DR.NEXHAT ÇOÇAJ: TË VENDOSET SHTATORJA E SKËNDERBEUT NË SHADËRVAN TË PRIZRENIT

Prizren, 14 korrik 2018: (Propozim me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut) – Në vitin 2018, kur nga të dy qeveritë shqiptare është shpallur Vit mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut – 2018, do të doja që të gëzoja përkrahje në një ide timen nga intelektualët shqiptarë dhe nga bota akademike pa përjashtim.
Ideja, apo më mirë të them propozimi im në këtë përvjetor është që në qendër të Prizrenit, pra në Shadërvan të ngritet shtatorja e Skënderbeut, e pikërisht mbi bazamentin ku derdhet uji i Shadërvanit, duke mos e humbur të njëjtin funksion, meqë ujë është vazhdimësi e jetës.
Janë shumë arsye, që më shtyjnë ta jap këtë propozim, që në Prizren të ngritet shtatorja e heroit tonë kombëtar. Por mbi të gjitha është fakti i pakontestueshëm se Skënderbeu rrjedh prej një familje të nderuar të Hasit, që administrativisht i takon Prizrenit historik. Duke mos dashur të futem në polemikë rreth prejardhjes së Skënderbeut, këtë më së mirë do ta dëshmojnë faktet historike, të cilat tek sa kanë filluar të shpalosen e në veçanti, ato fakte që për qindra vite nuk u shfletuan, sepse historianët, që deri më tash shkruan për familjen e Skënderbeut, ishin historian që shkruan sipas bindjeve politike, apo anuan nga ato vise nga vinte bashkëshortja e presidentit të shtetit shqiptar gjatë kohës së diktaturës dhe nisur nga këto bindje e shtrembëruan edhe historinë. Për këto shtrembërime, shumë shpejt do të dalin në dritë faktet e reja, me të cilët janë duke u marrë historianë të njohur shqiptarë e të huaj, të cilët po gjurmojnë nëpër arkivat më të njohura të Evropës. Për të mos i dhënë ngjyra politike siç i dhanë historianët deri më tash figurës së Skënderbeut, dua të potencoj arsyet pse duhet të ngritet shtatorja e Skënderbeut në mes të Prizrenit, konkretisht në Sheshin e Shadërvanit.
***
Prizreni, që vazhdon të konsiderohet si qyteti muze i trojeve shqiptare, nuk do të ishte normale, që ta gëzonte këtë epitet e të mos e ketë në zemrën e vet figurën më meritore të popullit shqiptar, i cili për 25 vite mundi t’i mbajë të gjithë shqiptarët në një shtet, në një organizim aq mirë të organizuar dhe të mobilizuar, saqë të gjithë luftërat dhe ofensivat arriti t’i fitojë me sukses.
Prizreni do të ketë për nderë që shtatorja e Skënderbeut të vendoset në Shadërvan, sepse vendosja e shtatores së tij do ta shtojë edhe më shumë bindjen e gjithë botës se Prizreni është qytet me bukuri të rralla, që ka begati të vetën bashkëjetesën.
Prizreni, me prezencën e shtatores së Skënderbeut në këtë përvjetor do shndërrohet në idhull të shqiptarizmës, dhe do të jetë vendi ku edhe më shumë se deri më tash është vizituar nga të gjithë shqiptarët.
Me vendosjen e shtatores së Skënderbeut, Prizreni do të bëhet edhe më i dashur për të gjithë vizitorët, që deri më tash e kanë quajtur qytet muze, për shkak të monumenteve historike, duke filluar nga koha e Perandorisë Romake e deri te koha e Perandorisë Osmane, për të vazhduar me Lidhjen e Prizrenit e pse jo nga ky vit edhe me shtatoren e Skënderbeut.
Nëse qendrat më të mëdha shqiptare në Tiranë, në Prishtinë e në Shkup e kanë shtatoren e Skënderbeut, pse mos ta ketë edhe Prizreni, që nga të gjithë njihet si kryeqytet shpirtëror i shqiptarëve. E nëse është kështu atëherë çfarë të keqe ka nëse kryeqytetit shpirtëror të shqiptarëve i shtohet edhe një shtatore ajo e Skënderbeut.
***
Së fundi kjo shtatore e Skënderbeut do ta madhëronte edhe më shumë historinë e Prizrenit, ta bënte edhe më të madh Prizrenin në të gjitha trojet shqiptare. Prandaj, gjej shkas që të ftoj të gjithë qytetarët, intelektualët, shoqërinë civile, që të gjejnë mundësinë e të nisin një debat për këtë propozim – ide, që me rastin e këtij përvjetori edhe Prizreni të bëhet me shtatoren e Skënderbeut. Gjithashtu, kërkoj që debati të jetë i sinqertë dhe në frymë kombëtare, duke i lënë anash inatet individuale, politike, racore e fetare, sepse Skënderbeu ishte i të gjithëve dhe për të gjithë do jetë frymëzues edhe në të ardhmen.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura