ADNAN ABRASHI: SOT E HA PAZARI TË JESH BUDALLA! OH SA MIRË ME QENË BUDALLA…O HEJ!?

Prizren, 08. 07. 2013 – I. “Kush është budalla në Romë është budalla edhe në Budapest” – thotë një fjalë e urtë. Kjo nënkupton se budallai është budalla kudo që shkon, por, mbase, ky parim logjik sikur nuk vlen për tek ne në Kosovë. Këtu, pa marrë parasysh sa je i tillë, vetëm e vetëm pse vjen, ta zëmë, nga Uashingtoni, Roma, Londra, Parisi, Brukseli…e merr epitetin dhe vlerësohet si mik – “mik ndërkombëtar”. Kur ta kesh këtë status, atëherë je edhe absolut në këtë vend. Sovran i vërtetë. Mund të bësh çdo gjë. Ta zëmë, si diplomat, këtu je i lirë të shash dhe ofendosh vendorët me lloj – lloj epitetesh banale, dhe ky veprim, nga shumica nesh, e posaçërisht nga ata të politikës në pushtet, do të konsiderohen si vërejtje “dashamirëse”, “miqësore”, “vëllazërore”…. Bile-bile, në efektshmërinë e këtyre etiketimeve poshtëruese ndaj vetvetes tonë, atyre në këtë fushatë do t’iu ndihmojnë edhe disa pseudo intelektualë tanë (ba)analistë të përkrahur nga disa medie të shkruara dhe elektronike vendore.
Haj medet haj! Si ta kuptojmë këtë marrëzi? Të kënaqesh kur të huajt, kinse në emër të miqësisë, vijnë në shtëpinë tënde dhe paturpshëm t’i ofendojnë fëmijët e tu që janë nderi dhe e ardhmja e jote, ky amoralitet tejkalon çdo kufi të lejueshëm, çdo normalitet dhe tolerancë.
“O tempra, o meres”!
Deri kur ma kështu?!

II. Nga të gjitha vlerat e njeriut, thuhet se mendja është më së miri e shpërndarë në botë, sepse askush nuk ankohet se i mungon. Por, sado që të jemi të kënaqur me mendjen dhe inteligjencën tonë, realiteti i përditshëm na dëshmon të kundërtën: mbi pamundësitë, kufizimet intelektuale dhe marrëzinë tonë, e mos të flasim për urtësinë, e cila ndoshta edhe nuk ekziston fare.
Mendimtari i madh grek, Sokrati, para shumë shekujsh thoshte: “Unë di aq sa s’di asgjë”. Një “i mençur” yni sot, përkundrazi beson se di çdo gjë dhe për këtë është në gjendje që me orë të tëra t’ju bindi për njohurinë e vetë që ka nga të gjitha lëmenjtë e jetës: shkencë, politikë, sport, kulturë…Vaj halli, nëse rastësisht në këto tentime të këtij “të mençuri” provoni t’i kundërviheni.
Kohët e vështira janë këto, pa dyshim. Fundja, në këto rrethana nuk është edhe aq keq të jesh budalla. Ose, së paku të dukesh i tillë. Sepse, në krahasim me të mençurit e zakonshëm, ti ke një përparësi: gjithnjë je i kënaqur me vetveten. Dhe, jo vetëm kaq. Si i tillë, bëhesh edhe i suksesshëm në jetë. Mu për këtë shkak, shpesh më ndodh që vetes t’ia parashtroj atë dilemë dëshpëruese: a thua, pse sot budallenjtë po kanë suksese në të gjitha sferat të jetës, e unë jo?! Ndoshta pse ata në këtë rreth kanë prirje të gjejnë budallenj edhe më të mëdhenj se vetja e që mahniten me ta? Nuk e di, por ka mundësi të jetë edhe e kundërta: në realitet, janë të mençur, ndërsa qëllimshëm para tjerëve reflektojnë sa më shumë si budalla. Pse është kështu – dihet. Sot, e ha pazari të jesh i tillë.
Oh sa mirë me qenë budalla, o hej…a po?!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura