RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (39)

Nga Asllan Muharremi

Udhëtimi i parë në Shqipëri

     Pas një fluturimi të gjatë, nga Stokholmi në Zyrih,  dhe një pushimi të shkurtër në Zyrih, aeroplani ateroi në Aeroportin e Rinasit. Rreth të njëzet pasagjeret, sa ishim në aeroplan, zbritëm nëpër shkallët e aeroplanit dhe ecëm nëpër pistë deri në ndërtesën e aeroportit.  

     Doli ashtu si na paralajmëroi stjuardesa, në Rinas bënte shumë nxehtë. Shumë ngrohtë ishte sidomos për mua që e kisha lënë Stokholmin me vetëm plus 15-16 gradë celsius dhe unë isha i veshur si për pranverë. Trupi m’u bë qull nga djersët.

      Kalova nëpër kontrollin e pasaportave. Aty pranë u takova  më  Kristaqin e Shyqëriun, që  ishin duke më pritur.  Mora bagazhin dhe së bashku me nikoqirët e shoferin e tyre u nisëm në drejtim të Tiranës.

     Në fillim, pa zbritur nga makina, bëmë një shëtitje nëpër Tiranë.  Pastaj zumë vend në Hotel Tirana, ku pimë nga një gotë konjak Skënderbeg. Pak më vonë u bëmë një vizitë varrezave të dëshmorëve dhe monumentit “Nënë Shqipëri”. Për një çast u ndalëm edhe para varrit të Enver Hoxhës, ku bënin roje dy ushtarë.  Pa ra terri në tokë, u nisëm për Durrës dhe aty u bashkova me grupin e turistëve nga Skandinavia.

     Gjithçka më dukej si një ëndërr. Isha shumë i lumtur dhe krenar që kisha ardhur në Shqipërinë time të dashur, por në një farë mënyre ndjehesha si i “dehur” nga gëzimi për realizimin e vizitës së shumëpritur.  

      Ndonëse kisha kaluar vetëm nga Aeroporti i Rinasit deri në Tiranë dhe nga Tirana  deri në Durrës, si dhe isha shumë i lodhur nga udhëtimi i gjatë, isha përpjekur të shikoja gjithçka që ndodhej përreth: rrugët, shtëpitë, fushat dhe njerëzit.

     Mirëpo, për hir të së vërtetës duhet thënë se,  Shqipëria ime, po më dukej më ndryshe nga ajo që e kisha përfytyruar. Fasadat, rrugët, hotelet, ndërtesat dhe shtëpitë më  dukeshin të vjetra e të lëna pas dore. Njerëzit më dukeshin të veshur keq, të paushqyer mirë dhe kisha përshtypjen se ata nuk ishin as të lumtur!   

      Kristaqi dhe Shyqëriu më shoqëruan gjer te Hotel “Apollonia” në plazhin e Durrësit. Aty u bëra bashkë me Shukri Demirin dhe grupin e turistëve nga Skandinavia. U rehatuam nëpër dhoma dhe pas pak dolëm nga dhomat dhe zbritëm në restorant ku na priste darka. Pas darke, i gjithë grupi shkuam në Hotel “Adriatik” ku do të kishim rastin të njiheshim me njëri-tjetrin dhe të pinim ndonjë gotë raki e të dëgjonim muzikë shqiptare.

      Pas kthimit në dhomë, unë dhe Shukriu, nuk ndërruam ndonjë fjalë lidhur me përshtypjet tona të para. Një heshtje e pakuptueshme e pushtoi dhomën tonë. Kisha përshtypjen se as Shukriu nuk dëshironte të fliste për përshtypjet e tij dhe se edhe ai ndjente po atë dhembje që ndjeja unë. Ç’është e vërteta, për shumë gjëra edhe s’kishte nevojë të flisnim, sepse për shumë  çështje  fliste vet gjendja në Hotelin “Apollonia”. As Hoteli “Adriatik”, që konsiderohej i një klase më të lartë, nuk ishte kushedi më mirë se sa Hoteli “Apollonia”!   

      Mirëpo unë sapo kisha zbritur në Shqipërinë time të dashur dhe sapo kisha nisur ta prekja e njihja më për afër këtë pjesë të atdheut, që  e konsideroja si pjesën e atdheut, ku klasa punëtore,  fshatarësia dhe inteligjenca përparimtare  ishte në pushtet, prandaj, më duhej të mos nxitoja e të nxirrja përfundime të shpejta, ende pa njohur mirë gjendjen e vërtetë që mbretëronte në atdheun tim,-i thosha vetës sime.

  • Shqipëri, verën 1987: Asllan Muharremi së bashku me Shukri Demirin nga Karadaku i Gjilanit/Kumanovës

Kisha dëgjuar se Shqipëria që nga mbarimi i Luftës Nacionalçlirimtare e Antifashiste kishte bërë transformime të mëdha shoqërore dhe ekonomike, se Shqipëria e re nuk ishte si ajo e kohës së Ahmet Zogut: se  ishin hapur dyert e shkollave në qytet e fshat, se gruaja shqiptare ishte çliruar nga zakonet patriarkale e prapanike, se ajo, ashtu siç kishte marrë pjesë në luftë për çlirimin e vendit, po merrte pjesë edhe në ndërtimin e shoqërisë së re,  se vendi ishte elektrifikuar dhe se ishin bërë hapa të mëdhenj në industrializimin e vendit dhe zhvillimin e bujqësisë. Dhe nga sa kisha dëgjuar e lexuar kishte shumë të vërteta. Shqipëria dhe shqiptarët kishin bërë hapa të mëdhenj përpara. Kudo shiheshin ndryshime, përparime, transformime. Shqipëria nuk ishte si ajo e poezive të Migjenit, as e viteve të para të pas çlirimit nga hordhitë fashiste.  

    Megjithëkëtë, ndonëse ishin bërë ndryshime, përparime e transformime, kisha përshtypjen, sikur “gjithçka” ishte ndalur në vend dhe sikur vendi dhe shoqëria shqiptare ndodhej në një udhëkryq! Kjo gjendje më mbushte me plotë ankth.

      Se në atdheun tim mbretëronte një gjendje e vështirë ekonomike, deri diku, e kisha marrë me mend edhe më parë, e kisha kuptuar edhe nga ato pak kontakte që kisha pasur me njerëz  nga Shqipëria, por asnjëherë nuk kisha menduar se gjendja ishte kaq e rëndë. Kisha përshtypjen, madje, se gjendja ishte shumë më rëndë nga ajo që kisha dëgjuar nga njerëz të ndryshëm. Më vinte shumë inat, sepse shumë nga  ato që kisha dëgjuar e lexuar,  i kisha konsideruar si propagandë të armiqve të Shqipërisë socialiste, dhe nuk e kisha marrë me mend se shumë nga ato që kisha dëgjuar për gjendjen ekonomike, ishin të vërteta!

     Por, ç’është e vërteta, nuk e pritja  se gjithçka do ta gjeja të përsosur dhe ashtu siç e kisha lexuar nëpër libra, gazeta e revista dhe siç e kisha parë në televizor. Pushtimet e gjata dhe të ndryshme nëpër të cilat kishte kaluar Shqipëria, kishin lënë gjurmë e pasoja. Pastaj, e merrja me mend, se ndërtimi  i Shqipërisë së re, kërkonte edhe mund, përpjekje  dhe kohë.  

     Mirëpo, meqë sapo kisha ardhur në Shqipëri dhe ndonëse ato që kisha parë nuk premtonin shumë se pjesa tjetër e Shqipërisë, që do ta vizitoja ditët e ardhshme, do të ishte më ndryshe, më duhej të tregohesha i matur dhe të përpiqesha të kuptoja se përse është katandisur Shqipëria në këtë gjendje?

     Nga aq sa shihja dhe dëgjoja nga njerëzit që takoja, ma thoshte mendja se shumë gjëra kanë mundur të ishin bërë më ndryshe dhe më mirë, se kjo gjendje nuk mund të justifikohej me “arsyetimet” e  PPSh-së se gjendja ekonomike në Shqipëri “ishte rezultat i bllokadës imperialiste dhe revizioniste”, ashtu siç nuk  justifikohej as me sloganin demagogjik: “ se ne hamë barë,por parimet nuk i shkelim”!

      Unë nuk mund të gjeja fajtorë të tjerë,  për këtë gjendje, pos Partinë e Punës, e cila siç po më dukej, kishte kohë që e kishte ndarë shtetin nga populli; se Partia e Punës në vend që të ishte në shërbim të popullit, dalëngadalë, ju kishte varur në popullit në qafë!

      Ndonëse e kisha marrë me mend se në përpjekjet për ndërtimin e  shoqërisë socialiste, rruga nuk ishte e shtruar me lule dhe se vështirësitë në këtë rrugëtim ishin të panumërta, prapëseprapë,   unë mendoja se fajet për këtë gjendje binin mbi Partinë e Punës së Shqipërisë. Gjendja  ekonomike dhe politike në Shqipëri, fliste qartë se Partia e Punës së Shqipërisë, kishte bërë gabime të vazhdueshme. Sipas përshtypjeve të mia PPSh_ja asnjëherë nuk ishte përpjekur për të nxjerrë mësime prej gabimeve të saj! Ndoshta, këtu duhet kërkuar shkaqet e kësaj gjendje të krijuar?‒ i thosha vetës sime.

      Një nga gabimet më të mëdha që kishte bërë PPSh-ja, për mendimin tim, ishte shndërrimi i teorisë së materializmit dialektik nga një teori revolucionare në një teori dogmatike. Ky krim, i bërë mbi teorinë e materializmit dialektik, për mendimin tim, e ka sjell socializmin në Shqipëri në shtratin e vdekjes. Prandaj, nga ajo që po shihja me sy, unë isha skeptik në të ardhmen e Shqipërinë socialiste të udhëhequr nga PPSh-ja.  Ato ditë zemra m’u mbush me vrer dhe pikëllim. Unë, që vetëm disa ditë më parë shumë gjëra nuk i merrja me mend, tani po e kuptoja se pushtetarët në Shqipëri nuk kishin asgjë të përbashkët me heronjtë e Luftës Nacionalçlirimtare që derdhen gjakun për një botë të re, të lirë dhe pa shtypje e shfrytëzim.   

     Megjithëkëtë, unë jetoja në një vend të largët dhe isha i mendimit se ecja e Shqipërisë, në përpjekjet e saj për ndërtimin e një shoqërie socialiste dhe të bërat e të pabërat e saj, nuk ishin punë që unë mund t’i ndryshoja apo korrigjoja. Përkundrazi, unë mendoja, se ato ishin, në radhë të parë punë të popullit shqiptar, sepse vetëm populli shqiptar kishte të drejtë ta gjykojë udhëheqjen e tij për punët që ajo ka bërë, gjatë këtyre viteve të pas mbarimit të Luftës Nacionalçlirimtare. Unë nuk “guxoja” ta merrja rolin e mësuesit dhe t’ju tregoja vëllezërve të mi se nga do të duhej të ecnin?

     Ndonëse ndjehesha i turbulluar dhe ndjeja dhembje për gjendjen në të cilën e gjeta Shqipërinë, mendja më shkonte tek Kosova ime e dashur dhe populli im që e kisha lënë nën thundrën serbe. Po sikur ta dinin gjendjen e vërtetë në Shqipëri, populli dhe shokët e mi të luftës  në Kosovë, vallë ç’do të  bënin dhe si do të vepronin ?

     Unë po e shihja se Shqipëria jonë e shtrenjtë kishte hallet e saj dhe se ajo nuk ishte e zonja të merrej me vetën e saj, e le më, ta ndihmonte luftën tonë për liri.

     Duke u njohur me realitetin e hidhur në Shqipëri, ndonëse po tmerrohesha prej tij dhe isha i mbushur me ankth, në kokën time  gjeja një lloj “mirëkuptimi” për qëndrimin e shtetit shqiptar lidhur me luftën tonë! Udhëheqja shqiptare ia di hallin veti, prandaj nuk do që ne t’i nxjerrim telashe të tjera,‒ i thosha vetës sime.

     Nga ajo sa kisha lexuar e studiuar, materializmin dialektik dhe historik e kisha kuptuar si teori shkencore, të gjallë dhe që shënon zhvillim të përhershëm. Prandaj, gjithë thirrjet e Partisë së Punës së Shqipërisë, për luftë kundër revizionizmit jugosllav, rus,  kinez e të tjera, unë i kisha menduar se bëheshin për çështje parimore dhe për hir të interesave të popullit dhe të klasës punëtore. Me faktet që kisha gjetur në Shqipëri,  qëndrimet e PPSh-së edhe në këtë çështje po më dilnin qëndrime dogmatike dhe në kundërshtim me teorinë e materializmit dialektik dhe historik.

     Jugosllavia titiste ishte një diktaturë e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, e cila në gjirin e saj kishte futur shovinistë, nacionalistë e fashistë serbë! Titoja dhe Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë, qysh gjatë Luftës Nacionalçlirimtare e Antifashiste, kishte tradhtuar idealet e lëvizjes çlirimtare të popujve të Jugosllavisë.  Në emër të luftës kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, Jugosllavia e Titos, kishte ushtruar terror të egër kundër shqiptarëve, por edhe kundër të gjitha forcave përparimtare e revolucionare në Jugosllavi. Këto ishin arsyet e mia dhe të shokëve të mi që na kishin shtyrë t’i shpallnim luftë Jugosllavisë titiste dhe politikës së saj antishqiptare.

     Ditët e para në Durrës, unë dhe shumica e turistëve nga vendet Skandinave i kemi kaluar nga aroma dhe shija e konjakut të mrekullueshëm shqiptar “Gjergj Kastrioti- Skënderbeg”. Gjatë gjithë kohës, kemi qëndruar në Hotel Apollonia, ndonëse kohë pas kohe kemi bërë vizita nëpër qytete të tjera.

      Durrësi me plazhin e tij të pafund, me detin e kaltër dhe natyrën e mrekullueshme përreth, më pëlqeu shumë.

     Përshtypje më bëri edhe vlugu i madh i vizitorëve nga të katër anët e Shqipërisë, që kishin ardhur për t’i kaluar pushimet në Durrës. Më mbushej zemra mal kur shikoja gjithë ata njerëz që kishin ardhur për t’i kaluar pushimet  bregdet të mrekullueshëm shqiptar.

    Gjatë qëndrimit në plazh, bisedoja me vizitorët vendorë dhe ajo që më bënte përshtypje ishte se  sapo  u tregoja  bashkëkombësve të mi se isha nga Kosova dhe se jetoja në Suedi, ata tregoheshin shumë kureshtarë për të mësuar për Suedinë dhe Kosovën. Mirëpo,  kur e dëgjonin qëndrimin tim për Suedinë dhe botën kapitaliste (qëndrim ky që ndofta atyre  u dukej identik me qëndrimet e Partisë së Punës së Shqipërisë),  vëllezërit e mi heshtnin apo e shmangnin temën e bisedës e nuk e zgjatnin bisedën me mua! Më krijohej përshtypja se njerëzit druanin nga unë dhe ku ta dija se për çfarë më merrnin?

     Grupi i turistëve nga Suedia, Norvegjia dhe Danimarka përbëhej prej rreth pesëdhjetë vetash. Gjatë bisedave që bëja me turistët e vendeve Skandinave ata më pyetnin se a po më pëlqente Shqipëria dhe kur unë ua ktheja se po më pëlqente shumë ata më pyetnin se a isha i gatshëm të kthehesh dhe të jetoja përgjithmonë në Shqipëri?! Ndonëse turistët e vendeve Skandinave ishin anëtarë apo simpatizantë të shoqatave të miqësisë me Shqipërinë apo anëtarë e simpatizantë të organizatave e grupeve revolucionare marksiste-leniniste, përkrahëse të PPSh-së, asnjëri prej tyre nuk tregonte gatishmërinë time për t’u kthyer dhe jetuar në Shqipëri. Këtë ma thoshin pa hezitim. Në këtë pikë unë gjithashtu kisha mirëkuptim për qëndrimin e tyre. Shqipëria ime e dashur dhe vendet Skandinave ishin shumë larg njëra-tjetrës si në aspektin e zhvillimit kulturor, ashtu edhe atë ekonomik.

     Ne kishim katër ciceronë të cilët na shoqëronin dhe që flisnin shkëlqyeshëm gjuhën angleze, gjuhën gjermane dhe franceze. Mbrëmjeve unë  shoqërohesha me  cicëronët tanë dhe me ta bisedonim për shumë çështje. Djemtë dhe vajzat që na shoqëronin ishin shumë të zgjuar dhe me kulturë të gjerë, por veç kësaj unë vëreja se ata ishin edhe shumë të kujdesshëm në ato që thoshin! Ky kujdes i njerëzve të Shqipërisë sime të lirë më mbyste dhe ma zinte frymën! Unë nuk e kisha marrë me mend se njerëzit në Shqipëri duhej të mateshin shtatë herë, si thotë fjala e urtë popullore, para se të flisnin. Kështu e kishim edhe ne në Jugosllavi, ku ligjin bënte Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë!

  • Asllan Muharremi, Tiranë, verë 1987

   Njëri nga djemtë që na shoqëronte quhej Gëzim Gjata. Ai u prezantua se ishte inxhinier. Gëzimi ishte një burrë i zgjuar dhe që i kishte kaluar të tridhjetat.

     Një ditë, në bisedë e sipër, e pyeta Gëzim Gjatën se a kishte familje dhe se a ishte i fejuar apo i martuar? Gëzim Gjata më dha një përgjigje të shkurtër, por shumë interesante:

     ‒ Jo ‒ më tha Gëzimi ‒ nuk jam as i fejuar e as i martuar. Jeta jonë këtu ka  disa probleme të cilat, ti, Asllan, e ke të vështirtë t’i marrësh me mend!

      Nuk i thashë asnjë fjalë më shumë. E kuptoja se ta pyetja më tepër ishte e bezdisshme për te.

     Së bashku me turistët nga Skandinavia kemi vizituar Muzeun Historik në Tiranë, Muzeun Historik dhe Amfiteatrin Antik të Durrësit, Kështjellën e Gjergj Kastriotit në  Krujë, Vendvarrimin e Gjergj Kastriotit në Lezhë, Qytetin mijëravjeçar të Beratit pa harruar Onufrin e mrekullueshëm, Rozafatin në Shkodër  etj..

      Unë isha i entuziazmuar nga përshtypjet që më bëri vizita në Kështjellën e Krujës. Shteti shqiptar kishte ndërtuar një kështjellë muze që ishte një pune e shkëlqyeshme. Edhe vendvarrimi i Gjergj Kastriotit ishte ndërtuar bukur. Më impresionuan edhe vizita në Rozafat dhe Shkodër, si dhe vizita në Beratin e lashtë me shtëpitë e bukura dhe të kthyera kah dielli. Mbresa të veçanta më la aty vizita në Kishën Onufrit.

     Një pasdite, duke ecur pranë plazhit së bashku me Gëzim Gjatën,  e shoh shkrimtarin Ismail Kadare, i cili ishte i ulur, po pinte kafe dhe bisedonte me një mik të tij para Hotelit “Adriatik”.  E njoha menjëherë dhe i tregova shoqëruesit tim. Gëzimin e luta t’i afrohej dhe ta pyeste Imail Kadarenë se a mund të shkoja pranë tij dhe vetëm t’ia zgjatja dorën.

      Gëzim Gjata shkoi dhe ia shprehu Ismail Kadaresë dëshirën time dhe u kthye e më tha:

      ‒ Nuk ka problem mund të shkosh  e të përshëndetesh me Ismail Kadarenë.

       Shkova dhe ia zgjata dorën shkrimtarit tonë të madh, të cilit ia kisha lexuar shumicën e veprave, qysh kur isha në Kosovë.

      Ismail Kadare e prezantoi edhe mikun e tij, që rastisi të ishte ministër i Kulturës së Algjerisë! Gjithashtu Ismail Kadare i tha mikut të tij  se unë isha shqiptar nga Kosova. Për mua ishte e mjaftueshme që u zu në gojë emri i Kosovës!

       I kërkova falje që i ua ndërpreva bisedën dhe u përshëndeta me ta dhe u largova.

       Gjatë qëndrimit në Durrës, disa herë e kam takuar Zamir Matin, autorin e pikturës së vajzës së veshur me flamurin kuq e zi. Zamir Mati dukej një burrë i urtë dhe artistë  i shquar. Ai në takimin e fundit, në mes nesh, ma dhuroi një libër të Alfred Uçit “Labirintet e modernizmit” dhe brenda më bëri edhe dy skica të dy pikturave të tij.

      Gjatë vizitës në Shkodër së bashku me vizitorët nga Skandinavia, u futëm brenda në Hotel dhe së bashku me ciceronin u drejtuam tek recepcioni i hotelit. Meqë burri që na pranoi, siç dukej,  na kishte dëgjuar duke folur shqip mua dhe ciceronin tanë, ai  kishte menduar se ne të dy ishim shqiptarë, ashtu siç edhe ishim në të vërtetë, dhe duke mos i shkuar fare mendja se unë isha shqiptar që po vija së bashku me turistët  na drejtohet:

     ‒ Ç’janë gjithë këta njerëz? E dini se po më krijoni probleme me njerëzit këtu?!

      Ciceroni përpiqej ta sinjalizonte se unë nuk isha shqiptar si ai, por burri, që si  shkonte mendja se unë mund të isha një kosovar,  vazhdonte të na bërtiste dhe të na kërkonte llogari për telashet që i kishim nxjerrë! Unë u largova nga aty që t’ia lija mundësin ciceronit ta sqaronte se si ishte puna dhe se unë isha shqiptar turistë në Shqipërinë time!

      Gjatë javës së dytë së bashku me grupin e turistëve e kemi vizituar edhe Muzeun Historik në Tiranë.

     Pas çdo vizite, që bënim gjatë ditës, në mbrëmje ktheheshim në Hotel Apollonia, që ishte në afërsi të plazhit të Durrësit. Aty, ditët kur nuk vizitonim qytetet tjera, i hanim të tri racionet e ushqimit. Në mbrëmje, pas darke, shkonim edhe në Hotel Adriatik ku kishte edhe një orkestër muzikore e cila kur e merrte melodinë e këngës “Qengji i vogël” miqtë nga vendet Skandinave i nxirrte në valle dhe i bënte të duartrokasin…

Mysafir i Komitetit për Marrëdhënie me Botën e Jashtme

     Në fillim të javës së dytë të qëndrimit tim në Shqipëri, papritur, mora vesh se më kishte kërkuar Kristaq Parodini. Gjatë takimit Kristaqi më njoftoi se nëse isha dakord mund të më zgjatej edhe për dy javë vizita në Shqipëri. Natyrisht se e pranova me kënaqësi ofertën që më ishte bërë nga Komiteti për Marrëdhënie me Botën e Jashtme.

     Në fund të vizitës u përshëndeta me Shukri Demirin dhe miqt nga grupi i turistëve të vendeve Skandinave. Pas largimit të turistëve dhe së bashku me Kristaqin, Shyqëriun dhe shoferin e tyre u nisëm në drejtim të Tiranës.

     Ditët e para, si mysafir i Komitetit për  Marrëdhënie me Botën e Jashtme qëndrova në Hotel Tirana. Gjatë ditës isha në shoqëri me Kristaqin dhe Shyqëriun. Në mbrëmje ata iknin në shtëpitë e tyre ndërsa unë ngelesha i vetëm në dhomën time. Nga kati i gjashtë i Hotel Tiranës e shikoja qendrën e qytetit. Përballë më qëndronte busti i Gjergj Kastriotit, në të majtë Shtëpia e Operës dhe Baletit, në të djathtë Banka Shqiptare dhe Muzeu Historik Kombëtar.

    Natën bënte shumë vapë, prandaj i mbajta të hapura dritaren dhe derën e ballkonit. Pas orës dhjetë të natës mbretëronte një qetësi absolute. Sheshi i Tiranës ishte i zbraztë. Nganjëherë dëgjoja vetëm të lehura sporadike të qenve që vinin  nga diku larg.

     Në mëngjes herët, gjumin ma prishi gumëzhima e kamionëve, autobusëve dhe makinave që kalonin atypari. Pas pak njerëz në këmbë dhe biçikleta e kalonin qendrën e qytetit dhe iknin në drejtime të ndryshme.

     Zgjimi herët nga gjumi më ka pëlqyer gjithmonë. E pëlqeja ketë vrap të njerëzve drejtë vendeve të tyre të punës! Kështu kisha bërë  gjatë dy viteve të gjimnazit në Mitrovicë. Edhe mua më duhej të zgjohesha herët, qysh në ora katër e mëngjesit, për ta marrë trenin dhe për të arritur me kohë në mësim, që fillonte në ora shtatë e mëngjesit.

     Nga ora katër e mëngjesit e derisa vinte koha e ngrënies së mëngjesit, unë për më shumë se gjysmën e kohës qëndroja në dritare duke shikuar sheshin e Tiranës dhe lëvizjet e njerëzve.

      Kristaqi dhe Shyqëriu, gjatë qëndrimit me mua më pyetnin  për veprimtarinë time politike në Kosovë dhe në Evropën Perëndimore. Në njëfarë mënyre biseda me ta ma kujtonte kohën e arrestimit dhe izolimit në vitin 1979 e 1981, ndonëse unë isha i sistemuar mirë nëpër hotele dhe kudo ku gjendesha i kisha sofrat e shtruara me të gjitha të mirat.

    Si dukej, ata ishin të përgatitur për punën që bënin dhe bisedën me mua e merrnin shtruar dhe me ngadalë. Unë për vetën time nuk i kurseja me përgjigje dhe pas çdo pyetje përgjigjesha me sinqeritetin më të madh. Informimin e shtetit shqiptar me çdo të dhënë që mund të kishte rëndësi për sigurinë e Shqipërisë, unë dhe shokët e mi e  konsideronim si një detyrë me rëndësi dhe si një akt patriotik. Prandaj zemra ime ishte e hapur, më përjashtim të emrave të shokëve të mi në Kosovë të cilët nuk dëshiroja t’ia tregoj asnjërit, pra as këtyre dy nikoqirëve të mi!  

      Një ditë pasdite pas ndarjes nga Kristaqi dhe Shyqëriu, e lash Hotelin Tirana dhe dola në drejtim të Sheshit të Tiranës dhe u futa pak më në thellësi të qytetit.  Kisha dëshirë të shkoja tek ndonjë librari e afërt për të shikuar ndonjë libër që dëshiroja ta blija dhe merrja me vete. Nuk gjeta ndonjë librari dhe duke u kthyer u futa në një kafe të zakonshme. Këtë nuk e bëra për hir të etjes së madhe që kisha, por  për të parë se si dukej një kafe popullore, që tiranasitë e frekuentonin përditë. Pashë se kafeja popullore ishte shumë më ndryshe nga hotelet ku unë kisha kaluar dy javët e mia në Shqipëri! Kjo, tashmë edhe nuk po më befasonte. Edhe në Kosovë dallonin, kafet popullore prej atyre që ishin për turistë. Edhe në këtë pikë po më dilnin të ndryshëm populli dhe pushtetarët, ashtu siç po më dilnin të ngjashëm në trajtimin e popullit regjimet në Shqipëri dhe Jugosllavi! Vallë a kishin luftuar partizanët shqiptarë për një rend shoqëror që do të jetonte mbi kurrizin e popullit,-pyeta vetën? As ky dallim nuk më pëlqeu.

     Në njëfarë mënyre bisedat me Kristaq Parodinin dhe shokun e tij, pas disa ditësh, nisi të  më bëhej monotone. Ndonëse bisedat tona ishin të këndshme e vëllazërore dhe ne po hanim e pinim nëpër hotele të mira, unë nuk ndjehesha mirë. Përkundrazi më vinte të villja. Mendja më shkonte tek koha  kur vijoja gjimnazin dhe gjersa kthehesha nga shkolla nuk futja kafshatë buke në gojë, ashtu siç më kujtohej koha kur studioja dhe së bashku me Ferki Morinën e plaknim ditën me nga një byrekë me djathë!

       Gjatë kohës kur po drekonim në Parkun e Gjuetisë në Lezhë, në një tryez me gjitha të mirat- Kristaq Parodini më thotë:

      ‒ Në këtë park,  shoku Enver Hoxha i ka përgatitur punimet e Kongresit të Pestë të PPSh-së!

      E shikova dhe po e dëgjoja me vëmendje. Kuptohet se unë u isha mirënjohës për vazhdimin e vizitës sime dhe për nikoqirllëkun që po tregonin me mua, mirëpo nuk ndjehesha mirë  kur e shihja se ne na ishte mbushur tryeza plotë, e me të gjitha të mirat, ndërsa jashtë parkut unë e kisha parë se si ushqehej dhe jetonte populli. “Nëse është ushqyer kështu si ne shoku Enver Hoxha dhe shokët e Partisë, paçin faqen e zezë,-thashë vetë me vete!” Ndoshta, më shkonte mendja, se Kristaqi dhe Shyqëriu, ashtu si  edhe shokët e tyre kënaqen kur e vizitojnë këtë park dhe ulen në këtë tavolinë, ku shoku Enver Hoxha e ka përgatitur raportin e  Kongresit të Pestë të PPSh-së. Por për mua, që vija nga një fshat i Kosovës dhe që në Kosovën time kisha lënë popullin tim të robëruar dhe nën thundrën serbe, këto tavolina të shtruar me të gjitha të mirat, nuk më bënin përshtypje, përkundrazi më ngjallnin neveri. Parasysh më dilnin udhëheqësit shqiptarë të Kosovës që bënin jetë tjetër nga ajo e popullit. Unë që isha me prejardhje fshatare dhe  që e kisha ngritur zërin kundër pabarazisë nacionale dhe klasore në Jugosllavinë titiste, nuk mund të gëlltitja padrejtësitë që po i shihja në shtetin shqiptar. Unë e kisha paramenduar shtetin socialist shqiptar, si shtetin e së drejtës, ku mbretëronte liria dhe barazia në mes njerëzve, pra si një shtet në shërbim të popullit dhe jo si një shtet mbi popullin. Jo unë nuk kisha luftuar për diçka të tillë!

     E paharrueshme, në kujtesën time, ka ngelur edhe vizita në qytetin mijëravjeçar të Gjirokastrës. Qyteti i shtëpive të ndërtuara me gurë, me çati të mbuluara me rrasa gurësh dhe rrugë me kube gurësh, kishte një pamje përrallore dhe që nuk ngopesh asnjëherë duke e shikuar.

     U vendosa në një dhomë të Hotelit “Çerçiz Topulli”. Edhe kësaj radhe , pas darke, shoqëruesit e mi më sistemuan në hotel dhe vet nuk e di se nga ia mbajtën?! Dhoma ime kishte pamje nga rruga që të shpinte tek kalaja e Gjirokastrës, që pushteti popullor e kishte shndërruar në Muze të Armëve. Isha me fat sepse dy –tre breza shtëpish më poshtë kishte një dasmë. Unë u pozicionova në dritare të dhomës sime dhe po e vëzhgoja dasmën nga një lartësi rreth tridhjetë metra. Gjithë natën e kalova duke dëgjuar këngët e bukura gjirokastrite dhe vallet e mrekullueshme pogonishte të cilat  unë i kisha parë vetëm në RTSh.

     Të nesërmen  e vizituam qytetin dhe Kështjellën e Gjirokastrës, ku pos shumë armëve që nga Lufta Nacionalçlirimtare në Shqipëri, pashë edhe një aeroplan ushtarak amerikan, për të cilin më thanë se forcat ajrore shqiptare e kishin detyruar të ateronte meqë ai kishte cenuar hapësirën ajrore shqiptare. Gjithashtu Kështjella e Gjirokastrës, gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte përdorur si burg nga ushtritë pushtuese italiane e gjermane dhe se nëpër “labirintet” e saj ishin mbajtur e torturuar shumë luftëtarë të luftës nacionalçlirimtare. 

     Pasdite arritëm në Sarandë.

     Saranda ishte një perlë tjetër e bregdetit shqiptar  që shtrihej në brigjet e Detit Jon. Qyteti përballë ishullit të Korfuzit më pëlqeu shumë. Pjesa veriperëndimore e qytetit ishte shndërruar në një kantier ndërtimi. Ndërtoheshin shumë apartamente, fakt që gjithashtu më gëzoj shumë .

     Të nesërmen e vizituam Ksamilin që ishte jashtëzakonisht i bukur dhe që ishte përplot me ullinj, portokaj  dhe fruta të tjerë që rriteshin në tokën shqiptare.

     Nga Saranda e vizituam edhe Butrintin e lashtë, ku kisha lexuar se kishte lindur dhe ishte rritur e ëma e Aleksandrit të Madh, Olymbia.

      Pas dy ditësh jemi kthyer nëpër Llogora, Ujin e Ftohtë dhe Vlorë. Më bënë përshtypje të jashtëzakonshme plantacionet me ullinj, mandarina, portokaj, fiq, shegë e pemë të tjera që e hijeshonin aq shumë Shqipërinë time të dashur. “O  ç’natyrë e mrekullueshme!”

     Bisedat e gjata me Kristaqin dhe Shyqëriun  me kalimin e kohës filluan të bëhen të bezdisshme për mua, por atyre nuk ua shprehja këtë. Sidomos pyetjet për shokët në Kosovë, përpiqesha të mos përgjigjesha, duke u arsyetuar në harresë dhe duke u treguar paditur! Unë po hetoja se bashkëbiseduesit e mi, ishin të interesuar të përfitonin  gjithçka, gjë që deri diku unë nuk kisha asgjë kundër, por kur ishte në pyetje çështja jonë kombëtare, çështja e veprimtarisë sonë politike dhe sidomos çështjet e organizatave tona politike, ata tregoheshin indiferent dhe të pa interesuar! 

      Gjatë një bisede, Kristaq Parodini më pyeti se a e njihja Sami Dërmakun. Meqë Sami Dërmakun e njihja prej vitesh, i fola fjalët më të mira për te.

     ‒ Ne kemi informacion se Sami Dërmaku është bashkëpunëtor i UDB-ës,‒ u përgjigj Kristaqi!

     ‒ S’e besoj kurrë, ‒e kundërshtova.

      ‒Sami Dërmakun e kishim këtu dhe  ai vetë me gojën e tij e ka pranuar një gjë të tillë, ‒ u kundërpërgjigj Kristaqi.

       Kunja të tillë më lëshonin edhe për Sabri Novosellën. Edhe bacën Sabri përpiqeshin të ma hidhnin në koshin e spiunëve! Edhe për Sabriun unë u thashë se: “Pajtohem se Sabriu nuk beson në rendin socialist, por ai nuk është njeri  UDB-ës. Unë i vë të dyja duart në ujë të vluar për Sabriun dhe atij i besoj si vetës sime!”

     Ky qëndrim i mbjelljes së dyshimit për shokët po më tmerronte. Këtë unë nuk e konsideroja si këshillë apo ndihmë, por si përpjekje të mbjelljes së dyshimit dhe përçarjes në radhët tona!

      Qëndrime të tilla unë i kisha dëgjuar edhe më parë nga goja e Alçi K. dhe Zenel M. në Stokholm. Një vit më parë, pas vështirësive të mëdha dhe rrezikut permanent për t’u zbuluar nga UDB-ja jugosllave, nga Kosova më vijnë në Stokholm dy shokë: Rexhep Ahmeti dhe Shyqëri Imeri. Unë i takova shokët me Alçin dhe Zenelin me qëllim që shteti shqiptar të merrte informacion të dorës së parë për gjendjen në Kosovë. Pas kthimit të tyre në Kosovë, në një takim tjetër, Alçi më pat lëshuar një kunj dhe më patë thënë se njëri nga shokët e mi ishte njeri i dyshimtë! Në atë rast pata shpërthyer nga zemërimi, ndërsa Alçi më qëllim që të më qetësonte nisi të mi rrah krahët dhe ma pat lëshuar një kunj tjetër duke më thëne se “Partia ka informacion dhe nuk shpreh dyshime pa baza!”

      Fatkeqësisht edhe  vizita ime  në Shqipëri po përdorej, nga shteti shqiptar, jo për ta ndihmuar luftën tonë, ashtu siç e pritja unë, por për t’i përçarë radhët tona dhe për të na bërë pikë e pesë! 

     Ato që kisha dëgjuar nga Sabri Novosella në Adapazar për qëndrimin e shtetit shqiptar, si në çështjen e lidhjeve të Sabri Novosellës me Jusuf Gërvallën, pas largimit të tyre nga Kosova, ashtu edhe gjatë bisedimeve për bashkimin e organizatave politike shqiptare po më dilnin këmbëkryq e të vërteta.

     Gjithnjë e më shumë po krijoja përshtypjen se shteti shqiptar ishte më shumë i interesuar për informatorë nga Kosova sesa për veprimtarë besnik të çështjes shqiptare. Kisha përshtypjen se shteti shqiptar i donte këta veprimtarë si individë që informojnë, por në asnjë mënyrë nuk i donte si të organizuar në një organizatë politike!

      Pas një muaj qëndrimi në Shqipërinë time të dashur, i entuziazmuar nga bukuria e atdheut tim, i mbushur me mbresa nga ata që kisha parë e dëgjuar, por edhe i dëshpëruar për gjendjen ekonomike dhe shpirtërore të shqiptarëve si dhe i dëshpëruar për qëndrimin e shtetit shqiptar karshi veprimtarisë sonë politike po kthehesha përsëri në Suedi.

     Çka do t’u thosha shokëve kur të kthehesha? Nëse do t’ua them të vërtetën, si do të më kuptojnë ata? A do të më shpallin tradhtar?

     Unë vendosa të kthehesha tek shokët e mi, i veshur me ato rroba që kisha veshur kur kisha ikur në Shqipëri! Do të vazhdoja t’ju flisja mirë për Shqipërinë. Këtë nuk do ta bëja vetëm për shokët, duhet të jem i sinqertë, por  edhe për vetën time. Unë nuk mund të flisja keq për Shqipërinë dhe shtetin shqiptar! Të flisja keq për Shqipërinë dhe shtetin shqiptar më dukej sikur të pështyja lartë dhe të gjithë e dimë se ku përfundon pështyma që hidhet lartë!

     Nga vizita njëmujore në Shqipëri unë mësova shumë gjera që si kisha ditur deri atëherë dhe që i kisha menduar krejt më ndryshe.  Shqipëria ime kishte bërë ndryshime të mëdha që nga çlirimi. Ekonomia kishte marrë hovë të madh zhvillimi dhe kishte shënuar hapa të mëdhenj përpara, ashtu si edhe shoqëria shqiptare që ishte transformuar nga një shoqëri e prapambetur në një shoqëri relativisht të zhvilluar. Pastaj, familja shqiptare  kishte  braktisur familjen patriarkale dhe kishte filluar ndërtimin e një familje moderne; gruaja shqiptare ishte nxjerr nga muret e familjes patriarkale dhe kishte zënë vendet e saj të merituara në shkolla, fabrika dhe udhëheqje të vendit.

     Përkundër zhvillimit e përparimin të shënuar,  kisha përshtypjen se treni i ecjes përpara, kishte ngelur pa lokomotivë dhe sikur gjithçka ishte ndalur dhe ndodhej para një udhëkryqi të madh; se shteti i diktaturës së proletariatit, që kishte bërë revolucion në shoqërinë shqiptare, kishte nisur të vjetrohej dhe ndodhej në “shtratin e vdekjes”! Ndërsa shoqëria shqiptare që kishte nisur të mësohej me transformime të mëdha dhe të shpejta nuk mund të duronte para vete një udhëheqje që frenonte ecjen drejt së ardhmes. Unë kisha bindjen e plotë se një popull që është mësuar të ecën përpara nuk mund të ndalet në rrugën e tij drejtë zhvillimit të mëtejmë dhe se se ky proces shoqëror është i pandalshëm, se nga ky zhvillim i shoqërisë njerëzore nuk mund të përjashtohen as ne shqiptarët.

     Duke e ndier vetën si pjesë e atij populli dhe vendi unë nuk mund të mos i shihja me shqetësim zhvillimet  që kisha parë në Shqipëri. Gjatë një bisede me Kristaqin dhe Shyqëriun u pata thënë si me rrotull: “Pushteti që ka mbështetjen e popullit nuk ka forcë që e rrëzon…” dhe ata menjëherë m’u përgjigjen se “uniteti parti popull është i çelikosur”, që  më “gëzoi” edhe mua!

      Gjatë vizitës, kisha fituar bindjen se shteti i diktaturës së proletariatit ishte në prag të vdekjes, se Shqipëria dhe ekonomia e saj, nuk kishte as gjasa teorike për ta përballuar presionin e botës kapitaliste. Veç kësaj udhëheqja e vendit kishte bërë aq shumë gabime të cilat kishte kohë që popullin e kishin bërë simpatizant të botës kapitaliste. E kuptoja se shqiptarët e kishin kthyer shikimin përtej Adriatikut dhe kufijve të Shqipërisë.

      Unë që isha përpjekur për lirinë e popullit tim nuk kisha shumë mundësi për të zgjedhur, prandaj u hodha menjëherë në përkrahje të popullit shqiptar e aspiratave të tij dhe u distancova nga veprimet e udhëheqjes shqiptare. Vëllezërit e mi shqiptarë kishin derdhur gjakun për liri dhe ndërtimin e një shteti të së drejtës. Dështimi i përpjekjeve për ndërtimin e një shteti të së drejtës duhet të jetë një mësim për brezat e ardhshëm. Populli nuk mbahet gjallë me “parime”, por duke i krijuar të ardhme. Gabojnë ata udhëheqës që mendojnë se populli ha bar për hir të “parimeve” të udhëheqjes !

      Pas kthimit tim nga Shqipëria dhe përballjes sime me atdheun e ëndrrave dhe idealeve të mia në kujtesën time gjeta një mendim interesant të Engelsit që ka të bëjë me filozofinë materialiste : “…nuk ka asgjë një herë e përgjithmonë të vendosur absolute dhe të shenjtë.” Ky mendim filozofik i njërit nga mendimtarët më të mëdhenj të njerëzimit mund të krahasohet edhe me atë që ka thënë populli ynë se : ujë që nuk ecë, nuk pihet . Fatkeqësisht shteti shqiptar ishte bërë si ujë që nuk lëvizë dhe kishte kohë që i kishte shkëputur lidhjet me popullin dhe lëvizjen përpara.

(VIJON)

© Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura