar Këshillit të Sigurimit të KB që ta aplikojë edhe embargon e armëve, masë këtë që ai organ e aplikoi me Rezolutën nr.1160, të datës 31 mars 1998.
Në mbledhjen e Grupit të Kontaktit në Bon, palëve negocuese (shqiptare e jugosllave) iu dha edhe një afat prej katër javësh që të nisin procesin e negociatave të mirëfillta për zgjidhjen e statusit politik dhe juridik të Kosovës. Poqese në këtë afat (deri më 24 prill 1998) nuk nisë procesi i negociatave pa kurrëfar kushtëzimesh, do të pasojnë masa e sanksione tjera, të natyrës ekonomike e diplomatike ndaj RFJ-së. Ndër masat që i ka paralajmëruar Grupi i Kontaktit janë: mosdhënia e vizave përfaqësuesve të lartë të RFJ-së dhe të RS-, të cilët janë përgjegjës për krimet në Kosovë, pastaj moratoriumi i kredive për tregti, investime dhe privatizim, ngrirja e fondeve të RFJ-së e të Republikës së Serbisë që i kanë jashtë, etj. Varësisht nga acarimi ose përmirësimi i gjendjes në Kosovë, Jugosllavisë do t’i shtrëngohen sanksionet ose i lehtësohet inkuadrimi në organizmat ndërkombëtare.
Grupi i Kontaktit kërkon nga Zyra e Prokurorit të Tribunalit Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi që të fillojë mbledhjen e informacioneve të cilat kanë të bëjnë me dhunën në Kosovë, që mund të bien nën juridiksionin e Tribunalit. Autoritetet e RFJ-së janë të detyruara të bashkëpunojnë me Tribunalin, kurse vendet e Grupit të Kontaktit do t’ia bëjnë të mundshme ICTY (Tribunalit) informacionet substanciale e relevante që i kanë në dispozicion. Porosia e këtij vendimi të Grupit të Kontaktit është e qartë, se krimet e bëra nuk mund t’i arsyetojnë gjoja me luftimin e terrorizmit të shpikur si pretekst për të bërë krime në masë.
Manovrimet e tejdukshme serbe
Orvatjet e Millosheviqit, që nivelin e negociatave kosovaro-jugosllave ta ulë në nivel të Republikës së Serbisë, janë manovër e tejdukshme, të cilën nuk e pranojnë as shqiptarët, as faktori ndërkombëtar. Sepse, qëndrimi dhe vendimi i Grupit të Kontaktit është i qartë dhe decidiv: negociatat duhet të zhvillohen dhe marrëveshja për statusin e Kosovës duhet të arrihet midis përfaqësuesve legjitim të popullit shqiptar të Kosovës dhe pushtetit të RFJ-së. Duke e ditur pushtetin autokratik të S.Millosheviqit, Grupi i Kontaktit në mënyrë të veçantë i bënë thirrje atij, që të deklarohet publikisht dhe të angazhohet që detyrat dhe masat e caktuara, të kryhen në afatin e paraparë, dhe që procesi i dialogut, me pjesëmarrjen e një ose më shumë përfaqësuesve të jashtëm, të fillojë (tash në afatin deri më 24 prill).
Ardhje-vajtjet e delegacionit të Qeverisë së Republikës së Serbisë për të biseduar me deputetin rom të PSS, Luan Koka, dhe me kokat e tjera boshe, faktori ndërkombëtar nuk i merr serioze, as si fillim i kryerjes së obligimit të nisjes së negociatave midis palëve në konflikt. Pretendimet e nënkryetarit të Qeverisë së Serbisë, Ratko Markoviq, që bisedat për zgjidhjen e çështjeve konkrete të zhvillohen në kuadër të kushtetutës së RS, nuk janë gjë tjetër veçse kushtëzim i negociatave dhe prejudikim i suazave për zgjidhjen e problemit, dhe si pasojë – humbje e kotë e kohës. Është cinizëm përsëritja e tij, si gramafon i prishur, i sintagmës “pakica kombëtare shqiptare”. Jo që shqiptarët në Kosovën e vet nuk janë, dhe sipas asnjë kriteri nuk mund të jenë pakicë kombëtare, veçse atë sintagmë të konstruktuar nuk mund ta gjejë dot në asnjë dispozitë as të kushtetutës së Serbisë, të cilën e ka hartuar vet R.Markoviqi! Në mos për asgjë tjetër, të paktën si autor i asaj kushtetute dhe si jurist i njohur në shtetin e tij, nuk duhet të përdor sintagma të konstruktuara që s’i gjen dot në kushtetutën e vet.
As caktimi i Kutleshiqit si i deleguar special i S.Millosheviqit në përbërjen e delegacionit të Qeverisë së Serbisë, nuk e përmbush obligimin e caktuar nga Grupi i Kontaktit. Sepse, delegacioni negocues duhet të jetë i nivelit të RFJ-së, pa marrë parasysh se kush do të emërohet në atë delegacion. Natyrisht se as ardhja e kryetarit nominal të Serbisë, Millan Millutinoviqit në krye të delegacionit të Qeverisë së Serbisë, nuk e përmbush kërkesën që delegacioni të jetë i nivelit jugosllav.
Referendumi – klithje për luftë
Inisiativa e S.Millosheviqit, dhe vendimi i Kuvendit të RS për shpalljen e referendumit me pyetjen se “a e pranoni pjesëmarrjen e përfaqësuesve të jashtëm në zgjidhjen e problemit të Kosovës”, është edhe një veprim tjetër manovrues dhe ikje nga detyrimet që Grupi i Kontaktit ia ka caktuar vet Millosheviqit dhe RFJ-së. Dhe jo vetëm kaq, porse duke marrë parasysh propagandën që po zhvillohet në mediat serbe, referendumi është një klithje për hegjemonizëm, ksenofobi dhe mobilizim të frymës luftarake të popullit serb kundër zgjidhjes paqësore të çështjes statusore të Kosovës. Ai iu qas manovrimit me referendum popullor në momentin kur është i mbështetur për muri (sanksione), kur nuk ka argumente as guxim të ballafaqohet me realitetin. Prandaj, duke u “fshehur” pas referendumit, përpiqet t’i ikët përgjegjësisë për të gjitha krimet që kanë ndodhur e që mund të ndodhin në Kosovë. Por, praktika e manovrimit me referendum popullor është provuar edhe te serbët e Bosnjës, veçse nuk ka dhënë rezultate as nuk e ka mbrojtur askend nga përgjegjësia.
Millosheviqi nuk mund t’i ikë Gjyqit të Hagës
Politika nacional-shoviniste dhe hegjemoniste e S.Millosheviqit u bë shkaktare e shkatërrimit të përgjakshëm të ish-RSFJ-së. Prapa të gjitha vrasjeve, djegëseve, shkatërrimeve, krimeve, pastrimeve etnike dhe fatkeqësive tjera në trojet e ish-Jugosllavisë, në mënyrë konstante qëndron emri i Sllobodan Millosheviqit. Por, duket se kandidaturën për Gjyqin e Hagës Millosheviqi e ka siguruar në mënyrën më të bindshme me krimet që policia, ushtria dhe forcat e tjera paramilitare e civile serbe i bënë kundër popullsisë civile të Drenicës (në Kosovë).
Në vendimet e Grupit të Kontaktit nga mbledhja në Londër, ndër të tjera thuhet se “Në dritën e dhunës së dënueshme në Kosovë, ndihemi të obliguar të ndërmarrim hapa për t’iu treguar autoriteteve të Beogradit, se nuk mund të mos iu bindet standardeve ndërkombëtare, pa u ballafaquar me konsekuenca të ashpra…”.
Edhe në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të KB, nr.1160, të datës 31 mars 1998, ndër 20 pikat e saj, një pikë (ajo 17) i kushtohet identifikimit të përgjegjësve për krimet e bëra në Kosovë. Aty thuhet se “Këshilli i Sigurimit kërkon nga Zyra e Prokurorit të Gjyqit Ndërkombëtar (Hagës), të fillojë mbledhjen e informatave lidhur me dhunën në Kosovë, të cilat mund të hyjnë në mandatin e kësaj Zyreje. Autoritetet e RFJ-së janë të detyruara të bashkëpunojnë me Tribunalin dhe me shtetet e Grupit të Kontaktit, për t’i vënë në dispozicion këtij Tribunali informacionet e rëndësishme që i kanë këto autoritete”.
Duke marrë parasysh veprimet që përfshihen në korpusin e krimeve gjenocidale, apo në ato të krimeve kundër njerëzimit, është shumë e qartë se për shumë raste dhe lloje të krimeve të kryera në Kosovë nga policia, ushtria dhe forcat paramilitare dhe civile të Serbisë e Jugosllavisë, lista e kandidatëve për Gjyqin e Hagës është mjaft e gjatë, kurse bartës i asaj liste duhet të jetë vet kryetari aktual i të vetëquajturës Jugosllavi – Sllobodan Millosheviqi.
Orvatjet e kota serbe për të kontestuar kompetencën e Tribunalit të Hagës
Propaganda serbe po orvatet ta kontestojë kompetencën e Tribunalit të Hagës për t’i gjykuar fajtorët për krimet e bëra në Kosovë, duke u përpjekur që kompetencën e asaj Gjykate ta reduktojë vetëm për krimet e kryera gjatë kohës së luftës në Bosnje dhe Kroaci. Mirëpo, orvatjet e tilla janë të pabaza dhe të kota, sepse kompetenca e Gjyqit të Hagës, edhe në kohë, edhe në hapësirë dhe në materie përfshinë rastin e Kosovës.
Në të vërtetë, sipas nenit 8 të Statutit të Gjykatës së Hagës, kompetenca e Tribunalit shtrihet mbi gjithë hapësirën tokësore, ujore dhe ajrore të ish-RSFJ-së, që do të thotë se këtu përfshihet edhe Kosova, si njëra nga tetë njësitë federale të asaj Jugosllavie. Për sa i përket kompetencës (shtrirjes) kohore, në të njëjtën dispozitë të Statutit thuhet se përfshinë kohën prej 1 janarit 1991, pa e kufizuar kohën deri kur vazhdon, që do të thotë se vlen edhe më tutje. Ndërkaq, sa i përket kompetencës reale, juridiksioni i Gjyqit të Hagës përfshinë një spektër të gjerë, duke u nisur nga:
– shkelja e rëndë e Konventës së Gjenevës e vitit 1949,
– krimet e kryera në konfliktet e brendshme dhe në kohë të paqes,
– shkelja e normave kundër gjenocidit,
– krimet kundër njerëzimit.
Veprat (krimet) e gjenocidit, të përcaktuara në Konventën për Pengimin dhe Dënimin e Krimeve të tilla janë taksativisht të përfshira në nenin 4 të Statutit të Tribuanlit, e ato janë:
– çdo veprim i kryer me qëllim që të zhduket një popull i tërë apo një pjesë e tij, e një grupi etnik, fetar apo racor,
– vrasja e anëtarëve të grupit (etnik, fetar, racor), shkaktimi i lëndimeve të rënda trupore apo e vuajtjeve shpirtërore,
– imponimi i kushteve të jetesës me qëllim të zhdukjes fizike të tërë grupit ose të një pjese të tij,
– imponimi i masave me qëllim të pengimit të lindjeve brenda grupit të caktuar, dhe
– veprimet e tjera të parapara me Konventën mbi Pengimin dhe Dënimin e Gjenocidit.
Nga ky spektër i kompetencave reale të Tribunalit të Hagës, ka veprime të shumta të kryera në Kosovë, me elemente të mjaftueshme të krimit, për të cilat mundet dhe duhet të hapet procedura në Gjykatën e Hagës. Në qoftë se nuk mund të kualifikohen si shkelje e ligjeve dhe rregullave të luftës ndërkombëtare e si krime të luftës së armatosur ndërkombëtare, ato mund të kualifikohen si vepra të gjenocidit (neni 4); dhe si krime kundër njerëzimit (neni 5 i Statutit të Tribunalit). Për vepra (krime) të tilla, sipas Statutit të Tribunalit, përgjegjës janë: ata që i kanë kryer drejtpërdrejt; ata që kanë marrë pjesë si bashkëkryerës; si dhe ata që e kanë nxitur drejtpërdrejt dhe haptas gjenocidin.
Kategoria tjetër, krimet kundër njerëzimit (neni 5 i Statutit), pa marrë parasysh natyrën e konfliktit (se a është luftë e armatosur midis shteteve të ndryshme, apo konflikt i brendshëm), përfshinë këto veprime: vrasjet; keqtrajtimet; robërimin; ndjekjet; marrjen peng; mundimin; dhunimet dhe veprimet e tjera jonjerëzore.
Prandaj, për të gjitha krimet e kryera, të cilat i parasheh Statuti i Tribunalit të Hagës, ajo Gjykatë është kompetente t’i gjykojë: personat të cilët i kanë planifikuar, nxitur, urdhëruar, kryer ose në ndonjë mënyrë tjetër i kanë ndihmuar apo kanë marrë pjesë në përgatitjen ose kryerjen e krimeve. Përgjegjës janë edhe eprorët e kryesve, për shkak se nuk i kanë penguar krimet e tilla. Këtu Statuti precizon, se përgjegjësi penale për krime të tilla mbajnë prej shefit të shtetit e të qeverisë, e deri te eprori më i ulët zyrtar i involvuar në krime.
Tanimë grupe të ndryshme punuese janë duke grumbulluar prova dhe duke bërë hetime, të cilat duhet ta kompletojnë dosjen për Kosovën në Gjyqin e Hagës, dhe se për këtë qëllim asaj Gjyakte i janë siguruar edhe mjete financiare. Natyrisht se punën më të madhe në grumbullimin e provave dhe kompletimin e dosjes duhet ta bëjnë subjektet e Kosovës, në rend të parë KMLDNj dhe subjektet e tjera, të ndihmuara nga profesionistët dhe individët e tjerë, me dëshmi e prova materiale.
Organizata të ndryshme humanitare e joqeveritare, personalitete e redaksi të njohura botërore kohëve të fundit i kanë bërë apel Gjyqit të Hagës, që menjëherë ta akuzojnë S.Millosheviqin për krimet e kryera në Kosovë. Nuk dihet edhe sa kohë do t’iu nevojitet faktorëve ndërkombëtarë për ta ruajtur atë “si faktor paqeje”, porse më në fund të gjitha rrugët do ta shpien atë në Den Hagë. Ai, me tërë suitën e vet, nuk do të mund t’i ikë as dialogut me shqiptarët e Kosovës, as “dialogut” me Gjyqin e Hagës.
Drejtësia është e ngadalshme, por e arritshme.

(“Bujku”, 11 prill 1998)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura