A DO T’I MBIJETOJMË KËTO KOHËRA INTERESANTE?!

Nga Behxhet Sh. SHALA ´- BAJGORA, Prishtinë 10 tetor 2022   

As ekonomi, as politikë e as dinjitet përfaqësues

Jemi duke jetuar në kohë të krizës globale , lufta në Ukrainë e ka përkeqësuar këtë krizë edhe më shumë. Duket se nuk do të ndalet dhe se recesioni ekonomik do të zhvillohet me një metastazim shkatërrues. Në Kosovë , së paku deri me tani më lehtë po e përballojmë krizën për faktin se lindim në krizë , rritemi në krizë dhe vdesim në krizë. Edhe Buxheti i Kosovës është thuaja simbolikë krahasuar me vendet e zhvilluara , buxheti i Kosovës është i barasvlefshëm me klauzolen e lirimit të parakohshëm të Pedrit , lojtarit të Barcelonës ( 1 miliardë euro ) , të ardhurat vjetore të Mbapes , Mesit , Halandit dhe Ronaldos . Këtu përfundon tregimi sa i përket kapacitetit zhvillimor të Kosovës në kushte normale e lëre më në gjendje krize e që ka karakter të përgjithshëm botërorë . Qeveria Kurti 2 e ka marrë qeverisjen në kohën më të keqe të mundshme kur kriza kishte marrë theqafjen , pandemia kishte futur botën në arrest shtëpiak dhe destabilizimi , në këto rrethana ishte përcjellës i natyrshëm . Pastaj , kryeministri Kurti nuk arriti ta ketë një qeveri gjysmëfunksionale e lëre më të përgatitur të përballet me sfidat e rënda me të cilët po përballemi. Po flitet për një zhvillim të jashtëzakonshëm ekonomik prej thuaja 11 % e ky zhvillim ka ngjarë të ketë ndodhur pas hapjes nga pandemia kur zhvillimi ishte në vdekje klinike. Po flitet për punësim të thuaja 40,000 qytetarëve të Kosovës në kohën kur të dhënat e Bankës Botërore flasin për një stagnim të madh të zhvillimit ekonomik në Kosovë kurse , njëra prej shkaqeve kryesore konsiderohet papunësia e madhe dhe mungesa e investimeve. Kryeministri me këmbëngulje po vazhdon të fletë për këtë zhvillim të paparë , për një demokraci në Kosovë që nuk e ka shoqen në Ballkan , për hapje të vendeve të punës në kohën kur radhët për të caktuar një termin për viza në ambasadat e huaja është qindra metra e gjatë , pritet me muaj të tërë për një termin , pëprshpejtimi i caktimit të terminit paguhet me qindramijëra euro , individët dhe agjencionet për punësim jashtë vendit kanë punë më shumë se Enti për Punësim i Kosovës dhe kur të rinjtë gjejnë rrugë e rrugë për t’u larguar nga Kosova , madje edhe përmes lumit Rio Grande që është kufiri midis Meksikos dhe SHBa –ve , për të siguruar një vend pune apo një perspektivë tjetër , më të mirë se që e kanë në Kosovë. Me padurim po presin liberalizimin e vizave pas së cilës në Kosovë do të përsëritet dukuria që ndodhi në Japoni dhe Kinë ; në mungesë të fuqisë punëtore është shtyrë koha e pensionimit sikur që të pensionuarit po kërkohen të kthehen në vendet e tyre të punës.  Kosova po rrezikon të mbetet pa pjesën më vitale të saj , pa të rinjtë që me të madhe , ose janë larguar nga Kosova , ose nuk zgjedhin mjete dhe rrugë për t’u larguar . Si shpëtim për ta dhe për familjet e tyre.  Për më keq , Kosovën nuk po e braktisin vetëm ata që nuk qëndrojnë mirë ekonomikisht por edhe ata që e kanë një mirëqenie të qëndrueshme.  Është krijuar një pasiguri dhe mungesë e besimit , në të gjitha nivelet . Tash , pasi e provuan edhe demokracinë e Vetëvendosjes që ka filluar të shndërrohet në një keq – qeverisje , votuesit janë në hall të madh për kend të votojnë sepse alternativat e reja janë mundësi të provuara më parë kurse , në skenën politike nuk është ndonjë forcë politike që dallon nga e kaluara dhe nga këta të sotit e që do të garantonte ndryshim të pamanipuluar nga interesat e grupeve të interesit , politike dhe të tjera.

Në rrafshin politik jemi edhe më keq se në ekonomi , zilama të skajshëm. E kemi një qendër të absolutes me tendencë të shndërrimit në qendër të absolutuzmit rreth të cilës sillen ,  si satelitë të kurdisur ministra dhe deputetë , injorantë e shkuar injorantëve , të paaftë për të drejtuar procesin e tredhjes së qenve e lëre më punë të shtetit. Për çudi , nuk ka asnjë shkarkim përveç ndërrimit të vendeve. Kurrë nuk ka pasur raport më të fortë klientelistë , nepotizëm në punësim dhe shfrytëzim të mirave materiale se që ka tani. Kurrë nuk ka pasur rehabilitim më të madh të pasardhësve të atyre që kanë punuar kundër shqiptarëve se që ka tani ; fëmijë të ish – funksionarëve komunistë në shërbim të Jugosllavisë dhe Serbisë janë ambasadorë , fëmijë të ushtarakëve të ish – Jugosllavisë dhe të Serbisë , anëtarë të KOS –it ( Shërbimi Kundërinformativ Ushtarak ) janë në përfaqësi diplomatike , këshilltarë politikë dhe udhëheqin OJQ –ë. Fëmijë të ish – udbashëve të Jugosllavisë dhe Serbisë janë analistë të shquar , pronarë të mediave , auditorë në disa ministri  dhe kryetarë të Bordeve . Fëmijë të ish hetuesve policorë ( kriminelëve ) , prokurorëve dhe gjykatësve të ish – regjimit , zgjedhin me kokallë vendet e tyre të punës ! Vrasës të ushtarëve shqiptarë dhe ata që dënuan me shekuj ushtarë shqiptarë në ish – Jugosllavi , zënë vend të merituar dhe fëmijët tanë duhet të ulin kokën para tyre ndërsa , ne që iu jemi keqtrajtuar mizorisht nga ta mendojmë se po jetojmë në ëndrra . Kemi një Grup Teknik për Bisedime si mercenarë të Legjionit të Nderit e që dallojnë nga ta se janë frikacakë dhe të pandershëm ! Ata që e bënë luftën dhe që e sollën këtë situatë sot po mbahen peng në Llogorin e Gjykatës së Hagës kurse këta që dikur ishin kundër tyre po bëjnë spote idioteske për të përforcuar kauzën e Dik Martit . Kjo është vija politike  e brendshme që po zbatohet në Kosovë kurse ajo e jashtmja është përpjekje për servilizëm të padinjitetshëm . Do të pyesni nëse ka servilizëm të dinjitetshëm ?! Nuk ka , por , nëse disa veprime i ndërmerrni shkaku i rrethanave që nuk mund të shmangen atëherë konsiderohet si servilizëm i dinjitetshëm . Kurse , nëse serviloseni për të ruajtur pushtetin me çdo kusht , të cilin edhe ashtu nuk e keni sepse servili ia delegon pushtetin atij që i servilohet , atëherë është servilizëm i padinjitetshëm. Më tregoni se kush e përmend sot Komandantin Legjendar Adem Jasharin përveç ditës së përkujtimit e që bëhet për shkaqe të përfitimit politik . Edhe Ibrahim Rugovën më shumë po e nderon kryeministri Kurti se Baballarët Themelues të LDK-së . Në këtë kontekst Baca Adem Demaçi qëndron më së miri ; nuk po e përmendin as këta të LDK –së , e as partia shtet e LV –së. Prandaj , e them se Albin Kurtit , herët  a vonë do t’i vijnë faturat e Bacës Adem Demaçi .  Politika e Jashtme e Kosovës nuk është asgjë tjetër veç servilosje dhe kërkesë mëshire , duke i denoncuar këta që e sollën lirinë po pëprpiqen të fitojnë respekt të atyre që vrajnë dhe kthjellin ! Nuk janë të zotët të bëjnë asgjë prandaj kërkojnë mëshirë , kërkojnë njohje , kërkojnë që Serbia të ndalë çnjohjet , kërkojnë investime të pamerituara , kërkojnë anëtarësim në NATO – , BE , Këshill të Evropës , Interpol dhe institucione tjera duke bërë përpjekje që të hyhet dhëndër me rekuizite të të tjerëve . Kërkojnë liberalizim të vizave dhe ende pa u marrë ndonjë vendim i marrin meritat për vete duke sulmuar të tjerët për mosliberalizim .  Kërkojnë të bombardohet Rusia , Serbia , Kina , Irani , Taxhikistani dhe Leshistani , ndonëse nuk i pyet askush dhe për asgjë !  Madje , presidentja e kryeministrit Kurti kërkon që të bëhet presion ndaj Erdoganit sepse vetëm ai , po të dojë , do ta bindë Vuçiqin ta njohë pavarësinë e Kosovës. Dhe pas kësaj , me kompetencë vazhdon ta quaj veten presidente ! Jo vetëm kryeministri por edhe vartësitë e tij ( të gjithë  janë thuaja të tillë ) po vuajnë nga ndjenja e madhështisë së të qenit faktorë në kohën kur , jo që nuk janë të tillë por shërbejnë si objekt talljeje edhe nga një apartaçik minor si puna e proserbit ; Mirosllav Lajçak , në mes të tjerëve ! Po thirren në partneritet të përjetshëm dhe po kërkojnë përkrahje edhe kur iu thuhet se duhet të marrin vendime të dhimbshme dhe të vështira , si Serbia ashtu edhe Kosova. Luftën nuk po e bëjnë me Serbinë por me kundërshtarët politikë brenda në Kosovës dhe me pengjet e Gjykatës Raciste Speciale në Hagë ndonëse nuk kanë asnjë rrezik nga opozita kosovare kurse , nga pengjet e Hagës kanë frikë se po ua sfidojnë autoritetin por jo edhe pushtetin. Uroj të gaboj mirëpo , mendja ma thotë se të tashmit do të pranojnë çdo gjë për të mbetur në pushtet duke pranuar çdo përmbajtje , me ambalazhim tjetër . Sikur që i pranuan marrëveshjet deri më tani. Do ta bëjnë Manastirin e Deçanit pronarë të 24 hektarëve të pronës me ligjet pirate të Sllobodan Millosheviqit . Arysetimin e kanë te vendimi i Gjykatës Kushtetuese . Do ta pranojnë Zajebnicën duke ia ruajtur përmbajtjen , me një veshje tjetër . Arsyetimi do të jetë se është Marrëveshje ndërkombëtare kurse këto marrëveshje janë mbi Kushtetuten e Kosovës. Dhe , arsyetimi kryesor do të jetë se do të liberalizohen vizat për Kosovën . Qartazi po shihet se Zajebnicen , Serbia dhe ndërkombëtarët , bashkë me babanë e autonomisë së Kosovës , ambasadorin Hill e kanë shndërruar në kërthizë pa të cilën nuk zgjidhet asgjë midis Kosovës dhe Serbisë duke e shndërruar në Nyje të Gordit . Albin Kurti e ka shpatën që do ta prejë Nyjen e Gordit ( Zajebnicen ) ose , në të kundërtën do ta prejë kokën e tij politike ! Nuk jemi mirë por kemi kaluar kohë edhe më të vështira !

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura