(Prizren, 23. 04. 2012) – Kosova ime e dashur, është një shtet “sui generis” dhe këtë tashmë e dimë të gjithë. Është i tillë në çdo aspekt: si nga ndërtimi dhe funksionimi i brendshëm juridiko-politik, ashtu edhe si subjekt ndërkombëtar në raport me shtet tjera. Nuk ka ushtri; nuk e ushtron kontrollin dhe sovranitetin e plotë në tërë territorin e vetë kushtetues; policinë, doganat dhe gjyqësinë ia mbikëqyrin të tjerët (EULEX)…
I. Kosova ime e dashur, formalisht e ka kushtetutën e vet si aktin më të lartë shtetëror, por krahasuar me kushtetutat e shteteve tjera të mirëfillta demokratike në botë, shumëçka në të është specifike, e jashtëzakonshme, në dukje ideale, mbase eksperimentale… gjë që, mu për këtë shkak, Kosovën time të dashur, e bëjnë vërtet si “sui generis” shtet në botë. Kosova ime e dashur, po ashtu ka një flamur intersant. Në dukje: me hapësirë të kaltër në sfond si qielli, me grafikën e hartës së vetë gjeografike në mes, përmbi të cilën vezullojnë 6 yje që simbolizojnë multietnicitetin, multikulturalitetin, multireligjiozitetin… dhe bashkëjetesën e lumtur të 6 pakicave tona të barabarta etnike. Disa cinik, për shkak të veriut problematik, simbolin grafik të hartës në mes të flamurit, shumë shpejtë e parashikojnë se do të duket ndryshe: mu si “molla e kafshuar” e logos së kompanisë “Apple”. Paralelisht me flamurin, Kosova ime e dashur, ka një “gjurullti instrumentale” si himn të cilit, edhe sot e kësaj dite nuk po i gjinden fjalët adekuate të këndimit të cilat emocionalisht, njëkohësish do t’i kënaqte shijet kolektive të të gjitha pakicave.
_____________________
HIMNI I KOSOVËS “MULTIETNIKE”…!
_________________________________
VËREJTJE: Këtu aspak nuk vihet në dyshim obligimi ndërkombëtar i çdo shtetit të mirëfilltë (edhe të Kosovës si shtet me këtë rast) të ketë flamurin, stemën dhe himnin e vet karakteristikë identifikues, por poenta e specifikës qëndron tek “sui generis” mënyra e imponimit nga të huajt: të dukjes, përmbajtjes dhe procedurave jodemokratike të përzgjedhjes.
II. Edhe pse formalisht si organizëm, Kosova ime e dashur, i ka të instaluara të gjitha institucionet e veta sovrane shtet/formuese, në fakt, për të gjitha çështjet e rëndësishme vendimmarrëse, asaj ende i imponohet ndikimi nga të tjerët. Mjafton që një ambasador, zëvendës/ambasador, apo çfarëdo diplomati tjetër i ndonjë shteti të huaj, të paraqitet me ndonjë kërcënim të kamufluar diplomatik para tyre, dhe, ata, pa bërë “gik as mig” menjëherë i ndryshojnë qëndrimet e veta të mëparshme sovrane. Në këtë kontest si shembull, ishte interesante një flagrancë që ndodhi ditëve të fundit në tempullin e demokracisë kosovare (Parlament), ku gjatë aprovimit të një ligji, paraprakisht si sugjerim (lexo: imponim) nga një ambasadë e huaj, deputetëve tanë iu ishte shpërndarë një udhëzim orientues (lexo:detyrues) me shkrim,se si dhe kurë ata duhet të votojnë me ”po” ose “jo”.
VËREJTJE: Këtu aspak nuk kontestohet nevoja e forcimit dhe kultivimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve të mira me shtete tjera të bashkësisë ndërkombëtare; zgjerimi dhe forcimi i mëtejmë i miqësisë dhe vjelja e eksperiencave të tyre të përparuara në të gjitha fusha, por ky stigmatizim ka të bëjë me servilizmin e tepruar dhe patologjik të politikanëve tanë ndaj tyre.
III. Përderisa në shtetet e mirëfillta demokratike propozimi dhe përzgjedhja e funksionarëve të lartë shtetëror bëhet mbi baza kushtetuese e ligjore, në Kosovën time të dashur, kryetarja propozohet dhe emërohet me një metodë groteske dhe tragjikomike: Me zarf! Dakord! Ta marrim këtë si situatë ekstreme. Meqë ne atëbotë nuk merreshim vesh në mes veti dhe rrethanat e tilla vërtet impononin një ndikim të tillë autoritar si zgjidhje e domosdoshme, por së paku sikur e përzgjedhura nga zarfi paraprakisht të ishte e njohur për opinionin dhe sado pak të kishte ndonjë eksperiencë politike…
VËREJTJE: Krahasuar me nivelin elokuent të kryeministrin tonë aktual, kryetarja e jonë e dal si propozim prej ZARFI, nën mbikëqyrjen rigoroze të këshilltarëve të saj të ashpër dhe vigjilent, duket pak sa më e avancuar (ndoshta pse flet shumë pak para opinionit).
IV. Kosova ime e dashur, është shtet specifik me më së shumti festa zyrtare dhe me më së shumti ditë pushimi në botë (vend i sevdalive apo shtet multifestiv). Në mes shumë festave tjera të parapara me ligj, te ne si festë kremtohet edhe një datë e ashtuquajtur,“Dita e Evropës”, ditë kjo, që nuk festohet në asnjë shtet të Evropës. Nga ana tjetër, një ngjarje e madhe e historisë së lavdishme të popullit shqiptar (shumicë) – 28 Nëntori, nuk parashihet fare me ligj si festë zyrtare. Kur jemi tek festat zyrtare, desha ta shpalosi edhe një “sui generis” specifikë të Kosovës time të dashur. Nëse, me vëmendje i vrojtojmë sheshet dhe rrugët e qyteteve tona në njërën prej ditëve të këtyre festave zyrtare, sigurisht do të na bie në sy një laramani flamujsh të shteteve të ndryshme të Evropës dhe botës. Po ashtu, nëse ngjashëm me vëmendje e përcjellim një deklaratë të ndonjë ministri apo çfarëdo funksionari tjetër qeveritar në TV, në sfondin e ekranit prapa tij, sigurisht do të shohim flamuj të shumtë të shteteve tjera. Kur unë i përcjelli intervistat nëpër medie të funksionarëve tanë shtetëror, gjithnjë i bëja pyetje vetes: mos vallë ajo po realizohet nga ndonjë hapësirë e selisë së OKB-së në Nju Jork?!
VËREJTJE: Këtu nuk e përjashtoj këtë dukuri si normale në raste kur vendin tonë e viziton ndonjë kryetar apo funksionari i një shteti të huaj mik, dhe atë ditë, krahas flamujve tanë, kryeqyteti apo edhe qytetet tjera të Kosovës do të ishin të stolisura edhe me flamujt shtetëror të shtetit përkatës.
______________________________
SHKOMBËTARIZIMI I SHQIPTARËVE NË MËNYRË INSTITUCIONALE!
___________________________
V. Jo vetëm kaq! Kohën e fundit, Kosova ime e dashur, ka edhe diçka specifike, që në krahasim me shtetet tjera normale, atë e bënë më ndryshe. Është “asteriksi”, apo ylli i fusnotës në emërtimin e saj, me të cilën ajo, tashti e tutje, duhet të prezantohet nëpër takimet ndërkombëtare regjionale.
VËREJTJE: Për elaborimin më të thuktë të kësaj specifike, na ish dashur më shumë hapësirë, andaj, këtë herë, të kënaqemi vetëm me përmendjen kalimthi të saj si karakteristikë specifike.
VI. Në fund, me gjithë sinqeritetin dhe padjallëzinë time, nuk kisha dëshiruar që tek lexuesit ky artikull të reflektoj si ironizues, mosmirënjohës dhe bukëshkelëse ndaj meritave reale të miqve tanë ndërkombëtar. Por unë këtu parashtrova vetëm specifikat tona më karakteristike kosovare. Jo të gjithat, por disa. Kuptohet ka ende. Ende edhe shumë, jo vetëm nga shtet/ndërtimi por edhe nga mjaft sferat tjera të jetës sonë të përditshme. Pra, qëllimi ka qenë që në këtë artikull të them disa kuriozitete ndoshta të ditura për shumë kë, por të nënvizuara si më origjinale të shtetësisë sonë në raport me të huajt. Të “sui generis” shtetësisë sonë, të cilat, si ngjashmëri, pa dyshim se, nuk mund t’i hasim në asnjë shtet tjetër të botës.
VËREJTJE: Krejt në fund – Të dua edhe ashtu si je, Kosova ime e dashur…!
____________________________________
(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)