AGIM HAMITI: KOSOVA DHE GJYKATA E POSAÇME PËR KRIMET E LUFTËS!

Bruksel, 02. 05. 2014 – Lufta jo parimore për pushtet, e shoqëruar me korrupsionin ekonomik, i zbehu idealet e larta të UÇK’së. Pa përfunduar hala inventari i plotë i viktimave të luftës, politikanët e pandërgjegjshëm i përveshën mëngët për manipulim votash e privatizim abuziv të pasurive publike të Kosovës.(…) Në realitet fyerja më e madhe për shtetin dhe për shoqërinë e Kosovës, që duhet të rëndojë në ndërgjegjen e klasës politike të Prishtinës, është pa dyshim gjendja e dëshpëruar në të cilën janë katandisur pjesa më e madhe e (ish)luftëtarëve të UÇK’s (të gjymtuar nga lufta apo të shëndetshëm), të braktisur prej (ish)bashkëluftëtarëve të tyre të PDK’s, që tashmë janë pasuruar dhe krijojnë një shtresë tjetër shoqërore, aristokracinë kosovare. (…) Për qetësinë e tij shpirtërore, në këtë periudhë të stresuar pune në qeverisje, kryeministri Thaçi do të bënte mirë të shkonte një natë i vetëm, pa shoqërues e kamera, tek varri i legjendarit Adem Jashari dhe t’i rrëfehej me zemër në dorë: «Bacë, nuk u kry mirë. Ne nuk e morëm parasysh si duhej mesazhin politik të Presidentit Clinton, kur na tha: «Ne fituam luftën, ju duhet të fitoni paqen». Duke përvetësuar meritat e luftës, ne abuzuam me paqen. Na fal, Bacë!» «Shpirti i madh i Martirit di të falë», thoshin Romakët.
***
Vitin e fundit të shekullit XX (1999), ndodhi ngjarja më e rëndësishme (pas shpalljes së pavarësisë kombëtare) në historinë shqiptare: çlirimi i Kosovës nga çizmja e pamëshirshme serbe. Kjo nuk qe thjeshtë një dhuratë e Ndërkombëtarëve, por kryesisht frut i sakrificave të popullit shqiptar të Kosovës. Djemtë e vajzat e Kosovës së përgjakur e të nëpërkëmbur nga shkjahu krijuan UÇK’në, radhët e së cilës u shtuan me shpejtësi.
«Nuk e privon dot nga liria një popull që ka vendosur të flijohet për të», shprehej njëri prej frymëzuesve të revolucionit francez më 1789. Kur bashkësia ndërkombëtare u bind se populli shqiptar i Kosovës kishte vendosur të flijohej për lirinë, dhe flakët e luftës së UÇK’së mund të shpërndaheshin në gjithë Ballkanin, bëri ndërhyrjen vendimtare me bombardimet e NATO’s. Kosova fitoi lirinë aq shumë të ëndërruar dhe, disa vite më vonë, krijoi shtetin e saj të pavarur, të njohur prej shteteve më kryesorë të botës. Ëndrra shekullore u bë realitet. Atë e ndien edhe 53 anëtarët e fisit martir të Jasharëve të Prekazit, kur Hashim Thaçi, si bir i Drenicës, shkoi pranë varreve të tyre me cilësinë e kryeministrit të parë të shtetit të pavarur të Kosovës dhe iu drejtua shpirtit të të Pavdekshmit Adem me një nga ato shprehje që zënë vend në histori: «Bacë, u kry!». Po, ishte e vërtetë: hartës politike të Evropës i ishte shtuar Republika e Kosovës.

Dick Mart’y dhe Gjykata Speciale…

Mirëpo pikërisht atëherë fillonte misioni më delikat e më i vështirë i një shteti të vogël e të ri, të sapodalë nga lufta: administrimi i përgjegjshëm i lirisë së fituar, me hedhjen e themeleve të shtetit juridik. Historia ka vërtetuar se ta fitosh lirinë është më e lehtë sesa të dish ta administrosh atë në dobi të zhvillimit të përgjithshëm të popullit e të atdheut.
Diktaturat e kamufluara, që sundojnë sot në shumë vende pseudodemokratikë të botës (si Shqipëria), nuk janë pasojë e asnjë pushtimi, por fajësi e ndërgjegjshme e forcave të brendshme politiko-intelektuale në administrimin e lirisë së përbashkët.
Për fat të keq, klima politike e Republikës së Kosovës nuk i shpëtoi dot infeksionit prej virusit enverist të Tiranës. Interesi partiak e eklipsoi shpejt interesin shtetëror. Lufta jo parimore për pushtet, e shoqëruar me korrupsionin ekonomik, i zbehu idealet e larta të UÇK’së. Pa përfunduar hala inventari i plotë i viktimave të luftës, politikanët e pandërgjegjshëm i përveshën mëngët për manipulim votash e privatizim abuziv të pasurive publike të Kosovës. Ata e harruan në një masë të madhe armikun e përbashkët shekullor, Serbinë, me të cilën do të kishin shumë llogari për të bërë me ndërmjetësinë e bashkësisë ndërkombëtare, dhe filluan të armiqësoheshin me pjesën tjetër të spektrit politik kosovar.
Natyrisht, ata që e mbanin veten si «pronarë të luftës» do ta kishin të lehtë të ndiheshin edhe si pronarë të Kosovës, pas marrjes së pushtetit.
Gabime po aq të rëndë u bënë edhe në drejtim të dënimit të krimeve të luftës, një çështje ndaj së cilës ishin shumë të ndjeshëm Ndërkombëtarët çlirimtarë të Kosovës, me në krye Amerikanët.
Në një kohë që Gjykata serbe për krimet e luftës në Beograd filloi t’i dënonte disa kriminelë të tyre (sigurisht, kjo ishte shumë herë më pak nga sa duhej të bënte ajo), Prishtina zyrtare nuk dëgjonte fare nga ai vesh. Drejtuesit e qeverisë së Kosovës nuk arritën të kuptonin (ose bënë sikur nuk e kuptuan) që Amerikanët nuk do ta toleronin kurrë neglixhencën e dënimit të krimeve të mundshëm, të kryer në kuadër të operacioneve luftarakë të UÇK’së, për dy arsye madhore:
1 – Është parim bazë i tyre (dhe i çdo shteti vërtet juridik) që ta pastrojnë patjetër nga dukuritë e shëmtuara të barbarisë një luftë në të cilën ata angazhohen për motive politike apo humanitare (si në rastin e shpëtimit të popullit të Kosovës prej genocidit serb). Amerikanët nuk kanë ngurruar të dënojnë ushtarakë të tyre në Irak apo Afganistan për veprime të pahijshme, pa lere më për krime!
2 – Bombardimet e NATO’s kundër ushtrisë serbe në Kosovë ishin kryesisht nismë e Amerikanëve, ndërkohë që disa aleatë në NATO nuk ngurruan të shprehnin rezervat e tyre deri në fund. Kjo ishte një arsye më tepër që Amerikanët të mos ta toleronin në asnjë mënyrë gjykimin e akuzave për krime të dyshuar lufte prej anëtarëve të veçantë të UÇK’s, ndërkohë që Beogradi zyrtar ankohej në adresë të SHBA’ve nëpër kancelaritë e Brukselit se «Nën diktatin amerikan, njëra palë po fiton gjithçka [Kosova], ndërsa pala tjetër po humbet gjithçka [Serbia]».

Të përfshirë nga ethet e pushtetit e të pasurimit, qeveritarët e Kosovës mendonin se erërat politike do të ishin gjithmonë të favorshme për ta lidhur me kohën e luftës, meqenëse lufta e tyre kishte qenë çlirimtare, ndërsa krimet e agresorëve serbë ishin kryer mbi një popullsi të pafajshme që e kishin pushtuar, prandaj ata meritonin të gjykoheshin. Mirëpo lufta e mirëfilltë është tjetër gjë (luftëtarët e UÇK’s nuk do të akuzohen kurrë pse kanë vrarë ushtarë, paraushtarakë apo policë serbë), kurse krimi ndaj njerëzve të pafajshëm rëndon njësoj në balancën e drejtësisë si në rastin kur kryhet prej agresorit, edhe kur kryhet prej luftëtarit çlirimtar.
Një arsye tjetër që ka ndikuar negativisht në psikologjinë e drejtuesve të qeverisë së Kosovës, për ta neglizhuar më shumë nga ç’duhej kërkesën e Ndërkombëtarëve (veçanërisht të Amerikanëve) për gjykimin e krimeve të mundshëm të luftës, është ideja e tyre e gabuar se Amerikanët nuk e dinë me saktësi, nëse janë kryer krime në kuadër të veprimeve luftarake të UÇK’s apo jo. Ndofta ata kanë harruar se, qysh kur filloi lufta serbo – kroate në kuadër të shpërbërjes së Jugosllavisë, Amerikanët i shtuan satelitët vëzhgues në qiellin e Ballkanit, ku përqendruan gjithashtu edhe kontigjente të konsiderueshëm të shërbimeve të tyre sekrete, mbasi ata e dinin më mirë se kushdo që Jugosllavia do të shpërbëhej kryesisht me luftë. Për fat të mirë, në krye të Kremlinit asokohe ishte Jelcini i lodhur e i demoralizuar nga vështirësitë e shumta ekonomike dhe Amerikanët ishin pothuajse pa rival në ndjekjen nga afër të ngjarjeve dramatike të Ballkanit. Si rrjedhim, Amerikanët dinë aq shumë të vërteta tronditëse të zhvillimeve të atëhershme në Ballkan, saqë edhe vetë Serbët e Kosovarët nuk i dinë të gjitha. Nuk do të vonojë dhe këtë fakt do ta mësojnë edhe qeveritarët e Kosovës, mbasi ata të Serbisë e kishin pak a shumë të qartë, prandaj e ngritën nga ana e tyre (kundër dëshirës) Gjykatën për krimet e luftës.
Kur Amerikanët u bindën se qeveria e Kosovës nuk kishte ndërmend ta merrte seriozisht çështjen e gjykimit të krimeve të mundshëm të luftës, për t’ia nxjerrë gjumin Prishtinës zyrtare u aktivizua karta Dick Marty me goditje qendrore: akuzohej për krime lufte direkt kryeministri i Kosovës. Pafajësia e z. Thaçi është e rëndësishme për të gjithë Shqiptarët, jo vetëm se ai është kryetar i qeverisë së parë të Republikës së Kosovës, por se ka qenë edhe përfaqësuesi politik i UÇK’s. Reagimi i z. Thaçi ishte i natyrshëm; ai nuk e pranoi akuzën, duke pretenduar se do ta hidhte në gjyq akuzuesin (pavarësisht se nuk e bëri këtë). Krejt i panatyrshëm qe në këtë rast reagimi i (ish) kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, dhe dublantes së tij të përhershme, (ish)kryeparlamentares Topalli. Si dy prototipë politikanësh primitivë e anadollakë, ata e mbuluan me fyerje ordinere Dick Marty-n, duke e akuzuar edhe si albanofob. Me këtë lloj qëndrimi arrogant e aspak zyrtar, ata demonstronin demek «unitetin panshqiptar» me qeverinë e Kosovës! Me siguri Amerikanët, si Mjeshtër të Mëdhenj të shahut politik, kanë qeshur nën buzë me «pathosin patriotik» të Berishës, për të cilin dihet se ata zotërojnë dosjet e vitit 1997-1998, dosjen e vrasjes së Azem Hajdarit, dosjen e tragjedisë së Gërdecit, dosjen e vrasjeve të 21 janarit 2011, dosjen e marrëveshjes detare antishqiptare me Greqinë e kushedi sa dosje korrupsioni ekonomik… E largqoftë sikur ndonjë dosje e të shumëpërfolurës «Shtëpia e Verdhë», e cila ndodhet në territorin shtetëror shqiptar, të na i bëjë ndonjë ditë edhe Berishën të zverdhet… Vetëm naivët mund të mendojnë se Raporti i Dick Marty-t ishte thjesht një trillë e tij. Ai ka qenë prokuror për një kohë të gjatë në Zvicër dhe i njeh shumë mirë kërkesat juridike të përpilimit të një akuze. Kjo u kuptua edhe nga shpejtësia me të cilën Parlamenti Evropian e mori në shqyrtim atë dhe ia kaloi raportin përkatës Këshillit të Evropës.
Rezultati:
Pretendimet e z. Marty po hetohen qysh prej vitit 2011 prej një ekipi nën drejtimin e prokurorit amerikan Clint Williamson. Më 23 prill (2014) qeveria e Prishtinës, e vënë me shpatulla për muri, bëri që të miratohej në parlament kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare për ngritjen e Gjykatës së Posaçme për Krimet e Luftës në Kosovë. Në seancën parlamentare përkatëse kryeministri Thaçi deklaroi:
«Kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës, për të themeluar këtë gjykatë, është padrejtësia dhe fyerja më e madhe që mund t’i bëhet shtetit të Kosovës dhe shoqërisë së saj. Kjo është një gjë shumë e vështirë, e cila do të rëndojë në ndërgjegjen tonë sa të jemi gjallë». Vetëkuptohet që miratimi i ngritjes së gjykatës në fjalë, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare, nuk është krenari për Kosovën dhe klasën e saj politike. Por njëkohësisht nuk është as fyerje që mund t’i bëhet shtetit të Kosovës dhe shoqërisë së saj, siç shprehet z. Thaçi, sepse ajo është një gjykatë që do të merret vetëm me kriminelët (në qoftë se ka pasur të tillë në radhët e UÇK’s), jo me persona të tjerë. Është normale që edhe shoqëria kosovare, si çdo shoqëri përparimtare, t’i dënojë kriminelët e saj të luftës, nëse ka pasur.
Në realitet fyerja më e madhe për shtetin dhe për shoqërinë e Kosovës, që duhet të rëndojë në ndërgjegjen e klasës politike të Prishtinës, është pa dyshim gjendja e dëshpëruar në të cilën janë katandisur pjesa më e madhe e (ish)luftëtarëve të UÇK’s (të gjymtuar nga lufta apo të shëndetshëm), të braktisur prej (ish)bashkëluftëtarëve të tyre të PDK’s, që tashmë janë pasuruar dhe krijojnë një shtresë tjetër shoqërore, aristokracinë kosovare. Gjithashtu fyerje për shoqërinë e sakatuar të Kosovës, të dalë me humbje të rënda nga lufta, kanë qenë pohimet e përsëritura të kuadrove të lartë të PDK’s «ne ju kemi sjellë lirinë», ndërkohë që edhe vetë Gjergj Kastrioti u tha bashkatdhetarëve të tij në Krujë: «Lirinë nuk jua solla unë, por e gjeta në mes tuaj».
Interpretimi ireal i zhvillimit të luftës çlirimtare të UÇK’s u bë shkak i abuzimeve në qeverisje, që ia vështirësuan së tepërmi jetesën popullit kosovar të etur për liri. Sigurisht krerët e PDK kanë meritat e tyre të pamohueshme në luftën çlirimtare, por liria e një populli nuk vjen dot kurrë nga kontributi vetëm i një grupi njerëzish në luftë. Aq më tepër kur z. Thaçi e ka pohuar me gojën e tij [intervista në Euronews] se ai vetë ka qëndruar larg zonave të luftës.
Gjithsesi Gjykata e Posaçme për krimet e luftës në Kosovë, na pëlqen apo s’na pëlqen ne Shqiptarëve, tani është një realitet i pakthyeshëm. Urimi ynë i përbashkët duhet të jetë që të shikojmë sa më pak ish-luftëtarë të UÇK’s në kthetrat e asaj gjykate, mbasi do të ishte naivitet të mendonim se nuk do të ketë asnjë të tillë. Prokurori Williamson është i mirënjohur si gjuajtës peshkaqenësh në krime, duke filluar prej liderëve të Khmerëve të Kuq në Kamboxhia. Nëse prokurori amerikan, pas tre vjetë hetimesh, nuk do të kishte gjetur prova të mjaftueshme e dëshmitarë të sigurt për argumentime krimesh të luftës në Kosovë, nuk do të ishte hedhur hapi tjetër në aspektin juridik:  – ngritja e Gjykatës së Posaçme për krimet e luftës.
Ka të ngjarë që opinioni mbarëshqiptar të befasohet më shumë prej emrave të personave që do t’iu dalin dëshmitarë të akuzuarve që mund të përfundojnë në Gjykatën e Posaçme, sesa nga emrat e vetë të akuzuarve. Duke e njohur tashmë mentalitetin shqiptar, prokurori Williamson do të synojë që dëshmitarët të jenë sa më bindës e të paparashikuar dot prej gjynahqarëve që mund të përfundojnë në pranga. Për të arritur këtë objektiv të rëndësishëm, që do t’iu mbyllte përfundimisht gojën edhe kundërshtarëve më fanatikë të ngritjes së gjykatës në fjalë, prokurori amerikan mund të përdorë «metodën Falcone» të faljes së mëkateve të një bashkëpunëtori në krim, i cili është i gatshëm të dëshmojë kundër mëkatarëve të tjerë gjatë procesit hetimor e atij gjyqësor, duke sjellë edhe prova shtesë.
Prokurorit Williamson nuk i mungojnë hapësirat e nevojshme për manovra të tilla efikase: me siguri shërbimet sekrete amerikane i kanë vënë atij në dispozicion, gjatë këtyre tre vjetëve hetime, materiale kompromentuese (filmime e regjistrime) për mëkatarët e mundshëm, midis të cilëve ai do të bëjë përzgjedhjet e duhura për dëshmitarë. Këta të fundit do të kenë mbrojtje ndërkombëtare e kushedi se ku do ta ngrysin jetën pas proceseve gjyqësore; pra, ata do të dëshmojnë pa pasur frikë për të ardhmen e tyre personale apo familjare.
Për qetësinë e tij shpirtërore, në këtë periudhë të stresuar pune në qeverisje, kryeministri Thaçi do të bënte mirë të shkonte një natë i vetëm, pa shoqërues e kamera, tek varri i legjendarit Adem Jashari dhe t’i rrëfehej me zemër në dorë: «Bacë, nuk u kry mirë. Ne nuk e morëm parasysh si duhej mesazhin politik të Presidentit Clinton, kur na tha: «Ne fituam luftën, ju duhet të fitoni paqen». Duke përvetësuar meritat e luftës, ne abuzuam me paqen. Na fal, Bacë!» «Shpirti i madh i Martirit di të falë», thoshin Romakët.
– Kontakti mde autorin: [email protected].

___________________

ODISEJA E NJË DEDEKTIVI – NGJARJE TË JETUARA, NGA AGIM HAMITI
HAPE: https://pashtriku.org/index.php?kat=47&shkrimi=778
***
AGIM HAMITI: LETËR E HAPUR DREJTUAR – KLASËS POLITIKE TË TIRANËS

 E TË PRISHTINËS DHE AMBASADORIT AMERIKAN ARVIZU
HAPE: https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=762

*****************************************

(Ilustrimet i bëri pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura