MONIKA SHOSHORI – STAFA: EDI RAMA DHE MARRËDHËNIET E TIJ ME MEDIAN

Tiranë, 19. 01. 2016: Nëse ne arrijmë të kuptojmë mekanizmin e çlirimit të mendjes së turmës, a nuk është e mundur pa dijeninë e tyre të kontrollosh dhe të rreshtosh masën e popullit, sipas vullnetit tonë? Praktika e fundit e propagandës ka dëshmuar se kjo është e mundur, të paktën deri në një pikë të caktuar. – Edward Bernays.
Kombet në botë kanë egon e tyre, ashtu si dhe individët. Nuk është aspak e re në histori shembulli i popullit që i pëlqen t’i atribuohen disa cilësi apo ca lavde të panjohura ndër kombe të tjera. Dhe kjo vlen po ashtu edhe për ca individë të llastuar e mburravecë, të cilët fati i një vendi në zgrip i çon drejt zgjedhjes së tyre për të administruar dhe qeverisur këtë komb. Dhe ndjesia e egos për t’u vetëdalluar është po aq e lashtë sa dhe tundimi ziliqar i Kainit që çoi në vrasjen kriminale ndaj vëllait më të vogël, Abelit. Që prej kohëve romake, vetëdallimi delirant bënte që të parët tanë ta quanin veten arianë dhe ata që mësynë më pas të quheshin, prej këtyre të fundit, barbarë, pra ishte barbar çdokush që nuk i përkiste tokës helladike dhe romake.
Koha rrodhi.
Materializmi i ditëve të sotme që rrjedh në një vijë të drejtë nga epoka e Rilindjes ka atrofizuar aftësitë shpirtërore të njeriut, duke penguar zhvillimin dhe topitur mprehtësinë e mendjes. Kështu, kur rebelët e Rilindjes i shpallën popullit të Europës lajmin e mirë se nuk do të kish më tirani, se vuajtjet dhe trishtimi njerëzor u shpërndanë si mjegulla me lindjen e diellit, që njeriu nuk ishte më i burgosur, atëherë shpirti njerëzor ndjeu magjepsjen e së panjohurës dhe dëgjoi zërin e botës pamore, botës së prekshme dhe të paqëndrueshme, ku jetohet e vdes, ku mëkatohet e pendohet dhe duke braktisur paqen në të cilën lëngonte fort, përqafoi Ungjillin e ri. Nuk kish më arianë dhe barbarë, por kish “turma” dhe “të ndryshëm”.
Sot, ata që ndihen “arianë”, janë “ndryshe”. E dëgjuam ta shqiptonte këtë veçim të grupit vetëm ditë më parë prej një studioje televizive Kryeministrin shqiptar, kur moderatorja e pyeste e përunjur, nën gëzimin ardhjes në studio, në psetë e saj të dakordësuara më parë. Sot, ne jetojmë nën doktrina të pafundme evolucioni teknologjik. Por rrjetet sociale shumë pak e ndoqën me vëmendje bisedën jo aq të qetë të Ramës në daljen e parë të gjatë publike, që pas Viti të Ri, Majamit, NBA-së dhe përmbytjeve të fillimvitit në Shqipëri. Progresi kaq shumë i trumbetuar i këtij shekulli të ri fatkeqësisht nuk ka të bëjë në pjesën më të madhe me lëmshin e makinerive të shpikura me startup-e apo dhe qëllimit për të mbledhur shpejt e me furi elementet e shpërndarë të dijes dhe fitimit për t’ia shpërndarë ato secilit anëtar të komunitetit, por e kundërta po duket sheshit. Babëzisë makute e shitjes së detajit të gënjeshtërt, si ajo e çadrës me gazetaren e ngratë dhe dorëputhja galante që, veç kujdesit të ngadaltë se mos shkaktonte ndonjë “dhembje” diku, tejçonte dhe shpërthime të tilla përbuzëse nervoze si ajo e një dite më pas, pas një mbledhjeje të vonë pune në selinë e Partisë Socialiste: Prapë këtu ju …? S’keni punë tjetër, mor vlla? Ahhuuuuu …”. E duket se mes këtij qytetërimi kompleks e shumanësh, mendja njerëzore thuajse e terrorizuar nga madhështia materiale humbet, mohon veten dhe sa vjen e dobësohet, duke u shpërfaqur herë në dy fytyra e herë në tri brenda një harku kohor të shkurtër.

Ajo çfarë James Joyce shkruan lidhur me gazetarinë në epokën e Rilindjes, por jo atë të sotmen, është pikërisht kjo epokë, Rilindja pra, e cila e vendosi gazetarin në katedralen e murgut duke hedhur poshtë një mënyrë të menduari akute, të kufizuar e formale dhe duke i dhënë skeptrin e një mënyre të menduari të shqetësuar, por dhe amorfe në të njëjtën kohë, për shkak të pikëpyetjeve të shumta lidhur me të mirat që duhet t’i përkasin mirëqenies shoqërore. Ndërsa sot, kjo forcë e palodhur krijuese, ky pasion i gjallë e i flaktë, dëshira e thekshme për të parë dhe dëgjuar, kurioziteti i stërzgjatur e i shpenguar, do të degjeneronte pas shumë shekujsh në një tronditje të madhe të shtypit dhe në një eksitim frenetik që po e navigojmë çdo ditë në revistat tona personale online. Dhe për njeriun modern do të mund të thoshim pa frikë se ka një epidermë në vend të shpirtit, e se vend për shpirt ai më nuk ka.
Pse? Është e thjeshtë. Mungon morali dhe imagjinata. Kultura jonë sot ka një qëllim krejt tjetër: jemi të babëzitur për detaje që nuk kanë asgjë të përbashkët me vokacionin stilor të “murgut” të Rilindjes.
“Niveli i medias shqiptare në shërbim të publikut është mizerabël”, e sintetizoi përgjigjen e tij Edi Rama, kur gazetarja e pyeti se çfarë inati e kish kapluar me mediat dhe pse ky qëndrim i ashpër i tij ndaj tyre, kur në fakt, Edi Rama politikan është mot a mot, një prodhim mediatik politikani. E vërteta mund të shkaktojë shqetësim; e vërteta do të sulmohet; mediat nuk kanë asnjëherë durim të sjellin të gjitha faktet dhe kështu publiku nuk do të njohë dallimin midis së vërtetës dhe gënjeshtrës. Ajo që merr rëndësi pastaj është pozicionimi i kahershëm, dakordësimi i mëparshëm apo pakti mes “të ftuarit” në tryezë dhe mikpritësit, deklaratat në lidhje me një apo shumë çështje për të shmangur mosmarrëveshjet ose për të ngjallur publicitetin e dëshiruar në atë qëndrim që do t’i përshtatet, si imazhit të deklaruesit të krijuar për të nga njerëzit e tij në shtyp (spin-i doctor), edhe kuadratit që mediat kanë krijuar për politikanin dhe politikën në përgjithësi.
Politikani mund të vazhdojë, për arsye të integritetit personal, të ngulë këmbë mbi të vërtetën ashtu siç e sheh ai vetë, por ai e bën këtë duke e ditur se besimi në qëndrimin e vet, ka më pak rëndësi sesa të duket sikur po flet haptazi në televizion. Sigurisht që makineria e marrëdhënieve me publikun e politikanëve dhe e partive të tyre, ndihmon për t’i ushqyer këto histori e kështu spin-i funksionon, sepse janë pikërisht mediat që e mirëpresin atë. Ndaj, ai ka të drejtë kur i tall dhe i përbuz mediat dhe gazetarët në publik teksa i shtron darkën e përvitshme por kjo assesi nuk e nderon një Kryeministër. Po aq nuk do ta nderonte atë edhe kur lidh marrëveshje me pronarët dhe botuesit e tyre apo në një rast tjetër kur vetë gazetarët nuk marrin pagën e punës së tyre prej më shumë se dy muajsh, por po aq dhe trajtimi çnjerëzor që i bëhet lirisë editoriale të tij. Sepse gjithkush duhet ta dijë se çdo gazetar punon nën trysninë e redaktorëve dhe prodhuesve, të cilët nga ana tyre, janë po ashtu nën trysninë e botuesve dhe drejtuesve ekzekutivë të rrjetit, të cilët analizojnë shkallën e suksesit mbi bazën e shikueshmërisë së forumeve politike të majtë dhe të djathtë krejt “for granted”, apo të shikueshmërisë dhe dëgjueshmërisë së publikut nga sherret që përcillen prej foltores së Parlamentit. Të gjitha paturpësisht “for granted”. Edhe kjo nuk do ta nderonte Kryeministrin, i cili ka shumë të drejtë kur thotë me përbuzje se nuk e shikoj fare shtypin (edhe kjo shumë pak për t’u besuar) e që nuk e lexon fare atë, veç njujorkezes “Huffington Post”. Natyrisht që ka të drejtë pas gjithë këtyre prapësive dhe paudhësive të drejtuesve të mediave shqiptare, të cilët për të qenë brenda afateve kohore e për të ruajtur kuota në treg apo për të ushqyer “kuçedrat” e lajmeve i vënë gazetarët të lëvizin në kope, duke prodhuar komunikata për shtyp, të njëjtat shkrime, me të njëjtin model e me shifra të njëjtë. Ky lloj lajmi nuk kërkon mendim dhe kohë për t’u përtypur dhe tretet kollaj e të pranosh spin-in është më e lehtë për të gjithë.
Ky element i konveniencës ndihmon gjithashtu për të shpjeguar përse edhe në radhët e gazetarëve më korrektë dhe më objektivë shpesh publikimi i një raporti nuk prodhon asnjë debat apo të vërtetë. Ndaj ai sërish ka shumë të drejtë kur thotë se “nuk është puna ime të shkoj në prokurori të zbardh të vërtetën, është puna juaj”, e gazetarit pra. “Çfarë bëni ju”?, iu drejtua ai moderatores. E gjitha çfarë ndodh pas kësaj është kthimi te spin-i, i cili e fabrikon lajmin në qetësi të plotë dhe qesh me gazetarët kur ua lëshon atë si ushqimin e tyre të përditshëm. Ja pse gazetaria është në një nivel kaq mizerabël dhe Rama përpos gjithë këtyre argumenteve që shënova më lart, ka gjithmonë shumë e shumë të drejtë. Sepse shumë rrallë ndodh që një gazetar të ketë kohë të analizojë shifra dhe ngjarje; sepse lajmi sot nuk ka lidhje me meritat për ulje të taksave apo me rreziqet e deficitit, por ka lidhje më shumë me debatet mes partive. Sepse duhet ta pranojmë se ajo që ushqen rezervën e vjetër të gazetarisë sot është konflikti personal, kravata dhe shtëpia e çimentuar e Kryeministrit dhe artisti ndryshe brenda tij. Varfëria, ikja e shqiptarëve, përse maturantët nuk dinë ende çfarë të bëjnë me maturën shtetërore, mungesa e çarçafëve në spitale, të mirat bazë të një shteti social nuk përbëjnë më lajm mes nesh.
Spin doctors, amplifikimi i konfliktit, kërkimi i skandalit dhe i gabimit, ndikimi përfundimtar i gjithë kësaj, është shkatërrimi i standardeve konvencionale për të gjykuar të vërtetën. Ndaj nuk ka asgjë që nuk qëndron në atë qëndrim të Ramës ndaj medias. Ai “djall që fshihet në detaje”, tregon se ai vazhdon të qëndrojë po aq larg modestisë sa dhe kur ishte kryebashkiak i Tiranës, e po aq larg madhështisë galante të një figure potencialisht të lartë politike. Në një atmosferë të tillë, ku një koment i vetëm e i pamatur, edhe pse i përsëritur disa herë, mund të gjeneronte më shumë publicitet negativ sesa vite të tëra reformash të pambaruara, nuk duhet të harrohet se dhe darkat personale me të ftuarit e tij personalë mund të kalonin në site apo dhe filtra, ku ironia të bëhej e dyshimtë, spontaniteti të shkaktonte ngrysje vetullash dhe pasioni të dukej krejt i rrezikshëm. Ky episod ama sugjeron për një anë më tinëzare dhe më gërryese të së vërtetës që ruan Kryeministri në marrëdhënie me median moderne – se si një qëndrim i tillë përbuzës e treguar në një mënyrë të caktuar dhe e përsëritur vazhdimisht, ka mundësinë të jetë një realitet i pashmangshëm, ku ai me vetëdije po luan rolin parësor.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura