AFËRDITA DERVISHI, PhD cand: NGJARJET E MËDHA TË PRILLIT 1981 JANË PJESË E HISTORISË KOMBËTARE

Prishtinë, 02. 04. 2016: Historinë e një populli e bëjnë ngjarje të vogla dhe të mëdha si zhvillime të hovshme ose normale përgjatë rrjedhës së jetës brënda periudhave kohore. Secili zhvillim në fakt është një hap në procesin historik e kombëtar. Zhvillimet e rëndësishme, hapin rrugët për zhvillimin e ngjarjeve të mëdha. Kështu mund të përkufizohen edhe ngjarjet e vitit 1981, që nga ato që filluan më 11 e 26 mars, e që vazhduan edhe më të fuqishme më 1, 2 e 3 prill 1981. Për karakteristikat, për vlerën, për rëndësinë, dhe për veçoritë e organizimit të këtyre ngjarjeve është shkruar nga pjesëmarrës të drejtpërdrejtë, por edhe nga ata që bënin sehir anash atë kohë dhe pastaj rrihnin gjoks se ishin jo vetëm pjesëmarrës, por edhe organizatorë të atyre ngjarjeve.
Pesha e dhembjes së jetës nën pushtim nuk ndjehet nga të gjithë njerëzit njësoj, siç nuk ndjehet njësoj dashuria për gjakun, gjuhën, kombin e flamurin. Këtë e ka përkufizuar mirë Noli ynë, kur ka thënë se bukë dhe punë gjen edhe nën pushtuesin, por është bukë dhe punë e turpit, siç ishte bukë dhe punë e turpit e klasës politike shqiptare, si dhe e disa intelektualëve shqiptarë, që ju bashkuan hakmarrjes sllave për kërkesat e shqiptarëve për liri dhe bashkim kombëtar.
Hyrje
Ngjarjet e prillit të vitit 1981 shënojnë një nivel të jashtëzakonshëm jo vetëm të organizimit të demonstratave, por edhe të shtrirjes dhe të kërkesave që dolën gjatë zhvillimit të tyre. Veçori e parë e demonstratave të prillit, të vitit 1981, është shndërrimi i tyre në kërkesa të mbarë popullit shqiptar që kishte mbetur jashtë gjeografisë kombëtare të shtetit amë, Shqipërisë. Historia më e re shqiptare nuk ka shënuar ndonjë ngjarje më popullore, më të përgjithshme, si dhe më këmbëngulëse për realizimin e të drejtave kulturore, politike, historike dhe kombëtare. Një popull i tërë, ishte pjesë e këtij demonstrimit të madh, që nxori në skenën e historisë kërkesat e drejta të pjesës së popullit shqiptar të robëruar, por krijoi edhe një shtresë të re shoqërore, e cila do të jetë bartëse e të gjitha ngjarjeve të mëdha, që u zhvilluan në Kosovë dhe në viset e tjera të pushtuara të tokave shqiptare, deri në përmbysjen e madhe historike, që bëri Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lufta e ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit dhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare e shqiptarëve në Maqedoni.

Demonstratat e prillit të vitit 1981, kanë edhe një të veçantë tjetër, ngase ato hoqën maskën e pushtuesit sllav, i cili para botës dhe para shqiptarëve sahanlëpirës, aq zëshëm trumbetonte ‘‘vëllazërim-bashkimin’’, kurse pas demonstratave në Kosovë sollën regjimin ushtarak, sollën orën policore, burgosjet dhe diktaturën.
Me prillin e vitit 1981 në jetën historike të shqiptarëve të robëruar, fillon rrënimi i “mitit të vëllazërim-bashkimit”, për një pjesë të shqiptarëve dhe nisi krijimi i vetëdijes kombëtare, prandaj edhe quhet me të drejtë si fillesë e Rilindjes së dytë shqiptare.
Kosova e pushtuar dhe prilli i vitit 1981
Shtrirja në të gjitha shtresat shoqërore e kryengritjes së 2 prillit të vitit 1981, merr karakter popullor e kjo shënon një epokë vendimtare në historinë më të re të popullit shqiptar.
Më 2 prill 1981 Beogradi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë dhe ndaloi qarkullimin e mbi dy vetave së bashku në vende publike. Ndërpreu mësimin në shkollat fillore, në ato të mesme dhe në universitet. Mbylli konviktet e studentëve dhe të nxënësve në Prishtinë. Masa të njëjta u ndërmorën edhe në komunat e tjera të Kosovës. Megjithëkëtë, më 2 prill 1981 në Prishtinë tërë ditën kishin vazhduar demonstratat masive të shqiptarëve. Demonstrata me 2 e 3 prill u organizuan edhe në Podujevë, në Gjilan, në Vushtrri, në Prizren, në Mitrovicë dhe në qytete të tjera në Kosovë dhe jashtë saj, ku kishte shqiptarë. Kështu i kanë vlerësuar ngjarjet e prillit të vitit 1981 shumë pjesëmarrës në demonstrata, por kështu i kanë cilësuar edhe armiqtë e shqiptarëve, kurse politika shqiptare që bëhej në Kosovën e kohës, ishte më shumë se e varme, ishte politikë nënshtruese. Andaj gjykimi i saj, nuk paraqet vlerën reale të atyre ngjarjeve.
Ngjarjet kryengritëse të prillit 1981, përveç shtrirjes në të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare të kohës, jo vetëm në Kosovë, por edhe të shqiptarët nën Maqedoninë, sidomos në Tetovë, në Gostivar, në Kërçovë, në Kumanovë e gjetiu, krijuan edhe një vlerë të re në jetën e shqiptarëve, krijuan elitën e re intelektuale dhe elitën e politikës së ardhshme, që do të formësohet me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila me çlirimin e kësaj pjese të tokave shqiptare, ka hapur proceset e mëdha historike për ardhmërinë e bashkimit kombëtar. Kjo veçori shpalohej rrugëve të Prishtinës dhe të të gjitha qyteteve të Kosovës, por edhe qyteteve të tjera shqiptare , jashtë kufijve të shtetit amë, Shqipërisë, duke futur në arenën e madhe të historisë sonë më të re, idealistë të mëdhenj, të cilët me vetëdijen e tyre, si dhe me sakrificën e tyre, bëhen pjesë e atyre ndryshimeve të mëdha në jetën shoqërore të shqiptarëve, pa u lodhur shumë se çka thoshte shkolla e ideologjisë socialiste për rrugën e historisë së popullit tonë, ngase këta idealistë lanë në kujtesën tonë historike emrat dhe veprat e tyre, si shenja të historisë sonë kombëtare.
Në mënyrën e shtruarjes së kërkesave, në veprimin për realizimin e tyre, kërkesat politike shqiptare, në pranverën e Kosovës të vitit 1981, ishin orteku më i fuqishëm, siç janë cilësuar, për korrigjimin e padrejtësive historike ndaj popullit shqiptar.
Demonstratat e pranverës së vitit 1981, nuk ishin as spontane e as të parakohshme. Ato ishin në rrjedhën e strategjisë së natyrshme të kërkesave politike shqiptare, ishin në kohën dhe nivelin e duhur, me qëllim të realizimit të të drejtave të synuara politike. Kërkesat politike kombëtare shqiptare në Kosovë i filluan studentët, të cilëve më 2 prill të vitit 1981, ju bashkuan të gjitha shtresat e shqiptarëve në Kosovë. Shqiptarët, po çonin më tutje kërkesat e demonstratave të vitit 1968, ku ishte derdhur lum gjaku i shqiptarëve por ishte fituar përdorimi i Flamuri Kombëtar, hapja e Universitetit të Kosovës, siç quhej me të drejtë atëherë, ishte lejuar Kushtetuta, por Kosova Republikë, nuk ishte lejuar.
Kosova-barrë e ndërgjegjes historike të shqiptarëve
Kjo kërkesë shteteve të botës, sidomos atyre te Europës do të ju trokasë në ndërgjegjen e tyre si një vonesë historike, për padrejtësitë që i ishin bërë popullit shqiptar, andaj edhe kombit shqiptar. Në prillin e vitit 1981, me kërkesat e rinisë shqiptare, ishte bashkuar i gjithë populli. Mehmet Hajrizi përshkruan masën e demonstruesve me këto fjalë: Prishtina, më 2 prill 1981 kishte pamje të luftës: qindra mijëra demonstrues, barrikada me objekte të ndryshme nëpër rrugë, qoshqe të rrokullisura, makina të djegura, furgonë, autobusë etj., sepse ishte luftë e vërtetë, ishte luftë e pabarabartë. (Mehmet Hajrizi, Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Tiranë, 2008). Përkufizimet që dalin shpesh në shkrimet dhe vlerësimet për këto ngjarje, si kryengritje e gjithë popullit shqiptar, janë të drejta.
Një karakteristikë themelore e Demonstratave të vitit 1981, është pjesëmarrja e të gjitha shtresave të shoqërisë së asaj kohe të Kosovës, por aty vërehej fuqishëm prania dhe udhëheqja e lëvizjes kombëtare. Kjo, pastaj krijoi vështirësi të caktuara në zbatimin e politikave sllave kudo, duke filluar nga niveli komunë e deri në strukturat e Krahinës së Kosovës. Në anën tjetër, gjë që pak është folur për këtë aspekt, niveli i vetëdijesimit të të rinjve shqiptarë ishte ngritur shumë dhe kishte përmbysur gjithë propagandën serbe e jugosllave për gjendjen e kënaqshme në krahinën e Kosovës.
Prilli i vitit 1981 shënon një epokë vendimtare në historinë më të re të popullit shqiptar, pavarësisht se kjo ngjarje nuk e ka gjetur vendin e merituar në tekstet ende gjysmake të historisë sonë, kishte shënuar kohën e fillimit të ndarjes së madhe dhe të diferencimit historik të dy klasave shoqërore, të cilat jo vetëm për ngarkesën ideologjike, por edhe për aspiratën historike ishin kundërshtare.
Kjo gjendje, kishte vështirësuar shumë veprimtarët idealistë të çështjes kombëtare, sepse propaganda sllavokomuniste i binte shumë telit për perspektivën afatgjate të kësaj pjese të popullit shqiptar, në emër të ruajtjes së ‘vëllazërim-bashkimit’. Kishte pushtetarë të atillë shqiptarë, që nuk u bënte aspak përshtypje tjetërsimi i identitetit kombëtar, duke e mallkuar më shumë Shqipërinë si shtetin amë, se sa pushtuesin sllav të tokave shqiptare.
Elita politike në Kosovën e përgjakur të asaj pranvere, ishte zënë në befasi, ishte zgjuar e trembur nga gjumi i rëndë që po bënte në shtratin e butë të ish pushtetit jugosllav. Ajo, nuk ishte e gatshme të rreshtohej drejt.
Nuk është e rastit, prandaj, se pak kohë pas demonstratave dhe orës policore, pas datës 2 e 3 prill të vitit 1981, shqiptarët e shkollave partiake dhe të OZNA-s e të UDB-së, të Kumrovcit e të Beogradit, siç njihej shkolla e partisë “Gjuro Gjakoviq” në Beograd, si dhe të shkollave të tjera në Sarajevë e gjetiu, ku përgatiteshin kuadro shqiptare për të zbatuar sigurinë kombëtare të një shteti artificial, siç ishte Jugosllavia e atëhershme, po edhe të tjerë besnikë ndaj Jugosllavisë së Titos, në mesin e të cilëve edhe intelektualë e profesorë universitarë, zunë pozicionet që kishin pasur. Të tillët si: Fadil Hoxha e Veli Deva, Xhavit Nimani e Ali Shukrija, Mahmut Bakalli e Azem Vllasi, Kolë Shiroka, Sinan Hasani, e plotë të tjerë, për fatkeqësinë tonë dhe turpin e tyre, u pozicionuan paturpësisht dhe në mënyrë fyese kundër demonstruesve. Ishte e ditur se kjo klasë politike nuk mund të rreshtohej drejt ndaj kërkesave historike të kryengritësve shqiptar.
Pushtuesi kishte përgatitur këtë shtresë me vite, e kishte avancuar e parfymosur me erën marramendëse të pushtetit dhe të fryteve të tij, që nga punësimi, makinat, banesat, shkollimi e deri te bërja e ligjit. Në atë kohë, një spiun për dy shkronjat ‘K. R’, që kishte kuptimin Kosova Republikë, të denonconte dhe fare lehtë mund të dënoheshe me 2 e 3 vjet burg. Madje, disa gjakprishur shqiptarë të asaj shtrese politike, shkuan aq larg sa që për të bindur pushtuesin për përkushtimin dhe besnikërinë e tyre ndaj tij, hoqën dorë nga përkatësia e tyre kombëtare, duke u deklaruar me përkatësi kombëtare jugosllave, siç ishin Sinan Hasani, Ali Shukriu, Kolë Shiroka, Azem Vllasi e shumë të tjerë. Ka edhe plotë të tjerë, që u veshën me turpin nëpër proceset gjyqësore kundër atdhetarëve tanë.
Në Kosovën e pas luftës, disa nga këta zyrtarë politikë e disa nga këta intelektualë, dalin e rrahin gjoks për atdhetarizmin e tyre, ngase paskëshin kontribuar për çështjen kombëtare! Kurse, ne të gjallët e sotëm, po edhe ata që ia kanë falur jetën Kosovës, Dëshmorët e kombit, mbajmë mend kur na kanë quajtur “plehu i Kosovës”, “irredentistë“, ‘terroristë”, “rrugaçë“ e plotë epitete tjera fyese udhëheqësit shqipfolës Azem Vllasët me të tjerët. Dëshmia më e mirë për këtë është citimi i fjalëve që ka thënë në atë kohë, prijësi kryesor i shqiptarëve të Kosovës, Fadil Hoxha, më 4 prill të vitit 1981, i cili do të thoshte tekstin më fyes dhe më çnjerëzor, sa duket një tekst që ia kishin shkruar pastaj ia kishin përkthyer, por ato fjalë i deklaronte goja e tij: “…demonstruesit janë një ‘grup hajnash’, ‘gangsterë‘, të cilët kanë dalë me vjedhë, thyer dhe ofenduar. Ky grup hajnash është i shtyrë nga Shqipëria socialiste dhe nga emigracioni fashist i jashtëm, por Jugosllavia është ai shtet që atyre do t’iu gjejë vendin, për ta bira e minit do të jetë 300 grosh…” (Muhamet Kelmendi, Kosova dhe viset tjera të banuara nga shqiptarët nën sundimin jugosllav dhe demonstratat e vitit 1981, Prishtinë, 2008).
Prilli i vitit 1981, pranvera shqiptare, siç është quajtur me të drejtë, ishte fillimi i rrokullisjes në humnerë i një shteti artificial, që ishte krijuar për interesa të blloqeve botërore kundërshtare, që nga Lufta e Dytë Botërore, ku më shumë se gjysma e popullit shqiptar dhe e tokave të tij, kishin mbetur nën pushtimin sllav. Pranvera shqiptare e vitit 1981, kishte përmbysur këtë gjendje, sidomos me punën dhe veprimtarinë e një gjenerate të tërë veprimtarësh, të kalitur mirë në frymën e idealeve kombëtare, duke punuar në vazhdimësi, në format nga më të ndryshmet, duke filluar nga ilegaliteti i thellë e deri të përballja e hapur me armë. Kjo gjeneratë e sprovoi veten në ditët më të rënda në ilegalitet, duke mos hequr dorë asnjëherë, për asnjë çmim nga rruga e vetëdijesimit të njeriut tonë, se vetëm arma e heq pushtuesin nga tokat e pushtuara. Prandaj, ardhja e pranverës së madhe të vitit 1981, siç edhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte vepër e tyre.
Përfundim
Çdo komb, çdo shoqëri njerëzore ka në themel të ndërtimit të shtetit dhe gjeografisë kombëtare sakrificën njerëzore. Kurse sakrifica shqiptare është shekullore, nëse u besohet burimeve historike. Ngjarjet e mëdha, si demonstratat e prillit të vitit 1981 janë pjesë e pavdekshme e kujtesës historike të njeriut shqiptar, sepse ato ishin një shteg i madh në rrugën për të realizuar synimet tona, për ta bërë të lirë këtë pjesë të gjeografisë kombëtare, prandaj me të drejtë quhen pranvera shqiptare, një pranverë krejt ndryshe nga të tjerat, e cila do të sjellë ndryshime në jetën historike të shqiptarëve të robëruar.
Përvjetorët e tillë na bëjnë më të përkushtuar dhe më të vetëdijshëm, jo vetëm për sakrificën e madhore të të rënëve në ato demonstrata, por edhe për organizimin në kushtet dhe rrethanat e rënda të asaj kohe. Në të njëjtën kohë, na shtyn të mendojmë se çka bën liria, sidomos me ata që robëria u ishte bërë pjesë e jetës, e pasjes dhe e përuljes, sepse të tillët sot, bëjnë aq shumë zhurmë, sa ndonjëherë vihen në dilemë edhe dëshmorët e kombit që sollën lirinë me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndonjëherë, prandaj, bashkë me dilemën, edhe pyesim: athua pse nuk erdhi liria, kur paskësh pasur gjithë këta burra atdhetarë, gjithë këto gra e vajza atdhetare, që paskan punuar aq shumë për lirinë e Kosovës, e ne nuk e paskemi ditur?! Ndoshta nuk kemi mundur ta dimë, se informatat në burg nuk vinin për atdhetarinë e tyre, por për turpin e tyre se ishin vënë në shërbim të pushtuesit. Ironia e kësaj shtohet, kur sot në institucionet që u ndërtuan mbi gjakun e derdhur të dëshmorëve e të viktimave, mbi gjëmtyrët e prera, mbi vaje nënash e vajzash shqiptare, mbi fëmijë të sakatosur, të udhëheqin një pjesë e këtyre “patriotëve” ose familjarët e tyre. Historia nuk i fal, as ata por as faktorizuesit e tyre, siç nuk i fal lëshimet dhe anashkalimet kombëtare, sepse në fund të fundit ne kemi luftuar për ditë më të mira dhe jo për t’u bërë qytetarë të rendit të dyte e të tretë në tokën tonë.

(Autorja është e burgosur politike dhe profesoreshë universiteti)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura