MR.SC.REXHEP AHMETI: DUAM UNIVERSITET ME IDENTITET

Mitrovicë, 16. 11. 2014 – (Identiteti i mohuar: Universiteti publike sot! – Tani për tani, ne këtë kohë transicioni të turbullt, disa universitete publike kanë mbetur (e kanë lënë veten) pa identitet. Këtë edhe e kanë juridikëzuar me akte të ndryshme juridike, siç janë edhe disa statute të disa universiteteve, ku është sanksionuar se mund te avansohesh si mësimdhënës e si shkencëtar vetëm me publikime dhe recensione ndërkombëtare. Pra, edhe UP ”Hasan Prishtina” që dikur ka pasur identitet, sot është duke mohuar inteligjencën e vet dhe identitetin e vet ngase e mohon aftësinë, kapacitetin dhe traditën pozitive që e ka sjellë gjer këtu.
Universiteti sot e ka ligjin dhe zbatimin e tij si instrument për realizimin e interesave personale e grupore. E zbaton ligjin sipas ilakeve dhe njerëzve që i shërbejnë. E ka sistemin juridik për ta zbatuar ashtu siç i konvenon udhëheqësve që jetojnë në të kaluarën dhe që kanë qenë dhe janë kundërshtar të egër të çdo dije të re dhe shkence të re. Universiteti sot është më shumë vend përfitimi material dhe privat se sa me funksion primar publik. Privatja e ka ngulfatur aty shkencën dhe publiken. Plus instalojnë vetë profesorët funksionarë karrieriste-fryme skllavëruese, nënshtruese. Mos vallë ky është roli arsimor, edukativ, pedagogjik, shkencor e kombëtar i universitetit të sotëm të Prishtinës?
Identiteti i krijuar i Universitetit: Hadri, Zajmi, Hoti, Statovci
Në të kaluarën, në kohë edhe më të rënda se kjo, në kohë okupimi Universiteti kishte Programin kombëtar jozyrtar por ekzistues dhe veprues të cilin ku mundnin edhe e zyrtarizonin shkencëtarë e kombëtarë të shquar siç ishin: akademikët Ali Hadri dhe Gazmend Zajmi, Mr.sc. Ukshin Hoti, Dr. Ejup statovci, etj.
Tani, po më kujtohet një ligjëratë vërtetë shkencore që e pat mbajtur prof. Ukshin Hoti në Fakultet Filozofik, e cila u shndërrua pastaj në debat të vërtetë frytdhënës, me diskutime të pasura në sallën e mbushur plotë studentë, profesorë e dashamirës tjerë të shkencës e kombit. E ky debat dhe shkenca ukshiniane nuk ishin “debat për debat” apo “shkencë për shkencë” por ishin në funksion të përgatitjes së fillim-revolucionit republikan e kombëtar të vitin 1981, i cili revolucion pati baticat dhe zbaticat e veta. Në një zbaticë të tillë, janë sot disa universitete publike në Republikën e Kosovës, të cilat kanë humbura identitetin origjinal dhe e kanë korruptuar idenë e shkencës, kombit e përparimit të përhershëm në vazhdimësi.

Personalitet tjetër shkencor e kombëtar që ka i dhënë substancë nocionit të identitetit të Kosovës ka qenë edhe prof. Gazmend Zajmi, i cili në vitin 1993 ia paraqiti politikës së atëhershme dhe ish “presidentit” të atëhershëm të “Republikës së Kosovës” programin e veprimit politik, kombëtar, çlirues i cili u injorua nga politika shkurtpamëse. Pranimi i akademik Gazmend Zajmi në Akademinë e shkencave dhe arteve të Evropës, ishte, indirekt edhe pranim i identitetit vleror të Universiterit dhe shkencës shqiptare në Kosovë.
Posa ta përmendim emrin e prof. Ali Hadrit, na kujtohet epërsia (dhe jo inferrioteti) i Universitetit të Kosovës në kohë okupimi, mësimdhënësi i të cilit me inteligjencë e burrëri mundte, pa mund të madh shkencor, mposhtte profesorë e ”shkencëtarë” të Serbisë e të ish-Jugosllavisë lidhur me debatet rreth identitetit shqiptar të Kosovës dhe të drejtës së saj për vetëvendosje.
Shembull edhe më i afërt dhe krejt aktual mësimdhënës për sot se si duhet të jenë UNIVERSITETET ME IDENTITET është shembulli, veprimtaria, shkencore, arsimore e kombëtare e prof.dr. Ejup Statovcit i cili ka konstatuar, shkruar: “Universiteti ynë ka Dekretligjin e së ardhmes…., e ka individualitetin dhe identitetin e Universitetit të pavarur shqiptar të Prishtinës. Kjo e cilëson këtë vit akademik.”(Shih për këtë librin: Një jetë e tërë për universitetin, Prishtinë, 2000, f.201)
Rektori demokrat dhe përparimtar i atëhershëm z. Ejup Statovci pati ligjësuar edhe parimin e identitetit njerëzor në UP. Dekretligji i rektorit në nenin 7 të tij ka sanksionuar “Vendimet e Universitetit lidhur me studentët, mësimdhënësit… duhet të bazohen në meritat individuale, duke qenë të liruara nga diskriminimi dhe segregacioni në çfarëdo forme qoftë….Ky është obligim i Universitetit ndaj parimeve të fundamentale të lirisë akademike, të mundësisë së njëjtë dhe të identitetit njerëzor.”
Këtu ligjësohet dinjitetshëm INSTITUCIONI i shkollimit dhe kërkimit të lartë – UNIVERSITETI.
Edhe pse sot KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS në Nenin 48, në alinen dhe 2 ka SANKSIONUAR SE:
1.Liria e krijimtarisë artistike dhe shkencore është e garantuar.
2. Liria akademike është e garantuar.

Ata që e praktikojnë dhe e zbatojnë sot nocionin e Universitetit me identitet dhe nenin 48 të Kushtetutës aktuale, dënohen rëndë, diskriminohen, inkuizicionohen ashpër nga kundërshkencëtarë, e kundërprofesorë të mveshur me titujt, e gardat më të larta ”profesionale” e “shkencore”, të cilët dhe të cilat, fatkeqësisht, thënë figurativisht mund të blihen në treg (kiosqe) me bollëk.
Por, megjithëkëto, pa dyshim, ia vlen të angazhohesh sinqerisht dhe me të gjitha forcat per UNIVERSITET ME IDENTITET, sepse PIKËRISHT TANI AI është bërë shumë i domosdoshëm si rrugëdalje nga kundëridentiteti kundërvleror që “po do” ta ngulfatë idenë dhe traditën e pasur të universitetit shqiptar të mirëfilltë.
Prandaj, në Universitetin Publik “Isa Boletini” të Mitrovicës, që nga 29 tetori 2014 ka dalur botërisht një lloj flamuri PËR UNIVERSITET ME IDENTITET, të cilin kanë filluar ta bartin, të mësohen me te, po edhe ta brohorasin studentët dhe studentet përparimtarë/e e këtij universiteti publik formalisht e privat, siç po administrohet momentalisht.
Mitrovicë Korrik-Nëntor 2014
Mr.sc.Rexhep Ahmeti, doktorant.
Kontakti: [email protected]

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura