EPIDAMN ZEQO*: SINDROMA E MASHTRUESIT DHE INTEGRIMI I SHQIPËRISË NË BE

Londër, 13. 01. 2014 – Kriteret e Kopenhagen’it…! Problemi nuk është tek kriteret ose kushtet, por tek fakti që Shqipëria nuk perceptohet si Europiane nga shumica e vëndeve të Europës, kontinentit tonë të përbashkët. Shkurtimisht, BE nuk është gati për t’u zgjeruar me Shqipërinë sepse e percepton si një vënd oriental, dhe popullin shqipëtar pa krye dhe pa histori Europiane!
Miti i Kritereve
Që të kuptojmë përse Shqipëria nuk e mori statusin e vëndit kandidat në Dhjetor 2013, duhet si fillim të kuptojmë arsyet pse u vendosën kriteret e pranimit për vëndet potenciale për në BE. Kriteret formale të Kopenhagen’it u vendosën në vitin 1993, për të siguruar që vëndet e ardhëshme anëtare të mos destabilizonin BE-në si dhe për të bindur shtetet anëtare, që kundërshtonin zgjerimin. Përtej kriterit politik, ekonomik dhe ligjor, u shtua dhe një kriter i katërt: aftësia thithëse e BE-së, për t’i siguruar shteteve-anëtare fuqi asimetrike me vëndet kandidate gjatë negociatave dhe për të garantuar rolin politik të tyre në proçesin e zgjerimit.
Tre kriteret e para janë supra-nacionale dhe teknike në natyrë dhe me to merren Komisioni dhe Parlamenti Europian.
Shqipëria i plotëson kushtet për marrjen e statusit kandidat prandaj i kanë thënë PO.
Ky është proçesi teknik!
Kriteri i fundit është inter-qeveritarë dhe politik në natyrë dhe me të merren Këshilli dhe Parlamententet e vëndeve anëtare.
Shqipëria nuk perceptohet si eurpiane, e rëndsishme dhe e aftë prandaj i thanë JO.
Ky është proçesi politik!

Ja si e percepton quasi’federata europiane, Shqipërinë dhe shqiptarët! (sh.b)

E vërteta është që Kriteret e Kopenhagen’it janë një mit në kuptimin që kërkesat janë të politizuara dhe të lëvizshme, dhe të kushtëzuara nga një nivel i lartë maturie midis bashkëveprimeve BE-shtet potencial dhe interesave gjeo-strategjike.
Problemi nuk është tek kriteret ose kushtet, por tek fakti që Shqipëria nuk perceptohet si Europiane nga shumica e vëndeve të Europës, kontinentit tonë të përbashkët. Shkurtimisht, BE nuk është gati për t’u zgjeruar me Shqipërinë sepse e percepton si një vënd oriental, dhe popullin shqipëtar pa krye dhe pa histori Europiane!
Kjo ende nuk do të thotë që dera e integrimit është e mbyllur, por që Shqipëria duhet të punoj dhjet-fishin e krahasuar me vëndet fqinje për t’u antarësuar në të njejtën kohë.
Sindroma e Mashtruesit
Sindroma e mashtruesit është një fenomen psikologjik në të cilën njerëzit nuk janë në gjendje për të përvetësuar arritjet e tyre. Përkundër dëshmive të jashtme të kompetencave të tyre, ata mbetetn të bindur se janë mashtrime dhe se nuk e meritojnë suksesin që kanë arritur. Prova e suksesit hidhet poshtë si fat ose si rezultat i krijuar nga të tjerët. Populli shqipëtar dhe elita vuajnë nga kjo sindromë. Kjo vjen për shkak të injorancës dhe mos-njohjes të historisë tonë shumë të pasur, që është në fakt europiane dhe pa-mangësi historike.
Si mund të presim të legjitimohemi si shtet europian kur ne vetë nuk e mendojmë diçka të tillë?!
Ky është problemi hamletian!
Deri tani integrimi Europian nuk është marrë seriozisht nga elita dhe populli shqipëtar pikërisht për shkak të këtij sindromi. Integrimi Europian është përdorur vetëm për retorikë pa krijuar një frymë optimiste dhe europiane, sepse ka vuajtur nga lojrat politike dhe interesat e ngushta. Elita politike në Shqipëri ka dështuar në krijimin e një momentumi në procesin e integrimit dhe marrdhënieve me shtetet-anëtare dhe fqinje. Gjithashtu, ajo ka dështuar për të informuar popullin mbi procesin e intregimit dhe për historinë tonë shumë të pasur europiane.
Kriteret teknike janë plotësuar, mund të plotësohen dhe do të plotësohen. Problemi është kriteri politik, pasiguaria jonë dhe komplekset e thekshme të inferioritetit.
Integrimi Kulturor
Problemi i integrimit është një problem i shumëfishtë, universal. Përveç dimensionit teknik dhe politik integrimi ka dimensionin e jashtëzakonshëm dhe përcaktues të integrimit kulturor: pra, të historisë shqipëtare të konceptualizuar si histori kulturore europiane. Këtu është difekti i madh, këtë duhet të kuptojë elita politike. Është e habitshme që elita politike e nënvleftëson dimensionin kulturor. Elita e kulturës nuk është e integruar në procesin politik apo edhe teknik të integrimit
Bota akademike shqiptare mund të integrohej në botëm akademike europiane shumë më përpara, po ja që nuk është integruar, sepse edhe pushteti politik ende nuk e stimulon këtë gjë.
Nënvleftësimi i kulturës është një vonesë e pajustifikuar, është thjesht një marrëzi e pajustifikuar.
Përfundim
Bashkimin Europian, që është një quasi-federatë ose Europa e Bashkuar në mënyrën e saj sui generis, do të fitonte nga pranimi i Shqipërisë. Roli ynë është që t’i mësojmë BE-së faktin që jemi popull krenar europian, i aftë dhe i ndërgjegjshëm.
Kjo nuk arrihet vetëm duke plotësuar kriteret teknike, që mund të plotësohen nga të gjitha vëndet e botës, por duke njohur historinë tonë dhe duke kërkuar të drejtat tona. Unë mendoj që është e drejta jonë të antarësohemi sa më parë. Ta kërkojmë me ngulm! Të fokusojmë energjitë dhe njohuritë tona për këtë synim që na është shitur si i pamundur dhe i panfundshëm. Elita politike duhet të mobilizojë dhe të fuksionalizojë elitën kulturore si një domosdoshmëri jetike. Vetëm kështu luftohet sindroma e mashtruesit.
Kjo është zgjidhja!
*) Autori ka një Master të Arteve nga Universiteti Saint Andrews në Skoci, dhe një Master Shkencor nga London School of Economics. Ai jeton dhe punon në Londër. Epidamni është i biri i Dr.Moikom Zeqos.
* * *
EPIDAMN ZEQO*): PAKETA FISKALE 2014 NË SHQIPËRI – QEVERIA KËRKON 400 MILION’$ NGA FMN’ja PËR TË SHPËTUAR FINANCAT E VENDIT
https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=2216

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura