DR.MIRELA OKTROVA: FUND I ‘RI’ OSE FILLIM I ‘VJETËR’

Tiranë, 10 qershor 2017: Fushata elektorale në Shqipëri dhe zhvillimet e saj të ditëpasditshme thuajse na e kanë spostuar vëmendjen nga zgjedhjet e parakohshme, që zhvillohen nesër në Kosovë, ku 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 nisma qytetare kërkojnë votën e 1,9 milionë zgjedhësve për 120 mandatet e Parlamentit të Kosovës. Zgjedhjet pasuan mocionin e mosbesimit të partive opozitare, pas të cilit deputetët e Kuvendit të Kosovës rrëzuan me 78 vota pro dhe 34 vota kundër qeverinë e drejtuar nga Isa Mustafa, me argumentin e “mosfunksionimit, vendimmarrjes kundër interesave të vendit, stagnimit ekonomik, emigracionit masiv, papunësisë etj”.
Si shkak shërbeu marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, pasi – me gjithë rekomandimet e pranisë ndërkombëtare në Kosovë – koalicioni qeverisës nuk e bëri dot shumicën e mjaftueshme për ratifikimin e saj.
Analistët e huaj vërejnë, se listat e subjekteve që marrin pjesë në zgjedhje nuk i kanë reflektuar rekomandimet e bashkësisë ndërkombëtare për shmangien e kandidimit të personave, që hetohen apo janë paditur për krime lufte ose bashkëpunim me krimin. Pengesa e vetme për këtë mundet të jetë vetëm Gjykata Speciale, e cila pritet të fillojë punë pas pak javësh. Por edhe nëse vërtetohen pritshmëritë, sipas të cilave Gjykata do të zbardhë krimet e luftës, duke e çliruar të ardhmen nga e shkuara, hetimi pritet të ndeshë në pengesa, pasi sigurimi i provave bëhet gjithnjë e më i vështirë dhe dëshmitarët gjithnjë e më të rrezikuar. Në këto rrethana bllokuese – me gjithë bërthamën e partive të reja shqiptare dhe disa risi në kampin politik të partive serbe – atmosferën politike në Kosovë vazhdon ta dominojë garda e vjetër politike, me kandidatë kryesorë figurat politike drejtuese dhe premtimet e tyre zgjedhore kontradiktore.

Në një kohë kur kushtet gjeopolitike rajonale dhe globale sugjerojnë më shumë se kurrë përgjegjësi dhe ekuilibër, fushata në Kosovë po evidenton tone nacionaliste dhe kërcënime verbale Beograd-Prishtinë, të cilat prodhojnë jo pak stres strategjik tek aleatët euroatlantikë. Kështu Ramush Haradinaj (AAK), kryeministri i ri eventual i Kosovës, sinjalizon nga njëra anë rishqyrtimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun Prishtinë-Beograd, ku bën pjesë edhe ajo e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, megjithëse vijon t’u premtojë kosovarëve arritjen brenda tre muajsh të liberalizimit të vizave, të kushtëzuar prej BE pikërisht me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Vetë profili i kryeministrave eventualë të Kosovës dhe Serbisë – njëkohësisht drejtues të delegacioneve përkatëse – ndërlikon paraprakisht edhe parashikimin e së ardhmes strategjike të dialogut dhe marrëdhënieve Prishtinë-Beograd. Nga ky këndvështrim, kombinimi Ramush Haradinaj dhe Ivica Daçiç (që pritet të zëvendësojë Vuçiç në postin e kryeministrit të Serbisë) ushqen pritshmëri të pakta si për atmosferën konstruktive të bisedimeve ashtu edhe për njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së, që ende refuzojnë ta bëjnë këtë.
Ndërkohë shoqëria kosovare përballet me mungesa të mëdha. Varfëria dhe mungesa e perspektivës i shtyjnë të rinjtë drejt emigracionit. Në vend nuk ka punë, standardet e arsimit dhe shëndetësisë nuk i përgjigjen kohës, ndërsa korrupsioni bren shtetin ligjor dhe fryn krimin e organizuar. Po pavarësisht se subjektet kanë zënë të ofrojnë për herë të parë në këtë fushatë edhe opsione ekonomike apo strategji zhvillimi, referuar sondazheve, edhe qeveria e re që do të dalë nga këto zgjedhje parlamentare, nuk pritet të ofrojë zgjidhje konkrete. Përkundrazi, treguesit e krizës pritet të ashpërsohen akoma më shumë…!
Pritshmëri kjo, që s’duhet injoruar nga të gjithë ata, që nesër do të dalin të votojnë! Të cilët, duhet të jenë të ndërgjegjshëm, se rruga e pavarësisë së ëndërruar gjatë dhe paguar shtrenjtë nuk mund të jetë as më e shkurtër dhe as më e lehtë, se lufta për arritjen e saj – ajo është rruga e dëshmimit se populli i Kosovës do dhe di të jetojë në paqe, do dhe di të ndërtojë shtet, do dhe di të ndërtojë dhe të respektojë standarde demokratike. Nëse protektorati kërkoi luftë e sakrifica, vetëqeverisja kërkon pajtim dhe pjekuri, stabilitet dhe përgjegjësi, perspektivë të qartë dhe ecje me hapin e botës.
Ndaj elektorati kosovar nuk duhet ta lërë veten të bllokohet në opsione të stërsprovuara.
As në rrugë të shkelura më parë, paçka se nga të tjerë prijës…
Ai meriton alternativa, programe realiste, përgjegjësi dhe perspektivë…
Dhe një përfaqësim dinjitoz – për sot dhe për nesër – për brenda dhe jashtë kufijve…!
Ndaj u vaftë mbarë! Qëllofshin!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura