ADIL FETAHU: IMPERIALIZMI I ELITAVE SHKENCORE E KULTURORE SERBE, KUNDËR SHQIPTARËVE

Prishtinë, 6 nëntor 2017: Stereotipet dhe diskursi i intelektualëve serbë për shqiptarët
Cilido që ka lexuar veprat dhe shkrimet e elitave shkencore, letrare-kulturore a kishtare serbe, sidomos ato prej gjysmës së dytë të shekullit 19 deri më sot, ka mund të vërejë, të kuptojë e të bindet se çfarë urrejtje patologjike kanë krijuar ata autorë ndaj popullit shqiptar, çfarë shkence, politike, ideologjie, diplomacie e propagande shoviniste e raciste kanë zhvilluar e përhapur kundër shqiptarëve. Ata gjithmonë janë paraqitur me një epërsi, imperializëm kundrejt popujve fqinjë, po ndaj shqiptarëve nuk kanë pasur masë as kriter. Historianë, etnografë, gjeografë, shkrimtarë, publicistë, kishtarë, gazetarë, politikanë të njohur serbë,të cilët konsiderohen si pionierë dhe klasikë të shkencës e të kulturës serbe, në shkrimet, në veprat dhe në diskursin e tyre në përgjithësi, kanë promovuar idetë raciste, duke e quajtur popullin serb si racë superiore, ndërsa popullin shqiptar racë inferiore në çdo pikëpamje. Në bazë të këtij lloj imperializmi kultural e kësaj propagande raciste antishqiptare, janë hartuar tekstet shkollore, formuar politikat e janë formuluar projektet dhe planet e politikës shtetërore dhe janë ndërmarrë veprimet për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e veta dhe kolonizimin e trojeve të pushtuara me elementin sllav. Janë të shumtë autorët e këtij “zhanri” , por është vështirë të veçosh se cili ishte më racist në mesin e tyre. Jo vetëm ata më të hershëm, por edhe më vonë gjatë tërë shekullit 20, madje edhe tash shumë intelektualë serbë në të shumtën e rasteve shkruajnë sipas stereotipeve të caktuara për Shqiptarët, si popull primitiv, kriminel, shkatërrues, gjenocidal, i paaftë për t’u konstitua si komb e për të pasur shtet të pavarur.
Dimitrije Bogdanoviq në librin e tij për Kosovën (“Knjiga o Kosovu”, 1985) dhe në inatervistat e shumta pas botimit të atij libri, përhapë tezën “se shqiptarët kanë ardhur në tokën serbe prej shekullit 17 deri në ditët e sotme, duke plaçkitur, vrarë e ndjekur serbët prej tokës së tyre; se shqiptarët kanë plane për zhdukjen fizike të serbëve; se lëvizjet politike shqiptare ishin agresive, pushtuese, revanshiste, konservative dhe nacionaliste, që kishin për qëllim ta zhdukin popullin serb përmes vrasjeve e përndjekjeve, t’ua grabitin tokat serbe dhe t’ua zhdukin vetëdijen historike”. Ai thotë se “teza për prejardhjen ilire të shqiptarëve është raciste dhe ka për qëllim të vërtetojë të drejtën e përparësisë së territorit”. Radovan Samarxhiq (1989) thoshte se “Arbanasit qysh në shekullin 16 ishin ekspanziv, të cilët Turqit i futën si pykë në atëdheun e vjetër, ashtu që shtypën popullin serb duke vrarë, plaçkitur, djegë fshatra të tëra, marrë tokat dhe duke islamizuar me dhunë”. Marko Mlladenoviqin (1989): “nuk është konatestuese që shqiptarët kanë bërë gjenocid dhe apart-hejd në Kosovë, ndërsa përralla për prejardhjen ilire të tyre është vetëm një mjegull arkeologjike. Sepse, shqiptarë në Kosovë nuk ka pasur kurrë deri në shekullin 17, ndërsa deri në Luftën e Dytë Botërore nuk ishin shumicë, por këta duke lindur shumë fëmijë duan të krijojnë epërsi numerike”. Atanasije Jevtiq thotë se “qëllimi i shqiptarëve në Kosovë qysh moti ka qenë: sa më shumë tokë, sa më shumë fëmijë dhe sa më shumë