AFRIM MORINA: HOMAZH PËR BACËN ADEM! STUHITË PAMBARIM, NUK ARRITËN T’IA MBYSIN SHPIRTIN LIRIDASHËS!

Prishtinë, 2 shtator 2018: Për Bacën Adem, është folur me zë të ulët, është pëshpëritur, është folur me zë kritik, është folur me zë kërcënues, është kënduar, është lavdëruar, është sharë, është…Baca Adem, e kishte ndarë mendjen për rrugëtimin e vet, dhe, për një rrugëtim që zgjati shkuar gjysmë shekulli, është e pamundur të mos ketë bërë gabime, ndodnjëherë. Për këto gabime, kam qenë edhe unë kritik, më shumë verbal, dhe vetëm një herë publikisht. Nuk më është hidhëruar, edhe pse shumë më i ri se Ai.
Për Te, kisha dëgjuar në bangat e shkollës së mesme, por, me veprën e tij “Gjarpijt e gjakut” u njoha në pjesën e dytë të vitit 1971. Që atëherë, fillova të jetoja në një epokë, të Enver Hoxhës, përmes librave, revistave, valëve të radios, e, pamjeve televizive, që ma plotësonin atë që desha ta dija për Bacën Adem. Më ndodhi, të burgosem e riburgosem, të hulumtoj shumë e më shumë, ta studioj fatin e popujve të robëruar, dhe, çlirimin e tyre nga robëria. Gjithnjë, më dilte fytyra, nga fotografia, e Bacës. Kështu e quanim të gjithë, e, kush ia kishte ngjitur këtë nofkë, as që e kërkonim. Ishin kohë të pakohë, por, nofka fliste më shumë se i gjithë shtypi kritik i titizmit, në “Rilindje” e gjetkë.

Për herë të parë, që mora mesazh prej Tij, ishte viti 1982, në Burgun e Lepogllavës, në Kroaci, ku, përmes një Gjenerali kroat, nga Lëvizja e MASPOK-ut, më dërgonte fjalë, se, i përshëndeste të gjithë të burgosurit politikë, përveç R. A. Kjo, më dha shumë, për të kuptuar, dhe, dyshimi i Tij, u vërtetua.
Kur morëm lajmin për daljen nga burgu, shqiptarët e viseve të robëruara, vërshuan në drejtim të Lupçit. Sikur aty të ishte epiqendra shqiptare.
Për daljen nga burgu, ishin bërë skenarë:
1. Të mos i takonte shqiptarët, në Lupç;
2. Të mos themelohej Shoqata e të burgosurve politikë;
3. Të mos pranohej në Shoqatën e Shkrimtarëve, ku e kishte vendin, por, të pranohej “Anëtar nderi.”
Nga kush ishin përgatitur të gjitha këto?
Shtypi i verdhë, filloi t’i anatemojë të gjithë të burgosurit politikë, si: Të kuq, Enverista, Marksistë-Leninista, prorus, e, çka jo tjetër?! Këto akuza i bëheshin edhe Bacës, e, në anën tjetër, e thërrisnin degët e LDK-së, përmes ish të burgosurve politikë, për ta “marrë mendimin e Tij”, që të mos ketë aktivitet tjetër. Kjo ndodhi edhe me Therandën (Suharekën). Me shokun tim, Beqir Elshanin, ishim duke ecur në qytet, kur përballë nesh vinte Baca, me dy të tjerë. U përshëndetëm, u ndal, që të hanim akullore dhe tregoi se ku ishte mysafir dhe kush e kishte ftuar. U befasua, se ne nuk ishim të informuar. I thirra shokët dhe shkuam në vendin e takimit. Ne, ish të burgosurit politikë, mezi zumë një qoshe.
Nikoqiri i takimit, e drejtoi gishtin nga unë dhe iu drejtua Bacës “E njeh atë?” “Po”. “Ai ka tradhëtuar çështjen kombëtare!” “Pse!?” “Nuk është në LDK!” “Edhe unë nuk jam…”. Filloi dabat i ashpër, Ai dëgjonte. Dikur, u ngrita, se më erdhi keq që ia prisha ndejën. U ngrit edhe Ai. U nisa për në shtëpi. Ai kishte këmbëngulur që të kthehesha, për ta vazhduar ndejën. Aty ku kishin shkuar, ishte edhe një oficer i KOS-sit. Ia thashë, menjëherë. Pas largimit të oficerit, kemi biseduar gjithë natën.
E mora këtë ilustrim, për të treguar se të rrallë ishin ata që nuk kishin pranuar të anëtarësohen në LDK. Këtë gjendje, e gjeti Baca, kur doli nga burgu. Ata, për të cilët kishte besim populli, e, që, duhej të rreshtoheshin pas Bacës, ishin pozicionuar në LDK dhe filluan ta shmangin Bacën nga proceset politike, se, po të angazhohej Ai, nuk do të ishin emra të respektuar politikë(!)… Frikësoheshin, mos po u shkonte mundi kot dhe më mirë me Rugovën, sesa me Ademin. Kjo u dëshmua me sulmin që i bënë Ukshin Hotit, si në kohën e Titizmit, ku, u angazhuan komitetet komunale për ta larguar nga LDK-ja, ndërsa, para kësaj, ia morën të drejtën për ta përfaqësuar Rahovecin, kryetarit të degës së kësaj Komune, në Kuvendin e parë zgjedhor. Në atë kohë, edhe LPRK-ja kishte një marrëveshje, për t’i ndihmuar Rugovës, ta shtrinte anëtarësinë në gjithë hapsirën e Kosovës, që binte ndesh me programin e vet dhe të pozicionoheshin me Bacën, humbisnin prioritetet e marrëveshjes me Rugovën. Mbështetja e anatemimit të Hotit, nënkuptonte edhe anatemimin e Bacës, sepse, politika e Beogradit dhe ajo Evropiane, nuk dëshironin që pjesë e bërjes së politikës kombëtare të jenë Baca dhe Ukshini.
E veçanta është, me lojën që i bënë Blerim Shala, Halil Matoshi e Bardh Hamza, me grevën e urisë, në “Zëri”, në vitin 1993. Askush, nga elita e të burgosurve politikë që ishin në strukturat e LDK-së, nuk e mbrojti,. Të “arriturat” e Bacës, mënjanimi politik dhe “numërues të plagëve”, që u bëheshin bashkëkombasve tanë (KMDLNJ), nga pushtuesit, të cilën gjë ia pata thënë, më 1996, për të kaluar në politikë, sepse, i mungonte skenës politike, aktivizimi i rezistncës, ndërsa, “Zëri” kaloi në pronësi të Blerim Shalës me kompani, pa asnjë lek, dhe, e veçanta e saj, se tash kishte marrë titullin e “Intelektualit të pavarur” dhe ishte përfshirë në grupe bashkëbisedimi me serbët, deri në Rambouillet. Më tepër mbështetej ai, se Baca!!!
UÇK-ja, nxori në shesh shumë gjëra: frikacakët, heshtakët, kolaboracionistët, bashkëpunëtorët, por, edhe trima e startegë. M’u në këtë kohë, u tentua të formohej një Front, dhe, dështoi, pikërisht, nga këta njerëz, se, kishte ardhur koha ta linin Rugovën dhe të rreshtoheshin pas Bacës. Edhe kur e mori mandatin nga UÇK-ja, për themelimin e pushtetit, më 1998, përsëri, u bojkotua, m’u nga kjo kategori, sepse, donin, që klani i tyre të pozicionahej sa më shumë e më mirë, në pushtetin e ardhshëm.
Pas lufte, njerëzit më të anatemuar ishin Baca dhe Ukshin Hoti, njërit, pothuaj ia mbyllen dyert intitucionale, ndërsa, për tjetrin, nuk e kishte marrë mundin askush, të bisedonte me ndërkombëtarët, për fatin e Tij, Këtu, edhe fillojnë ecejakët e Bacës, në Prizren, Sarandë, e gjetkë, dhe, filloi ta ndryshojë qasjen ndaj politikës, e, të bëhet shumë kritik, me tone të ashpra, me argumente të fuqishme, mirëpo, të gjitha këto iu kthyen si bumerang.
Për të gjitha këto që i theksova, nuk kanë të bëjnë me LDK-në dhe Rugovën, sepse, me ta filloi të kusuritet në vitin 1995, por, këto i ndodhën nga ata, prej të cilëve nuk e priste. Nga ata që dikur e quanin mësues shpirtëror, që e qunin mësues politik, që e quanin Bacë, përnjëmend, më herët, e, më vonë, sa për t’u dukur se e çmonin. Dëshira e tyre ishte, që kurrë të mos takoheshin në përvjetorë, apo kremte, se e dinin çfarë kritikash do të merrnin.
Një gjë e tillë ndodhi edhe në “Javën e Kolosëve”, siç e emërtuan zyrtarët përvjetorin e Aganit dhe të Hotit. Në një nga sallat e Kuvendit, para tri vitesh, u organizua edhe tryeza e rrumbullakët për Ukshin Hotin. Përveç njërit, që kishte qenë bashkëpunëtor disavjeçar i Ukshinit, të tjerët e njihnin, duke u shëtitur në trotuar, nga grilat e burgut, nga televizioni, nga vepra e tij, “Çështja e filozofisë politike shqiptare”, etj. Ndonëse, nuk deshën të ma jepnin fjalën, edhe pse isha i ftuar për “panel”, u detyrova t’a marrë fjalën pa vullnetin e tyre, në përjashtim të familjes dhe Bacës. E elaborova emancipimin politik, së cilit Ai i kishte kushtuar një kapitull, por, e ndërlidha me debatin. Situata u acarua edhe pasi mbaroi diskutimi. Siç ishim, në këmbë, Baca, m’u drejtua: “Ti, që kur ke ardhur në Prishtinë, ke ardhur me dajak në krah, mos e lësho! Unë, jam munduar të jem i butë, për ta kanalizuar politikën kombëtare, por, më keqkuptuan. Sot, kur po kritikoj, dikush ma merr se, gjoja, duhet të them ashtu, se, nuk e ka me ne, dikush, se nuk po më pëlen pavarësia, dikush, se vuaj, ngaqë, nuk janë pjesë e politikbërjes, dikush…, numëroi edhe disa gjëra tjera. Mos e lësho dajakun, ndryshe, nuk marrin vesh!”. Kjo, nuk u pëleqeu të pranishëmve.
Të gjitha këto që i thashë, se, sa kanë pasur sukses, rezultati u pa, ditën e varrimit të Bacës. Mospjesëmarrja në varrim, nga qytetarët, është politikë tridhjetëvjeçare e tehu, e atyre që kishte llogaritur mëse shumti Baca, për çlirim dha bashkim kombëtar, se, për ish garniturat e LKJ-së, LKK-së, LSPP, LSR dhe strukturave të tjera, që kishin veshur petkun e “komunistëve”, dje, dhe, sot, të “demokratëve”, kishin për qëllim për ta topitur tehun revolucionar të viteve të tetëdhjeta, gjatë luftës së UÇK-së dhe pas saj, nuk u zihet për të madhe, sepse, ata kanë pasur mision ta linçonin, ta izolonin, ta veçonin, ta kritikonin, për t’ia bërë jetën sa më të vështirë. Pse u ishin bashkangjitur në valle edhe pala tjetër, duhet trajtur nga këndi psikologjik. Çudia më e madhe, se ata ishin në “safin” e parë, në homazhe, e, në ngushëllim. Ata ishin oratorët e parë dhe të vetëm, në mbledhjen komemorative dhe te varri. Madje, këta shkuan aq larg, sa e ndryshuan vendin e homazheve, kohën e homazheve dhe kohën e varrimit, qëllimi, të mos ketë masë të madhe në varrim.
Edhe vendi i varrimit, e tregoi shumë bukur pse ishte i izoluar e anatemuar. Varrezat e dëshmorëve, ku është pritur të varroset, mbetën pa rezistuesin, pa simbolin e qendresës dhe bashkimit kombëtar, për të qenë pranë gjeneralëve Shaban Shala e të tjerëve, por, e varrosen (për ta përdhosur për së vdekuri) pranë Rugovës!???
Ke vulosur kohërat, Bacë, atë të Rankoviçit, Titos, Millosheviçit, Rugovës, të UÇK-së, dhe kohën e “lirisë’ dhe kjo vulë, do t’u sherbejë gjeneratave si një fanar, kërkuesve dhe vepruesve të lirisë dhe të bashkimit.
I lehtë të qoftë dheu i Atdheut!
Prishtinë, 31. 7. 2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura