Sharr, 01. 03. 2016: T’u thuash cuba, s’janë. As azganë nuk mund të thuhet se janë edhe pse shpesh tentojnë të shpërfaqen si të tillë. Ata janë diçka që s’mund të përkufizohet e përshkruhet me fjalë. Pra janë ata, të cilët shpeshëherë as vetvetes nuk mund t’i besojnë se vërtetë janë vet, ngase asnjëherë nuk paraqiten siç realisht janë, por siç faktikisht pretendojnë të paraqiten. D.m.th ata janë ata që në realitet nuk janë, ose thënë më drejtë, ata të cilët vetëm laujnë rolet që i kanë vënë vetes, duke qenë kështu vetëm aktorë që luajnë role të trishta, e asgjë tjetër. Role këto mes kapadaiut që mundohet të jetë mbi gjithçka në njërën anë dhe servilit, i cili prostituohet varësisht prej interesave dhe nevojave në anën tjetër. Kapadaillëku, injoranca, idiotizmi dhe servilizmi i tyre janë pra realiteti i tyre, ndërsa paraqitja dhe pretendimi për t’u shfaqur si engjëj në publik janë vetëm një maskë e tyre ndryrë. Ata janë ata, të cilët shfrytëzojnë në mënyrë të paskrupull edhe figurën e Rugovës së ndjerë dhe njëkohësisht atë të Demaçit të lodhur nga pleqëria dhe sëmundja e rëndë, nga e cila vuan tash e disa muaj me radhë. Ky është vetëm njëri ndër faktet që tregon se ata sipas nevojës i mveshin vetes role të caktuara në mënyrë që të realizojnë më me lehtësi aktin e dramës tragjike. Kështu që p.sh. nga abuzime të dy ekstremeve shumë të kundërta (lexo: Rugova dhe Demaçi) ata përpiqen të mbledhin “pikët e nevojshme”, të cilat u mundësojnë atyre qëndrimin dhe zgjatjen e pushtetit të tyre.
Ata janë ata, të cilët mundohen të paraqiten edhe si ruajtësit më fanatikë të demokracisë, parlamentarizmit dhe drejtave të njeriut në përgjithësi edhe atëherë kur japin urdhëra kriminalë për tërheqjen zvarrë të kolegëve të tyre deputetë nga kampi opozitar, vetëm e vetëm pse mendojnë ndryshe dhe mundohen me mish e shpirt për t’a mbrojtur kauzën e tyre, e cila në rastin konkret është mëse e drejtë, dhe jo vetëm kaq. Ata mundohen të etiketojnë dhe akuzojnë ish-luftëtarët e lirisë për keqpërdorim dhe mospjesëmarrje të mirëfilltë në luftë, përderisa vet e pranojnë hapur faktin e të qenit larg vijave të frontit.
Po ku ishin vërtet ata gjatë kësaj lufte dhe pas saj?
Në Zvicër, Tiranë, në zhvatje, vjedhje, eliminime fizike të kundërshtarëve politikë dhe protagonistëve më me nam të luftës, apo ku…?
Ata janë ata, të cilët kanë bërë dhe bëjnë marrëveshje të vazhdueshme dhe pa kushte me armikun shekullor, duke risjellur dhe rimbjellur farën e tij të ndyrë në këtë vend të larë me gjak, përderisa vazhdojnë të na paraqiten “titanë” në fjalimet e tyre “të zjarrta” në përvjetorët e atyre, me gjakun e të cilëve u la kjo tokë e njomë. Ata janë ata që largojnë me dhunë protestuesit paqësorë nga sheshi, për t’i siguruar vetes rehati në festën e zgjedhjes së “presidentit” të tyre kriminal.
Ata janë ata që manipulojnë dhe abuzojnë edhe me familjet e dëshmorëve për qëllime të veta, përderisa në anën tjetër ngrejnë dolli me raki e mish gici me ata që para pak vitesh masakruan gra, fëmijë e pleq. Ata janë ata që me veprimet dhe qeverisjen e tyre tentojnë që t’a shndërrojnë vendin në ferr të Dantes.
Ata janë edhe shumë më shumë se kaq, por të tillë nuk do të ishin pa “këta”.
E po kush janë këta?
Këta janë ata që veprojnë kryekëput me logjikën e nënshtrimit (lexo: robit), qyqarit, të paftyrit dhe servilit, i cili varësisht prej situatës i ndërron rolet dhe strategjitë e veprimit. Këta janë ata që vetëservilizohen, transformohen dhe vetënënshtrohen vetëm e vetëm për të shijuar qoftë edhe deriçkën më të vogël nga ”tortja” e pushtetit, siç dikur e quante njëri nga “ata”. Këta janë ata që thirrën dhe shfaqen si ushtarët dhe mbrojtësit më besnikë të Rugovizmit, apo thënë me fjalë të tjera “Filozofisë Rugoviane” (siç e quajnë ata). E ç’është kjo e fundit? Filozofia e heshtjes, pranimit, herë-herë e manipulimit të gjithçkaje dhe me gjithçka, servilizimit, apo…? Është kjo filozofia e bashkëpunimit dhe ngritjes në heshtje të kundërshtarit të përbetuar politik të saj, madje duke e bërë atë edhe president dhe uljes sistematike të vetvetes?! Dikush mund të më fajsonte se po abuzoj me një “filozofi politike” apo “shkollë folozofike” kaq të “ndritur”, mirëpo gjithë kjo është si rezultat i mosarritjes time (dhe shumë të tjerëve) për të kuptuar faktin, nëse kjo “folozofi” përfaqëson idenë politike të mashtrimit, nënshtrimit, servilizmit, prostituimit politik apo diçka tjetër. Pra kjo i bie se unë (ne) jo, por ata vet po abuzojnë e manipulojnë me vetveten dhe zgjedhësit e tyre.
Për të mos e zgjatur më shumë po ndalem te pika e fundit, përkatësisht te komponenta kyçe e këtij trekëndëshi kompleks, pra tek ajo më e rëndësishmja, e që është “ne”.
E kush është (jemi) ne?
Shukrt – ne jemi ata që ishim dhe do të jemi, ata që nuk i mveshin vetes role të rrejshme e maska të ndyra, ata që do të zvarritemi dhe vetëmohohemi qoftë edhe pakufi, vetëm e vetëm për të mbrojtur vendin dhe kauzën tonë nga dëmet dhe të këqiat që kanë sjellur “ata” dhe “këta”. Pra ne jemi populli, kauza e të cilit ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë e drejtë. Prandaj me ballin lartë e kurrizin drejtë, të bashkuar dhe padorëzuar para së keqës që po na kanoset nga “ata” e “këta” po u themi dhe t’u themi vazhdimisht atyre – MJAFT!