ADNAN ABRASHI: PSE NAIT HASANIN NUK E DO AS OPOZITA PËR KRYETAR TË DEGËS SË PDK-së NË PRIZREN?!

Prizren, 08. 04. 2013 – Nait Hasani, aktualisht deputet i Parlamentit të Kosovës nga radhët e PDK-së, figurë e çmuar nga ilegalja dhe koha e rezistencës sonë të armatosur kombëtare kundër pushtimit serb, njëri ndër themeluesit e UÇK-së, i burgosuri politik… Meqë unë e njoh edhe personalisht, këtyre karakteristikave të tija të përgjithshme nga biografia, mund t’ia shtoj edhe mjaftë virtyte tjera individuale njerëzore, sikurse janë: modestia e theksuar gjatë kontaktit dhe komunikimit me të tjerët, besnikëria për fjalën e dhënë, dashamirësia dhe gatishmëria që përherë me përkushtim të merret edhe me hallet e të tjerëve dhe t’ju ndihmoj atyre aq sa mundet. Kështu shpërfaqëm shkurtimisht dhe në vija të trasha, figurën e Nahit Hasanit, i cili gjatë zgjedhjeve të brendshme të mbajtura së fundi në PDK, ka konkurruar si kandidat më serioz për kryetar të degës së PDK-së në Prizren. Por, sikur shkojnë punët, mbase mjaftë konspirative me këto zgjedhje, edhe pse ai realisht ka përkrahje të madhe nga anëtarësia e gjerë dhe nga shumica e Këshillit Drejtues, thuhet se, pikërisht për këtë shkak, nga qendra dhe vetë Hashim Thaçi, qëllimisht zvarritet zgjedhja e Kryesisë dhe kryetarit të kësaj dege.
Shkurt e trup, nëpër koluaret e qytetit, një kohë të gjatë përfolet se, Nait Hasani, nuk është emër i preferuar nga vetë Hashim Thaçi. Përndryshe, ai formalisht ka konkurruar me rregull në këtë post dhe për këtë kandidim kaherë është deklaruar publikisht, ndërsa, sa i përket kundër/kandidatëve tjerë të mundshëm, hëpërhë, në opinion kalkulohet me dy emra potencial: Ramadan Muja, kryetar i tashëm i kësaj dege dhe kryetar i KK të Prizrenit, si, dhe, Nijazi Kryeziut, aktualisht sekretar i kësaj dege dhe kryesues i Asamblesë Komunale në Prizren.

Bazuar në burimet e besueshme brendapërbrenda kësaj partie, thuhet se, Hashim Thaçi, kurrsesi nuk e do Nait Hasanin si kryetar të kësaj dege të PDK-së në Prizren. Andaj, nuk zgjedh mënyra që ta pengoj ardhjen e tij në këtë post. Duke rrezikuar që ta shkeli edhe Statutin partiak, ai, para disa dite, propozoj që Këshilli Drejtues i degës së PDK-së në Prizren, nga 71 anëtarë sa aktualisht i ka ky forum, të rritet në 101 anëtarë. Kështu që, përmes futjes edhe të disa militantëve tjerë të dirigjuar në këtë Këshill, në favor të kandidatit të përkrahur nga ai vetë, lehtë ta mbivotoj Nait Hasanin
Jozyrtarisht, merret vesh se kandidati i përkrahur nga Thaçi është: Nijazi Kryeziu, kryesuesi aktual i Asamblesë Komunalë në Prizren.
Çuditërisht, jo vetëm Hashim Thaçi, por as opozita prizrenase nuk e preferon Nait Hasanin si kryetar të degës së PDK-së në Prizren?! Natyrisht, kjo e dyta, krejtësisht për qëllime të kundërta dhe shkaqe taktike.
Kur kisha dëgjuar së pari për këtë qëndrim të opozitës, ajo më është dukur si diçka e çuditshme; shqetësim i panevojshëm i tyre për një çështje tërësisht të brendshme të një partie tjetër. Por, ky botëkuptim në mua nuk zgjati edhe gjatë. Derisa një ditë, atë nuk e diskutova shtruar me një mik timin opozitar:
“Ne, opozita, jo vetëm se i lutemi Zotit që Nait Hasani të mos zgjidhet për kryetar të degës së PDK-së në Prizren, por në prapaskenën e këtyre kalkulimeve, me të madhe lobojmë në favor të kundër / kandidatit tjetër konkurrent, që sipas të gjitha gjasave, do të jetë Nijazi Kryeziu. Kjo, në fillim, shumëkujt i duket e çuditshme, ama ajo gjithsesi ka një prapavijë të bazuar taktike.
Sikur e dimë të gjithë, këtë vit në Kosovë do t’i kemi zgjedhjet lokale. Po ashtu, sikur e dimë të gjithë në Prizren, për shkak të aferave të ndryshme korruptive, keqmenaxhimit si dhe abuzimeve tjera të paligjshme gjatë kësaj qeverisje që udhëhiqej nga PDK-ja si parti në pushtet, tanimë shumë qytetarë prizrenas janë të zhgënjyer tej mase dhe mezi presin që në këto zgjedhje, t’ua tregojnë atyre vendin e merituar.
Nait Hasani, gjithsesi është një personalitet tejet i çmuar dhe i respektuar nga populli jo vetëm i kësaj komune. Mu edhe këtu qëndron poenta! Ardhja e tij në krye të kësaj dege të PDK-së në Prizren, sigurisht do të ndikoj në rritjen e autoritetit tashmë të zbehur të kësaj partie në popull. Me Nait Hasanin si kryetar dhe një PDK të reformuar dhe të spastruar nga disa emra të komprometuar, kjo parti në këto zgjedhje të pritshme komunale, mund të jetë përsëri kandidate serioze për marrjen e pushtetit edhe për një mandat tjetër (të tretë)”.
Kështu mendon opozita dhe, në njëfarë forme, mund të thuhet se ka të drejtë. Por, kot! Nëse Hashim Thaçi veç e ka të fiksuar në kokë emrin e ndonjë kandidat të tij për ta bërë kryetar të degës së PDK-së në Prizren, asnjë paralajmërim sado qëllimmirë i kujtdo qoftë, nuk mund ta pengoj atë në këtë synim. Ajo do të ndodhi gjithsesi! Mu diçka sikur e “shkruar” më parë që të ndodh?! Fundja, ky është edhe ligj universal i natyrës i cili qartë konsiston me atë definicion metafizik: “Asgjë nuk mund ta ndal një proces, i cili veç ka nisur të ndodhi ”.
Ndryshe kësaj i thonë edhe fatthëne apo “kismet”.
Mos vallë, edhe ky rast i trajtuar më sipër, na qenka i “shkruar” më parë, diçka si fatthëne, “kismet” që na jep edhe një porosi për gjithë fatin e PDK-së në të ardhmen?!
Mbase, PO! Diçka si rotacion fati që funksionalisht e përmbush atë princip tjetër po ashtu të natyrshëm: “Aty ku diçka ka nis dikur, aty edhe do të bitiset së fundi”… Në Prizren. Në qytetin e shpallur nga vetë ata si: “Jerusalem i PDK-së”…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura