BEHXHET SH.SHALA BAJGORA: QEVERIA, PUSHTETI, MUSKUJT, BUNGU, TRURI DHE DRURI!

Prishtinë, 22. 03. 2016: (Trepça punon, ministri Mariq kontrabandon) – Dikur brohoritej në demonstrata kundër Jugosllavisë dhe Serbisë: ”Trepça radi, Beograd se gradi“ (Trepça punon , Beogradi ndërtohet) dhe për këtë dënoheshin deri në 10 vjet burg aq sa parashihte neni që e sanksiononte propagandën armiqësore kundër Jugosllavisë multietnike dhe vëllazërim – bashkimit . Shumë të rinjë dhe të reja shqiptare kanë kaluar vite e vite nëpër llogoret e Jugosllavisë në përpjekje për ta mbrojtur Trepçën , si aortën kryesore për zhvillim ekonomik të Kosovës . Në ndërkohë , babai politik i disa ministrave serbë në qeverinë e Kosovës , krimineli Millosheviq , ua shiti të drejtën e eksploatimit të Trepçës një kompanie greke duke e bartur pronësinë e Trepçës nga Kosova te Serbia , përmes grekëve të kompanisë Militeneos . Pas ndarjes së Kosovës në Kosovën veriore ( e okupuar nga Serbia dhe strukturat kriminale të saj ) dhe ate jugore të cilën e zhvatën të gjithë ata që kishin mundësi , Trepça u bë temë e përplasjeve midis palës serbe dhe kosovare. Serbia me vojvodët e tyre politikë, as që dëgjojnë të bisedohet për pronësinë e Trepçës duke deklaruar se ajo është pronë e Serbisë në ndërkohë që qeveritë e Kosovës , në mënyrë të ndrojtur , me faje , me turp dhe aspak të skuqur në fytyrë tregojnë muskujt kur flitet për Trepçën ndonëse e dinë shumë mirë se janë të pafuqishëm të ndërmarrin diçka shkaku se ajo pjesë e okupuar e Kosovës nuk kontrollohet nga ata . Tash, një mashtruese ordinere me një post të shpikur ministror , në emër të qeverisë del dhe thotë se për Trepçën nuk do të bisedohet me Serbinë dhe Beogradin po , mbase me Kurdistanin apo Sudanin e Jugut ! Pas deklaratave të kësaj meshtrueseje , jam i sigurt se do të bisedohet pikërisht me Serbinë për Trepçën sepse gjithmonë ka dalë e kundërta e asaj çka ka deklaruar deri më sot kjo mashtruese . Pra, nuk kam fare mëdyshje për këtë por mua nuk më hynë në kokë si qeveria deklaron se në Bruksel nuk do të bisedohet për Trepçën kurse një zog i Krainës Serbe të Kninit në Kroaci i kontrabanduar si ministër serb në qeverinë e Kosovës botërisht deklaron se për Trepçën duhet të bisedohet në Bruksel ndërsa nuk ka fare reagim nga qeveria e Kosovës që bëhet i shurdhër ndaj kësaj kukulle të Serbisë, në qeverinë e Kosovës . Edhe kjo më bën të besoj se do të bisedohet edhe për Trepçën në Bruksel si edhe për pronat e kishës ortodokse dhe pronat tjera të serbëve që i kanë përvetësuar me ligje diskriminuese të kriminelit Millosheviq. E tillë është edhe kisha politike serbe në oborrin e Universitetit “ Hasan Prishtina “ ( ky do të rrotullohej në varr po ta shihte këtë monstrum kishtar të cilin çdo qeveri normale do ta shembte një orë e më parë ndërsa askush nga kryetarët e Prishtinë të njohur për trimëri dhe mençuri , Ismet Beqiri dhe Shpend Ahmeti , nuk guxuan t’i bien andejpari e lëre më ta rrënojnë siç patën premtuar në fushatat parazgjedhore ).

Duket se kisha politike e Millosheviqit do të duhej ta kishte fatin e Pallatit të Rinisë “ Boro dhe Ramizi “ sepse janë ndërtuar me vetkontribut të qytetarëve të Kosovës. Për kishën politike të kriminelit Millosheviq ka pasur dy lloje të kontributeve nga shqiptarët ; disa kanë paguar edhe më shumë se që iu është kërkuar vullnetarisht e që sot janë pjesë e ajkës politike dhe biznesore në Kosovë kurse të tjerëve kontributi u është faturuar në mënyrë të dhunshme. Njëfarë zkryeministri i Serbisë në qeverinë e Kosovës , e ka për qejf dhe si relaks t’i quaj fashistë dhe parti fashiste të gjithë ata që kundërshtojnë projektet e Serbisë në Kosovë ! Dhe , çuditërisht askush në qeverinë e Kosovës nuk reagon në deklaratat e tij i cili e pranon shtetin e Kosovë për aq sa unë e pranoj Serbinë në Kosovë. Një tjetër ministër i Serbisë në qeverinë e Kosovës u bënë thirrje publike serbëve të Kosovës të dalin në zgjedhjet e Serbisë në Kosovë që organizohen nga Serbia dhe OSBE ndërsa qeveria e Kosovës i fut veshët në lesh ( atyre që kanë lesh ende ) duke deklaruar se serbët e Kosovës kanë të drejtë të votojnë sepse e kanë dyshtetësinë . Ashtu deklaroi i përndrituri Barjam Gecaj . Si mund ta kenë dyshtetësinë kur shumica e tyre nuk e pranojnë shtetin e Kosovës ? ! Dhe pse Kosova nuk ua pranon të drejtën e dyshtetësisë shqiptarëve të Luginës , Maqedonisë , Malit të Zi , Greqisë , Shqipërisë , Turqisë dhe shteteve të tjera në mënyrë që ata të votojnë në këto shtete ?! Paramilitari politik i Serbisë në Kosovë botërisht ka deklaruar se janë fashistë ata që e kundërshtojnë formimin e komunës serbe të Prilluzhes ndërsa edhe unë e them se janë fashistë dhe kriminelë të gjithë ata që kërkojnë por edhe e lejojnë formimin e komunave të pastra etnike , në parajsën multietnike të quajtur Kosovë. Ndërkombëtarët po e kalojnë në heshtje këtë sepse as që ua ndien për shqiptarë dhe për serbë . Serbia nuk është duke vuajtur për një komunë më shumë serbe por është në realizim të një zinxhiri të komunave serbe , nga veriu i Kosovës e deri në Dukagjin , në Çakorr dhe të Kulla e Zhlepit. Komuna e Prilluzhës është një hallkë që i mungon këtij zinxhiri të komunave serbe në Kosovë prandaj edhe aq nervozizëm te paramilitarët politikë të Serbisë në Kosovë. E patë se si e gënjyen princin Çarlls të Mbretërisë së Bashkuar në Prizren peshkopi Teodosije dhe terrorist manipulues i rrjeteve sociale kundër shqiptarëve , otac Sava ! Shifra të rreme dhe manipulim me ngjarjet e marsit. Ndërsa Naim Tërrnava e lëmonte mjekrrën që ua ka lëshuar të tjerëve dhe nuk foli fare për shkatërrimin e objekteve islame fetare në Kosovë por na xhigavte ( patent i presidentit në ardhje ) me tolerancën ndërfetare ! Realisht , Tërrnava , së bashku me Ipeshkvin e Ipeshkvisë së kishës katolike është bërë si një cirk lëvizës duke shkuar nga konferenca në konferencë dhe duke përrallisur për tolerancën fetare në ndërkohë që kisha ortodokse serbe është bërë mburoja shpirtërore dhe frymëzuesi kryesor që e mohon shtetësinë e Kosovës dhe angazhohet 24 orë në pengimin e pranimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtarë. E kemi të freskët qëndrimin kriminal të kësaj kishe për anëtarësimin e kosovës në UNESKO!
Opozita e bashkuar dhe qeveria e forcuar
Opozita e bashkuar është e vendosur që të mos pranojë asnjë ofertë nga qeveria , presidentja në largim apo kryetari i Kuvendit. Ata , përjashtuar Haradinajn e injoruan presidenten e Kosovës për takim që bie në kundërshtim me rregullat e mirësjelljes apo edhe të Kanunit të Lekës ( jo Lumezit po të Dukagjinit) . Isën nuk duan as ta shohin me sy kurse një ofertë të kryeparlamentarit Veseli në stilin e ofertës së JYSKU-t , “kemi një ofertë të mirë për ju “ që paralajmëron lirime të mëdha po e paragjykojnë ende pa e ditur përmbajtjen e ofertës . Opozita e bashkuar i ka vetëm dy kërkesa: dorëheqjen e qeverisë dhe datën e zgjedhjeve të parakohshme ! E ka edhe një kërkesë personale , dorëheqjen e Murat Mehës . Nuk po e pranon delegacionin e caktuar nga presidentja për Demarkacion sepse në këtë komision nuk qenkan ekspertët vendorë! Unë nuk e di se në praktikat ndërkombëtare kur thirret një komision ndërkombëtar, aty të bëhen anëtarë edhe ekspertët vendorë! Ata mund të konsultohen , të dëgjohen por edhe mos të pyeten fare. Pa e paragjykuar rezultatin e punës së Komisionit edhe unë nuk do ta pranoja këtë komision sepse nuk ka fuqi detyruese . Nëse , hipotetikisht ky komision do të vinte në përfundim se janë lëvizur mexhat, atëherë Mali i Zi nuk do ta pranonte këtë kurse edhe ndërkombëtarët do ta kundërshtonin këtë sepse do të prishej një barazpeshë politike e ndërtuar nga ata. Puna e këtij Komisioni është humbje kohe dhe humbje e parave sepse vetëm sa do të kontribuojë në thellimin e raporteve pozitë – opozitë ! Opozita e bashkuar në këtë përbërje dhe me këtë mënyrë të vepruarit nuk ka kapacitet ta rrëzojë qeverinë por është duke punuar për forcimin e saj . Askush në këta 7 muaj të fundit nuk ka punuar për qeverinë dhe kundër opozitarizmit se vet opozita e bashkuar . Gazi lotsjellës, djegia e veturave zyrtare dhe private , koktejt e Mollotovit po i adresohen opozitës ndonëse mund të jetë krejt dikush tjetër prapa këtyre veprimeve të dhunshme ( shërbimet e huaja apo Serbia ). Opozita e bashkuar , me protesta në ditët festive , pa program të qartësuar në formë të një oferte të pranueshme për qytetarët e pakënaqur , me përrallat për minjtë dhe macet , me një fjalor përjashtues dhe retorikë të ekskluzivitetit të pronësisë për patriotizmin , me një fjalor plotë sharm dhe intelektualizëm për Hashim Brojën dhe Skender Harmonikën dhe shumë margaritarë tjerë që vetëm nënqielli ynë i prodhon dhe i duron , opozita do të mbetet edhe për një kohë të gjatë opozitë. Me gjasë që nuk do të bëhet pozitë ! Edhe Mao ce Duni gjatë marshit të Madh Kinez ka pasur kërkesa më realiste se opozita e bashkuar . Opozita e bashkuar duhet ta ketë të qartë se nuk mund të kërkojë zgjedhje të parakohshme kur të dojë dhe sa të dojë sepse do të krijohej një qark magjik kur të gjithë të pakënaqurit me rezultatet zgjedhore të kërkojnë zgjedhje, deri t’i fitojnë ato. Opozita e bashkuar gjithmonë ka reaguar me vonesë sikur që edhe tani po vonohet . Në vend të vajtimeve të përditshme dhe kukamave të përmuajshme ( gjatë protestave ) ata duhet të punojnë në krijimin dhe forcimin e masës kritike të qytetarëve ku zgjedhjet e parakohshme do të imponoheshin si e vetme zgjidhje të cilën do ta pranonin edhe ndërkombëtarët . Po si mund të organizojmë zgjedhje të parakohshme nëse nuk pajtohet Miuci i cili , në mbrojtje të një organizate të dështuar dhe pjesërisht të kriminalizuar , vetëm sa nuk i vuri para togut të pushkatimit gazetarët që nuk u pajtuan me bossin e EULESH-it , Gabriele Miuci dhe nuk pranuan që ministrin e pafat dhe të martirizuar ta ngulin në hunj ! Nëse oferta e JYSK-ut – Kuvendit të Kosovës : “ kemi një ofertë të mirë për ju “ për opozitën nuk parasheh zgjedhjet e parakohshme , atëherë nuk ka gjë prej kësaj gjëje ! Nëse kjo ofertë nënkupton ndonjë kockë për ta lepirë opozita atëherë nuk ka fare kuptim kur opozita edhe më herët ka pasur oferta të tilla madje këto kocka kanë pasur edhe tul mishi. Nuk pajtohem në asnjë mënyrë për Asociacionin e komunave serbe sepse për aq sa kam njohuri ky Asociacion ka kompetenca ekzekutive dhe është diskriminues për pakicat e mbetura duke e krijuar një strumbullar për federalizimin e ardhshëm të Kosovës. Më tregoni lexues të nderuar të ketë pasur ndonjë rast në botë kur një qytet është ndarë 16 vjet pas përfundimit të luftës si është bërë me Mitrovicën ?! Qytetet ndahen menjëherë pas përfundimit të luftës për t’u bashkuar më vonë, përmes bisedimeve . Të ndahet një qytet në kohë paqeje dhe integrimeve nuk duket të ketë kuptim përveç se ai qytet do të bëhet kryeqytet i një entiteti politik dhe etnik serb. Edhe ashtu Mitrovica e Veriut është qendër administrative e Serbisë në Kosovë dhe qendër e krimit të organizuar ku pandëshkueshmëria po përligjet me Kushtetutën e Kosovës. Nuk mund të ketë Park të Paqes në një njedis tërësisht kriminal prandaj janë të bezditshme përrallat e Agim Bahtirit . Keni parë që një pjesë e shoqërisë civile , në shërbim të gjitha garniturave politike , vendore dhe ndërkombëtare po ofrohet si gjak i freskët për finsikërimin dhe gjallërimin e opozitës në ndërkohë që presin oferta edhe nga pozita prandaj do të mbesin , as me shehër , as me Barilevë . Duke refuzuar të gjitha ofertat e pozitës dhe miqve të Ismet Beqirit dhe Adem Grabovcit ( miqve ndërkombëtarë ) , opozita e bashkuar është vënë në pozitën e Penelopës , gruas së Odiseut e cila, pasi Odiseu u largua , i refuzonte ata që i propozonin për martesë me arsyetimin se : “ do të martohej me ta kur ta përfundonte thurjen e një trikoje ( xhemperi ) dhe kjo thurje nuk përfundonte kurrë ! Po, edhe nëse Bajrami bjen në Ramazan ( shkohet në zgjedhje të parakohshme ) , nëse mbesin në fuqi koalicionet ekzistuese atëherë pozita do të mbetet përsëri në pushtet kurse opozita , si gruaja e Odiseut do të vazhdojë me thurrje , deri në zgjedhjet e reja . Opozita , po të kishte një strategji , program dhe dije , më shumë do të angazhohej për zgjedhjet e ardhshme lokale si infrastrukturë për zgjedhje të përgjithshme. Me Junikun, Deçanin, Obiliqin e kastruar nëse Milladini ia merr një copë territori Xhafës, perspektiva për t’i fituar zgjedhjet e parakohshme është e barabartë me mundësinë që unë të bëhem president i AKR-së për së gjalli të Gjetit dhe Mimozës. Në zgjedhjet e ardhshme, nëse mbesin koalicionet ekzistuese , opozita e bashkuar do ta humbë edhe Prishtinën sepse Shpend Ahmeti , përkundër bllokadës nga niveli qendror dhe përkundër disa ndryshimeve që i vlerësoj si pozitive , nuk është sjellë sikur të ishte kryetar i të gjithë qytetarëve të kryeqytetit sepse është ngjyrosur shumë partiakisht dhe ndonëse nuk besoj se është i dhunshëm , po identifikohet me dhunën që po ndodhë në 7 muajt e fundit në kryeqytetin që e drejton dhe për këtë do t’i humbë zgjedhjet e ardhshme . Në mungesë të një oferte qytetare për kryetar të Prishtinës , LDK edhe nëse e kandidon për kryetar një activist të Rinisë Socialiste , do t’i fitojë zgjedhjet !

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura