REXHEP KASUMAJ: SIMBOLIKA E GJATËPRITUR IDENTITARE (LEGJENDA E DJALIT ME TRAKTOR)

Berlin, 19. 06. 2014 – 1. Që herët, posa zbardhi agu i lirisë, Republika e re pati sërish një trishtim. Por ai ishte paksa ndryshe. Nuk vinte nga gjaku dhe hekurat e pushtimit. I tillë, herë-herë ngjante dhe fin e luksoz: fqinjëronte me delirin e madhështisë. Kushedi kur do të jetë ngjizur joshja e tij, por gjithësesi ishte i kahershëm. Veçse tani, nën ditët djellandritëse të Indipendencës, sëmbonte thershëm. Kolonialistët ishin shpërngulur dhe entuziazmi popullor prekte, tashmë, kufijtë e lumnisë përhumbëse. Pse jo! Kurrë më çizme dhe helmetë serbiane. Tani ajo kishte bukën dhe librat e ndaluar. Kulla e bulevarde vezullues. Megjithatë një brejcë, e heshtur dhe e ngadaltë, gërryente mortshëm ëndrrën e saj. E idhta kishte trajtën e një gjakimi të vjetër. Pas ngulimit të aleatëve në dhèun e tyre, bijtë e Arbnit sikur iu dorëzuan fare idhujtarisë vetore: u ndien të ishin kërthizë planetare. Si bënte, pra, që epiqendra pulsuese të mos kishte një veçanësi që do ta shquante në botë? Që këndej trysnonte ky ngut për një ornament të largdëgjuar. Dhe ai do behte aherë e andej nga s’e priste kush. Do të vinte beftë, thjeshtë e rustikalisht, një muzg të rrëmujshëm tek piqeshin qershitë. Kje viti i 2014, pas Zotërisë. Nuk u shfaq në kalë baladash a bartur rèsh nga qiejt e mugët dhe as i ngarkuar hamejsh prej detesh të valëzuar. Një Traktor me Djaloshin trimosh e të hallakatur mbi krye, do t’ishte kumti i gëzuar i maratonomakut frymësosur…


Festa e PDK’së me traktor e fishekzjarre!

2.
Ndaj, duhet të gjendet patjetër e të mos humbasë ngeshmërisë tipike, ky investor i historisë. Të bëhet shpejt i njohur emri i tij risimtar e për ngahera i uruar. Militanti që kremtoi me traktor fitoren zgjedhore të Prijësit për legjislaturën kuvendare, në mes të turmës së tromaksur, i dha miljeut politik e qytetnues të Kosovës mëvetësore, simbolikën përfekte: traktorizmin, këtë shenjë pathyeshmërie dhe flijese në pragun e lavdisë. Si të përjetësohet, vallë, akti i tij atdhetar? Sheshet metropolitane janë zvogluar shumë. Mezi marrin frymë nga bustet e gjithandejmë. Por një grimë truall e meriton përmendorja impozante e këtij çunaku ëmbëlosh, që do të mbijetojë stuhitë e shekujve. Statujat e tanishme ngjajnë pak të mërzitshëm e njëtrajtësorë: burra të krekosur, kaluer a në këmbë, hiç një Zonjë imtake që ka marrë kurajon të përbirohet mes tyre. Kurse monumenti i “traktoristit” do t’skeptëronte krejt ndryshe. Fillimisht, ai nëvojitë më shumë hapsirë, mund e imagjinatë artistike. Sepse ngritja e tij, do të ketë tre plane të vështirë: njeriun e fanitur, tutje, traktorin e marrosur (që do të jetë keqardhur pse ka ateruar aty ku s’duhet) dhe, në sfondin diskret, harenë popullore. Mandej, si për të sfiduar pararendësit, projekti do përplotësohej dhe me një anë tjetër ogjinale: do ngrihej për të gjallë të bëmësit gjenial. Si rrjedhojë, autorët kolegjialë që do ta ideojnë e përmbarojnë atë, do ta gëzojnë përherë praninë e Traktoristit, i cili do t’ua evokojë atyre jo vetëm pozicionin, marshrutën, përvijimin mespërmes brohoritjeve të mbështetësve dhe mnirjes së kundërshtarëve, por dhe emocionet e kohës. Gjigandi i mbiditshëm, kështu i paragatitur, do të përfundonte i përkryer.
Ndërsa pranë tij, kur heroi të shuhej një ditë, do të hidhte shtat dhe një Mauzole i purpurtë ku do të ekspozohej kurmi i tij i balsamosur. Dyzimi harmonik do krijonte një ansambël unikal, të askundparë në yllin që quhet Tokë. A nuk kanë bërë dhe të tjerët kështu? A nuk kanë balsamosur, fjala vjen, në verilindje të Europës, madje deri organet gjenitale të Poetit sarhosh, si një atraksion të jashtëzakonshëm, që, më pas, njerërzia të thyejë këmbët në turravrapin për ti parë? Sidoqoftë, po të hezitonte fantazisti sypatrembur për të dhënë pëlqimin e të dyja dedikimeve, e veçmas, për tu “mauzoleuar”, aherë duhet kërkuar ndikimin e tribunëve moralë, uratën e atoriteteve fetarë dhe këshillën e urtë të shkoqitësve kanunorë, Pleqnarë me nam që (në Dukagjin) ende prejnë drejtësinë e përdhunuar nga shteti i së drejtës e barazisë!..Nuk duhet nënçmuar as praktikat e moçme spirituale. Do të merrej prej tij një fije floku a rub teshash, e do t’përndahej faltoresh të shumta për të siguruar ndërhyrjen e shpirtërave të mirë…Dhe ata, krejt bashkë, do të shpreheshin në favor të kompleksit ansamblor, sepse këtë e dikton interesi i lartë: për mbamendjen e brezave dhe për triumfin kombëtar!
Ishte, njëmend, çasti i arrirë për të. Pothuaj të gjithë kryeqytetet dritëbardhë që regëtijnë të piketuar hartash të cicëronëve turistikë kanë ngrehën ( “Eifeli”, “Kremlini”, “Brandenburgu”, “Shtatorja e lirisë”, “Koloseumi”, “Sheshi i paqes qiellore”) e tyre glamuroze. Krykasabaja jonë ishte, ndërkaq, në zor të sajonte kolosin që tu rivalizonte. Nuk kishte trashëguar një shenjëzim njohës e identitar. Kje shtrënguar gjatë të priste shkas, konjukturë e frymëzim. E pra një objekt magjepsës, i rrallë tejembanë rrokullisë, do ti jepte dhe kryeqendrës dardane fascinitetin e munguar: traktorin mbrothësor! Po, ja, Hyu mëshirëplotë do ia dhuronte një të tillë. Pak vonë, por duhet patur mirëkuptim, se ishte merakosur thellë për ta zbritur një të pazakontë, ashtu siç duken shpesh të pazakontë edhe ata që jetojnë poshtë atij nënqielli. Pritësit e mëdhenj u shelbyen. Përjetuan shendimin çlirues nga ankthi i mangësisë mistike. Durimi, njëmend, ishte shpërblyer: simbol më domëthënës, reprezentues, të bukur e smirëndjellës, nuk ishte mbrujtur as në shkëndijëzat e tyre më vegimtare. Madje, ndryshmëria e kryeveprës shqiptare do t’ishte absolutisht sipërore. Vetë kulti i tyre ndër mijëvjeçarë. Ata nuk do të imitonin godina parlamentare (si Reichstagu zymtor me prapaskena tmerri) a teatro, muze (eksponatesh të bezdisshme), biblioteka të mërzisë dhe as shtëpi Sinfonie e të tjera gjëra squllosëse kombesh të lajthitura që kanë hyrë në udhë të vdekjes klinike. Traktori dhe vetëm ai, posedonte fuqinë jetëprurëse dhe sublimitetin rrezëllitës të gjithmonësisë…Ndaj, Akropoli, Louvri, Broadway e Burgtheatri, pallatet imperialë e sulltanorë dhe ç’janë të tjerët andej, nuk do të ngjajnë veçse si shemra fatkobi. Do pëlcasin nga marazi të gjithë: miqtë e rremë dhe armiqtë e vërtetë! Për moskonsideratën shqiptare, sigurisht do të hidhërohen me të Epërmin. Por ç’ti bëjnë? Ky ishte verdikti i tij i paapelueshëm. Traktori u mbetet shqiptarëve. Dëshmi e lirisë për veten dhe epërsisë ndaj të tjerëve. Në jetë të jetëve.
Ky kompedium i admiruar bujkrobnie, si një arritje e pamohueshme e fitimtarëve të përkorë, më parë se për Autorin e natës së bekuar, flet për zotërit e tij dhe nuk flet maska e jashtësisë, por tharmi i mbuluar i kulturës së tyre të hollë…I tillë, ai dëfton, njëkohësisht, ideologjinë doktrinare a postamentin dallues në kohët turbulente që vijnë. Tani, në vend emrash e titujsh të lodhshëm hierarkësh të vranët, mjafton të thuhet “traktoristët” që çdogjë të jetë e qartë. Po, tevona, a nuk janë ngadhnjimtarët që përcaktojnë ikonografinë metropolitane?
3.
Porse, si në shumëçka tjetër, mbase për hirin e dialektikës që refuzon përsosmërinë, edhe këtu kanoset pasmbetja nga një cen. Nëse shumë prej veprave madhnore të vendeve a metropolëve (si ndriçimi i rrugëve në Belgjikë), thonë se shihen nga Hëna, heroin tonë, të konceptuar përmasash të epigonëve që e rrethojnë, nuk besoj ta kapë Syri i largët hënor. Prandaj, mjeshtërit do ti kenë parasysh, ndoshta, dhe kordinatat kozmike. Kostoja mund të dalë e lartë, porse demosi i stërkënaqur, sidomos humanistët e tij, do të heqin nga kafshata e gojës për këtë emblemë të dashur të zemrës së tyre.
Athua do të lëmohej jo vetëm sedra provinciale, po dhe vetë hirësia e tij e rëndë që do ketë përballës anë e kënd rruzullimit, sikur përbindshi glorifikant të lokalizohej vetëm në Metropol? Për ta bërë, pra, më vendar, autentik e gjithësorë, akademikët e mprehtë dhe guvernantët e trashë, do të latonin e jetësonin shpejt idenë që dhe qytetet tjera të pajisen me dytësa dinjitozë. Më të vegjël, u muar vesh, sepse nuk do guxonin të ngucnin atin parak. Pokështu do të prodhoheshin, pse jo, dhe disntiktivë, bluza të rinjësh, borsalina dinjitarësh e kravata pensionistësh të harruar, e sidomos vegëleri e veshje bujqësh me figurën fatsjellëse në t’përparmen e tyre. Po në këtë rrjeshtim të lëbyrshëm, do të mbaheshin tradicionalisht orë përkujtimore, festivale ku do të muzikonin komponistë e artistë dhe do të themeloheshin çmime demokracie me emrin e famlartë! Ah, për pak ta harronim më të rëndësishmen: abetaret e librat shkollorë, nuk do kishin në faqen e parë foto të ftohtë presidentësh a kryezotësh mesjetarë, veç pikërisht pamjen krenare: traktorin grandioz me heroin e pashëmbëllt sipër tij! Por fabula nuk mbaronte. Do vente tej përkushtimi, njëshbërja flatruese me makinën e pafajshme që e bënte aq zulmëtar këtë banorësi të vuajtur. Pjesëtarët e fisit afrikan Ga (të Ganës) kanë ca rituale autoktone varrimi interesant. Për ata që iu lënë shënde‘në porosisin arkmortër formash të çuditshme, që duhet të pasqyrojnë pasionin e të ikurit: si piano e çekan, peshk a kitarë…Tani që janë bërë globalë, shqiptarët do mësojnë përvojat e vyera ndaj, me gjasë, më shumë se vetë ganezët e zinj, do të deshnin një arkë të pangjashme për mbetjet e tyre trupore. Nuk do të joshen fare nga peshku e çekani, aq më pak nga një piano e përzishme. Të devotshëm e venddashës, ata kallen dhimbjes për një sarg a, madje, sarkofag solemn me profilin e hyjnizuar!..
Së mbrami, kur sundtarët të vërenin entusiazmin e trullosur të turmave, do të miratonin gjithçka, duke iu qasur dhe ndryshimit definitiv e përthekues, të kërkuar me afsh anëpërtej tokës amtare: kësaj përmendareje do ti rezervohej statusi i Tempullit shejtnor, kurse stema, flamuri amorf dhe hymni memec do të kishin në pikëqendrën e tyre militantin e traktoruar madhor dhe këngën e tij. Me këtë ndërmarrje të vëmendshme do të mbyllej njëjtësimi total me portretin e ri ftyrëçelur, të pllakosur si nata pa hënë në truallin veriarbnor.
Vitet do iknin dhe ngjarja do të arkivohej në legjendë. Qysh tash e parashoh se si gjyshërit do tu tregojnë mbesave e nipërve para gjumit, rrëfenjëza për mitin e një djaloshi që festoi me Traktor në epokën e mbërritjeve më të sofistikuara të njerëzisë, anipse ai vetë nuk përfitonte asgjë. Ishte i papunë dhe i ngujuar në geto të Europës së lirë. Fëmijët, në fund, si rëndom do të pyesnin: përse? Po ata do tu thoshin: flini tani. Do ua rrëfejmë nesër mbrëma.
Po dhe aherë pa përgjigje, natyrisht!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura