GJOKË DABAJ: RRUGA JONË ËSHTË MË E GJATË SE Ç’DUAM NE

(Durrës, 24 shkurt 2012) – Letër – drejtuar moderatorit të pashtriku.org
Bashkimin e shqiptarëvet në një shtet të vetëm askush nuk mund ta dëshirojë më shumë se ata shqiptarë që gjithë jetën e vet ia kanë kushtuar pikërisht këtij synimi. Ndërsa… do t’u bëhej mirë të gjithëve, edhe atyre që nuk e dëshirojnë. T’i kishim, Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës të bashkuara në një republikë ose të paktën në federatë, do të mund të thoshim me plot gojën që 100 – Vjetorin po e presim me një perspektivë mirëfilli optimiste. Do të mund ta forconim ekonominë, do të mund të mblidheshim, më në fund, në Atdheun tonë, për të jetuar këtu e jo të shpërndarë si zogjtë e qyqes, do të mund të mblidheshim për t’i rritur fëmijët këtu, do të mund ta përparonim kulturën tonë, do të mund ta forconim arsimin tonë kombëtar, do të mund t’i siguronim vetes një mbrojtje më të sigurtë… Shkurt: Do të bëheshim edhe ne shqiptarët DIKUSHI, do të kishim një EMËR dhe bota do të detyrohej, jo të na mëshironte, por të na merrte në konsideratë krejt natyrashëm. (Siç merr në konsideratë, psh, Kroacinë.) Mbi të gjitha, fëmijët shqiptarë do ta ndienin veten më krenarë!
Të gjitha këto i çova nëpër mendje, tek po lexoja shkrimin tend (Sot i ka ardhur koha Bashkimit Kombëtar!), publikuar dje në faqet e “Pashtrikut”. Është mirë që e ke shprehur mendimin. Tema e Bashkimit tonë Kombëtar nuk duhet të pushojë, as të mbyllet, asnjëherë, deri sa një ditë kjo kërkesë të jetë realizuar, ashtu si duhet e ashtu siç na takon, më shumë se kujtdo tjetër.
Mirëpo, i dashuri miku im Sheradin,
punët duhen shikuar ashtu si janë, sepse vetëm mbi bazën e asaj që ËSHTË, ne mund të ndërtojmë atë që DUAM. Asnjëra nga partitë tona të mëdha (Kur them: të mëdha, kam parasysh elektoratin që u shkon prapa), nuk e ka në programin e vet bashkimin tonë në një shtet të vetëm. Nëpër fushata zgjedhore nuk kemi dëgjuar asnjë fjalim, ku të premtohet plotësimi i kësaj aspirate tonë shekullore. Përjashtim bëjnë: Lëvizja Vetëvendosja dhe, nëse do t’ia arrijë të marrë vota, Aleanca Kuq e Zi. Është deri diku edhe partia e çamëvet këtu në Tiranë. Këta janë të vetmit subjekte politikë te të cilët, në e mbajtshin fjalën që thonë tani, do të mund të shpresonin shqiptarët. Por vetëm nëse do të dilnin në krye të 2 shteteve tanë. Partitë e tjera nuk kanë kurrfarë programi kombëtar! Kanë thjeshtë programe socialë, madje ngushtësisht gruporë e deri edhe klanorë.
– Ç’të bëhet para një të këtillë situate?!
– Kush do t’i mblidhte këto 2 pjesë të Kombit tonë, për të na e realizuar Bashkimin?
– Kush do t’i organizonte bisedimet midis 2 shteteve tanë?
– Kush do të merrte pjesë në ata bisedime?
– Ti, a po e dëgjon çfarë deklaratash po bëjnë nëpër media pushtetarët dhe diplomatët tanë, miopë, injorantë dhe pa fijen e dinjitetit as personal e le më kombëtar?
Është, pra, problem tepër i vështirë, i kolavitur dhe indinjues deri në dëshprim. Nuk bëhet Bashikimi ynë Kombëtar pa një akumulim energjish, në mënyrë të atillë që krerët e shtetevet tanë t’i kemi njëherësh edhe prijës të Kombit tonë.
Edhe sikur dikush nga jashtë, psh SHBA-ja ose BE-ja, të jetë vetëdijësuar për të pasur këtu në Ballkan një shtet solid shqiptar, me këtë të quajtur klasë politike që kemi ne, ai shtet do të bartte me vete një varg të pafund anomalish nga më revoltueset. Thashë të jetë vetëdijësuar e jo të jetë i interesuar, sepse Evropa dhe Amerika kanë interes të madh për të pasur këtu në Ballkan një shtet shqiptar të fortë, por ata nuk e dinë, nuk janë të vetëdijshëm. Burokracitë, si të Evropës, ashtu edhe të Amerikës, janë aq të ngathta, aq të ngurta, sa mezi arritën ta kuptojnë (dhe akoma s’e kanë kuptuar mirë), që Kosova nuk qenka pjesë e Sërbisë.
Kjo është panorama, i dashuri Sheradin.
Kjo është gjendja, madje në shumë pika edhe më e keqe. Unë jam sot në vitin e 75-të të jetës sime. Dëshira ime e madhe është, si edhe e shumë bashkëmoshatarëvet të mi, që të mos vdes pa e parë, të paktën këtë pjesë të Shqipërisë, të bashkuar. Por rruga e një kombi, sidomos e Kombit tonë, qenka shumë më e gjatë se ç’duam ne!
Çfarë duhet bërë që kjo rrugë të paktën të mos ndërpritet, të mos shembet, të mos vidhiset, të mos e marrë përroi, por të na çojë atje ku duam, unë tashmë e kam shprehur në librin tim “Strategjia…” Duhet sa më parë të krijohet Institucioni i Përkujdesjes Gjithshqiptare.
Them: INSTITUCIONI!
Jo: partia, jo lëvizja, jo shoqata!
Çfarë duhet të kuptojnë shqiptarët me fjalën INSTITUCION?
Me fjalën INSTITUCION shqiptarët duhet të kuptojnë një organizëm TË PËRJETSHËM KOMBËTAR. A mund ta themelojnë shqiptarët një të tillë INSTITUCION të PËRKUJDESJES deri te secili individ?! E pra, ai INSTITUCION (jo shtetërisht, por ideisht), duhet të përpunojë opinionin tonë publik, duhet ta orientojë opinionin tonë publik, në mënyrë që ai opinion i yni publik, gjithkombëtar, të mund, më në fund, të sjellë në krye të Kombit Shqiptar një të atillë klasë politike, e cila nuk do të bëjë më gafa, gabime e faje, siç ka bërë e po bën, në kurriz të fatit të miliona fëmijëve tanë. Vetëm atëherë shqiptarët do të mund të bëjnë atë që duan të bëjnë.
Nuk do të doja ta mbyllja në mënyrë të zymtë, por jam i detyruar.
Sa gazeta të Tiranës apo të Prishtinës e kanë botuar shkrimin tënd të djeshëm?
Ose sa media audiovizive e transmetuan atë shkrim – thirrje?
Unë nuk e di a ua ke çuar ti atë shkrim atyre gazetave, por jam i sigurtë se nuk do të ta botonin. Ndërkaq, nëse ti do të kishe hyrë në një market, të kishe grabitur atje paratë dhe të ishe kapur nga policia (në mënyrë spektakolare ose jo), s’kish mbetur gazetë e Tiranës dhe e Prishtinës pa e dhënë “lajmin e madh”. Sikur çështja jonë kombëtare të ishte sot në nivelin që duhet, ai shkrim i yti në formë thirrjeje (dhe të tjerë të ngjashëm), duhej përditë të dilnin në faqet e para të shtypit tonë të përditshëm. Nuk dalin, do të thotë se nuk jemi pjekur për punë tilla të mëdha.

Të fala të përzemërta, Gj.Dabaj.
Durrës, 24 shkurt 2012

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura