(Janar 2012) – Njeriu që pritej sa ora të shpallej hero në Kosovën Lindore, u kthye i turpëruar në Kosovën Perëndimore. Riza Halimi që para disa ditësh ia sigurojë hyrjen, sot sikur kukuvajkë vajton në kuvendin e Serbisë, duke e quajtur këtë rast si skandal politik, me këtë duke tentuar të fshihet pas premtimit të para disa ditëve. Madje përmes frymëmarrjes së tij që ishte shoqëruar me gulçe të herëpashershme, mësuam se Serbia akoma nuk ishte larguar prej botëkuptimit të vjetër. Për çudi këtë nuk e paskemi ditur, madje as atëherë kur u vra polici shqiptar në detyrë, as me rastin e vizitës së Tadiçit në tempullin ku planifikohej masakrimi i shqiptarëve në kohën e luftës, as me rastin e arrestimit të të ashtuquajturit “Grupi i Gjilanit”, as me rastin e kryeneçësisë së presidentit serb për kërkim falje për krimet e llahtarshme të popullit shqiptar dhe as për shumëçka tjetër nuk e paskemi ditur se Serbia qenka duke notuar qetas nëpër moçalishten e saj të preferuar. Faleminderit deputet i vetëm që edhe këtë na mësove! Çdo fjalë e tij do të ishte e kotë, përderisa nuk jep dorëheqje prej asaj nomenklature poshtëruese për shqiptarët, edhe pse kjo do të ishte shumë vështirë të ndodhte ndonjëherë, ngase brenda natës mund të bëhesh i pasur, por assesi të bëhesh edhe atdhedashës – patriot i vërtetë.
Një polic me rroba të pa hekurosura, duket se hekurosi së tepërmi krenarinë e Ibrahim Makollit, mbase duke i djegur edhe ata që piskatën hop akoma pa e kërcyer gardhin. Hashim Thaçi apo Albin Kurti nuk ndërmorën një rrugëtim të tillë, ngase fletarrestimi akoma mbetet mysafir besnik nëpër zyrat e organeve të sigurisë serbe si rrjedhojë e veprave të tyre “armiqësore” ndaj okupatorit serbë. Nëpër kushtet që kaloi Kosova, fletarrestimi prej shtetit të Serbisë, ishte nder dhe krenari për ata që ia donin të mirën popullit të vet, ngase praktikisht mund të dëshmohej përgatitja e tyre për flijim të çdo gjëje për hir të lirisë së kësaj toke. Kurse ministri i nderuar Ibrahim Makolli nuk kishte ndonjë fletarrestim prej këtij shteti armiqësor, ndaj përmes kësaj vizite të parë mëtohej t’i pllakosej një vepër e madhe kombëtare, një hap që do ta shporrte mallkimin tonë në ballë të krenarive të atyre që mendonin se edhe oksigjeni është vetëm i tyre, mallkim pra që na është bërë prej vitesh duke kufizuar lëvizjen tonë të lirë. Edhe më keq, kufizimi përkonte me rrugën që kishte për synim vizitën e vëllait në truallin e përbashkët. Paramendoni sikur të bëhej tentimi i autoriteteve më të larta kosovare për të udhëtuar në Beograd apo në Nish! Për fat të keq, ai nuk arriti të barazohet në kontribut me ata që kishin krijuar fletarrestime përmes veprimeve të gjalla, porosia e të cilave ishte: shporruni pushtues, përndryshe do t’ju shporrim me arkivol falas për në shtëpitë tuaja. Kjo qeveri përmes këtij vendimi të nxituar dhe të pamenduar sa duhet, turpërimin tonë që pritej ta shndërrojë sado pak në një lindje shprese, ajo edhe më tej përmes pamundësisë për të ndërmarrë diçka konkrete, gjuajti dhe e lëndojë rëndë dinjitetin tonë të përgjithshëm, edhe ashtu prej kohësh të shkërmoqur prej paqedashësve.
Përgjegjësia në këtë rast nuk është vetëm e njërit apo tjetrit, por e tërë garniturës politike shqiptare. Sot, Sali Berisha duhet të pushoj së përplasuri me Edi Ramën, Ali Ahmeti të pushoj së punuari për NATO-n dhe BE-në, Edita Tahiri në pauzë të pushojë së fotografuari me Stefanoviqin dhe të gjithë njëzëri ta dënojnë këtë poshtërsi serbe. Atifete Jahjaga le t’i telefonojë menjëherë homologut të saj serb dhe le t’i thotë hapur: si more s’të erdhi marre këtë të ma bësh, duke e ditur se unë as që tentova të të pengoja për në Kosovë, me përjashtim të popullit grindavecë dhe që të gjuajti me gurë, që përmes mekanizmave shtetërore përkraha arrestimin e atyre, kurse ministrin tonë, punonjësit tu shtetëror e kthyen mbrapa. Sigurisht se homologu i saj s’do të ketë kohë të merret me të dhe përmes heshtjes do t’i përgjigjet: vallë ju akoma neve nuk na njihni, që sa ora mburrjen ia trajtësojmë në turp, madje përmes këtyre veprimeve synojmë edhe mugullimin e pakënaqësisë së popullit tuaj kundër jush, edhe pse për neve kjo nuk do të ishte e mirëseardhur, ngase në varkën tuaj lehtas po lundrojmë dhe po ashtu mësymjet tona drejt brigjeve pa ndonjë vështirësi po ia arrijmë.
Kësisoj, mirë se erdhe i nderuar ministër në Kosovë, në fakt, mirë se erdhe në Kosovë edhe pse nuk ishe askund jashtë Kosovës, porse pate qëllim të shkosh në Kosovën Lindore, qëllim i cili u kthye në dëshpërim për ty dhe për gjithë ata që para se të dilnin në kapërcyell, kishin menduar për të bëmat e nesërme patriotike!
Postime të Lidhura
BEDRI TAHIRI: SY MË SY ME VDEKJEN
Galicë, 22. 09. 2016: 18 vjet më parë / Lufta! Ah, luftë, o luftë! Për ty, më mirë se…
EPIDAMN ZEQO*: ‘ABENOMICS’ NË SHQIPËRI – PËR TË RIKTHYER RRITJEN NË 6 %
Londër, 22. 01. 2014 – Shqipëria nuk është Japonia, por, po ashtu si në Japoni, zgjidhja për problemet…
PËRPARIM DEMI: NDARJA E KOSOVËS – PLAN I VJETËR NË ZBATIM!
Bukuresht, 22 Prill 2020: Ky plan nuk doli pa pritur nga sirtari. Trupat franceze nuk ndaluan pa dashur…
TRI DITË ME USHTARËT DHE OFICERËT E UÇK-së
TRI DITË ME USHTARËT DHE OFICERËT E UÇK-së (Reportazh) Nga Shefqet Jashari Strofci (Botuar: ’’Revistë ushtarake’’Nr.2, tetor 1998)…