armë”. Ai thotë “se fëmijët e shqiptarëve nuk janë të manipuluar ashtu ad-hoc, por janë të ushqyer me urrejtje për gjithçka që është serbe dhe e krishterë në Kosovë e Metohi, dhe se këtë ua kanë ngulitur në mendje prindërit dhe mësuesit, në frymën primitive fisnore dhe myslimane” (Jevtiq, 1992). Nikolla Samarxhiq i karakterizon “shqiptarët se kanë natyrë të egër, kanë fuqi fantastike për reproduksion, kanë urrejtje jonjerëzore, zbatojnë orgji gjakatare” (N.Samarxhiq, 1990). Miodrag Joviçiq, në Përmbledhjen e punimeve të AShAS (përkth.:“Serbët dhe Shqiptarët në shekullin 20”), thotë se “Arnautët janë zullumçarë dhe shkatërrimtarë, të cilët dhunën e kanë në gjak; se në të gjitha shtresat e shqiptarëve u ka hyrë në gjak dhuna dhe urrejtja kundër popullsisë serbe, e cila është fajtore vetëm pse është gjallë; se Shqiptarët në Mbretërinë Jugosllave as përsëafërmi nuk e kanë larë borxhin që ua kanë pasur Serbëve për zullumet e kryera gjatë kohës së sundimit turk. Pakica Shqiptare nuk e ka meritua autonominë, veçse qysh prej vitit 1945 është dashur të vëhet në një karantinë të posaçme, deri sa të dëshmojnë se janë të gatshëm për bashkëjetesë të civilizuar. Shqiptarët janë armiqë të përbetuar të Serbisë dhe janë bartës të shovinizmit dhe racizmit agresiv, gjë që tregon se me ta nuk mund të bashkëjetohet. Zgjidhje për këtë gjendje është vetëm në ndryshimin e strukturës etnike të Krahinës, kthimin e të shpërngulurve, kolonizimin e ri dhe suspednimin e autonomies” (Joviçiq, 1991). Batakoviq shkruan (1992) për “gjenocidin e hapur ndaj popullit serb, që në shekullin 19 është kryer duke plaçkitur, vrarë, dhunuar, grabitur gratë të cilat pastaj janë konvertuar në islam. Mostoleranca etnike e fetare ndaj serbëve ka qenë në themel të të gjitha lëvizjeve arbanase”, thotë ky autor. Gllushçeviq shkruan (1992), se “Nacionalizmi dhe separatizmi i egër dhe agresiv shqiptar, zakonisht merr hov kur prishet ekuilibri demografik, gjë që është në natyrën e organizimit primitiv fisnor”. Kurse babai i kombit serb, Dobrica Qosiq (1992) shkruante se “në përndjekjen e Serbëve, Shqiparët kanë qenë më radikal dhe më të pashpirtë se vëllezërit tanë tjerë; ata janë shërbyer me mjetet më brutale, sipas traditës së vet turko-muhamedane, fashisto-balliste”.

Shqiptarët janë serbë të “arbanizuar”, Skënderbeu ishte serb
Gënjeshtrat e disa “shkencëtarëve dhe intelektualëve elitor e klasikë” serbë nuk kanë kufi as masë. Njëfar prof.dr.Jovan Deretiq, i cili vetëlavdërohet për tituj e poste të lara shkencore në përmasa planetare, në veprat dhe shkrimet e tij shkon më së largu me teza “fascinuese”: se “populli serb është populli më i vjetër dhe numerikisht ishte më i madhi në botë; se këtu nuk kanë ardhur prej dikah tjetër, veçse ishin autoktonë; se dikur moti e kishin pushtuar Indinë dhe atje e kishin vu demokracinë; se kultura helene në të vërtetë është kultura serbe, por Grekët si lavire të vjetra i zhdukën gjurmët e saj dhe u stolisën me “pendla të hueja”; se sundimtarët e dikurshëm bizantinë si mikpritës të mirë i kishin pranuar Shqiptarët (në vitin 1040) por vetëm si barinjë në viset malore Rabana, e që sipas atij vendi i quajtën Rabanas, e më vonë Arbanas; se historani Plini i Vjetër ka qenë historian serb; se Aleksandri i Madh, si dhe Skenderbeu kanë qenë serbë; se në shekullin 16 në ushtrinë turke gjuha serbe ka qenë para gjuhës turke”, etj.etj, floskula si këto.
Stereotipe për Shqiptarët si Serbë “të arbanizuar” hasim në shkrimet dhe veprat e shumë autorëve të elitës intelektuale serbë, dhe aty ndryshojnë vetëm numrat (përqindjet) e këtij konvertimi. Derisa Samarxhiqi (1989) konsideron se “në fund të shekullit 19 në Kosovë ishin 30-40 përqint “Arbanas” të prejardhjes sllave”, Mlladenoviq (1989) këtë shifër e ngritë në 2/3 e Shqiptarëve të Kosovës, kurse Veselin Gjuretiq (1992) e përcakton në përqindje të plotë : 80 përqind!. Udhëpërshkruesi Millojeviq (1871), thotë se “duke kaluar kufirin turk në “Serbinë e Vjetër” (Kosovën e Maqedoninë Shqiptare,af.), pashë tipa serbë të pastër të turqizuar, që tash quhën Arnautë, të cilët janë bërë nga përzierja e të gjitha racave më të ndyta e kutërbuese në një; se muhamedanët e Vushtrrisë janë kriminelët, dhunuesit dhe gjakpirësit më të mëdhenj të serbëve”. Sipas tij, “në Kosovë nuk kishte Shqiptarë, por vetëm Serbë të arnautizuar”. Edhe udhëpërshkruesi tjetër i asaj kohe, Gopçeviq (1890), mbështetë tezën se “Shqiptarët nuk ekzistojnë, se Arbanasit janë ose Serbë, ose Turqë, ose Grekë ose Hebrejë”. Ivaniq (1906) dhe Haxhi-Vasileviq (1909), thonë se “Shqiptarët janë Serbë të arbanizuar që nuk kanë vetëdije kombëtare, dhe për Serbët ata janë më armiqë se Turqit”. Jovan Tomiq (1913), edhepse thoshte se “elementi më i keq ishin Serbët e arbanizuar; megjithatë ka shpresë që kur të pushojë plaçkitja si zanat i tyre, do t’i kthehen profesionit të të parëve të tyre (lexo: serbëve) të vyeshëm, vendi i të cilëve është fushë drithi e kopshtijesh”. Më së largu me tezën e tij për prejadhjen serbe të Shqiptarëve e ka zhvilluar Toma Oraovac (1923), i cili vërteton se “fiset, farefisninë, apo bajraqet nuk i lidhë vetëdija kombëtare, sepse dihet, dhe ata vetë e dijnë se nuk i lidhë gjaku as prejadhja, as doket e njëjta”. Oraovac thotë se “Lekë Dukagjini ka qenë serbë, sikur edhe të gjithë dukagjinasit tjerë; se Shkodra gjithmonë ka qenë serbe, se Malësorët janë Serbë të pamohueshëm, sikur edhe Mirëditasit, Shaljanët, Gashët, Berishët, Hotët, Kelmendët, Kastratët e të tjerët, se edhe vetë sot e kësaj dite e pranojnë se janë me prejardhje serbe, e që as për nga zakonet, as përkah vetitë as përkah soji heroik serb nuk mund të quhen Arbanas, vetëm për shkak të fatkeqësisë së tyre që është dashur ta marrin gjuhën shqipe, e që nuk është as nuk mund të jetë kriter për përcaktimin e kombësisë Arbanase, derisa kombësi e tillë nuk ekziston, veçse ky është emër vendi, nocion gjeografik, që nuk e zgjidhë çështjen e kombësisë”. Ai është “i bindur” në konkludimin e vet se “ata (lexo: Shqiptarët) ishin edhe tash janë – jo Arbanasë, as Arnautë, as Albanezë, por Serbë të pastër, veçse të konvertuar”. Se “Skënderbeu dhe bashkëluftëtarët e tij nuk ishin shqiptarë, por ishin serbë”, këtë “e vërteton” udhëpërshkruesi Gopçeviq (1890). Ai thotë se “Skënderbeu edhe nga babai edhe nga nëna ishte serb”. Vlladan Gjorgjeviqi (1913) me stereotipet e tij ishte më ironik. Ai edhepse “e pranon” se Skënderbeu ka qenë Serb, Gjorgje Kastriotiq, thotë se “na vjen keq që këtë të vetmin trim të cilin Arnautët për mija vjet mezi e fituan, duhet t’ua marrim, edhepse në luftën tonë gjashtëshekullore, prej Kosove deri në Kumanovë, na kemi aqë shumë trima, sa që një si ky edhe nuk na është dashur fare, porse për shkak të dashurisë ndaj Arnautëve nuk mund të lejojmë të falsifikohet historia”. Kështu, varg e vi, pseudoshkencëtarë, intelektualë, udhëpërshkruesë e historianë serbë, mohojnë identitetin, autoktoninë, përkatësinë kombëtare të shqiptarëve.
Shqiptarët nuk janë popull shtetformues
Tezat stereotipe të intelektualëve serbë, për përkatësinë serbe të Skënderbeut, lidhen edhe me tezën aq shumë të përsëritur, se “ Shqiptarët nuk janë as nuk mund të jenë popull shtetformues. Prandaj, është e kuptueshme, se një shqiptar nuk do të mund ta kishte mbajtur të pavarur shtetin e tij midis Perandorisë Osmane, por ai duhet të ketë qenë serb! Njëfar Aleksijeviq (1878) “u jepte të drejtë Shqiptarëve ta formojnë shtetin e tyre në jug dhe në perëndim të Drinit, vetëm nëse për këtë kanë kushte morale dhe në qoftë ndonjëherë ka ekzistuar ndonjë shtet i hajnave të fëmijëve dhe i plaçkitësve”. Luba Jovanoviq shkruante se “gjendjen në Serbinë e Vjetër (lexo: Kosova dhe Maqedonia Shqiptare) e kanë krijuar Arnautët e pandalshëm dhe të egër, të cilët as Stambolli nuk mund t’i qetësojë, të cilët mund t’i ndalë vetëm Serbia, e cila me çlirimin e Serbisë së Vjetër do t’i jepte fund zhdukjes së banorëve të atjeshëm serbë. Shqiptarët nuk kanë të drejtë në tokën në të cilën janë futur në mënyrë të egër. As shkenca juridike nuk ua njeh të drejtën që me përvetësim të tillë mizor të mund të fitohet e drejta e çfarëdo pronësie, prandaj Sërba mund të mos e pranojë gjendjen e krijuar në atë vend të rëndësishëm të atdheut tonë”, thoshte ky intelektual serb qysh në vitin 1910!
Qëllimi kryesor i popullit dhe shtetit të Serbisë ka qenë (dhe mbetet) dalja në det, edhe në Detin Egje përmes Selanikut, edhe në Adriatik përmes Durrësit. Prandaj këtë qëllim ata e kanë arsyetuar me teza të ndryshme: edhe me shkaqe ekonomike të ekzistencës së shtetit të tyre, po edhe me paaftësinë e shqiptarëve për të krijuar e mbajtur shtet të pavarur. Në aspektin ekonomik, thoshin se Serbia nuk mund të ekzistojë ekonomikisht as politikisht si vend kontinental, pa dalje në det. Nga ana tjetër, konsideronin se shqiptarët nuk janë të aftë për jetë të pavarur shtetërore, dhe se “si popull primitiv dhe i paaftë për shtet, do të ishte në dobi të tyre të jetojnë në bashkësi me popullin e civilizuar dhe në shtetin serb”. Pothuajse nuk mund të gjendej asnjë intelektual serb, i cili do t’u jepte të drejtë Shqiptarëve që ta kenë shtetin e tyre. Përkundrazi, ata thoshin se “lufta e serbëve për liri duhet të shpërblehet edhe me territore të cilat nuk iu përkasin atyre, ndërsa banditizmi shqiptar duhet të dënohet, me privimin e të drejtës për të fituar shtetin e tyre. Kërkesa e shqiptarëve për të pasur shtetin e tyre është e panatyrshme dhe e padrejtë, dhe është e orientuar kundër Serbisë dhe përparimit të saj’, thoshin e thonë intelektualët e proviniencës nacionaliste serbe, atëherë e tash! Jovan Cvijiq (1912), me rastin e luftërave ballkanik, kishte botuar disa shkrime me të cilat arsyetonte pushtimin e tokave shqiptare dhe daljen në Adriatik përmes Shkodrës, Lezhës e Durrësit, duke theksuar se “ushtria serbe duke dalur në ato vende, nuk ka hasur në kurrëfar rezistence të Mirditorëve, të cilët janë fisi më i egër në Evropë”. Radoniq (1912), ndër të tjera theksonte se “kombësia shqiptare nuk ka ekzistuar kurrë, se shqiptarët absolutisht nuk e ndiejnë nevojën për të pasur as që mund të krijojnë shtet të vetin, se ata nuk kanë shfaqur kurrëfar përpjekjesh kulturore, kurrëfar dëshire as aftësie për të krijuar çfarëdo tërësie shteti; se ata jo vetëm se jetojnë si në shekullin e mesëm, veçse me mizoritë e tyre këto deceniet e fundit kanë shkuar edhe ma larg për të keq”.
Nuk di njeriu se cili nga ata intelektualë ishte më nacionalist, më urrejtës e përbuzës i Shqiptarëve. Vlladan Gjorgjeviq (1914), pasi “shqiptarët i quante “lëkurëkuq evropianë”, Durrësin skele (liman) serb, ndërsa shtetin shqiptar të cilin me zor të Zotit duan ta themelojnë Austria dhe Italia, e konsideronte një episodë të mjerueshme në eposin e përgjakshëm por madhështor ballkanik”. Ai shtron pyetjen, “a mos tërë përpjekja e Austrisë dhe Italisë për t’ua krijuar shtetin këtyre lëkurëkuqve evropianë, do të bëhet kot, a mos po i bëjnë vetvetes dëm kolosal, sikurse po u bëjnë me këtë edhe shteteve ballkanike? Sepse, primitizmi i shqiptarëve është pengesë e pakalueshme për të krijuar shtetin, për ata njerëz që s’dijnë çka është kripa, ndërsa për sheqerin mendojnë se është dëborë. Me këta njerëz të egër shtetet e mëdha duan të krijojnë shtet vetëm sa për ta penguar përparimin e Serbisë e të popujve tjerë të vyeshëm e trima”. Duke vlerësuar se “shqiptarët akoma janë në nivelin parahistorik të zhvillimit”, Gjorgjeviq konsideron se “kolonizimi është e vetmja zgjidhje për problemin shqiptar, dhe se ata së paku edhe njëqint vjet duhet të presin deri sa të mund të quhen komb”. Po atë vit, edhe një intelektual tjetër serb, Stojan Protiq, me pseudonimin “Balkanikus” , ndër tjera thoshte “vetëm Shqiptarët kanë mbetur në shkallën e zhvillimit në të cilën kanë qenë para mijëra vjetëve”. Përplot sarkazma, “dëshmon se nuk janë të aftë për jetë të pavarur shtetërore, sepse ata dijnë vetëm për arbitrarizëm, për liri në male, ndërsa për liri shoqërore as nuk kanë pasur as nuk kanë ndjesi”. Duke dashur të shtijë përçarje midis shqiptareve të konfesioneve të ndryshme, ky autor gënjen se “në luftërat ballkanike, kundër serbëve kanë luftuar vetëm Arbanasët muhamedanë, kurse Arbanasët e krishterë pothuajse çdokund i kanë pritur serbët si çlirimtarë! Formimi i shtetit shqiptar është vetëm paravan kundër zgjërimit territorial të Serbisë”, konkludon ndër të tjera Protiq (1913).
Pas themelimit të shtetit shqiptar, shumica e intelektualëve dhe publicistëve serbë orvateshin për të vërtetuar se shteti shqiptar nuk ishte rezultat i përpjekjes së shqiptarëve “as që kishin kushte për formim të formuar shtetin, prandaj shteti as që është formuar për ta, veçse për ta bërë Siujdhesën Ballkanike koloni gjermane” (Cemoviq, 1913); se “ideja për autonomi të shqiptarëve nuk ka mund të vjen prej shqiptarëve, veçse ka ardhur nga jashtë, dhe se në një Shqipëri të tillë (muhamedane) nuk do të mbetet asnjë serb, asnjë i krishterë, madje edhe asnjë turk” (Jasha Tomiq, 1913); se “Austria përmes bakteriologëve të vet (lexo: shqiptarëve) dëshiron ta shumëzojë kulturën e cubave të pa ide, të cilët i nevojitën për luftë më të lehtë me Serbinë, Malin e Zi dhe Greqinë” (Stepanoviq, 1913). Oraovac thotë se “Shqiptarët nuk kanë ide për shtetin. Ata i kanë mbetur besnik vetvetes dhe përherë kanë jetuar me jetën e tyre të vjetër, të pakulturuar e pacivilizuar, prandaj ky popull nuk ka mund të mbushet mend as të bëjë përpjekje, e lere më të formojë shtet. Ata dijnë vetëm për liri personale e fisnore, e kjo është liria e të bërit qejf, kërkesave personale, grabitjes, vrasjeve, shkatërrimeve dhe dhunës së çdo lloji, dhe se për veprime të tilla askujt dhe asnjëherë të mos i përgjigjen”. Formimin e shtetit shqiptar në Ballkan, Oraovac e konsideron si “vënie e vezës së qyqes në fole të huaj, prandaj nuk është e mundur të krijohet shteti shqiptar, përveç nëse duan t’i shpërngulin të gjithë popujt e tjerë ballkanikë”. Ai konsideronte se “Serbisë i takon pjesa më e madhe e të ashtuquajturës Arbania, sepse ky është popull (lexo: populli serb) që ka dëshmuar me shekuj përshtatshmërinë për jetë të pavarur, kulturë e civilizim. Në anën e kundërt të tyre janë shqiptarët si populli i mundur, i cili kurrë nuk ka dhënë shenja jete, dhe se nuk ka ndodhur kurrë që fituesi fisnik (populli serb,a.f.) të privohet nga e drejta e shfrytëzimit të tokave të fituara me gjak, e ndaj humbësit të tregohet kaq konsideratë e njerëzi, sa që t’i jepet edhe diçka që ai nuk e kërkon. Edhe po t’u jepej shqiptarëve autonomia, ata të gjithën do ta rrënonin e shkelnin, dhe kështu vetëmse do të shpërblehej për zullumin e paparë, egërsinë, plaçkitjet, shkatërrimet, grabitjet, dhunimet mbi popullin serb, dhe do të ndihmohej të ketë shtetin një popull krejtësisht i paaftë, poqese edhe mund të quhet popull”, konkludon ky intelektual-shovinist, Oraovac (1913). Propaganda, stereotipet dhe diskursi i përhapur kundër shqiptarëve, u zhvillua në plane e programe shtetërore për shpërnguljen dhe zhdukjen e shqiptarëve dhe pushtimin e copëtimin e tokave të tyre midis monarkive fqinje. Akademiku e politikani serb, Vasa Çubrilloviq me Elaboratin e tij famkeq, që i paraqiti Qeverisë së Mbretërisë SKS në vitin 1937, dhe ia përsëriti qeverisë së re komuniste në vitin 1944, kishte përpunuar në hollësi mënyrën dhe metodat më brutale se si duhet të veprojë pushteti, për ta zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemin me shqiptarët (Qubrilloviq, 1937; 1944). Shkrimtari e nobelisti serb Ivo Andriq, kishte përpunuar një Elaborat për Çështjen Shsqiptare, në të cilin kishte paraparë pushtimin dhe ndarjen e Shqipërisë midis Jugosllavisë e Greqisë, që pastaj lehtë do të arrihej shpërngulja e shqiptarëve myslimanë për në Turqi, dhe asimilimi i asaj pakice që do të mbetej (Andriq, 1939).
Karakteri i Shqiptarëve
Stereotipet dhe diskursin e urrejtjes ndaj shqiptarëve, intelektualët e përmendur serbë, dhe jo vetëm ata, e kanë “mëlmuar” edhe me diskursin për karakterin dhe vetitë etnopsikologjike dhe etnokulturore, madje edhe etnoantropologjike, natyrisht duke “gjetur”, sajuar e theksuar ekskluzivisht vetitë më negative e degraduese. Këtë e kanë bërë kryesisht ata autorë e pseudoshkencëtarë, të cilët asnjëherë nuk kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë as nuk i kanë njohur shqiptarët për së afërmi. Sepse, ata që i kanë takuar personalisht, qoftë si studjues, udhëpërshkrues apo edhe si ushtarakë, janë shprehur me lëvdata për vetitë dhe karakterin e shqiptarëve, përveç rasteve të nacional-shovinistëve më ekstrem e të përbetuar.
“Ndër shqiptarët gjaku është më lirë se kudo, dhe se Neroni ka qenë një pigmej (minor, a.f.) në krahasim me gjakpirësit arnautë, të cilët janë të etshëm për gjak; këto fise të egra që duan ta çrrënjosin një popull të ndershëm, të pambrojtur e të paarmatosur” (Ivaniq, 1906). Edhe Branisllav Nushiqi, i cili më vonë i ka njohur shqiptarët nga afër, si konsull që ka qenë në Kosovë (1923-24), shkruan se “nuk kanë besë, fjala e tyre nuk është e besueshme, feja e tyre nuk është e fortë. Arnauti të bëjnë pobratim (vëllam) vetëm sa për të të hy në shtëpi, për shkak të gruas, motrës a vajzës (Nushiq, 1903). Më ekstremi ndër të gjithë duket se ka qenë intelektuali e mjeku serb, Vlladan Gjorgjeviq. Si të tjerët, edhe ky e shpjegon dhe arsyeton domosdoshmërinë e kolonizimit dhe daljen e Serbisë në det,” në limanin serb të Durrësit”. Pasi shtron pyetjen, se a ka vërtetë popull arnaut, është aq i pa skrupulla në përshkrimin e cilësive dhe karakterit të tipit të shqiptarit si “thatanik, i vogël, në të cilin ka diçka jevgje, finiçane. Arnautët na kujtojnë jo vetëm në finiçanët, po madje edhe në njerëzit e parë nga koha parahistorike, në ata njerëzit të cilët për shkak të frikës nga bishat e egra, flenin në druj në të cilët mbaheshin me bishtat e tyre për të mos rënë në tokë. Vetëm në mesin e arnautëve duket se edhe në shekullin 19 jeton ende ndonjë njeri me bisht”. Gjorgjeviqi i shkruante konsullit austriak Han, se “janë dy lloje: asi me bisht-kali dhe bisht-dhije”. Pohonte se “këta nuk kanë as gjuhë të vet, as alfabet, as histori popullore. Tërë historinë e Arbanisë e përbëjnë vetëm pushtimet e huaja në këtë tokë. Nuk kanë shkrim, as nuk e duan shkollën; nuk lahën sepse frigohen mos ftohen e marrin ethe. Kundër serbëve kanë luftuar si egërsira, në mënyrë tinzare e tradhtare. Shqiptarët e plagosur shtinin mbi mjekët ushtarakë serbë të cilët ua lidhnin plagët, vrisnin pas shpine, bile një arnaut i plagosur e kafshoi një motër medicinale së cilës ia shkëputi një copë të faqes me dhëmbët e tij prej bishe. A prej bishave të tilla Austro-Hungaria do të krijojë shtet”, pyet ky mjek “humanist” serb, dhe shton: “Ia pafshin hajrin”! (Gjorgjeviq, 1913). Po atë vit, Jovan Tomiq i kualifikonte shqiptarët si “popullii më mizor, sinonim i përhershëm i çrregullimit dhe anarkisë, dhunues e plackitës”. Një Tomiq tjetër, shkruante se “Shqiptarët i ndërrojnë konfesionet si ndërresat, sepse feja te ta gjithmonë ka qenë çështje tregtie. Janë plackitës e dhunues, të cilëve u janë frikësuar edhe turqit” (Jasha Tomiq, 1913).
Ka pasur prej intelektualëve serbë, të cilët kanë shkruar edhe për veti të mira të shqiptarëve. Bile ka edhe raste ambivalente, kur të njëjtit autorë që kishin shkruar me termat më përbuzëse e negative , më vonë kur kishin pasur kontakte të drejtëpërdrejta me shqiptarët, kishin shkruar për vetitë pozitive, herë-herë duke i cilësuar me veti më të mira se vet serbët. Kështu, Ivan Ivaniq, për shqiptarët e Kaçanikut thoshte “janë njerëz të bukur, të mëdhenjë, të njohur për trimëri; këngët e dashurisë së shqiptarëve janë plot ndjenja; mysafiri në shtëpinë e shqiptarit ka imunitet të plotë dhe se gratë e tyre janë të pacënueshme” (Ivaniq, 1903). Haxhi-Vasileviq i lavdëron shqiptarët se “janë të vyeshëm, arat dhe vreshtat e tyre janë më të mirat, më së miri i ruajnë bagtinë, janë zanatli më të mirë, veçse nuk zgjedhin mjete për t’ua garbitur serbëve diçka që është e mirë. Kur kanë mjaft mjete për jetesë, janë të urtë, fqinjë të mirë dhe miq të besueshëm; janë të shëndoshë, të zhdërvjelltë, nuk flasin shumë, por lavdërohen shumë, janë krenarë por edhe me sujetë. Janë të qetë, të matur, mikpritës, të sjellshëm, të kthjelltë, por edhe dinakë dhe lakmues. Nuk pijnë tjetër përveç kafesë, ushqehen më mirë se serbët dhe më tepër kujdesën për pastërtinë, janë të bukur, ndërsa të shumtën gratë nuk i kanë të bukura; ato që janë të bukura, janë nga “kryqëzimi” i vajzave të bukura serbe të muhamedanizuara, ngase dihet se arnautët gjithmonë kanë grabitur vajza të bukura serbe” (Haxhi-Vasileviq, 1909). Takimin e parë me shqiptarët Stojan Novakoviq e përshkruan kështu: “janë të thatë, të shëndoshë dhe të fortë si stralli. Syri dhe mendja të ndalet para asaj se çfarë vetishë u japin njerëzve ato male. Produkti i tyre është poashtu i mrekullueshëm siç janë ato vetë. Po megjithatë është për ta vajtuar atë mrekulli të atyre njerëzve, sepse ata janë që sapo ta takojnë fshatarin serb ia marrin gjithë çka ka, e shpeshherë edhe jetën” (Novakoviq,1906). Edhe Jasha Tomiq ua pranonte “cilësitë luftarake, se janë luftëtarë të shkathtë dhe se për ta mund të thuash çdogjë, por jo se janë qyqarë, nuk i ngucin gratë, janë mikpritës. Arnauti mbyllet në shtëpinë e tij dhe lufton, ai të vret edhe në pritë, por kur të pranon si mysafir në shtëpi nuk të vret, veçse të mbron deri në pikën e fundit të gjakut” (Jasha Tomiq,1913). Babai i kulturës serbe, Vuk S.Karaxhiq, duket se nga zilia i lavdëronte shqiptarët, se “ata janë solidarë midis bashkëkombasve të vet, pa marrë parasysh dallimet fetare, dhe të gjithë janë kundër serbëve”. Kur filologu slloven Kopitar e kishte ndihmuar Karaxhiqin ta botonte librin me këngë popullore, e kishte porositur të mblidhte edhe këngë shqipe, por ky ziliqar e hilexhi, i kishte mbledhur vetëm dy këngë të shkurtëra e të pakuptim prej një murgu serb në Pejë, dhe i kishte shkrua Kopitarit “shqiptarët nuk kanë këngë të gjata trimërie, siç kemi na serbët” . Edhepse thoshte se shqiptarët nuk janë për shtet, Oraovac e pranonte se këta janë autoktonë në Ballkan, se kanë qenë në mesin e popujve të kulturuar e të civilizuar, se janë popull i shëndoshë, spirituoz dhe i kthjelltë, dhe është çudi se si ndaj tyre nuk ka pasur ndikim kultura e gjithë atyre popujve me të cilët kanë qenë në kontakt të pandërprerë” (Oraovac 1913), ndërsa Dragisha Vasiq duke krahasuar Shqiptarët me Bullgarët, për të parët thotë se kundrejt të dytëve janë “pakrahasueshëm më të ndershëm dhe më humane” (Vasiq, 1919).
Një diskurs tjetërfare
Do ishte e pandershme, sikur të mos përmendim, se përkundër asaj shumësie të autorëve e intelektualëve serbë me paramendime, paragjykime e stereotipe imperialiste superiore për popullin serb, e aso më negative të ksenofobike e inferiore për popullin shqiptar, në popullin serb ka pasur dhe ka zëra të kundërt, të cilët me ide politike, me fjalë, me penë e me vepra kanë treguar se ishin kundër diskursit të urrejtjës ndaj shqiptarëve. Shkrimet e social-demokratëve serbë: Svetozar Markoviq, Dimitrije Tucoviq, Dushan Popoviq, Kosta Novakoviq e ndonjë tjetër, në shtypin e kohës (“Radnicke novine”, “Borba” etj.) për krimet e ushtrisë serbe të kryera kundër shqiptarëve gjatë Luftës Ballkanike, dhe libri Srbija i Arbanija janë dëshmia më e mirë e qëndrimit të tyre kundër politikës hegjemoniste e kriminale të Serbisë. Edhe në Serbinë e këtij shekulli kishte dhe ka personalitete të cilat kanë koncepte tjera për marrëdhëniet midis shqiptarëve e serbëve, veçse për dallim nga ata imperialistët e elitës intelektuale e pseudoshkencore, të cilët zënin pozita të larta në pushtet, këta të fundit janë zëra të vetmuar të ndërgjegjës së tyre individuale intelektuale, profesionale e shkencore, bile shumë të izoluar e të anatemuar nga politika dhe opinioni i gjërë i Serbisë. Në mesin e disa emrave të personaliteteve intelektuale e shkencore bashkëkohore, që kanë një qëndrim tjetërfare ndaj shqiptarëve, Kosovës dhe çështjes shqiptare në përgjithësi, duhet të përmendim: Olivera Millosavljeviq, Zagorka Golluboviq, Dubravka Stojanoviq, Ana Popov, Natasha Kandiq, Sonja Biserko, por ka edhe shumë të tjerë intelektualë e publicistë, të cilët mund të radhitën krahas këtyre emrave, që janë zëri i ndërgjegjës dhe nderit të popullit serb. Po të vepronte politika e shtetit në pajtim me konceptet e socialdemokratëve të përmendur, sot populli Serb, Shqiptar dhe të gjithë popujt e Ballkanit do të ishin në gjendje më të lumtur e të sigurt.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura