Prishtinë, 8 Qershor 2019: Pjesëmarrja e kryetarit të shtetit në “Saborin” e Kishës
Kisha Ortodokse Serbe është duke mbajtur mbledhjen vjetore, e quajtur “Sabor” (koncil). Sabori do të zgjasë një javë, ndërsa në mbledhjen plenare që u mbajt dje në Pallatin e Patrikanës në Beograd, ishte ftuar dhe mori pjesë kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Bashk me Vuçiqin ishin edhe Milllorad Dodik, lider i serbëve të Bosnjës, dhe Nikolla Sellakoviq, sekretari kabinetit të kryetarit Vuçiq. Në “Sabor” merrnin pjesë 46 peshkopë të Kishës Ortodokse Serbe, nga e gjithë bota. “Sabori” ka në rend dite shqyrtimin dhe marrjen e vendimeve të shumta nga fushëveprimi i kishës, por edhe i politikës së shtetit të Serbisë. Përndryshe, përse do të thirrej të merrte pjesë kryetari i shtetit?!
Në një shtet sekular, siç është caktuar me kushtetutë, nuk është e zakonshme që kryetari i shtetit të merr pjesë në mbledhjet e forumeve të kishës, të dëgjojë dhe respektojë qëndrimet dhe vendimet e kishës lidhur me çështjet e politikës dhe të shtetit. Por, Serbia gjithnjë e më tepër po rrëshqet kah klerikalizimi i shtetit, përmes formave të ndryshme të bashkëpunimit kisha-shteti dhe anasjelltas. Opozita e ka kritikuar pjesëmarrjen e kryetarit të shtetit në “Saborin” e kishës, si një vardisje e kryetarit dhe klerikalizim të shtetit, si një “kalifat ortodoks”.
Për çka biseduan në “Sabor”?
Sipas raportimit nga konferenca e përbashkët për media që dhanë kryetari Vuçiq dhe patriarku Irinej, në bisedën që zhvilluan prej dy orë e gjysëm, trajtuan tema të ndryshme me rëndësi, të cilat kanë të bëjnë me problemet e popullit e të shtetit të Serbisë, e më së tepërmi me çështjen e Kosovës. Sipas Vuçiqit, në takimin e tij me arkierejtë “U bisedua për Kosovën e Metohinë, për periudhën e rëndë që gjendet para nesh, për pozitën e serbëve në ‘Republika srpska’ (në BH), për pozitën e Serbisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, për marrëdhëniet midis kishës dhe shtetit, për demografinë dhe popullsinë që po zvogëlohet (çdo ditë nga 104 njerëz më pak), për unifikimin e programeve dhe të teksteve shkollore në gjithë hapësirën serbe. Unë u fola haptas e sinqerisht dhe mora dëgjova mendimin dhe qëndrimin e Kishës për të gjitha problemet me të cilat ballafaqohemi”, ka thënë Vuçiqi.
Ndërkaq, patriarku Irinej, në deklaratën për media, theksoi: “Kemi biseduar dy orë e gjysëm për problemet me të cilat ballafaqohet populli dhe shteti, më së tepërmi biseduam për Kosovën e Metohinë. Kekmi konstatuar se gjendja në KeM është shumë e rëndë dhe jashtëazakonisht e paparashikueshme se si do të zgjidhet, por do të luftojmë, nuk do të ndalemi për ta mbajtur Kosovën, e sa do të kemi sukses, shpresojmë në Zotin, në historinë dhe në miqtë tanë. Se sa do t’ia arrijmë, kjo varet nga situata dhe rrethanat në botë, nga ata që na përkrahin neve dhe nga ata që përkrahin anën tjetër. Kyretari ynë po lufton trimërisht dhe nuk dyshojmë në qëllimet e tij të mira. I lutem Zotit t’i jepë forcë e mençuri në kryerjen e rolit të kryetarit të shtetit në mënyrën më të mirë dhe më të dobishme. Është me rëndësi që kemi mirëkuptim dhe se kryetari ynë po lufton trimërisht për Serbinë dhe për KeM dhe për gjithë atë që lidhet me emrin serb. Mahnitem me energjië e tij, derisa bisedimet që ai po zhvillon janë shumë të rënda. Ky nuk është qëndrim vetëm imi, veçse i tërë “Saborit”, qëndrim i Kishës Ortodokse Serbe”,- deklaroi patriarku Irinej, në konferencën për media, bashkë me kreyetarin Aleksandar Vuçiq dhe me atë “gllavonjën” e serbëve të Bosnjës, Dodikun.
Sekularizmi dhe simbioza kisha-shteti dhe anasjelltas
Sipas Kushtetutës së Republikës së Serbisë (neni 11), “Serbia është shtet sekular. Kisha dhe bashkësië fetare janë të ndara nga shteti. Asnjë religjion nuk mund të vehet si shtetëror apo i obligueshëm”. Mirëpo, në praktikë, Kisha Ortodokse Serbe dhe Shteti i Serbisë praktikisht janë një në udhëheqjen e politikës së brendshme dhe të jashtme, me të gjitha mospajtimet që mund t’iu dalin dhe sekularizmi i proklamuar me kushtetutë e ka humbur kuptimin. Feja ortodokse dhe KOS kanë marrë rolin e shpëtimtarit të çështjes dhe të popullit serb, kudo që ata jetojnë. Ajo është e privilegjuar dhe e ndihmuar nga shteti, me kthimin e pronave, me donacione të shumta për obligimet e krijuara dhe për ndërtimin e objekteve të shumta kishtare. Edhepse realisht populli serb është populli më antifetar (serbët në çdo fjali e shajnë Zotin), megjithatë kisha është autoriteti suprem dhe faktor me rëndësi në shoqërinë serbe (ata kishën nuk e shajnë, nuk protestojnë kundër saj edhepse breda saj ka keqpërdorime të shumta dhe pedofili, por i mbajnë të fshehta).
Pas luftërave që ka zhvilluar (dhe i ka humbur) Serbia, në qytetin e Novi Sadit është dyfishuar numri i serbëve të ardhur nga Kroacia dhe Bosnja, duke ndërruar radikalisht strukturën etnike të demografisë së kryeqytetit dhe të Krahinës së Vojvodinës. Në ndërkohë, në qytetin e Novi Sadit me rrethinë janë ndërtuar 18 kisha, të stilit dhe dimensioneve të ndryshme, ku dominon stili bizantin. Ndërtimin e tyre e ka ndihmuar edhe shteti nga mjetet e buxhetit. Në këtë kontekst, vërehet një triumf i primitivizmit kishtar e shoqëror. Kisha Ortodokse Serbe u kthye triumfalisht në skenën politike pas ardhjës së Millosheviqit në krye të shtetit, sepse kisha i duhej atij për t’i dhënë zjarr etnonacionalizmit serb, për ta përgatitë popullin për luftërat pushtuese, ndërsa Kishës i duhej përkrahja e shtetit për fituar privilegjet dhe statusin e faktorit të rëndësishëm në shoqëri. Edhe pushtetet e pasluftës, vazhduan me vardisjet ndaj Kishës, në të gjitha fushat, madje edhe në ushtri (kryqëzimi i ushtarëve; caktimi i një peshkopi për bashkëpunim me ushtrinë, pjesëmarrja e kryetarit të shtetit dhe e ministrit të mbrojtjes në solemnitetet kishtare, etj). Janë formuar organizata ultranacinaliste kishtare: “Obraz”, “Sveti Justin flozof”, “Otaçestveni pokret”, etj, të cilat (më 2004) kanë hartuar program të posaçëm nacional për rininë serbe të shekullit 21 (“Naçertanije nacionalnog programa omladine srpske za 21.vek”). Në vitin 2002 është futur mësimi i lëndëve fetare në shkollat e shtetit, si lëndë zgjedhore, ndërsa në vitin 2004, Fakulteti i Bogosllovisë është kthyer në kuadër të Universitetit të Beogradit, që financohet nga sheti, pas 52 vjetëve që komunizmi jugosllav e kishte distancuar fenë nga shteti.
Krahas problemeve tjera që kanë, edhe Kisha edhe Shteti, janë të preokupuara më së tepërmi me çështjen e Kosovës, prandaj kryetarit të shtetit i duhet përkrahja e kishës për vendimet e shtetit. Se a do ta ketë bindur Vuçiqi patriarkun dhe mjekërroshat e tjerë të KOS për vendimet e tij të dhembshme e të rënda që duhet t’i merr, apo u është bindur qëndrimeve të kishës – mbetet të shihet. Te dy palët deklaruan se kanë arritur në qëndrime të përbashkëta, ndërsa Vuçiqi deklaroi se ua ka thënë të vërtetën dhe realitetin. Nëse është ashtu, atëherë kisha do ta ketë zbutur qëndrimin e vet, ndërsa retorikën luftënxitëse do ta praktikojë edhe më tutje.
Nga pozita e Vuçiqit, që shihet në foton nga takimi në “Sabor”, fitohet përshtypja se ky po e kryeson “Saborin”, ndërsa patriarku Irinej po i raporton dhe përgjërohet! Gjithsesi Vuçiqi duhet të ketë fituar përkrahjen e Kishës, dhe ajo në këtë situatë i nevojitet si buka e përditshme, sado që opozita e kritikon, përse kryetari i shtetit i vardiset patriarkut.